Kolec TRABOINI/ Lazarati në tym – shteti në delir

633
Sigal

Ku janë shoqatat fantazma të fëmijëve? Ku janë shoqatat fantazma që mbrojnë të drejtat e njeriut, që tundojnë tërë opinionin edhe për gjërat më të rëndomta, por nuk kujtohen të thonë se djegia e kanabis- sativës brenda në fshatin e Lazaratit është e dëmshme për shëndetin e fëmijëve, është e dëmshme për pleqtë e plakat, por më së shumti është e dëmshme për gratë shtatzëna, sepse të mos harrojmë se në Lazarat jetojnë njerëz e nuk është një pyll a shkretëtirë, se Lazarati është një fshat i madh që i përmban të gjitha këto kategori. Si mund të digjen tonelata pafund të bimëve narkotike në mjediset, ku ka njerëz, ku flenë e zgjohen, duke shtuar këtu traumat psikologjike të fëmijëve prej pranisë të trupave special policore që shqelmojnë dyer, nxjerrin thikat e presin rrjeta, që hyjnë e dalin vrullshëm në çdo shtëpi sikur të ishte gjendje lufte e sikur të ishin trupa special në Mosul të Irakut. Ku është e në çfarë vrime rri fshehur ministri i Shëndetësisë. A ka ministër shëndetësie ky vend e me se merret? Pse opozita ka frikë e merret me lojëra fjalësh e nuk e kërkon në foltore të flasë për efektet e dëmshme që mund të ketë për popullsinë kjo djegie masive e bimëve narkotike në vende të banuara? A janë konsultuar ministrat e shëndetësisë e të mjedisit më parë për këtë ndërhyrje emergjente të trupave speciale të Policisë së Shtetit? Po shkojmë edhe më tej. Përse  ky demonstrim i palogjikshëm force, kur gjërat mund të bëheshin më shtruar e më qetë sepse kjo është polici e popullit e jo polici individësh që kanë pushtet dhe duan të tregojnë se janë të fortë. Po nga buron kjo forcë pushteti që demonstrohet me kaq brutalitet. Por me e rëndësishme, a është e nevojshme? Banda e armatosur që mbante peng Lazaratin ju iku 800 policëve të armatosur deri në dhëmbë, e pabesueshme kjo, nuk ishin në gjendje t’i mbërthenin e t’i prangosnin dhe merren tani me ata që konsiderohen banorë paqësorë anipse bashkëfajtorë kolektiv në kultivimin e bimës. Po pse kështu kryhet punët e shtetit që, siç thotë populli, e zë lepurin me qerre? Jo, këta duan ta zënë lepurin me autoblinda. Duan spektakël t’i shoh Europa, e mundësisht gjithë bota, sa të harrojnë edhe kampionatin botëror për t’u thënë se jemi ne kërthiza e planetit e jo ju. Kjo është një qorrollepsje e suksesshme, lavdimadhe, përrallëtare dhe me vjen vërtetë indinjatë se si mund të sillen me popullin kështu. Se dhe lazaratasit, duan apo nuk duan pushtetarët, popull shqiptarë janë. Madje, atdhetarë. Halli e nevoja të bën të merresh me soj-soj punësh për të mbijetuar. Edhe popuj të tjerë e kanë kaluar këtë në procesin e zhvillimit të tyre. Dihen ndalesat që ka pasur Amerika në vitet ‘30 të shekullit të kaluar për alkoolet. Por erdhi një kohë që alkoolet u lejuan. Po kjo bimë e mallkuar padrejtësisht, sepse nuk e ka fajin bima, është e lejuar në disa shtete sepse është forma më e lehtë e drogës, me efekt narkotizues më të ulët. Shqiptarët e kanë pasur në traditë dhe e kanë kultivuar hashashin, të cilin e kanë përdorur si çaj, vetë Ali Pashë Tepelena, të cilit i thurim himne disi të dyshimta, sepse ndihmoi të bëjë shtetin grek e jo shtetin shqiptar, ka pas një nargjile me të cilën thithte tymin e kësaj bime të tharë. Ja afroi dhe Bajronit. U kënaq edhe ai. U harrua ca çaste në tymra të trëndafiltë. Askush nuk e dënoi e mallkoi për këtë në histori. Kjo bimë që tashmë po kthehet në legjendë vrasëse prej propagandës televizive servile, kurrë nuk ka qenë e tillë në histori?! Po i japin atribute që mezi ja mbajnë shpatullat e vogla. Kanabisin shqiptarët e kanë quajtur historikisht kërp, që ka përmbajtje të vogël droge, por është përdorur për industrinë, për prodhimin e litarëve, letrës dhe ka një përdorim të gjerë industrial. Tani na e tregojnë sikur është gjëma e gjëmave të botës. Po dale more se me ç’na japin lajmet, Holanda, Uruguai, Republika Çeke, Portugalia, Bangladeshi, Koreja e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara, (Uashingtoni edhe Kolorado) kanë ligjet me të buta për prodhimin e përdorimin marijuanës. Për ata që nuk e dinë, mund të thuhet se, këtë bimë e ka kultivuar edhe Tomas Xhefersoni. Çfarë mund të themi për këtë ne shqiptarët e televizioneve me kulturë gjysmake, që aq dinë e aq thonë, se duhet ta heqim edhe Xhefersonin nga historia, t’i shpallim këto shtete kriminale? A nuk jemi të vegjël për ta bërë këtë punë ne shqipot barkthatë, që e kemi kthyer shtetin në një kopsht eksperimental ku aplikohen idetë e çdokujt që na vjen si diplomat shpëtimtar nga Europa, sado të pamundura apo marroke që të jenë. Pse na krijoni vërtetë gogolë vrasës të gjelbër, të cilët po na shfaqen edhe në ëndrra? O media, po flisni more edhe për anën tjetër të medaljes e jo vetëm për gogolin e gjelbër, se krijoni vërtetë trauma sa kur shoh sfondin e blertë të Top- Channel më hyjnë të dridhurat. Më kujtohen filmat horror, ku shfaqen bimë mishngrënëse. A ka njeri të kthjellët në këtë shtet shqiptar apo të gjithë janë kapluar nga ethet e tymit të kanabisit, sepse ashtu po i shohim edhe deputetët edhe qeveritarët. Se çfarë t’i thuash, ta zëmë, Ministrit të Brendshëm që një javë më parë kishte një mendje tjetër për zgjidhjen me mençuri e qetësi të problemit të Lazaratit dhe pas një jave bëri të kundërtën, u nis yrysh për ta pushtuar policërisht. Në deklarimin e parë ishte më racional, ishte për një mënyrë më efikase, me një plan më të detajuar e me një perspektivë për ta mbyllur këtë plagë sociale,  sepse është e lehtë ta quash thjeshtë një vepër kriminale, por ama duhet ta gjykosh me qetësi e të kuptosh se kemi një plagë sociale në mes. Dhe burimi i plagës janë vetë shteti e pushteti që nuk po arrijnë të funksionojnë, së pari, për zhvillimin ekonomik të vendit e krahas kësaj në vendosjen e pushtetit jo policor, por pushtetit të ligjit.

Ku janë, gjithashtu, shoqatat civile fantazmë për të cilat janë paguar miliona dollarë nga forumet e institucionet ndërkombëtare, pse heshtin apo mendojnë se duhet ta kenë mirë me qeverinë sepse kjo ju krijon lehtësira për të përfituar sërish mijëra e mijëra dollarë. Dhe a e dini gjë që nuk është sekret, të gjithë kryetarët e shoqatave kanë shtëpi luksoze, madje kanë edhe dy tre shtëpi, kanë të ardhura të mëdha, e ku po i plas atyre se, ta zëmë, fëmijët e Lazaratit do të kenë pasoja nga kjo tymnajë droge në qiellin e fshatit, le më pastaj për traumat psikologjike të jetuarit në kushte shtetrrethimi policor. Se mos del ndonjëri nga ‘shoqatamaniakët’ të thotë nuk është shtetrrethim. Se është si të jetosh në një kamping pushimi. Si të jetosh, ta zëmë, në Dubai, ku kalojnë pushimet së bashku politikanët e lartë, pushtetarët e lartë edhe padrinot e drogës e të mishit të bardhë. Pse nuk dalin analistët të na thonë se, cili është efekti serë i djegieve të Kanabisit në mes të fshatit, a nuk ka mënyra të tjera për t’i transportuar e djegur larg vendbanimeve. Jo për këtë as që flet fare, ta zëmë, Ministria e Mjedisit apo kryeprotestuesi kundër kimikateve të Sirisë Sazan Guri me shoqatën e vet ekologjike. Ku jeni more dilni t’ju shoh populli që t’i thoni qeverisë një këshillë të mençur se, tymrat e djegieve dhe marrshi policor kanë efekte psikologjike, por edhe shëndetësore mbi kategoritë më të brishta të popullsisë. Ku jeni shoqata humanitare, pse nuk shkoni në Lazarat e t’i jepni ndoca pak ushqim asaj plakës së mjerë që e mbetur panjeri tha se, me dy rrënjë kanabis mbaja frymën, tani nuk e di çfarë do të bëje, çfarë do te hajë. Apo le t’i dalë tymi një herë pastaj kushdo të bëjë si të dojë. Pra e të vdesin njerëzit dhe për bukë. Ku është plani për kthimin e Lazaratit në jetë normale, ku do të punojnë njerëzit, me çfarë do të merren të rinjtë, apo mos ka ndërmend mafia e parave të hap atje një dyqan lojërash fati, se ato nuk qenkan te rrezikshme për qeverinë. Sa fjalë thatë nga opozita, se sa të vijmë do të mbyllim të gjitha lojërat e fatit sepse janë kancer për një shoqëri e një shtet ku ka papunësinë më të lartë në Europë. Por sa shpejt i harruat premtimet. Mbushur Tirana me lojëra fati, të cilat janë po aq, a më shumë, të dëmshme sa Kanabisi i Lazaratit, apo këtu pleksen interesat e politikës sepse nga fitimet e tyre ndahet një pjesë edhe për partitë, ngase dihet se të gjithë pronarët e lojërave të fatit janë anëtarë aktivë të partive. Jo për këto nuk flet njeri, se këto i ka “lali xhan”, se këta dinë si t’ia mbushin xhepin gjithkujt që ka frenat e pushtetit dhe politikës.

Flini gjumë shoqata të drejtave të njeriut, ju bishtra të politikës, se është kohë tymnaja droge edhe ju shoqatat e fëmijëve, edhe ju të ekologjikes, edhe ju të psikologjisë, të gjithë ju që dini t’i mbushni mirë xhepat tuaja pa patur nevojë të merreni me punë të paligjshme si lazaratasit e gjorë, që u bënë viktima të dyfishta të bosëve të krimit, por edhe të kësaj katrahure që po e pësojnë, e për çfarë për një copë bukë të cilën, tani e më pas, nuk dinë më si ta sigurojnë. Sepse të gjithë flasin për zbatim ligjesh, rregullash, taksash, por asnjë nuk të thotë se si mund të jetosh kur nuk ke as punë dhe as shpresë. Më shumë se lazaratasit, më duket se janë pushtetarët e politikanët e vetë shtetit shqiptar që ecën kuturu si somnambul nën ethet e tymnajave të drogës. Ky shtet kaotik me fytyrë të vrarë lije…