Kozma GJINI/ Beneluksi dhe krimbi i niçes

678
Sigal

Punë djalli me këta holandezët. Njerëz me “dy faqe”? Si more, nuk na e dhatë statusin?! Kanë 23 vjet që na hanë bukën…vijnë vërdallë e “dredhin zinxhirin” nëpër qytetet tona dhe…hedhin vickla. Edhe ndërtojnë shkolla, kopshte, ambulanca, (dhe nevojtoret e kalamajve tanë) dhe s’ngritkan dot një copë karton! Iiii….ç’njerëz të ftohtë! Kujdes! Më duket se ata e kanë për të mirën tonë. Sepse të themi të drejtën, para nesh janë serbët. Mirëpo, po u futëm edhe ne…çfarë do të bëjmë përveç se të çuditim BE-n, duke “grushtuar” me serbët? Duaji keq e folu hakun, po…serbët i “plotësuan më mirë” se ne kushtet(!). Sepse…ata vranë e prenë sa deshën shqiptarë kosovarë, e “zbukuruan” tokën me varreza masive me “shumicë e me pakicë”. Po ne, çfarë vramë dhe sa vramë? As edhe një mizë. Ah… ne vramë vetveten. Hë….e kisha me holandezët “dyfekun”. “Bukëshkalë”!? Pale, po janë edhe në kërthizë të Beneluksit. Zoti holandez, kaq frikë paskeni ju nga ne shqiptarët? More, mos ju  “tërheq prej hunde” Amerika? Po, po. Nga “inati” që ne nuk i pranuam armët kimike…, ju u bëtë palë me ta dhe na mohuat një të drejtë që të tjerët e kanë fituar që ditën e dytë pas hyrjes në NATO. Dhe thonë pastaj se…s’janë pjekur kushtet(!) Cilat kushte? Na thatë plotësoni 12 kushtet? I plotësuam. S’na futët… “na e futët”. Na nxorët tre të tjera. I realizuam? Po. . S’na futët… “na e futët”. More, na e mbyllni derën? Por jo gojën, ama. “Korrupsioni, thotë një analfabet këtu… qenka lubrifikant i kapitalizmit”. A thua se vërtet është kështu? Atëherë oburra le t’i shtojmë duart, gishtërinjtë, gojët …që të “marrim” sa më parë statusin. Po le ta marrim pak më shtruar. E dini miq, sa holandez bredhin kryq e tërthor Shqipërisë, shikojnë me lupë në dorë ato që bëjnë “my” sa një mullar byku para syve tanë? Këta holandezët sikur të kenë rënë nga qielli, mor jahu!. Si? Më mirë lopë në Holandë se sa….? S’ke faj ti, zooveteriner jo! Të çon Partia jashtë dhe ti na qit mbroçkulla “sockapitaliste”. Po pse nuk dezertove, o i zi,…kur atje qenka më mirë lopa…?

Tani … seriozisht, lexuesi ynë i dashur!

Në fshatin Gramsh të komunës Dushk të Lushnjës, ndodhej… një shkollë që vetëm e tillë s’mund të quhej. Pse? Sepse çfarë binte jashtë hynte brenda. Tavani po rrëzohej e qe gati të zinte poshtë nxënësit. Pikonte krejt çatia. Muret ishin gjithë harta lagështie. Shiun e prisnin me kova e legenë në klasa. Mblidheshin fëmijët e “bënin mësim” në një cep shtrydhu e mblidhu nga të ftohtët. Ama, ç’mësim! Drejtori i shkollës z. Adem Kërçuku, negocoi me një fondacion holandez “Shpresë për Shqipërinë” dhe nëpërmjet z. Albert Dosti, pastor i Kishës Ungjillore “Rruga e Paqes”, zotërinjtë holandez erdhën në Gramsh e vunë duart në kokë, kur panë gjendjen e shkollës. Kaq dhe ikën. Prit një ditë…dy, tri,..një javë, dy tri…dhe Ademi sërish (si t’i dhimbej shtëpia e tij) i kërkoi miqtë, deri sa ua gjeti derën. Erdhën përsëri holandezët dhe e gjetën drejtorin në një mbledhje me komunitetin e prindërve. I priti Ademi në drejtori. S’kishte asnjë karamele t’i qeraste, i ziu drejtor. Në bisedë e sipër zotëria holandez (nëpërmjet zotit Dosti), i thotë Ademit: -Thuaji pak drejtorit: nëse ne hedhim një fond për shkollën, po vet drejtori sa… do?-Asgjë!- tha Ademi. Miqtë po shikonin njëri-tjetrin në sy. Ç’është ky drejtor që s’dashka një “kafe”? Mirëpo kjo ishte thembra e Akilit për miqtë. -Pyete dhe një herë, i tha i huaji. “Po ti sa do?”-pyeti prapë drejtorin miku sy më sy .“Asgjë!”, tha prapë Ademi. -Të më bëni shkollën, sikur më keni bërë shtëpinë. Këtë dua”. Miqve iu qeshi fytyra. Se çfarë do të thotë shprehja “Po ti, sa do?” të gjithë e kuptojnë. Holandezëve u kishte ngecur sharra në gozhdë, sepse kudo që kishin shkuar për të kontribuar me fondacionin e tyre, (rikonstruksione shkollash, kopshtesh, ambulancash…) ata ndesheshin me të tillë drejtues që para se të hartonin një projekt, u duhej të hiqnin veç “kafen” për të “zotin” e shtëpisë. O zot, sa turp në sytë të botës! Dhe të huajt e dinë tashmë se ne e shikojmë tjetrin nga duart. Meqënëse Ademi si një mësues adapt dhe drejtues korrekt tërë jetën, me komunikim e shkuarje model me vartësit, kërkues për zbatimin e disiplinës në shkollë, nuk i lejoi vetes të bëhej viktimë e “kafes”, atëherë ata biseduan edhe me komunitetin dhe pasi gjetën mbështetjen e tij (duke e bërë pjesëtarë në rindërtim me një shifër qesharake, për kujdesje), e rikonstruktuan shkollën dhe kështu u bë shkolla e Gramshit kupë e pasqyrë. Pa sollën edhe infrastrukturën…tavolina, banka, orendi të tjera mësimore, ndërtuan këndin sportiv, banjat… dhe sot lum kush është mësues në shkollën 9-vjeçare të Gramshit se të ka lezet shpirti të japësh mësim. Sa futesh në Gramsh të bie në sy godina e re e shkollës në fasadën e jashtme të së cilës të tërheq vëmendjen një pllakë ku shkruhet: “Rikonstruksioni i shkollës është dhuratë nga Fondacioni holandez “Shpresë për Shqipërinë”. Bukur. Punë, ndërgjegje dhe gjurmë. Shkolla të ngjanë sikur është ndërtuar sot. Sepse kolektivi i mësuesve dhe drejtori i saj z.Adem Kërçuku, tregojnë kujdes që bankave a mureve të mos ketë asnjë gërvishtje, asnjë vijë lapsi, asnjë pikë boje, se vetë nxënësit janë ndërgjegjësuar. Gjithçka xixë, pastërti, rregull. Shkoni e merrni shembull në Gramsh, zotërinj drejtorë të shkollave!

Tani, që ta “mbill”, më duhet sërish të kthehem në “krie”.

O Benelux! Do na e jepni statusin pas 6 muajsh? Se mos na nxirrni ndonjë kusht tjetër, ore? Shiko, se kemi edhe “Babagjyshër” ne. Ja tek jua themi troç: Mos bëni gabim të na e jepni. Nuk e duam. Naaa…ta bëni dhëmbin. Madje, edhe sikur të na e jepni me zor, ne nuk e marrim. More…zoti holandez, se “gjeç” harrova unë: E di që flasin vesh më vesh edhe për “Ujin tuaj të kulluar”? S’e dini çfarë thonë? Mos e besoni, pooo… gjasme, sikur ju, “hidhni” ca euro “hamameve” tona dhe ca i “futni” në xhepin tuaj (!). Jo? Mirë…mirë…po…! Po ta ngjitëm ne “bishtin”, jo BE-ja, po as OKB-ja s’ta heq dot. Çfarë doni, mor vëllezër? Shpirtin t’i japim Evropës? Këtë doni? Jo, more jo, nuk e duam fare statusin, (mbajeni për vete) sepse kemi për të plotësuar dhe ca “kushte” “të vogla”si: Janë dhjetëra kompjuter të vjedhur shkollave dhe nuk dihet kush na e bën këtë “nder” (në shkallë vendi janë qindra, e di mirë MASH-i parë); sepse mjekësia akoma t’i lë zorrët jashtë, po s’u hodhe xhixhat; sepse shefi … s’t’i hedh sytë e jo më të gjejë vend pune po nuk ia “grasatove qerren”; sepse kur bëhet kontroll nëpër biznese, mbyllen njëherësh të gjithë qepenat, sepse e kanë “spiunin me sms” brenda te kontrollorët, polici bashkiake e dreqi me të birin”; sepse që të marrësh një tender duhet të dorëzosh “një zarf”; sepse… Oh…sa shumë… sepse! E fundit: Ah, ç’më del përpara ky Niçja e më thotë :Stop!… me definicionin e tij…te… “Kështu foli Zarathustra” “…Kemi kaluar rrugën nga krimbi te mbinjeriu, por ende tek ne mbetet diçka nga krimbi”.