Kozma GJINI/ Brirët e ÇEZ-it dhe cjapi shyt

645
Sigal

Më ka ndodhur të drekoja në një restorant…në bregdet dhe kamerieri, në “nxitim e sipër”(!), kur bëri llogarinë në bllok, mblodhi bashkë me çmimin e menysë që konsumova edhe datën dhe ma la faturën dyfish në dorë. Sapo e konstatova “lajthitjen” e kamerierit, ai më ktheu kusurin, por …për analogji,…që të ma linte dopio gjashtën në dorë ÇEZ-i  (një vit) me një faturë mbi 70,000 lekë për një muaj, kur sahatin varur në mur e kam fringo, kandar farmacie, kjo nuk më kish shkuar kurrë në mendje. Kur një gabim të tillë e bën një institucion “prestigjioz”, si i ndrituri ynë i dritave, ÇEZ, sa vite duhen që të korrigjohet? Si të veprojë qytetari i gjorë në këto raste? Me praktikën e kalimit online të shifrave të faturës së dritave, s’paska burrë nëne që ta korrigjojë gabimin”. Pale, po flitej se ÇEZ mund të ishte edhe një pengesë për marrjen e statusit!…”     …Në fshatin tonë kodrinor…, para afër një viti, banorit “S. S” i ka shkuar fatura e shpenzimit të energjisë elektrike për një muaj mbi 70 000 lekë të reja. (Gabim njerëzor, sepse shifrat janë të fotografuara dhe në sekondë mund të korrigjohej). Por, kjo histori ende nuk është zgjidhur as sot e kësaj dite nga ÇEZ-i, sado që qytetarit i ranë këmbët tutje-tu zyrave të ÇEZ-it, në Lushnjë.  Asnjë përgjigje, as me gojë e as me shkrim. Fillimisht e përcollën me premtime, “do ta zgjidhim sot e do ta zgjidhim nesër”, por kur e panë këmbënguljen tij, ata ia prenë shkurt: “Nuk ka zgjidhje ky problem! Vetëm autoritetet e drejtorisë se ÇEZ-it në Tiranë i kanë kompetencat ta zgjidhin, sepse shifrat janë futur online dhe po u regjistruan ato në kompjuter, nuk ka burrë nëne që ta çregjistrojë, jo 70 mijë, por edhe 700 mijë po të ishin”. “Me këtë shumë që më sollën, (70,000 lekë muaji), unë dua mbi 20 vjet që ta shpenzoj. Mirë e ka ÇEZ-i, se deri atëherë mua më ka mbirë bari…dhe quhem sikur i kam paguar dritat edhe për në varr.! Për t’u futur gabimi në sistem, futet brenda minutit, por që të dalë që aty, (për t’u korrigjuar), u dashkan vite”. Por ka edhe një zgjidhje që ÇEZ-i qendër ia paska lënë në kompetencë ta zgjidhë baza. Dhe a e dini çfarë zgjidhje fantastike!? “T’i paguaje shumën e faturuar, se ta kthejmë ne me kalimin e viteve dhe kështu ky problem mbyllet, i thanë vasalët e ÇEZ-it të këtushëm. Numri i faturuar nuk hiqet nga fatura sikur të përmbyset bota”! “Po, ku kam unë të paguaj, more mik?” “Ke, s’ke, gjeji borxh, se këto shifra s’luajnë nga kompjuteri, sikur qeni qepën të hajë. Dhe shiko,…po s’i pagove brenda dy vjetësh, do penalizohesh me kamatë”. I zoti e nxjerr gomarin nga balta, mendoi qytetari dhe sërish një mëngjes u gdhi te dera e ÇEZ-it epror, në Berat. Çfarë i thanë këtu? “Bëj ç’bëj dhe përsërite prapë dosjen e ankesës se po u mbushën dy vjet pa e freskuar dosjen, nuk merret parasysh ankesa e parë, dhe quhesh sikur i ke shpenzuar! U dogje!”. Po kusuret e qytetarit pas këtij ngërçi trashanik, kush i paguan?

Qytetari nuk bën dot as kolaudimin e makinës. Nuk merr dot as një vërtetim në zyrën e shtetit. Nuk lëviz dot, sepse quhem debitor. ÇEZ e mban peng.

 “…Di që edhe një kolegu im  pati 20 mijë lek të rinj mbifaturim gabim në një muaj dhe u ankua, por i shkoi huq, se i thanë paguaji se do penalizohesh dhe kështu ai  i pagoi. A mos vallë edhe unë do ta pësoj si ai?” O shteti ynë i brishtë! Dil nga shpërgënjtë se ky farë “bajlozi” po na varros së gjalli. O ÇEZ, na e nxive jetën e po e telendis një popull të tërë me burokracinë tënde të kulluar. Se kush vjedh energjinë e kush s’paguan, i ke qorruar sytë, por mos harro se do të të ngecë në fyt mallkimi ynë. Vërtet po të durojmë ca si shumë, se s’kemi “brirë” si të tutë që të ndeshemi me ty, por e di zotrote atë fabulën e cjapit shyt që ua rrëzoi në tokë brirët cjepërve që i kishin brirët sa të drerit?..  Qofsh ti ÇEZ apo Kesh/Tash sa vjet ke ik për lesh/Më kupto e më mbaj vesh/ Boll popullit ia ke ngjesh/Se qoftë afër, apo larg/ti do biesh me një hundëlesh!……