Kolltukofagët, rriqnat dhe karakteret e lopësuara

919
Prof. Lush Susaj

“Për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim” 
(Fan Noli, 1924)


Duke lexuar fjalimin e Fan Nolit të mbajtur në parlamentin e vitit 1924, me bëri përshtypje aktualiteti i karaktereve dhe fjalëve “kolltukofagë”, “këpushë-rriqën” dhe “karakteret lopësohen” Për t’u shtuar dhe zhvilluar kolltukofagët dhe karakteret e lopësura, duhet të funksionojë klani nepotik, konspiracioni, dobësimi i shtetit, ligjit dhe institucioneve, duhet të këtë kaos dhe anarki morale dhe ligjore. Noli ka folur për 5 anarkitë që në Shqipëri janë aktuale, njëlloj si në kohën e Nolit. Noli shkruan: “E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha… E pesta, anarkia e idealeve: Për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i shqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i shqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin…” Në këto vite, kush nuk i ka pare, dëgjuar e njohur krimbat me ambicje pa fre e pa kufi të tyre? Kush nuk i ka parë dhe njohur kolltukofagët dhe të shushaturit që nuk lanë gjë pa bërë, derisa u ngjitën në krye të politikës dhe të institucioneve për ti degraduar, poshtëruar, shpërdoruar dhe abuzuar deri në ekstrem. Është e lehtë për të kujtuar edhe një herë metamorfozën larvore të këtyre kolltukofagëve që ndonëse hiqen dhe deklarohen si burra shteti, janë autorët dhe përgjegjësit e vetëm të mashtrimit, të dhimbjes dhe të shkatërrimit moral, pasuror, shtetëror e kombëtar. Njerëzit e dine dhe e kanë përjetuar mënyrën se si kolltukofagët janë pasuruar dhe lumturuar duke mashtruar, poshtëruar e fukaradisur njerëzit, institucionet dhe krahinat e vendit. Nuk ka njeri që nuk e njeh sjelljen antishtetërore dhe metamorfozën e sundimtarëve tonë që me injorancën e babëzinë e tyre, nuk hapin udhë, nuk pranojnë të shqitën e të qëndrojnë larg kolltukut. Situata është e njëjtë më kohën kur Noli shkruante:“Që t’i ç’qitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç, jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin…”. Populli thotë, “Të gjithë derrat, një turi kanë”, që do të thotë se pavarësishtë nga demagogjia, nga format dhe nga trajtat e tjera, horrat, injorantët dhe hajdutët, në asnjë kohë dhe në asnjë vend nuk bëjnë hajër as shtet. Përkundrazi nga vazhdimësia e tyre, buron vetëm kaos, dhunë, dhimbje, depersonalizim, poshtërim e ligësi. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për kolltukofagët e sotëm që nuk dinë e as nuk pyesin se si bëhen punët e shtetit dhe të ekonomisë, që nuk njohin asgjë përveç interesit të tyre të ngushtë, e që deri më sot nuk i ka njohur askush për njerëz e as për shtetarë të mirë.” Nuk e kam fjalën vetëm për këta të sotmit, që po të ishte Noli gjallë, përsëri do të shkruante: “krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i shqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë”. Nuk e kam fjalën vetëm për këta që po flasin sot kundër korrupsionit në një kohë që janë produkte dhe krijesa monstruoze të një korrupsioni politik të pashembullt të këtyre viteve ku çdo pushtet dhe abuzim ka lindur dhe ka vdekur tek kubeja e partive të tipit “Komitë”, pa programe, pa vizion dhe pa ide zhvillimore. Të merresh me “çunat e përkëdhelur të asfaltit” që sot po qeverisin pa kokë e pa shpirt, është kohë e humbur sepse Shqipëria është shumë më e madhe dhe më e ndryshme nga ajo që ata njohin dhe imagjinojnë. Sot, pas më shumë se 25 vjetësh çorganizim i organizuar, ka ardhur koha për të kujtuar përsëri ata besnikët dhe misionarët e devotshëm të ish Partisë së Punës dhe të levave të tjera të sajë, që në vitin 1991, uzurpuan strukturat e Partisë Demokratike dhe arritën që të defaktorizojnë lëvizjen studentore dhe idealët e sajë. Është koha për të folur për ata finokët që në këto vite të mbushura me rrena dhe dekadencë, mbrojtën dhe ricikluan në mënyrën më të plotë platformën e njohur të krimit punisto komunist, së bashku me kriminelët e pashpirt të ish Partisë së Punës dhe strukturave terroriste të sajë. Përveç kësaj platforme regresive që ka për bazë ruajtjen dhe ripërtëritjen e mitrës së krimit dhe të korrupsionit politik dhe ekonomik, në këtë vend të frikësuar e poshtëruar deri në shpirt e në trashëgimi, nuk di që të ketë funksionuar ndonjë platformë tjetër. Si ish themelues i PD dhe drejtues i strukturave të sajë në vitet 1990-1994 dhe 1997-200, mendoj se duhet të flasim sa më shumë për atë mënyrën se si PD nga lëvizja studentore, mori vetëm fjalën dhe fasadën sepse brenda një kohe shumë të shkurtër, ajo u uzurpua dhe u tjetërsua nga klanet e ish Partisë së Punës, dhe në shërbim të vazhdimësisë së rrëgjimit hibrid, otomano-komunist. Jemi dëshmitarë për mënyrën se si Lëvizja Studentore, ne më pak se një vit nga kulmi i saj u degradua dhe u përtha në ide dhe në vizion duke mbetur pa lider dhe pa ideale lirie, pa vendosmërinë dhe pa konsekuencën e duhur historike e parimore, pa atë forcën përbashkuese, ndryshuese e reformuese që i duhet vendit dhe shoqërisë. Për ta kamufluar këtë krim shtetëror e politik ndaj vuajtjeve të vendit dhe idealeve studentore, u zhvilluan aq shumë shfaqje hipokrizie, u organizuan gjyqe për kafe e filxhanë, u thyen disa xhama e dritare, u bën varrime e zhvarrime deri tek horrllëku i njohur i tërheqjes zvarrë të një cope bronzi, kushtuar një të sëmuri psikik që kishte vdekur së bashku me kujtesën e tij diku nga viti 1973.. Është koha për të rizgjuar kujtesën e atyre njerëzve që në këto vite e dekada hajnie e dekadence, nuk u qullosën, nuk u lopësuan, nuk u shndërruan në larva e në rriqna mbi institucionet e pasuritë natyrore të vendit. Në këto vite, krimbat me kokë të zezë dhe rriqnat janë shtuar aq shumë, të gjithë i kemi parë se si shtirën dhe sulen mbi institucionet, politikën dhe ekonominë, i kemi parë edhe se si kafshojnë, vjedhin, ikin, e prapë rikthehen për të rivjedhur sepse përfitojnë nga heshtja dhe nga durimi i njerëzve të ndershëm të këtij vendi. Në vitin 1882, Niçja i drejtohej doktor Brojerit me fjalët: “Ju dëshironi të bëheni vetvetja. Sa shpesh ju kam dëgjuar që ta thoni këtë! Sa herë jeni qarë se ju nuk e keni njohur lirinë tuaj. Mirësia juaj, detyra juaj, besnikëria juaj, këto përbëjnë hekurat e burgut tuaj. Do të shuheni nga këto virtyte të vogla. Nuk mund të jeni pjesërisht i lirë, dhe instinktet tuaja kanë etje për liri., qentë tuaj të egër në bodrum lehin për liri. Vëruni veshin më mirë, a nuk mund ti dëgjoni ata?” Është fjala për kolltukofagët dhe rriqnat e shtetit dhe të politikës që në këto 105 vite, gjithnjë i janë sulur dhe i kanë mpirë e gjymtuar institucionet, financat dhe pronat publike. Është koha për të kujtuar ish ministrat që në këto 25 vite shpërdoruan të gjitha investimet në bujqësi, shpërdoruan tokën bujqësore si pasuria më e çmuar e më deficitare të këtij vendi. Nuk ka të tillë racë politikanësh e pushtetarësh në këtë botë, pasi e kanë fëlliqur në çdo gjë që kanë bërë, dalin e hiqen si burra të mire, të mençur e të rëndësishëm. Është fjala për ata ish-ministrat e drejtorët e turizmit, tregtisë, rëndit, arsimit, financave, etj, që abuzuan duke krijuar këtë situatë dëshpëruese në këto sektorë jetik e që sot përsëri dalin e protestojnë dhe pretendojnë për t’u rikthyer përsëri në vendin e tyre të punës, në fakt në vendin e krimit me objektiv masakrën e radhës për interesat e tyre të ngushta.

Është fjala për ata që e degraduan arsimin deri në këto nivele mjerane e që tani bëjnë sikur protestojnë dhe fërkojnë duart përballë kaosit të krijuar nga shpërdorimi i fondeve, projekteve dhe investimeve që i shndërruan në vila, në prona dhe në jetë luksi për rriqnat dhe kolltukofagët e njohur të arsimit e të çdo fushe tjetër si, energjetika, mjedisi, pyjet që nuk u rimbollën kurrë, kullimi që nuk u krye kurrë, etj. Është fjala për ata që vranë drejtësinë e që tani po bëjnë sikur protestojnë e luftojnë për të bërë drejtësi, janë hipokritë të rrallë, të paimagjinueshëm. Në në të vërtetë, kolltukofagët tanë nuk duan drejtësi, sepse në kushtet e një reforme minimale në drejtësi, do të ishin të parët nën akuzë për vjedhjen dhe shpërdorimin e resurseve natyrore e njerëzore të Shqipërisë. Është koha që të denoncojmë dhe të përbuzim hajdutët që siç thoshte Noli “kafshojnë e thëthijnë”. Është koha për një analizë të thellë e të sinqertë mbi shkaktarët e kësaj situate të rëndë, është koha që të shquajmë rriqnat dhe kolltukofagët e të mos u besojmë më kurrë sepse hajdutit i punon mendja vetëm për të vjedhur e për të kthyer institucionet, infrastrukturën dhe fondet publike në drejtim të llogarive dhe të pronave të veta. Përcaktimi i Nolit, edhe për kohën që jetojmë është aktual sa dhe atëherë kur e ka shkruar sepse vetë koha vërtetoj faktin që rriqnat dhe kolltukofagët tanë janë të një lloji dhe një specie të veçantë. Janë hajdutë e kolltukofagë trima që vërtetojnë çdo ditë atë që ka thënë Noli se: “Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin”. Shqipëria dhe shoqëria e sajë, duhet me e kujtuar dhe marrë në konsideratë analizën dhe përfundimet e Nolit mbi rriqnat dhe kolltukofagët. Në këtë kontekst, Nolin a mëson se si dhuna fizike ndaj tyre vetëm sa i forcon dhe i trimëron rriqnat dhe kolltukofagët tanë. Dhuna dhe ulërimat e njerëzve të ngjitur në majën e një bunkeri betoni në krah të Ministrisë së Rëndit, nuk është asgjë më shumë se përpjekja e kamufluar e radhës për të defaktorizuar dhe penguar reformën në drejtësi. Historia jonë ka vërtetuar se dhuna e verbër është rruga e vuajtjeve tona, është mënyra e përdorur nga rriqnat dhe kolltukofagët për siguruar vazhdimësinë vetë diskredituese me pyka, me hajdutë, me klane, me kriminel dhe me injorantë. Politikanët tonë, ish ministrat dhe zyrtarët lartë të këtij vendi, duhet të përballën sa më shpejtë me drejtësinë. Kjo është rruga më e mirë për ne dhe për vetë ata zullumqarë të zhytur në krime, në gjynahe e në haram. Vetëm përmes funksionimit të ligjit dhe të drejtësisë, ky takëm krijesash të neveritshme mund të zbresin nga kolltuku apo mund të shqitën pa ua prerë trupin as kokat. Me ligj do të mund të detyrohen që të paguajnë për çdo dhimbje të shkaktuar dhe për çdo qindarkë të vjedhur.
Sigal