Komisione hetimore parlamentare dhe dy shembuj

988
Sigal

Gëzim Zilja

Shembull 1. Komisioni hetimor parlamentar “Ngjela”

Tashmë është kthyer në proverbiale thënia për parlamentarët shqiptar: Nëse do, që një çështje do të mos zgjidhet kurrë, atëherë krijo një grup hetues parlamentar. Ka kaq shumë grupe të tilla këto 28 vjet saqë është e kotë t’i përmendësh por të gjithë me një përfundim: Nuk kanë zgjidhur asgjë. Ndoshta më i famshmi, më domethënësi, që solli pasoja shkatërrimtare për shoqërinë shqiptare ishte ai për krimet dhe dëmet e ngjarjeve të vitit 1997. Komisioni i ashtuquajtur “ Ngjela”, dështoi në mënyrë. Bilanci ishte: rreth tremijë viktima të pafajshme, 167 policë të vrarë në krye të detyrës dhe një pafundësi institucionesh si shkolla, prokurori, gjykata, kopshte fëmijësh e bashki të djegura e rrënuara. Mirëpo siç u pa kurrkush nuk u dënua dhe nuk dha llogari. Pasojat e këtij mosdënimi ishin të tmerrshme. Pjesa më e zezë e shoqërisë shqiptare, skafistë (sot ndërtues te nderuar pallatesh e deputetë), kriminelë pa fe e atdhe, (hiq nja dy që u futën në burg), anarkistë, hajdutë, trafikantë e badigardë jo vetëm që nuk pësuan gjë, por pasi u pasuruan patën mundësi të zënë poste kyçe në qeveri, të zgjidhen më vonë deputetë në parlament e të drejtojnë komisariate e bashki. Mësimi që mori shoqëria shqiptare pas gjashtë vjetësh demokraci ishte: Mund të vrasësh përfaqësuesit e ligjit, të djegësh institucionet e të vjedhësh bankat, të bësh kontrabandistin e trafikantin dhe pastaj të ngjitësh shkallët e karrierës në pushtet. Kjo praktikë vazhdon deri sot por më e rafinuar: Nuk ke para, nuk ke pasuri sido që ta kesh bërë, nuk ke lidhje me qeveritarë ose të ‘’fortët?’’ Atëherë hap rrugën dhe hesht se nuk i hyn në punë as dreqit! Ligjin e bën paraja dhe para ligjit nuk jemi të gjithë njëlloj. Një qeveritar apo politikan qoftë dhe kryetar partie nuk ka pse ha, pi, bën biznes me një hajdut, palaço, kriminel ose me një parelli, e zgjedh deputet e kryetar bashkie e pastaj bën të paditurin. Shqipëria është një fshat i madh që nuk fsheh dot as një kilogram domate nga komshiu e jo të kesh miliarda të pajustifikuara e partia të mos dijë gjë, kur i ka të gjitha mjetet e institucionet nga ku mund të informohet për njerëzit që do të sjellë në qeveri apo parlament. Por nëse komisioni hetimor parlamentar “Ngjela” do të nxirrte një raport real, ndoshta Shqipëria nuk do të kishte arritur në këtë gjendje.

Shembulli 2. Komisioni hetimor parlamentar “Tahiri”

Pas dështimit të disa komisioneve, ngritur nga opozita këto pesë vjet, si ai për privatizimin e OSSH-së dhe abuzimet e bujshme të ish-Ministrit të Shëndetësisë Beqaj, radha i erdhi Komisioni Hetimor Parlamentar ‘’Tahiri’’ i ngritur në mars 2018, me tematikë: “Për të kontrolluar veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore në parandalimin dhe goditjen e fenomenit të kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike, përfshirë çështjen për të cilën Prokuroria po heton z. Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm.” Pak i gjatë emërtimi por entuziazmi, vendosmëria dhe gatishmëria me të cilën u ngrit ky komision i iniciuar nga opozita me kryetar Edi Palokën, ngjalli shpresë për t’u zbardhur një e vërtetë që po fshihej sipas tyre nga prokuroria dhe Kryeministri. Në procesverbalet e parlamentit shqiptar njoftohet: “Bazuar në procesverbalin e mbledhjes së datës 26.03.2018 të Komisionit Hetimor, ku ishte vendosur që mbledhja e radhës të zhvillohej ditën e mërkurë, më datë 4.04.2018 në orën 12.30, deputetët e maxhorancës u mblodhën për të zhvilluar mbledhjen. Në mbledhje nuk morën pjesë deputetët e opozitës dhe as kryetari i komisionit hetimor z. Edi Paloka. Znj. Ermonela Felaj, në cilësinë e nënkryetares së komisionit hetimor informoi median se deputetet e maxhorancës, anëtarë të këtij Komisioni, në zbatim të vendimit të marrë nga Komisioni Hetimor, për ditën dhe orën e mbledhjes, nuk janë paraqitur për zhvillimin e saj pasi kishte marrë njoftim nga kryetari i Komisionit për ndryshimin e datës apo orës së mbledhjes. Gjithashtu, informoi median për kërkesat që deputetet e maxhorancës në Komisionin Hetimor do t’u dërgojnë disa institucioneve…. Në mungesë të kryetarit të Komisionit Hetimor, Komisioni nuk vazhdoi mbledhjen, ndërsa shkresat e firmosura nga deputetet ju dorëzuan sekretarisë së komisionit.” (Kjo të kujton atë barsoletën, kur u mor në pyetje prifti, që pse nuk ra kambana në fshat për një të vdekur. Ka trembëdhjetë arsye tha ai. E para fshati nuk ka kambanë…) Kaq është njoftimi nga parlamenti shqiptar për veprimtarinë e këtij komisioni. Jemi në fund të muajit të trëndafilave e qershive, para verës së nxehtë dhe nuk ka asnjë lajm nga komisioni hetimor parlamentar. Ndërkaq skifterët e PD-së “harruan” Tahirin e u hodhën në aksionin e radhës për të rrëzuar zëvendësin e Tahirit. Kuptohet që pozita po bën të pamundurën që t’i japë pafajësinë Tahirit, përndryshe nëse bie Tahiri rrjedhimisht bie dhe qeveria. Po përse komisioni hetimor i ngritur me aq bujë nga opozita dhe E. Paloka, E. Alibeaj, e F. Noka e lanë misionin heroik dhe historik për t’u marrë me misionin nr. 2 për Xhafajn? Sigurisht jo që nuk duan. Ai dhe pjesëtarët e tjerë të djathtë të komisionit besoj që duan ta venë Tahirin prapa hekurave. Por rruga e opozitës është e gjatë dhe plot mund. Të merresh me politikë në opozitë do të thotë të kesh këllqe të forta. Komisioni me entuziazmin atdhetar, që e kapi në fillim ka kërkuar (e shkruar në program) të marrë në pyetje E. Ramën, F. Xhafajn, S. Tahirin, V. Ajazin, H. Çakon, A. Veliun, H. Bendon, B. Hajdarmatajn, E. Gjonajn O. Thëngjillin, D. Zaganin, një mori drejtorë policish e ministrish e të dhëna nga tetë institucione shtetërore. Kjo kërkon jo këllqe por superkëllqe. Duhet të punosh, të shtrosh prapanicën e të bësh hetime jo dhjetë por edhe gjashtëmbëdhjetë orë në ditë e nuk mjaftojnë. Po dukuria e përtacisë, e papërgjegjësisë dhe e mungesës së vizionit vihet re në të gjithë nismat e aksionet e PD-së. Sa le një çështje, zë një tjetër e kështu ditë për ditë, javë për javë, e vit për vit. “Korr e mos lidh” ose “Bluaj ujem” , (bosh) thotë populli në Jug. Dhe ajo metoda e bojkotit në parlament e komisione, mendoj që është thjesht punë dembelësh e përtacësh, që s’përballen dot me kundërshtarët. Në këto raste qejf bëjnë të dy palët, por më shumë pozita.

Përfundim

Nuk ka një taktikë dhe strategji te opozita që ta kapë demin prej brirësh; nuk ka në krye të PD-së njerëz, që të ngjallin besim, se do të qeverisin më mirë se këta të sotmit. Në qoftë se njerëzit sidomos të rinjtë po e braktisin çdo ditë Shqipërinë se është bërë vend i pajetueshëm, nuk është vetëm qeverisja e keqe e socialistëve. Është dhe humbja e shpresës, që gjendja do të rregullohet. Dhe për këtë përgjegjësi ka opozita. Ajo duhet të jetë serioze në problemet dhe aksionet politike që ndërmerr. Thirret një tubim si ai i të shtunës dhe nuk shpallet paraprakisht programi, duke bërë të lulëzojnë lloj-lloj teori konspirative: “Do të rrethohet kryeministria për tre ditë,” ose: “Do të ngrihet sërish çadra.” ose “Do të rrethohet ministria e Brendshme sa të ikë Xhafa.” Ose “E di vetëm ai i Madhi se çdo të bëhet, është sekret” etj, etj. Pastaj ndodh ajo që pamë dhe zhgënjimi i mijëra demokratëve e qëndrestarëve që ende mbajnë gjallë shpirtin luftarak të Partisë Demokratike. Nuk është e nevojshme që deputetët e opozitës të ngrenë gishtin e të trashin zërin ditën e enjte në parlament e në mbrëmjet Fevziane, Rakipiane, Zhejiane etj, ku më së shumti tirren “llogje Kavaje”. Le të çojnë deputetët e PD-së deri në fund një problem, fjala vjen: Privatizimet dhe koncesionet e Beqajt, ose çështjen “Tahiri”. Me llafe njerëzit janë të ngopur deri në neveri. Koha e heronjve sovjetikë dhe e borizanëve të partive ka perënduar. Nga komisioni hetimor “Tahiri” nuk ka asgjë të shkruar deri tani. Fjala fluturon, e shkruara mbetet, thotë një proverb latin.