Kongresi i Lushnjes, larg jo vetëm në kohë, por edhe në vlera

1125
Sigal

Nga Gentian Çala

Si sot 100 vite më parë, u mblodhën ata, burrat e kombit, të vyer, të shkolluar gjetiu, por të gjithë me zemrën që i rrihte fort për Atdheun e tyre. E u bashkuan tej ndasive, u bashkuan mbi vlerat, për të krijuar shinat ku do të ecte vendi dhe e ardhmja e tij. Duket larg, për fat të keq jo vetëm në kohë, por në vlera.

Sot, kemi 100 a më shumë individë të mbledhur në një sallë Kuvendi, të gjithë në urdhrat e një njeriu, që ulin kurrizin e nuk pyesin për ato që votojnë, ca të pashkolluar, disa matrapazë, disa thjesht servilë e disa kusarë. Ata vendosin sot, jo për atdheun, por për veten e tyre. Sa pak vlera brenda një salle.

E të mendosh se ata të 100 viteve më parë, u duhej shumë sakrificë për tu takuar e për të folur me njëri-tjetrin, kurse sot gjithçka është e lehtë dhe komunikimi në çdo kohë. Po shpirt ka pak, lekë sa të duash! Virtyt pak e salltanete shumë. Sa shumë paskemi humbur?! Na paska mbetur aq pak nga ajo e djeshmja, saqë ata vinin me mijëra kilometra për ta shijuar aromën e këtij vendi, kurse ne të sotmit, mezi presim të ikim larg prej tij.

Një shekull duket shumë! Mund të jetë edhe pak në historinë e një kombi. Po ai dhemb, kur sheh se dje ke pasur më shumë dinjitet dhe vlera, kurse sot të gjitha i ke këmbyer me ca para më shumë, ku një kostum i shtrenjtë çmohet më shumë se një mëndje e ndritur, ku vlerat nëpërkëmben se nuk vlejnë para. E gjitha kjo të trishton.

Ulesh dhe kundron një foto të 100 viteve më parë, të bërë në mes të Myzeqesë dhe kupton se ata që morën pjesë aty, ajo çka ata përfaqësonin është larg, shumë larg, realitetit të sotëm politik. Ata nuk janë më, kurse ne që jemi, nuk jemi as sa gjysma e tyre, e të duket se rrota ka ecur pas, jo përpara. E sotmja duhet ti ngjasë së djeshmes nga vlerat, ky ishte mesazhi që ne nuk e lexuam dot, por që duhet ta bëjmë!