Kodi SHANTO*/ Historia e LANÇ-it, e vërteta, me të cilën ne krenohemi si Komb

631
Sigal

Partizanët, heronjtë dhe dëshmorët ishin patriotë që luftuan me solidaritet për lirinë e vendit

Para pak ditësh, në kohë të lirë, thënë ndryshe; “jashtë shkolle”, bëra një bisedë me nxënës të shkollës “Vasil Shanto”. Dhe po mendoja; në duhej folur me një gjuhë të thjeshtuar, për këta të rinj e adoleshentë; të tregoja “histori” për Vasilin, të përshtatura me një gjuhë “për fëmijë”, apo t’ju drejtohesha si të rriturve, pra, të flisnim si bashkëmoshatarë edhe pse në moshë shumë të rinj. Dhe iu thashë: “Ndoshta ju mendoni sot, me luksin që ju jep mosha e re, se kjo është një ditë e zakonshme e premte, por me ndryshimin që do bëni më pak mësim dhe do keni më shumë kohë për të shijuar fundjavën që ju pret. Keni plotësisht të drejtë: shijojini këto ditë dhe vite që nuk përsëriten! Por ndërkohë, mendoni sadopak për këto që do t’ju them tani. Arsyeja që vendosa t’ju drejtohesha me të njëjtën gjuhë që ju drejtohem studentëve të universitetit, është sepse kam vërtetë besim që ju, do të më kuptoni më mirë, po, po; më mirë, sepse jeni të lirë në mendimet tuaja, ende jeni në kohë të filloni të zhvilloni një mënyrë individuale të menduarit. Nëse nuk filloni që tani, ka shumë gjasa që kur të vini në universitet, të flisni njësoj si prindërit tuaj, “bardhë e zi”, duke ndarë njerëzit në të mirë dhe në të këqij, të majtë dhe të djathtë; komunistë apo antikomunistë. Të flisni me emocionet e prindërve që do keni përftuar dhe mos keni një ide tuajën. Prandaj, mendoj se më vlerë ka që këto fjalë t’ju them juve, se sa të rinjve 20- vjeçar, jam e sigurt që ju do të më kuptoni më mirë!!!  Prandaj dhe dua të më dëgjojnë edhe mësuesit tuaj, sepse më shumë se studentë të zgjuar, me nota të mira e të sjellshme gjatë orës së mësimit, na duhen të rinj me vlera, me karakter, të rinj që nesër do dinë të mendojnë vetë! Së pari, dëgjoni mësuesit dhe prindërit tuaj, lejojini t’ju japin mësimet e tyre të vyera, por jo t’ju mësojnë se si të arsyetoni. Arsyetoni bazuar në atë që është e drejtë dhe atë që nuk është; në vlera dhe antivlera, ky arsyetim çon gjithnjë tek e vërteta. Historinë e vendit tim apo të gjithë njerëzimit nuk ma mësojnë vetëm librat, ata ndihmojnë sigurisht, por tek e vërteta shkohet përmes arsyetimit, duke lidhur faktet, shkaqet dhe pasojat. E vërteta është aty, kokëforte! Pret që ju të shkoni e ta vlerësoni. Historia është aty për të na mësuar dhe duke studiuar do të mund të kuptojmë të tashmen dhe me pak fat të ndërtojmë më mirë të ardhmen. Dikur një historian francez më tha: “Nëse Zhan d’Ark nuk do të ekzistonte, do ta kishim shpikur, sepse kombi ka gjithnjë nevojë për modele, e në fakt, shtoi ai, pak dihet se si është historia e saj dhe sa është sajuar”. U habita nga kjo mënyrë e ftohtë e të folurit të një historiani që kishte aq dashuri për vendin dhe historinë e tij, dhe fillova të mendoj sa shumë modele grash dhe burrash të mëdhenj i kemi varrosur në histori, e ndoshta Vasili është ndër të paktët, fatkeqësisht, që i ka mbijetuar asaj, sepse është e afërt dhe sepse faktet janë kokëforta. Por e kaluara na mëson që ne shqiptarët jo gjithmonë e kemi vlerësuar të shkuarën dhe që edhe ky emër nuk është çudi që nesër të mos përmendet fare, bile edhe të përbaltet apo të harrohet në pluhurin e historisë. Studentët, mbiemrin tim e lidhin me shkollën “Vasil Shanto” dhe ndonjëri, shumë-shumë mund të ketë dëgjuar se, ishte një hero, apo më keq akoma; që ishte thjeshtë një komunist, ka shumë mundësi që ndonjëri të ketë dëgjuar edhe se ai luftoi në një luftë jo nacional-çlirimtare, por në një luftë civile, gjëma më e shëmtuar që mund të thuhet për një vend që është nën okupimin e huaj. E vërteta është se ai, si gjyshërit dhe stërgjyshërit tuaj, luftuan për vendin e tyre, u pozicionuan në krah të forcave aleate kundër çmendurisë nazifashiste. E vërteta është se Shqipëria pati fatin të jetë një aleat, edhe pse modest, në historinë botërore dhe e bëri luftën, falë mijëra djemve dhe vajzave, të rinj në moshë, pak më shumë se ju, që besonin fort në disa vlera, por mbi të gjitha patriotë që donin vendin e tyre. Të thuash të kundërtën është antikombëtare, është e shëmtuar, do të thotë të humbasësh identitetin dhe të humbasësh porosinë që na la historia. Ju, të dashur nxënës, keni mësuar në biologji për qeniet e gjalla, që formohen nga mijëra qeliza që lindin e vdesin pa pushim në një cikël të mirë përcaktuar. Qelizat duhet të shumohen dhe të vdesin, që trupi të rritet, të formohet, e të vazhdojë të jetojë. Një komb mund të krahasohet me tërësinë e qelizave që formojnë një qenie të gjallë. Për këtë arsye një komb duhet parë si një qenie e gjallë, që përbëhet jo vetëm nga individë që jetojnë në një moment të dhënë dhe e formojnë atë, por edhe nga breza të tërë të vdekurish, që kanë qenë të parët e tyre. Duke qenë pafundësisht më të shumtë në numër, të vdekurit, (të ikurit) janë gjithashtu, pafundësisht më të fuqishëm. Ata drejtojnë fushën e pa matë të së pavetëdijshmes, atë fushë që nuk shihet dot, por që e mban nën pushtetin e saj të gjithë shfaqjet e mendjes dhe karakterit. Fatin e një populli e udhëheqin në një shkallë shumë më të lartë brezat e vdekur, se sa të gjallët, sepse vetëm ata kanë hedhur themelet e kombit. Shekull pas shekulli, ata kanë krijuar idetë dhe ndjenjat dhe rrjedhimisht të gjitha shkaqet e motivet që venë në lëvizje sjelljen tonë. Brezat e shkuar na japin jo vetëm organizmin e tyre fizik, por ata na sugjerojnë edhe mendimet e tyre. Në të vërtetë të vdekurit janë zotërinjtë e padiskutueshëm të të gjallëve. Nuk ju besohet? Ne bartim peshën e gabimeve të tyre dhe shpërblehemi për virtytet e tyre!!! Për të gjithë brezat, e gjithë e kaluara e një kombi lulëzon te këta persona që përbëjnë një lule të trungut të vjetër njerëzor. Ata nuk shfaqen rastësisht, e as nga ndonjë mrekulli, por përfaqësojnë kurorën e një të kaluare të gjatë, duke e përqendruar në vetvete madhështinë e kohës së tyre, e të kombit të tyre. Nuk është e mundur të gjesh udhëheqës populli, pa mishëruar ëndërrimet e tij! Vasili mishëronte ëndrrat e bashkëkohësve të tij dhe porosinë afatgjatë të të parëve për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, ku të mbizotërojë drejtësia, morali, shoqëri të cilën, fatkeqësisht nuk po e realizojmë as sot. Ata gabuan sepse besuan se shoqërinë më të mirë e bënte sistemi dhe jo njerëzit. Ajo, që ndoshta nuk do ju mësojnë kurrë në shkollë, është se nuk ka sisteme të mira, apo të përsosura, ka shoqëri të mira apo më pak të mira, ku mbizotërojnë vlerat dhe antivlerat. Sot ne kemi thyer atë hallkën e historisë dhe nuk po mundemi të perceptojmë trashëgiminë e të parëve. Duke mohuar historinë, sigurisht mohojmë identitetin, thyejmë këtë hallkë dhe dukshëm, ka pak gjasa të ecim përpara… A e dini se përse mësohet gjithnjë historia? Pikërisht, për të mësuar, pra, për të marrë në mënyrë të vetëdijshme dhe logjike, pikërisht porosinë e të parëve, për të kuptuar strukturën e këtij organizmi të gjallë, që quhet Kombi shqiptar, që mbijeton prej shekujsh. Çfarë mësimi na dhanë Vasil Shanto, miku i tij i ngushtë Qemal Stafa, Asim Vokshi, Migjeni, Ali Kelmendi, e të tjerë? Çfarë përfaqësojnë ata? Fjala e parë që na vjen ndërmend është: Solidariteti! Më kujtohet kur lexoja librin mbi jetën e Vasilit dhe tregonte sesi ai u jepte pafund njerëzve bukë veresie, pa pagesë dhe njerëzit e donin edhe për këtë. Gjatë burgimit, ai grumbullonte të gjitha ushqimet që vinin dhe gatuante për të burgosurit e tjerë e i ndante në mënyrë të barabartë. Nxënës, mos harroni! Solidariteti është kryefjala e çdo vendi të zhvilluar dhe burimin e ka në dashurinë vllazërore. Etje për dije: Kur përpiqeshin të lexonin, edhe pse kishin pak mundësi, librat në gjuhë të huaj që vinin nga jashtë, veprim që mund të kenë bërë edhe gjyshërit tuaj apo prindërit tuaj! Vasili investoi me shpenzimet e tij bashkë me këta mendje të ndritura, që të përktheheshin dhe të botoheshin vepra të huaja në vend. Vasili na ka lënë pas shkrime e botime në revistën “Bota e re”, pjesë dramatike që edhe një herë tregonin për dëshirën e tij për dije dhe për ta përcjellë atë. Ai shkruante sepse e dinte se do ta kuptonin. Miqtë e tij kujtojnë se Vasili gjatë sipërmarrjes së tij për botimin e gazetës “ABC”: “Ne do shkruajmë qoftë edhe një numër, por do themi të vërtetën!” Karakteri! Shkoni në shtëpi dhe pyetini  prindërit tuaj, e më pas mësuesit për përkufizimin sipas tyre të karakterit, fjalë që sot aq shumë është harruar, sa gati merret si sinonim me kokëfortësinë. Po përpiqem t’ju jap unë një: karakteri përfshin moralin, koherencën, forcën. Thelbi i karakterit është: Të besuarit në disa vlera dhe të qëndruarit fort pas tyre, pavarësisht çdo lloj force apo ndikimi. Vasili e dha shembullin e tij, ndër mijëra të tjerë, duke qëndruar stoik gjatë torturave të pashembullta të bëra ndaj tij gjatë gjyqit të famshëm. Është karakter, sigurisht, por edhe dashuri për vendin, solidaritet! Këto janë vlerat, ku duhet të besoni! Ndjejeni mbi vete këtë peshë të kësaj historie, ashtu si shumë të tjera, nëse doni që të ndërtoni një shoqëri më të mirë. Ne i kemi të gjithë sytë tek ju: ju jeni e ardhmja! Por kuptoni sot më shumë se kurrë, që vendi nuk zhvillohet vetëm nga njerëz inteligjentë e të shkolluar, por përmes Vlerave; ja ku jua kujton e kaluara; përqafojini ato! Filloni që sot, duke pranuar gjithkënd pavarësisht prejardhjes, krahinës, formimit, zgjidhni njerëzit nga vlerat që ata kanë dhe jo nga familjet nga vijnë. Mirëpritini komshinjtë dhe shokët e klasës e shkollës edhe nëse ata mendojnë ndryshe nga ju, e largohuni prej tyre nëse nuk kanë të njëjtin sistem vlerash. Zbatojini normat, rregullat, ligjet, jo sepse keni frikë nga dënimi, por sepse ato janë vënë për të bashkëjetuar më mirë, për të respektuar tjetrin, sepse asnjë vend i zhvilluar, nuk mund të ecë përpara, nëse shoqëria me vullnet e dëshirë nuk i zbaton ato.  Respektojini të tjerët, varësisht nëse i njihni apo jo! Varësisht ne së i doni apo jo! Mos e humbisni mirësinë, pavarësisht padrejtësie që ju bëhet, ecni përpara, qëndroni i pamposhtur në emër të vlerave. Kjo do ju bëjë ju më të lumtur, më krenarë dhe duke dëgjuar zërin e të parëve do çoni shoqërinë përpara! Askush nuk ju thotë se do të jetë e lehtë, por është rruga e vetme, sepse po t’i referohesh historisë, ku antivlerat kanë ngritur shpesh krye, sot do kujtonim jo vetëm jetën e fikur të Vasilit, por edhe të Kombit tonë.

*Mbesa e “Heroit të Popullit” Vasil Shanto pedagoge në Universitetin e Biznesit, Tiranë