Komuniteti çam i braktisur dhe në udhëkryq: “U pa fati ynë, qëkur erdhëm në Shqipëri!”

705
Sigal

Dora e pabesisë greke shtrihet e shtrihet në formë dhe në përmbajtje me tinëzinë e dinakërinë e njohur dhe që ka hedhur rrënjë në politikën dhe diplomacinë shqiptare

 Nga Hyqmet Zane

Në vetminë e kësaj jete që jetojmë në këtë vendin tonë, në këtë gjendje që përjetojmë ne shqiptarët, nuk di se cili personalitet do të bënte të ndryshonte situatën? Nuk di cili shkrimtar do të ravijëzonte realitetin, nuk di cili politikan do i thërriste ndërgjegjes të tregohej një herë të vetme i ndershëm për të menduar mandej për ndryshimin që na duhet të bëjmë. I shqetësuar ka qenë shkrimtari i nderuar Dritëro Agolli që ka shkruar se “U pa fati ynë që kur lindëm në Shqipëri”. Brenda këtyre fjalëve gjendet një filozofi e tërë e jetës shqiptare, por diku tjetër e kam fjalën. Njëherazi si pjesëtar i komunitetit të ardhur nga Çamëria, duke mirëkuptuar shkrimtarin e madh po aq i vetmuar ndjehem kur shprehjen e Dritëroit do të citoja në një formë tjetër “U pa fati ynë që kur erdhëm në Shqipëri”, sepse në mënyrë të njëtrajtshme na ka ndjekur e keqja. Një ditë shkova tek monumenti i kujtesës “Klithma” në Elbasan që i dedikohet masakrave greke mbi popullatën e Çamërisë si shprehje e dhimbjes së madhe të atyre që u vranë dhe u masakruan në Çamëri që nga Konferenca e Londrës, më 1913 e deri në “zgjidhjen përfundimtare” nga ana e grekëve më 1944-n.

I vetmuar për harresën, i vetmuar për mënyrën se si trajtohen dhe se si po shkojnë këto punët tona, edhe pse unë vetë jam ndjerë gjithnjë aktiv si njeri, si çam, si publicist në median e shkruar dhe në atë vizive në TV Dardan. Është një vetmi që vret, është një heshtje që flet dhe që meriton ndëshkim për ata që e iniciojnë atë.

Kanë kaluar 75 vjet dhe ndodhemi si më 1945 – 1946, pa asnjë organizim serioz dhe dinjitoz dhe pa përkrahje shtetërore. Fatkeqësisht e vërtetë! Ndaj dhe do ta lexoja me një ndryshim atë shprehjen e Dritëroit “U pa fati ynë që kur erdhëm në Shqipëri!”

Hera herës lexoj, shfletoj dhe nxjerr konkluzione, por ajo që më bie në sy, shpesh e më shpesh, është se jo vetëm ata që kanë pasur emrin pushtetarë e qeveritarë të diktaturës dhe të tranzicionit demokratik nuk e kanë zënë në gojë e thënë edhe më saktë, as që kanë bërë më të voglën përpjekje për të vënë pikat mbi “i”, por as ata që mendojnë se janë në krye të komunitetit çam e që flasin në emër të Shoqatës “Çamëria” apo një partie që pretendon se e ka në agjendë Çështjen Çame, nuk po i japin dum kësaj pune.

Ndonjëherë mendoj se mos është mungesë dëshire, ndonjëherë mendoj se ka dashakeqësi, por mendja më shumë më shkon tek mendimi, se dora e pabesisë greke shtrihet e shtrihet në formë dhe në përmbajtje me tinëzinë e dinakërinë e njohur dhe që ka hedhur rrënjë në politikën dhe diplomacinë shqiptare. Më e keqja është se edhe ata që pretendojnë se janë drejtues të komunitetit çam nuk kanë mbetur pa u lerosur me baltën e turpit nga heshtja, nga mostrajtimi, nga mosgjetja e një rruge apo moszbatimi i një strategjie që do të ishte një platformë e madhe e kauzës së Çamërisë.

Nuk e di se kush i blen këta politikanët e diplomatët tanë, nuk e di se kush i fut në thesin e “kalendave greke’, po aq sa nuk di, se cilat janë metodat që përdoren nga segmentet e Athinës që di të gjejë interlekutorë të besueshëm që të bëhen filogrekë apo të shitur tek “jeziti” siç thuhej dikur me një fjalë turke, që merr ngarkesa tipizimi në këtë rast. Nuk di, se sa para mund të jenë dashur apo çfarë favoresh u janë ofruar këtyre të paturpëve që të bëjnë rezil e të çojnë në skëterrën e harresës dhe lënien pas dore të halleve të një komuniteti që hallakatet me zemër të thyer në labirintet e kotësive të mendjeve që nuk e njohin turpin e pabesisë që bëjnë.

I vë re me kujdes të gjitha bisedat që bëhen mes diplomatëve të Shqipërisë dhe Greqisë, të pushtetarëve e qeveritarëve të lartë dhe duket sheshit, që ka një unitet mendimi e veprimi kur vjen fjala për të drejtat e komunitetit çam në Greqi dhe gjithnjë del në pah të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri. Pse ndodh kjo, a nuk ka një burrë shteti që të thotë një herë se komuniteti çam që është shpërngulur me gjenocid nga trojet e veta autoktone, jo për faj të këtyre grekëve të rinj, por të paraardhësve të tyre, duhet t’u njihen ca të drejta legjitime, se ata kanë varret e të parëve që duhen vizituar, se kanë shtëpitë që duhet t’i marrin dhe kanë të drejtën e kthimit në tokën e tyre siç kanë qenë më parë.

Do të doja që një drejtues i komunitetit çam ta kishte uratën e të parëve e të bënte gjëmën duke “bërtitur” kudo për këto të drejta, që të trokiste në çdo derë kancelarie që ta dëgjonin, të kapte “dashin prej brirësh” dhe, qoftë edhe duke sakrifikuar gjithçka për hir të kauzës çame, se ka një Zot që e shpërblen të ndershmin e të sinqertin, duke e orientuar në udhën e duhur.

Kjo fjala “Çamëri” duket se i ka trembur të gjithë, se kushdo qoftë në Shqipëri, shtetar e qeveritar, diplomat apo politikan zbythet si “dreqi nga temjani”, a thua se do bëhet me biografi të keqe, nëse do të thotë këtë fjalë të madhe dhe historike. Përse kështu, çka ndodhur?! Dëgjojmë kryeministrin e ri grek Micotakis që vërtet di se çfarë kërkon për minoritetin e vet, bile edhe t’i bëhet ndonjë memorial Kostandin Kacifas dhe një kishë për të, nëse do jetë e mundur, meqë foli ekstremisht si një grek antishqiptar në tokën shqiptare ashtu siç i kanë bërë Napoleon Zervës për krimet kundër njerëzimit që bëri në Çamëri apo të vazhdojë qeveria shqiptare të ngrejë varre pa fund për ushtarët pushtues grekë në tokën që duan të pushtojnë në emër të Vorio-Epirit.

Një shembull që ma ka dhënë një shqiptar emigrant në Greqi për ksenofobinë greke ndaj shqiptarëve.

Ja çfarë kujtoin ai: “Në mars të 1998-s këshilli i komunës Palio Keramidhi, fshat i Prefekturës së Pierias në Greqi, mori një vendim ku ndalohej qarkullimi i emigrantëve Shqiptarë që banonin në fshat, pas perëndimit të diellit. Kjo masë, gjoja për kufizimin e kriminalitetit, provokoi reagime të ndryshme. Rreth një vit më vonë emisioni televiziv “Reportazh Pa Kufi”, vizitoi fshatin në fjalë dhe ftoi banorët në dy biseda publike. Në fillim u shfaq një dokumentar i xhiruar në ShBA, me temë: “Trajtimi i emigrantëve grekë në Amerikë në fillimet e shekullit XX”. Në dokumentar tregohej se si Grekët atëherë kishin rënë viktima të racizmit dhe paragjykimeve ndaj emigrantëve (p.sh., ndalimi në kafene i zezakëve dhe i grekëve).

Banorët pranuan se nga emigrantët shqiptarë nuk kishte ndodhur ndonjë ngjarje për të cilën mund t’i bëje përgjegjës, përkundrazi pranuan ,se sjellja e banorëve kishte ngjashmëri me ato fenomene që tregoheshin në dokumentar ndaj bashkëpatriotëve të tyre në Amerikë. U vlerësua se këto koncepte janë si rrjedhim i edukatës familjare dhe propagandës regresive nga segmente të caktuara të shoqërisë”.

Cili do të ishte kundërshtar i këtij fakti ? Gjithsesi ka diplomatë shqiptarë që kanë qenë në Greqi që thotë se “Shqiptarët dhe grekët duan të jetojnë në miqësi dhe harmoni, në mirëkuptim (asnjëherë nuk ka pasur ndonjë ndjesi miqësi dhe harmoni nga grekët ndaj shqiptarëve, pale të pretendosh të ketë mirëkuptim mes tyre me këtë klimë antishqiptare). Kësaj duhet t’i shërbejë politika në Tiranë dhe në Athinë. (Në fakt politika e Tiranës i ka shërbyer gjithnjë politikës së Athinës dhe asnjëherë nuk ka ndodhur e kundërta). Të mos lejojmë, që atë që kemi ndërtuar së bashku në 3 dekada, ta prishim këtu e matanë kufirit, forca, individë, shoqata, media e spekulantë, populistë megalomanë e delirantë, kritizerë, nacionalistë e ksenofobë, me pushtet e pa pushtet. (Po cilët janë këta që thuhet nga një diplomat që asnjëherë nuk tha një fjalë kur shqiptarët rriheshin, vriteshin e përziheshin si të ishin kafshë. Kush janë individët e politikanët, cilat janë Shoqatat dhe ksenofobët? Me siguri që nuk do që ta njohë realitetin që nga pala greke ka qenë zi e më zi, keq e më keq, poshtërsisht e më poshtërsisht ndaj shqiptarëve sa edhe sikur detin ta bëjmë bojë dhe qiellin letër, nuk do të mjaftonte të shkruheshin bëmat, rënkimet, ligësitë e grekëve ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe çamëve në veçanti).

Por kush foli për këto, kush i dha përgjigje kryeministrit grek, kush e kundërshtoi ambasadorin shqiptar në Greqi, kush tha, se kjo nuk është fqinjësi dhe reciprocitet? Askush, sepse Athina zyrtare duket se i ka blerë të gjithë, i ka trajnuar në cilësimin antishqitpar dhe i ka bërë shurdhë dhe memecë të kombit.

Vitet ikin gjithnjë përpara, ndërsa pasojat që kanë lënë qeverisjet e njëpasnjëshme shqiptare në më shumë se një shekull, kanë mbetur prapa. Kanë mbetur prapa në mostrajtimin e problematikave, në marrëdhëniet shqiptaro – greke, sepse qeveritë e njëpasnjëshme greke, nuk kanë lënë kusur pa gjetur, vend për të futur pyka, për të hedhur helmin, për të minuar kauzën, sidomos atë të Çamërisë, për të mos e parë këtë komb të bashkuar. E gjithë kjo, sepse grekët e kanë në filozofinë e tyre të jetës, të kërkojnë pambarimisht për të zaptuar ideologji dhe territore, se në nocionet e lashta që na vijnë si mesazhe ata, grekët, dinë të përdorin pabesinë si armën e tyre më të fuqishme, porse ne shqiptarëve, drejtuesve të këtij shteti ose nuk u vjen mbarë t’i përgjigjen kësaj filozofie greke, ose nuk duan, ose janë të paaftë dhe kanë injoruar historinë e shkruar e zeza mbi të bardhë. Filozofët tanë të shquar në një shekull e ca, nga Mit’hat Frashëri, Faik Konica, Fan Noli deri edhe tek mbreti Ahmet Zogu kanë ditur të thonë të vërtetat dhe të mbajnë qëndrime, ndërsa sot kemi rënë në prehrin e kësaj pabesie. Ata që po e pësojnë më shumë këtë gjë janë komuniteti çam, që për fat të keq u shpërngulën nga trojet e tyre dhe gjetën strehë tek popullata e thjeshtë shqiptare, si shqiptarë me emër dhe me flamur, porse nuk do t’ua kishte marrë mendja se një ditë do të duhej të pohonin se, “U pa fati ynë që kur erdhëm në Shqipëri!”