Kol Nikollaj, President i KSSH-së: “Prioritetet dhe strategjitë e METE-s janë thjeshtë detyrime ligjore”

793
Sigal

Në vazhdim të takimit të ministrit Haxhinasto me Task-Forcën për minierat

Dekada më parë pellgu mineral-mbajtës i Bulqizë-Martaneshit kishte të punësuar me dhjetëra-mijëra minatorë. Kur ndodhte një aksident me gjymtim apo vdekje, në emër të ideologjizmit të jetës së njeriut mbusheshin birucat me “sabotator të ekonomisë” apo “armiq të popullit”. Po Sot? Sot është harruar se jeta e njeriut është gjëja më e çmuar, si një dhuratë e Zotit. Sot, rol parësor ka marrë fitimi. Fitimi jo nëpërmjet rregullit, nderit e djersës por fitimi nëpërmjet mashtrimit dhe trafikimit të influencave politike. Sinqerisht e vlerësuam iniciativën dhe qëllimin e mirë të zv.kryeministrit dhe Ministër i METE-s, z. Haxhinasto. Duke qenë partner dhe të lidhur në marrëdhëniet e punës, u njohëm me shumë interes dhe me 3 prioritetet e kësaj ministrie për minierat. Së pari, konsolidimi i këtij sektori duke mënjanuar copëzimin e tij të tejskajshëm. Së dyti, rritja e kapaciteteve përpunuese dhe pastruese të sektorit minerar dhe së treti, rritja e sigurisë në punë dhe forcimit të standardeve të punës. Zoti Ministër! Ju bëni mirë që i quani prioritete për dikasterin që Ju drejtoni por në të vërtetë këto janë detyrime ligjore që detyrimisht duhen të përmbushen. Pikërisht nga mospërmbushja ligjore e këtyre detyrimeve situata është rënduar dhe është jashtë kontrollit. Unë dua ta filloj nga prioriteti i tretë i cili për nga rëndësia është dhe i pari. Populli dhe historia na kanë mësuar se: “Nga pësimi nxirret mësimi”. Fatkeqësisht ne po e pësojmë shumë dhe asnjëherë nuk nxjerrim mësime.. Kjo ka dërguar në mos-parandalimin e aksidentit të radhës. Konkluzioni nuk është propaganda formale që pretendoi Zoti Ministër por fatkeqësisht për sa kohë që nuk do të dalë përgjegjësia reale e ndodhjes se aksidenteve apo e avarive, si dhe askush s’do të mbajë përgjegjësinë e duhur ligjore, por do të mjaftohemi me retorikën “fajin e pati viktima”, ato asnjëherë s’do të parandalohen e për pasojë fatkeqësisht do të jenë prezente në punën tonë. Prandaj Zoti ministër ky prioritet duhet të zëvendësohet me konkluzionin se: Kjo situatë e krijuar në miniera vjen nga mungesa e politikave dhe strategjive të qarta qeverisëse, të cilat asnjëherë nuk janë ndërtuar  mbi realitetin dhe mundësitë konkrete të fronteve të punës por mbi propagandën, mashtrimin politik, korrupsionin, trafikimin e influencave politike dhe përfitimin në emër të ligjit. E gjithë kjo lidhet pazgjidhshmërisht dhe me mungesën e investimeve që punëdhënësit kryejnë për sigurinë dhe shëndetin në punë. Pa folur këtu për rrënimin ambiental, i cili së bashku me rrënimin ekonomik e shpirtëror e kanë kthyer këtë rajon në një geto. Vetëm koncesionari ACR (dikur DARFO) në vitet 2001-2008 duhet të investonte për ambientin 6 milionë dollarë sipas kontratës. Prioriteti i dytë sipas jush është rritja e kapaciteteve përpunuese, pasuruese e prodhuese. Edhe ky është një detyrim ligjor. Ju në përmbushje të detyrës Tuaj Kushtetuese duhet urgjent të nxirrni përgjegjësitë ligjore dhe të merrni masa konkrete që të realizohen këto detyrime të cilat janë të miratuara nga Parlamenti Shqiptar. Konkretisht vetëm koncesionari ACR (dikur DARFO) ka qenë i detyruar dhe duhej që nga viti 2008 në sajë të kryerjes se investimeve të prodhonte 85 mijë ton mineral kromi në vit, sot prodhon rreth 30 mijë ton. Deri në këtë periudhë duhet të prodhonte 32 mijë ton ferrokrom në uzinën e Burrelit, e cila sot është kthyer në një gërmadhë pa asnjë shpresë për t’u rivendosur në punë, duhet të prodhoheshin 16 mijë ton në vit superkoncentrat dhe 32 mijë ton koncentrat kromi nga pasurimi i mineralit në Bulqizë dhe në impiantin e Klosit, ku impianti i Klosit sot është zhdukur dhe nga harta. A e mendoni Zoti Ministër se çfarë humbje i ka ardhur ekonomisë kombëtare, buxhetit të shtetit apo minatorëve e komunitetit të Bulqizës nga këto mosrealizime? Marrëveshjet koncesionare kanë për qëllim: Rehabilitimin, Modernizimin, Financimin, Administrimin dhe Shfrytëzimin e objekteve të dhëna me koncesion apo me licencë kërkim-shfrytëzimi. Në të vërtetë asgjë nuk është realizuar nga këto, përveçse një shfrytëzimi barbar pa asnjë kriter dhe kondicion shfrytëzimi, pa projekte shfrytëzimi dhe rehabilitimi të zonave, ku punohet. Detyrimi ligjor për të investuar në Bulqizë dhe uzinën e FeCr Burrel në vitet 2001-2008 ishte 20,6 milion dollar dhe sot uzina e Burrelit rezulton e braktisur, traverbanku i Bulqizës i pafilluar, ndërtimi i pusit të thellë në minierë nga niveli 16 në nivelin 20 i pafilluar duke e dërguar këtë vendburim kolloz në një vetëmbyllje të detyruar në mënyrë administrative dhe korruptive. Ligji ka dhënë zgjidhje dhe për këto raste mos-realizimesh pasi parlamenti ka vendosur se 0,05% e vlerës së investimit të parealizuar pas 2 muajve me vonesë është vlera e gjobës që paguan investitori kontraktues. Nuk mund të shmang këtu pa përmendur se të njëjtin fat po pëson dhe vendburimi i bakrit në Munellë, ku çdo vit ekonomia kombëtare humb mbi 500 mijë euro nga eksporti i mineralit të bakrit të papërpunuar në vend. Detyrim ky i përcaktuar në kontratën koncesionare që minerali i bakrit të pasurohet dhe të shkrihet Brenda vendit. Pa folur këtu për mineralet e rralla shoqëruese si ari, argjendi, arsenik etj që askush nuk e di se ku shkojnë dhe kush i merr fitimet e tyre. Në vitin 2009, METE me ligj apo me iniciativën e saj bëri disa amendamente marrëveshjes koncesionare të Bulqizës duke i shtyrë asaj në kohë dhe në vlerë grafikët e investimeve nga viti 2009 deri në qershor të 2012 si dhe duke falur gjobat në mënyrë të njëanshme për mos-realizimin e investimeve. Megjithëse parlamenti kishte vendosur në nenin 7.2 të kontratës së koncesionit se: “Ndryshimet në projekt mund të bëhen me pëlqimin e të dy palëve dhe vlera e pakësimit të investimit nuk mund të jetë më shumë se 10% të vlerës së specifikuar, të 20,6 milion dollarëve.” Tani që ka kaluar dhe qershori i 2012, Ju Zoti Ministër se pari duhet ti përgjigjeshit pyetjes se kush është prioriteti i METE-s për të zbatuar ligjin. Ndërsa për prioritetin e parë që Ju thoni që dëshironi ti konsolidoni këto sektorë duke mënjanuar copëzimin dhe fragmentarizimin e tejskajshëm të këtij objekti, besoj se tashmë e keni të pamundur një gjë të tillë. Bashkëbiseduesit që Ju kishit në sallë apo pseudo-task-forcat që Ju kërkoni t’i ringjallni, ato kanë konflikte interesi të hapura dhe nuk e bëjnë të mundur këtë prioritet Tuajin. Ju vetë e pranuat se keni dhënë sasi të madhe licencash dhe lejesh shfrytëzimi pa kritere. Ju nuk keni bërë të mundur përcaktimin ligjor të kërkesave për certifikimin profesional të individëve apo subjekteve që kryejnë veprimtari të studim-projektimit dhe të zbatimit në fushën e veprimtarisë minerare (Kërkim-Zbulim-Shfrytëzim-Përpunim) dhe ndërtim punimesh nëntokësore në infrastrukturë për qëllime civile. Nëse Ju do të pranoni të vini të takoni minatorët e zonës D në Bulqizë, ata në mënyrë publike para medias do t’iu njohin me të gjithë këta operatorë dhe me tutorët e tyre politike të cilët janë ministra, zv.ministra, deputetë, bodyguard e shoferë të tyre, gjyqtarë, bashkiak, kryebashkiakë etj.. Prandaj Zoti Ministër, me mirësjellje dhe me detyrimin qytetar, në emër të të gjithë minatorëve dhe komunitetit të këtyre zonave, të cilët po shfrytëzohen barbarisht dhe po keqpërdoren ekonomikisht e politikisht, kërkoj nga Ju që t’i zëvendësoni prioritetet Tuaja me detyrimet ligjore për t’u përmbushur në funksion të detyrës. Qeveria shqiptare nëpërmjet mosveprimeve të saj ka lejuar që të shkelen në mënyrë flagrante marrëveshjet koncesionare apo të drejtat e dhëna me licenca shfrytëzimi në miniera duke dëmtuar rëndë ekonominë kombëtare, duke vënë në rrezik jetën, shëndetin dhe punësimin e punonjësve në miniera. Në marrëveshjet koncesionare apo licencat e dhëna për shfrytëzim parashikohet detyrimi për realizmin e një sërë detyrimesh ekonomike, financiare dhe sociale prandaj jo prioritet por detyrim ligjor METE ka për të kontrolluar dhe inspektuar të paktën 2 herë në vit dhe për probleme të veçanta sa herë del e nevojshme këta operatorë dhe subjekte. Deri tani në sajë të influencave politike qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë shtrënguese ligjore në përmbushje të detyrimeve ligjore, e aq më keq kur në ndonjë rast është vënë ndonjë gjobë ato janë falur duke e vendosur biznesin minerar në pozitë papërgjegjshmërie dhe pandëshkueshmërie të jashtëzakonshme. Ky biznes i cili po kthehet nga biznes ekonomik në biznes politik po e ndjen veten të paprekshëm, me imunitet ndaj masave administrative. Biznesi minerar për një kohë te gjate po tregon një shpërfillje totale ndaj ligjit, ndaj agjencive ligj-zbatuese të shtetit, ndaj strukturave financiare taksa-mbledhëse e lë pastaj ndaj sindikatave, lirisë për t’u organizuar ndaj kushteve të sigurisë në punë, jetës së punëtorëve, shëndetit të tyre e sidomos në mënyrë të veçantë ndaj të ardhmes industriale të minierave. Prandaj Zoti Ministër, mendojmë se prioritet i METE-s dhe i të gjithë neve të jetë zbatimi i ligjit, ndalja e abuzimeve për përfitime mbi ekonominë kombëtare dhe vendosja para përgjegjësisë administrative apo penale e të gjithë shtetarëve që me veprimet apo mosveprimet e tyre po i shkaktojnë ekonomisë kombëtarë dëme të pariparueshme dhe të pallogaritshme në sektorin minerar.