Konstatimet e Task Forcës për zgjedhjet

"Task Forca" e drejtuar nga zv/kryeministrja Ledina Mandija ka zhvilluar mbledhjen e radhës në orët e pasdites së sotme.

Në deklaratën e shpërndarë thuhet se zyra e kryetarit të Task-Forcës ka adresuar në Polici 20 raste të denoncuara nga subjekte elektorale dhe qytetarë të ndryshëm, nga të cilat nga ana e policisë është raportuar vetëm për dy raste. “Policia e Shtetit është justifikuar me faktin që kishte marrë dijeni për mbledhjen para dy orëve dhe nuk mund te sillte informacionin sipas kërkesës. Gjithashtu, Policia ka dështuar të tregojë numrin në total të të gjitha denoncimeve të bëra nga zyra e kryetarit të Task-Forcës, të Ministrive apo Titullarëve të tjerë të Institucioneve në lidhje me përfshirjen e administratës shtetërore në shitblerjen e votës, intimidimin e votueseve nga elementë kriminal apo rasteve të përfshirjes së policisë në aktivitet të paligjshëm”, thuhet në njoftim.

Policisë së Shtetit iu kërkua informacion dhe sqarime për rastet konkrete për të vlerësuar efektivitetin e policisë dhe mënyrën e ndjekjes dhe trajtimit të denoncimeve prej saj.

“Nga policia nuk u dhanë sqarime konkrete, nëse rastet e adresuara nga zyra e kryetarit të Task Forcës ishin verifikuar në vend dhe nëse ishin marrë masa për parandalimin e shitblerjes së votës siç pretendohej nga denoncimet. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit nuk arriti të jepte një numër të rasteve të regjistruara të shitblerjes së votës në ditën e sotme, por raportoi për 14 vepra penale në fushën e zgjedhjeve. Theksohet se vetëm nga zyra e kryesuesit të Task-Forcës janë referuar 35 emra personash në polici nga të cilat 15 ishin drejtues të administratës shtetërore në Korçë. Nuk u raportua lidhur me verifikimet e kryera për personat në fjalë”, thuhet më tej. Në mungesë të raportimit nga Policia për rastet e referuara nga Task Forca si dhe të efektivitetit të koordinimit për parandalimin e procesit të shitblerjes së votës në vijim nga momenti i referimit nga Task Forcë, u diskutua lidhur me implikimin e strukturave të policisë apo rrjedhje të informacioneve.Sipas njoftimit, zv/drejtori i Policisë Altin Qato si dhe ministri i Brendshëm, kanë pranuar mundësinë për rrjedhje informacioni gjatë referimit të denoncimeve për ndjekje nga strukturat e policisë në qendër drejt atyre në bazë.

“Në këtë kuadër, u diskutua lidhur me implikimin e punonjësve të policisë në mbështetje të forcave politike të caktuara apo edhe për implikimin e mundshme të tyre me elementë kriminalë. Përmendim këtu raportimet e Ministrit të Brendshëm lidhur me implikimin e disa shefave të komisariateve në mbështetje të hapur të subjekteve të caktuar të policisë, raste të cila i janë referuar kësaj të fundit nga ministri në fjalë. Fakte të tilla vënë në dyshim efektivitetin e trajtimit të rasteve të denoncuara deri në këtë fazë të procesit zgjedhor, por edhe gjatë procesit të transportimit të kutive dhe të numërimit të votave”, thuhet gjithashtu. Sipas Ministrit të Brendshëm angazhimi i strukturave të policisë ka qenë maksimal, ndërkohë që rezultati ka qenë i ulët. “Në mungesë të raportimit të plotë në lidhje me rastet e adresuara nga Task -Forca, Policisë iu kërkua të sjellë raport të detajuar që më pas do të vlerësohet në mbledhjen e ardhshme të Task-Forcës. Gjithashtu Task-Forca garantoi policinë për mbështetjen e saj gjatë ushtrimit të funksioneve sipas ligjit duke e konsideruar që policia është e depolitizuar dhe njëkohësisht i kujtoi detyrimin ligjor të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme sipas standardeve demokratike”, thuhet më tej. Task-Forca i kujtoi Policisë së Shtetit që në asnjë rast të mos përfshihet në mbështetje të subjekteve zgjedhore, çka përbën vepër penale të dënueshme nga ligji dhe të verifikojë rastet e denoncuara për mbështetje të subjekteve elektorale apo edhe të bashkëpunimit me elementë kriminalë nga persona të caktuar pjesë e strukturave të policisë së shtetit të të gjithave niveleve, përfshirë shefa komisariatesh. Duke marrë situatën sa më sipër, Ministrit të Brendshëm dhe Policisë së Shtetit iu kërkua të marrin masa në fazën e procesit të transportimit të kutive nga qendrat e votimit dhe sigurimin e procesit të numërimit. Nga ana tjetër, Task Forca i bën thirrje subjektet elektorale dhe qytetarëve që nëse kanë të dhëna, fakte apo prova për përfshirjen e policisë gjatë këtij procesi zgjedhor të njoftojnë menjëherë Task-Forcën me qëllim marrjen, sipas rastit, të masave administrative apo referimin e çështjeve në prokurori. ( 360 Grade.al )