Konferencat ndërkombëtare e kombëtare, kërkim shkencor apo krizë shkencore?

Prof. Dr. Xhevdet Zekaj

“Besoj se problemet këtu janë krizë për shkencën dhe institucionet që themelojnë dhe çojnë përpara kërkimin.” 
Curt Rice

Ligj Nr. 80/2015 për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë ende në një udhëtim e tranzicion administrativ të vonuar, dhe me pasoja në edukimin e arsimin. Ashtu si çdo reformë ajo vazhdon të prodhojë edhe mbështetës edhe kundërshtarë që shprehin kundërshti, optimizëm, boshllëk udhëzimesh, vizion, por edhe një stanjacion real. Mjafton të theksojmë, se mungesa e udhëzimeve kanë bllokuar statutet e ILA-ve dhe menjëherë kuptohen pasojat të rënda në realizimin e strategjive, objektivave arsimuese dhe edukuese në arsim. Natyrisht një nga objektivat e për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë janë ato në fushën e kërkimit shkencor, si dhe kualifikimit dhe kriteret e përfitimit së titujve e gradave shkencore. Për retrospektivë, nëse do t’i kthehemi periudhës së vitit akademik 2014-2015, në Republikën e Shqipërisë, në një kohë rekord kanë marrë gradën "Doktor" më shumë se sa jepen në SHBA për 5 vite? Ishte një lumë i pafund aplikimesh, për të kapur procedurat e ligjit të Arsimit të Lartë të vjetër, në ikje. Padyshim, një pjesë e tyre prestigjioze, të merituara me vlera shkencore në të mirën e zhvillimit arsimor. Por, kishte deri në estradë, abuzues, qokë, nepotizëm nga rektorë e dekanë në ikje dhënia e titullit akademik "Profesor i Asociuar" nganjëherë pas një periudhe dy apo tre muajsh që sapo kishin marrë edhe gradën "Doktor" e të tjera, dhe me të drejtë MASH ka bërë bllokimin e verifikimin procedurial të tyre, të cilat besoj e sugjeroj t’i gëzojnë, sepse në Shqipëri jemi, në Shqipërinë e Faik Konicës, që askush nuk e kuptoi, s’e kupton dhe nuk do ta kuptojë dot asnjëherë. Realisht një nga faktorët që përcaktojnë fitimin e gradave dhe titujt akademikë është edhe numri i pjesëmarrjes në konferencat ndërkombëtare dhe kombëtare, të cilat janë obligim ligjor dhe me përparësi në fitimin e tyre. Edhe në rastin konferencë, pjesë e këtij shkrimi, i kemi të dy këndvështrimet, të dy pamjet, të dy përvojat, atë të konferencave serioze, që kanë kriter themelor që artikulli, studimi shkencor të jetë vlerë e shtuar, në formë e përmbajte, dhe atë të konferencave për konferencë, ku në këtë të dytën futen dhe konferencat kafene, apo takime ku brenda dy orësh, mbahen e kumtohen, analizohen e diskutohen, nxirren konkluzione mbi 400 pjesëmarrës, një pjesë fiktivë. Për të mos parë bardhë e zi, mjafton të shikosh Konferencat që organizon Fakulteti i Shkencave Sociale në Tiranë, ai i Histori Filologjisë Tiranë, apo Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, Fakulteti i Shkencave Humane dhe Shkencave të Natyrës në Universitetin "A. Xhuvani" Elbasan e të tjera, e të tjera, dhe kupton e ballafaqohesh me një realitet optimist, shkencor, praktikë dhe me mjaft vlera në shumë aspekte me prurje me vlerë.

Përvoja e përjetuar në konferencat e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në Elbasan është shumëplanëshe, ajo rrok një tematikë me mjaft vlera, ku të gjithë profesorët me tituj të huaj e shqiptarë, anëtarë të grupit organizator, janë të obliguar të paraqesin një punim shkencor. Dhe e gjitha ky vizion, kusht, obligim, meritë e përkushtim i Prof. Dr. Skënder Topit, i cili me energjitë e tij, por edhe gjithë përfshirjen u qëndron mbi kokë nga fillimi e deri në përfundim të konferencës. Në këto konferenca fillohet me abstraktet, pranimet, njoftimet ku: nis një proces kontrollimi, rishikim përpara se të pranohen dhe se të botohen, komisionet duhet të lexojnë e shqyrtojnë abstraktin, artikullin, kontrollojnë që të mos përmbajë plagjiaturë, shohin mënyrën e punës dhe rezultatet, sigurohen se autori i artikullit nuk ka dhënë rezultate false dhe se artikulli flet për një zbulim të ri, apo prurje të re, i cili ndihmon për përparimin e shkencës. Rigoroziteti i këtij kontrolli varet nga komiteti organizator. Një gur themeli për sistemin e kontrollit të cilësisë është riprodhimi; rezultatet e kërkimeve shkencore duhet të përshkruhen me shumë kujdes në mënyrë që të përftohen nga të tjerët që ndjekin të njëjtën procedurë,dhe në konferencat pranohen e publikohen vetëm artikujt serioz, në të mirë të fushës. Përveç artikuj kërkimorë shkencor, në konferenca, në varësi të objektive mjekësorë, mund të pranohen edhe artikuj rishikues, në të cilët krahasohen rezultatet e arritura nga hulumtues, kërkues, shkencëtarë të ndryshëm, metodat e ndryshme, shqyrtohen gabimet e mundshme, etj, apo nga artikuj që ripërsëriten në kohët të tashme me këndvështrim të ri, sidomos në fushën e mjekësisë. Debati, diskutimet, idetë e reja, ndryshimet globale në mjekësi botërore e shqiptare, aty janë shkencore, të mirë klasifikuara e seleksionuara, teori e praktikë që konvergon me përfundime e konkluzione mjaft realiste dhe me vlerë. Në kësi organizimesh, lektorët e huaj, jo vetëm sjellin përvojat e tyre, por debatojnë gjallërisht me studiuesit e pedagogët dhe kërkuesve shkencor shqiptarë, duke krijuar një impakt shkencor real e të domosdoshëm si dhe një impuls në sferën kërkimore të stafit akademik të këtij fakulteti. Dhe eksperienca në këto konferenca ka qenë e shkëlqyer në të gjitha këndvështrimet: organizim, konkluzione, efekte e kërkimit shkencor, seriozitetit, debatit, vlerave kërkimore, implementim idesh, standarde evropiane në raport me cilësinë e materialeve të paraqitura etj etj,etj. Nuk është ndonjë gjë e re sa herë që je pjesëmarrës apo i ftuar, për të evidentuar seriozitetin dhe rezultatet pozitive në aspektin kërkimor e shkencor, në prurjet e reja, risi bashkëkohore me një nivel të lartë kërkimor dhe akademike, qoftë në konferencat po ashtu edhe në veprimtari të organizuara nga Fakulteti i Shkencave Sociale Tiranë, me stafe real organizatorësh, dhe jo me qindra "profesorësh", aty sinqerisht është një nivel modern bashkëkohor dhe elitar shkencor. Pjesëmarrës në shumë nga këto veprimtari, të ofrohet lehtësisht mundësia për të kuptuar barazinë me homologët perëndimor, si në organizim dhe në përmbajtje. E. Rapti e E. Dragoti, Dh. Karaj, e Z. Orhani, M. Keta dhe E. Haxhiymeri, F. Todri e P. Simo, B Musai e N. Mita e shume e shumë personalitete të tjera sjellin një performancë shkencore personale, prurje e vlera bashkëkohore, por akoma më shumë hapin dritare vizionare për pedagogët dhe studiuesit e rinj në krijimin e një raporti të shkëlqyer për standardin e punimeve dhe artikujve shkencor, me kërkimin shkencor e jashtë plagjiaturës. Pra, ka shumë konferenca ku të gjitha procedurat e organizmit, lajmërimit, vlerësimit të abstrakteve, organizimi, lajmërimi, kalimi në sitën shkencore etj janë serioze, ku dihet se vlerësimi nga ana shkencore i një punimi, nuk është i lehtë, aq më pak në mjedisin shqiptar, që përbëhet nga qarqe relativisht të ngushta shkencore, ku ndërveprimet dhe përplasja e interesave është komplekse, dhe për më tepër ku karriera partiake, militantiste, nepotike, e pamerituar, fitimi i një grade apo titulli është i lidhur me një pagë, madje deri dhe një pension më të lartë. Pastaj konferenca që kthejnë auditorët e sallat në një debat konstruktive shkencor, akademik për probleme të shqetësuese e reale, madje objekt i këtyre artikujve dhe diskutime jo vetëm trajtojnë e ofrojnë zgjidhje për probleme mjaft serioze të zhvillimit të arsimit, si një e mirë publike, si një nga gur themelor i zhvillimit, edukimit të kombit tonë, për të ardhmen e tij. Por, nëse shikon numrin e konferencave në Republikën e Shqipërisë e në rajon, ku një pjesë e tyre ka vetëm përfitim ekonomik dhe plotësim të kriterit të pjesëmarrjeve në konferenca për të fituar titujt e gradat, ndeshesh kotësi artikujsh, midis tyre abstrakte qesharak, të cilët i riformulohen, e përkthen stafi organizues i konferencave, cilësi e sasi e dobët, dhe nga një herë ka ndonjë "shkencëtar" që merr pjesë me katër apo pesë artikuj si bashkautor? E mjafton këto bashkautorësi për të kuptuar amoralitetin akademik e kërkimor të tyre. Shpesh, tek stafet organizues, lexon të njëjtët emra, një grup profesorësh monopol të këtyre konferencave, të cilët nuk japin asnjë kontribut real, asnjë, por vetëm emrin. Jo vetëm që nuk japin asnjë kontribut real, por nuk bëhet fjalë për pjesëmarrje fizike, apo diskutim e shkëmbim përvoje me pjesëmarrësit në konferencë, studiues e punonjës të rinj, pedagog të vjetër apo të rinj. Thjeshtë, marrin një shpërblim për të "rritur nivelin akademik e shkencor" të stafeve organizatorë, pa asnjë sekondë kohë në aktivitet real. Dhe natyrisht, pastaj që punën e tyre në rastin më të mirë e bën ndonjë docent punëtor. Nëse lexon, listën e ndonjë konferencë të stafeve organizatorë, emrat plot integritet e akademikë të respektuar, shpesh edhe të huaj nuk vinë fare, dhe këta janë mbi 80% e tyre, pra nuk japin asnjë kontribut real, dhe kështu ata në fakt, dëmtojnë, lenë në hije kontributet reale të organizatorëve të këtyre konferencave dhe më keq vlerat shkencore e akademike të institucionit të tyre.. Ka raste, kur ndonjë pedagog, edhe përse ka 40 vite mësimdhënës, edhe përse nuk ka botuar dot një tekst mësimor, qoftë edhe përshtatje, arrin jo vetëm të jetë në staf organizator e moderator, por edhe të përfaqësohet me dy apo tre artikuj, apo dhjetë artikuj në vit. Ky soj shkencëtari vegjeton më së miri në këto konferenca kafene, apo qoftesh e rakie te djegur dy herë.. Natyrisht, pjesa e ndarjes së diplomave apo certifikatave të pjesëmarrjes në këto konferenca është absurditet më vete, ato janë procedurë qesharake jepen herë me ceremoni e herë herë nën dorë apo duke shtuar pafund abstrakte, abstrakte e abstarkte. Dhe kjo komedi bastarde, vazhdon pastaj me mos botimin kurrë të librit me artikujt e plotë etj, por qëllimi u arrit u pajisën me certifikatë, madje me ter njëherësh, madje me katër një herësh, se normalisht dy nuk është shumë problem. E si përfundim, koha për të riparë si kriteret e dhënieve të titujve akademikë, por dhe një revolucion real në cilësinë e Konferencave Ndërkombëtare e Kombëtare, për të shmangur falsitetin, cilësinë e dobët kërkimore dhe sëmundjen e certifikimit për të plotësuar kriteret për tituj e grada , kërkojnë nxitimin e MASH me udhëzimet, udhëzimet, udhëzimet.