Kontributi shumëplanësh i Dr. Osman Jonuzit si Drejtor i Përgjithshëm i Shëndetësisë

738
Sigal

Prof. DR. Flamur TARTARI

(vijon nga numri i kaluar)

Duke qenë gjithashtu Drejtor i Përgjithshëm i Shëndetësisë, Dr. Osman Jonuzi, u mundua që në të gjitha rrethet të dërgonte mjekë dhe në disa rrethe kryesore si Durrës, Vlorë, Shkodër, Korçë, Elbasan të ketë edhe ndonjë kirurg operator e gjinekolog, që qeveria e Zogut ia aprovoi me shumë vështirësi, të hapte edhe dispanseri të ndryshme megjithëse i mungonin fondet… Dr. Osmani dha mendimin të organizohej shërbimi hijeno – sanitar me një mjek përkatës, të caktohej mjek ftiziatër, mjek malarik, meqë malaria ishte një sëmundje e përhapur në Shqipëri në atë kohë. Ai ngulte këmbë që qeveria të shtonte fondin e bursave për mjekësinë e të dërgoheshin edhe mjekë për specializime, sepse, pa mjekë të nevojshëm, në Shqipëri nuk do të ketë kurrë organizim të mbaruar e të plotë shëndetësor si në vendet e tjera. “Duhet të dërgojmë vetëm djem nga Shqipëria e të mos presim të mira nga mjekët e huaj…, – thoshte ai.” Gjithashtu, ai kërkon që mjekët të jenë humanitarë dhe të disiplinuar dhe kërkon nga qeveria që disa nga të ashtuquajturit mjekë si Asterio Zambura, Krisipollo etj., t’u hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit dhe i pushon nga puna sepse bëjnë spekulime të mëdha në kurriz të popullit, bile i gënjenin gratë që nuk lindnin, u merrnin para e bizhuteri duke u premtuar se do të lindnin me disa mjekime, ose dhe me ndonjë ndërhyrje të vogël. Për sjellje jo të mirë ndaj popullit ai i kërkon qeverisë të pushohet nga puna e të largohet mjekja N. Mirsabeg, ruse e bardhë, të cilën Zogu e kishte sjellë nga Serbia. Për mjekët e mësipërm ai me forcë ngul këmbë që të largohen nga Shqipëria duke thënë ndër të tjera: “Prandaj tu e marrë parasysh sjelljet e tyre të liga e të jashtëligjshme dhe dallim moral material të popullit të mjerë… të hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit. Ata janë njëlloj duke futur edhe Demosten Juanidhin në Delvinë, sepse sillen keq e qëllimi i ardhjes së tyre në Shqipëri është me dëmtuar popullin tonë të mjerë dhe me mbushë xhepat… Krahas këtyre njerëzve sharlatanë të huaj, ai lufton edhe disa njerëz si xhelat mashtrues një farë Emin nga Bukalli i Përmetit, i cili duke shfrytëzuar injorancën e popullit, me pashpirtësinë e tij ka ardhur të qorrojë shumë njerëz të pafajshëm edhe disa që vuajnë nga sëmundje të lehta e që shërohen vetë.” Më 1932 ai ngul këmbë që të rregullohet spitali i Tiranës, ndër të tjera flet në një raport: “Duam që ky spital të jetë një ngushëllim e një shpresë për popullin e varfër që vuan, prandaj vazhdon ai, Drejtoria e Shërbimit Shëndetësor ka bindje që të plotësohen kushtet e spitalit, gjithashtu edhe me mjekë shqiptarë. Dr. Osmani duke qenë një mjek përparimtar dhe largpamës nga njëra anë, e duke parë shumë vite si mjek që nuk kish ndonjë zhvillim, ngaqë vetë qeveria e Zogut e pengonte zhvillimin sepse vetë kuroheshin jashtë shtetit. Kuadrot e pakta që ishin nuk i përkrahte, bile ata që ishin nuk i donte e i nxirrte para kohe në pension si rasti i dr. Telemak Laboviti në Gjirokastër, ose për dr. Theodhosin, dr. S. Tefikun që u pushuan nga puna, ai nuk ish dakord për këtë masë, ku vetë dr. Osmani nguli këmbë që të mos dalë në pension, sepse populli ka shumë nevojë për të. Ne duam të kemi mjekë shumë dhe kërkonte gjithmonë kuadro të reja. Ai, duke parë që disa mjekë shqiptarë të martuar qysh studentë apo më vonë me gra të huaja, vinin e qëndronin kryesisht në qytete për disa kohë dhe largoheshin nga Shqipëria. Për këtë qëllim më 4. 8. 1932 (f. 402) i kërkon me këmbëngulje qeverisë… “Janë në nderin tim t’u parashtroj se gjatë kohës që si titullar i kësaj Drejtorie kam marrë drejtimin e sigurimit të shëndetësisë publike të vendit e kur po mundohemi me gjithë fuqinë e mjetet që disponojmë të bëjmë diçka në këtë drejtim për të mirën e shëndetit të popullit, pengimi kryesor i parë që kemi taku është mungesa e elementit mjekësor që ndodhet në vendin tonë, në një sasi mjaft të kufizuar, por edhe kjo sasi mjekësh e kufizuar nuk është gati t’i shërbejë vendit kudo e si duhet, sepse një pjesë e tyre janë të martuar me gra të huaja dhe kërkojnë punë e kondita në qytete të zgjedhura. Me një fjalë kemi konstatuar se disa nga doktorët e martuar me zonja të huaja, me këtë vend nuk i lidh gjë tjetër veç rrogës ose në lidhen me sentimente në realitet janë gjithnjë veprues e interpretë të dëshirave të shoqeve të tyre, të cilat shikojnë vetëm prehjen e fitimit e asgjë tjetër e këtij vendi nuk u intereson, për të mos thënë se e urrejnë çdo gjë. Asht një fatkeqësi me konsekuenca katastrofale për vendin lënia në heshtje e këtij problemi, efektet, efektet e hidhura të të cilit po i provojmë dita – ditës edhe në jetën publike të shtetit pa qenë nevoja të përmendet këtu degjenerimi i qarkut kombëtar e shoqëror të një vendi të vogël e të varfër si ky i yni. Çudia e hidhur e dizinteresimit të pushtetit publik ndaj kësaj çështjeje jetike shfaqet më shumë për pjesën e studentëve që mbahen me bursat e shtetit të cilët kur kthehen në Shqipëri për të okupuar pozitat e rezervuare janë të shoqëruar nga zonja të huaja… Propozojmë që qeveria të marrë masa të tilla ndalimi, sidomos për ata studentë bursistë që mbahen edhe me djersën e popullit të ngratë, i cili më vonë përbuzet prej shoqeve të tyre, në mos edhe prej kalamajve… mendojmë që t’u pritet bursa atyre studentëve të cilët guxojnë të martohen me gra të huaja, gjithashtu ndalohet edhe emërimi ndër pozita zyrtare i mjekëve që këtej e tutje do të martohen me të huaja… Dr. Osmani një rëndësi të madhe u jepte përgatitjeve të kuadrit të mesëm. Infermieri dhe ndihmësmjeku i vjetër, Hidajet Ceka, me admirim e respekt e kujton atë, që shpesh u thoshte: “Mjeku pa ju, personelin e mesëm e të ulët, nuk është gjë. Ju e keni në dorë më tepër se gjysmën e kohës të sëmurin, prandaj duhet të jeni i ndershëm dhe punën ta kryeni me ndërgjegje të pastër”. Sa herë që do të merrte në provim infermierët, ai kishte besim vetëm tek profesori i ndershëm, Aleksandër Xhuvani, që gjithmonë e kishte pjesëtar të komisionit. Ishte ai që bëri propozimin për të shkuar në Universitetin e Barit 10 vajza të reja me bursë të qeverisë në bashkëpunim me qeverinë italiane për tu përgatitur si mami. Edhe pas studimeve këta vajza shqiptare dhanë një kontribut të madh në të gjithë vendin duke shpëtuar dhe asistuar në shumë lindje të nënave shqiptare. Këtë mirësi si nënat dhe vetë mamitë ja dedikonin vetëm zemërgjerësisë së dr. Osmani që i bëri të shkolloheshin në Itali… Dr. Osmani i respektonte infermierët e vjetër dhe të mirë, ai me guxim e mori në mbrojtje dhe e futi në punë të venë e patriotit Bajo Topulli, që ishte lënë në mes të rrugëve sepse persekutohej nga njerëzit e Zogut, megjithëse për doktorin si drejtor pati fjalë jo të mira nga ky gjest i tij patriotik. Ai me guxim vuri veton e tij për futjen në punë në shëndetësi, duke thënë që ne, të kishim edhe disa të tjera si ajo, do të na duheshin shumë në shëndetësi, sepse këto punojnë me humanizëm. Dr. Osmani, si mik e shok i dr. Omer Nishanit, e ndihmon atë të punojë në qarkun e Durrësit, bile në një letër që ky i fundit i dërgon doktorit për të prurë në Tiranë një grua të varfër për të lindur në Tiranë dhe menjëherë dr. Osmani jep urdhër të pranohet në spital. Megjithëse nuk ishte pediatër, por si mjek me njohuri të mëdha organizative, ai jep mendimin që në Tiranë të hapet një poliklinikë për parashkollorët me një mami, infermiere dhe një mjek. “Ky institucion, thoshte ai, ka për qëllim të pakësojë vdekjet e bebeve dhe rritjen e shëndoshë të foshnjave nga familjet e këputura… “ Por qeveria e Zogut nuk e miratoi për mungesë fondesh, etj. Gjithmonë dr. Osmani luftonte për zhvillimin e mjekësisë, për forcimin e kushteve higjieno – sanitare, të cilat ishin sidomos shumë të këqija, ngaqë qeveria e Zogut nuk investonte fare për ruajtjen e shëndetit të popullit. Ai, siç kemi thënë, iu përkushtua jetës dhe shëndetit të popullit deri në moshën 81 vjeçare, kur u largua nga puna në poliklinikën qendrore. Mendoj që në qendrën spitalore universitare “nënë Tereza” godinës së re të urgjencës spitalore ti vihet emri i këtij mjeku të shquar “Dr. Osman Jonuzi” emër që e meriton plotësisht dhe i përket atij… Dr. Osman Jonuzi vdiq në vitin 1966 në moshën 87 vjeçare. Për brezat e ardhshëm është një kënaqësi të njihen me këta njerëz të shquar. Dua të shtoj më në fund që më 8 qershor 2013 në një ceremoni të organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe Shoqata Tirana e nderuan këtë kolos të Mjekësisë Shqiptare duke i dhënë titullin “MIRËNJOHJA E QYTETIT TË TIRANËS” me motivacionin :”Për kontributin e shquar në zhvillimin e shëndetësisë shqiptare, në ndërtimin dhe drejtimin e Spitalit të parë të Tiranës… … “

Duke marrë shkas nga ky ndërtim i ri që do të bëhet, mendoj se, organizmat përkatëse, duhet të vlerësojnë mjekët tanë të shquar, që hodhën themelet e mjekësisë shqiptare, duke ndërtuar një obelisk në QSUT Nënë Tereza, me emrat e mjekëve përkatës, si dhe një muze të vogël me historinë e mjekësisë shqiptare. Gjithashtu, kemi disa vite si shoqatë e Tiranës, që kemi propozuar për ngritjen e një obelisku të vogël, për datën e themelimit të spitalit të Tiranës. Më në fund dua ta mbyll me një citat të të madhit Skënder Luarasi: “E gjithë bota i ndërton heronjtë prej balte. Ne i kemi dhe u hedhim balte”