Kondoliza Rajs, kandidate për Nënpresidente?

70

Media të ndryshme këtu në Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar ditët e fundit se, kandidati i Partisë Re publikane për president, Mit Romni është duke konsideruar të njoftojë se shpejti kandidatin ose kandidaten e tij të preferuar për nënpresident, në kundërshtim me praktikën tradicionale kur kandidati për nënpresident njoftohet zakonisht në kuvendin e përgjithshëm të partisë në muajin gusht. Janë përfolur disa emra kandidatësh, por asnjë aq serioz sa të tërheqë vëmendjen e kujt deri të enjten mbrëma kur një numër burimesh mediatike dhe të tjera njoftojnë se ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs në administratën e Presidentit Xhorxh Bush është tani në krye të listës së emrave, që po konsiderohen seriozisht nga kandidati republikan për president, Mit Romni. Një ndër këto burime, që po citohet sonte, është portali konservativ Drudge, i cili citon ekskluzivisht burime që, ai thotë se janë afër fushatës së Mit Romni, e të cilat thonë se Kondoliza Rajs është kandidatja e preferuar dhe se emri i saj kryeson listën e kandidateve të mundshëm për nën-president. Megjithëse njoftimi zyrtar për kandidatin për nënpresident, nuk pritet të bëhet edhe disa javë, zhurma rreth emrit të Kondoliza Rajs, në këtë kohë, të le të nënkuptohet se kandidatura e saj duhet të merret seriozisht. Sipas portalitDrudge, Kondoliza Rajs u duartrokit me ovacione në një takim të kohëve të fundit në shtetin Utah, gjatë të cilit thuhet që ajo të ketë paraqitur një argument të fortë e të gjithanshëm për një udhëheqje të fortë amerikane në botë. Ditët e fundit, sipas këtij portali, ajo u ka dërguar përkrahësve të saj një komunikim nëpërmjet internetit e në të cilin ajo citohet tu ketë thënë atyre se: “viti 2012 mund të jetë një vit pikëkthese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.Ajo citohet se i ka paralajmëruar përkrahësit e saj që “zgjedhjet e këtij viti janë ndër më të rëndësishmet në jetën tonë”. “Shpesh më kërkojnë të flas në lidhje me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara si edhe mbi sfidat me të cilat do të përballen Shtetet e Bashkuara në të ardhmen. Mirëpo, ne nuk do të kemi mundësi të merremi me asnjë prej këtyre sfidave ndërkombëtare, në qoftë se më parë nuk rregullojmë punët e brendshme dhe ekonominë”. Lajmi për kandidaturën serioze të Kondoliza Rajs vjen pasi bashkëshortja e kandidatit republikan, Ann Romni, është cituar në media të ketë thënë se emërimi i një gruaje për nënpresidente do të përmirësonte dukshëm mundësitë e bashkëshortit të saj Mit Romnit për të fituar në zgjedhjet e përgjithshme të Nëntorit. Vetë Zoti Romni është shprehur se kandidati i tij për nënpresident duhet të ketë të gjitha aftësitë dhe përvojën, si dhe të jetë i gatshëm për të marrë në dorë detyrën e presidentit në qoftë se paraqitet nevoja. Kondoliza Rajs është përmendur shpesh si andidate e mundshme për nënpresidente e kandidatit të Partisë Republikane për president Mit Romni, por ajo ka thënë se është e kënaqur si profesoreshë në universitetin Stanford të Kalifornisë. Madje gjatë një interviste me rrjetin televiziv amerikan CBS, pyetjes nëse ajo do të pranonte kandidaturën për nënpresidente, ajo iu përgjigj në mënyrë kategorike me një JO absolute. Por, ajo nuk kishte si të përgjigjej ndryshe me këtë rast, pasi nuk kishte një propozim zyrtar nga kandidati për president, Mit Romni. Cilido qoftë vendimi I Zotit Romni, fakti është se Kondoliza Rajs do të ishte një kandidate e shkëlqyeshme për nën president. Shumë veta pyesin se ç’pret Mit Romni që nuk e emëron Kondoliza Rajs kandidate për nën-presidente ashtu që, në këtë mënyrë, të përqendrohet në javët dhe muajt e ardhshëm të fushatës së tij, në përpjekjet për të bindur popullin amerikan se ai është një kandidat më i mirë se kandidati i Partisë Demokrate, Barak Obama për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe financiare si edhe, sipas tyre, për të rivendosur rolin e duhur dhe të nevojshëm të Amerikës në arenën ndërkombëtare. Kondoliza Rajs mund të siguronte përkrahje nga dy grupe demografike — në radhët e femrave dhe të afrikano-amerikanëve — dy grupe këto që, siç duket tani, Mit Romni nuk ka aq shumë përkrahje në radhët e tyre. Përvoja e Kondoliza Rajs në politikën e jashtme, inteligjenca e saj natyrore si edhe eksperienca e saj në qeveri dhe në sektorin privat, e bëjnë atë një kandidate të shkëlqyeshme dhe serioze për nënpresidente të Shteteve të Bashkuara.

*Ish-drejtori i VOA-s për Euro-Azinë