Kollovarët e politikës

677
Nga Mystehak XHEMALI

Nuk bëhet fjalë për dhëndurët që futen tek shtëpia e nuses e që aq bukur portretizohen e satirizohen në këngën humoristike të këngëtares Mariola Kaçani, por për një fenomen po aq të ngjashëm në politikën shqiptare, ku mjaft lider partiakë, ashtu si në këngën e Mariolës, lenë partinë e tyre për t’u futur kollovarë në listat për deputetë në parti të tjera.

Ashtu si në këngën satirike ku dhëndurët që “I bëjnë punët me kandar, lum’ e det o kollovarë” edhe këta pehlivanë politikë punët i bëjnë me “llogarinë e kandarit” të tyre për të qenë vazhdimisht në radhët e parlamentit shqiptar, paçka se partive, që u përkitnin dikur, tashmë nuk u dihet as emri, as nami e as nishani. Natyrisht që këto veprime janë jo vetëm të pamoralshme, por edhe diskriminuese për subjektet politike që ata drejtojnë. Hapur fare në këto raste kemi të bëjmë me spekulim e abuzim me funksionin e tyre në dëm të këtyre subjekteve politike. Këto veprime kanë çuar në përjashtimin e këtyre subjekteve nga jeta politike shqiptare. Identiteti i tyre politik tashmë thuajse nuk njihet më. Kështu nga skena politike shqiptare prej kohësh janë përjashtuar parti të tilla si Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, ajo Republikane, partia e “Ballit Kombëtar”, Legaliteti e tjera, ndërkohë që drejtuesit e tyre kapardisen, apo janë krekosur në poltronat e Parlamentit shqiptar, si shtojca e parazitë të subjekteve të tjera politike, duke injoruar e fyer elektoratin e vet. Më e pakta, kjo është e turpshme.

Por dëmi më i madh i drejtuesve të këtyre partive qëndron në faktin se me këto veprime spekulative në Shqipëri po minohet pluralizmi politik. Subjektet politike nuk duhet të qëndrojnë indiferent ndaj këtij fenomeni. Anëtarësia dhe strukturat e këtyre subjekteve duhet të veprojnë. Drejtues të tillë që janë futur kollovarë, duke përvetësuar mandatet e partive të tjera për t’u ulur në karriget e deputetëve, duhet të përjashtohen nga këto subjekte si të korruptuar, të degraduar e të pamerituar për të përfaqësuar këto subjekte në opinionin publik. E, para se të veprohet kështu, vetë këta deputetë kollovarë, nëse u ka mbetur pak moral politik e dinjitet njerëzor, duhet të tërhiqen nga këto lista, duke ua lënë vendin pasardhësve të tyre, të cilët kanë të drejtën legjitime për të zënë vendet e mohuara padrejtësisht në Parlamentin shqiptar. Këta deputetë kollovarë kanë hyrë në sinorët e të tjerëve, pasi janë votuar si subjekt politik, në të cilin nuk bëjnë pjesë. Kësaj i thonë, të hash në sofrën e tjetrit.

Po kaq i papranueshëm dhe i turpshëm është edhe trafikimi i mandateve të deputetëve apo i të zgjedhurve në pushtetin vendor, të cilët kalojnë nga një grupim në një grupim tjetër politik për interesa vetjake. Qartas në këto kalime kemi të bëjmë me veprime korruptive, me përfitime personale, me abuzimin e votës, kur dihet se elektorati ka votuar për subjektin politik e jo për persona të veçantë. Ky është trafikim i pastër i votave. Në këto raste jo të rralla si në nivelin lokal ashtu dhe në nivelin qendror kemi të bëjmë, jo vetëm me tradhti ndaj elektoratit, por as më pak e as më shumë, për vjedhje të hapur të votave, duke kryer kështu një vepër kriminale, e cila në bazë të kodit penal është e dënueshme. Megjithatë subjektet politike e lënë në heshtje këtë akt kriminal, ndërkohë që, nëse këtë veprim e kryejnë individë të veçantë në procesin e votimit dënohen. E jo vetëm ata, por edhe komisionerët. Pyetja shtrohet: Pse dy qëndrime për të njëjtin akt? Bile në rastin e dytë kemi të bëjmë me vjedhje masive. Është grabitur mandati i një të zgjedhuri. Kjo është irituese. Jo vetëm që elektorati është vjedhur ditën për diell, por ai është mashtruar, pasi votën e ka dhënë për subjektin e mandatet duhet t’i mbeten atij subjekti politik për të cilin është hedhur vota. Në këto raste faji mbetet tek Kodi Zgjedhor. Po kush e ka miratuar këtë kod? Politikanët. Pra, janë ata që kanë krijuar këto anomali, natyrisht jo pa qëllim, por që të spekulojnë për interesat e tyre.

Palët kur janë në pushtet u intereson ky lloj trafikimi. I blejnë të zgjedhurit sa herë u nevojiten. Kështu ka ndodhur me Parlamentin shqiptar në vitin 2007 për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Kështu ka ndodhur edhe në disa këshilla bashkiakë, ashtu siç ndodhi edhe në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak të Tiranës.

Lidhur me gjithë këto shqetësime është në vullnetin e politikanëve për t’i ndrequr ato në mënyrë që vota e qytetarit të lexohet e të vlerësohet sipas bindjeve të tij politike. Ajo nuk duhet të shpërdorohet, të trafikohet, të deformohet. Dhe një gjë e tillë arrihet, duke u sanksionuar në aktet ligjore, siç është edhe Kodi Zgjedhor, ku duhet të përcaktohet detyrimisht që mandatet nuk duhen të kalojnë nga një subjekt tek tjetri. Ato duhet t’i mbeten subjektit për të cilin është votuar, edhe në rastet kur dikush, për arsye nga më të ndryshmet, heq dorë vullnetarisht nga mandati i vet. Dhe kjo për faktin se, aktualisht në bazë të sistemit proporcional zgjedhor, që ekziston në vendin tonë, elektorati ka votuar subjektin e jo individin, që përfaqësohet në Parlament apo në Këshillat Bashkiakë.

Ndryshe do të ishte, nëse në zgjedhjet Parlamentare apo të Këshillave Bashkiake do të zbatohej sistemi mazhoritar, i cili, gjykoj se, do të ishte i mirëpritur nga elektorati shqiptar. Por kjo është një çështje që i takon ta zgjidhë politika shqiptare në një të ardhme jo shumë të largët.
Sigal