Koço Sokoli, Pullumb Beqiraj/ Zonat e Mbrojtura dhe biodiversiteti

564
Roli i pyjeve në ruajtjen e biodeiversitetit është i pazëvendësueshëm. Pyjet në vendin tonë zënë afro një milion hektarë ose rreth 36 për qind të sipërfaqes totale të Shqipërisë. Zonat e Mbrojtura në total zënë 16 për qind të sipërfaqes së territorit, ato janë sipërfaqe me vlera të veçanta të peizazhit, formacione të rralla biologjike, gjeomorfologjike dhe pasuri të biodiversitetit. Ato kanë vlera natyrore, kulturore, historike, arkeologjike të trashëgimisë rajonale ndërkombëtare të cilave iu jepet një status i veçantë për mbrojtjen e tyre. Rrjeti i Zonave të Mbrojtura është bazuar në kategoritë e menaxhimit të sistemit ndërkombëtar dhe sistemi i ndërtuar për këtë qëllim është në IUCN (Internacional Union for Conservation of Nature). Me ndryshimet e ndodhura pas viteve 90’ dhe ecjen drejt ekonomisë së tregut, si në të gjithë sektorët ekonomikë të vendit, edhe në sektorin e pyjeve por për zonat e mbrojtura ligji është miratuar në vitin 2002, ku për zonat e veçanta të ruajtjes, Ministria e Mjedisit dhe AKZM është përgjegjëse për mjedisin dhe në radhë të parë detyrë kryesore e këtyre institucioneve është hartimi dhe miratimi i planeve të menaxhimit për këto zona ose të integruara në plane të tjera zhvillimi, si masa juridike, administrative ose kontraktuale, në përputhje me kërkesat ekologjike të tipave të habitateve natyrore, me interes për komunitetin evropian dhe të llojeve me interes në këtë komunitet. 

Problemet me Zonat e Mbrojtura
Në krahasim me numurin e Zonave të Mbrojtura, plani i menaxhimit të tyre rezulton në një numër mjaft të ulët. Konkretisht në 15 zona të miratuara në kategorinë “Rezervat Natyror” dhe “Park Kombëtar”, rezultojnë 3 prej tyre janë miratuar plane menaxhimi. Në 23 zona të miratuara “Rezervat Natyror i Menaxhuar” dhe “Peizazh i Mbrojtur”, në 4 prej tyre janë miratuar plane menaxhimi. Për të shmangur shkatërrimin e habitateve natyrore dhe të habitateve të llojeve në zonat e veçanta të ruajtjes, si dhe shqetësimin e llojeve, për të cilat këto zona janë përcaktuar, Ministria e Mjedisit dhe AKZM, janë të detyruara për të miratuar dhe kërkuar personave fizikë dhe juridikë, veprimtaria e të cilëve ndikon negativisht në zonë, të zbatojnë kërkesat e përcaktuara në lejen mjedisore. Çdo plan ose projekt, që mund të ndikojë në zonë, i nënshtrohet procedurave ligjore të vlerësimit të ndikimit në mjedis. Ministria e Mjedisit, AKM dhe AKZM të cilat janë përgjegjëse për mjedisin, pranojnë planin ose projektin, vetëm pasi të sigurohen se ai nuk ndikon negativisht në integritetin e zonës, si dhe pasi kanë marrë mendimin e publikut. Kur është e nevojshme në kuadër të planifikimit të përdorimit të tokës, këto organe u kërkojnë hartuesve dhe zbatuesve të planifikimit të tokës menaxhimin e veçorive të peizazhit, me rëndësi të veçantë për florën dhe faunën e egër. Duke parë gjendjen aktuale të menaxhimit të Zonave të Mbrojtura dhe masat e përcaktuara, lehtësisht nxirret konkluzioni se Zonat e Mbrojtura të cilat zënë 16 për qind të territorit të vendit, aktualisht ato janë pothuajse të pambrojtura. 
Hidrocentralet brenda Zonave të Mbrojtura
Brenda rrjetit të Zonave të Mbrojtura janë identifikuar 71 HEC-e nga këto:
• HEC-ce që kanë qenë ndërtuar para viteve 90 rezultojnë 6;
• janë ndërtuar pas viteve 90 dhe që kanë filluar prodhimin 21;
• janë në proces ndërtimi 44.
Në rrjetin e ZM rezulton dhe një numër i madh subjektesh të cilat kryejnë aktivitetin e nxjerrjes së mineraleve (krom), prodhime inertesh, prodhimeve të pllakave të gurëve dekorativë etj, ku nga veprimtaria e tyre ka dëmtime të shumta të natyrës së mjedisit, prerje të pyjeve, hapje rrugësh, gërryerje toke, si dhe disa subjekte në aktivitetin e tyre nuk i përmbahen detyrimeve që përcaktojnë lejet e mjedisit. Aktualisht rezulton se 13 subjektet që kanë shfrytëzuar gurin gëlqeror në Malin e Dajtit kanë ndërprerë veprimtarinë, por nuk kanë rehabilituar sipërfaqet e shfrytëzuara. Gjatë kontrolleve të kryera në terren, rezulton se brenda rrjetit të Zonave të Mbrojtura gjenden rreth 1200 ndërtime pa leje. 
Përcaktimi i pikave të mbetjeve urbane
Problem tjetër shumë shqetësues për Zonat e Mbrojtura është dhe përcaktimi i pikave të mbetjeve urbane, të ngurta, ujërave të zeza dhe industriale që ndodhen brenda rrjetit të zonave të mbrojtura. Në zonat e mbrojtura rezultojnë gjithsej 34 pika mbetjesh urbane. Derdhja e ujërave të zeza të pa trajtuara në liqenin e Shkodrës edhe pse situata në zonën e Shirokës është rregulluar ku është ndërtuar i gjithë rrjeti i ujërave të zeza si impianti i përpunimit të tyre situata në qytetin e Shkodrës dhe të Koplikut është shumë kritike, pasi nuk bëhet trajtimi i ujërave te zeza. Ujërat e qytetit të Shkodrës dhe fshatit Zogaj derdhen në lumin e Bunës të pa trajtuara, ndërsa qyteti i Koplikut i depoziton në një rezervuar jo shumë larg nga liqeni i Shkodrës për rrjedhojë kanë dhënë ndikim negativ në Biodiversitetin e Liqenit. 
Menaxhimi i mbetjeve urbane
Problemi i menaxhimit të mbeturinave urbane dhe të ngurta përbën një sfidë më vete, pasi ky problem nuk po merr zgjidhje edhe pse sot ekziston një landfield bashkëkohor në Bushat. Hotspotet me problematike janë përroi i thatë në Malësi të Madhe, vija Vrakë në kufirin administrativ mes dy bashkive vija e Dobraçit, Bypassi i Shkodrës, të gjitha bar- restorantet që janë bregut të liqenit të Shkodrës deri në Zogaj, lumi i Kirit etj. Mungesa e infrastrukturës dhe neglizhenca e Bashkive dhe komunitetit, sot na prezantohet një gjendje kritike. Ndërtimet pa leje të bëra në brigjet e liqenit, në 25 vitet e fundit kanë qenë të paligjshme dhe janë të identifikuara dhe të proceduara sipas ligjit janë rreth 17 restorante që janë buzë liqenit në segmentin ura e Bunës-Zogaj dhe 11 restorante ura e Bunës-Hani i Hotit dhe një numër rreth 12 restorante mbi rrugën Ura e Bunës-Zogaj kanë dhënë një impakt negativ në peizazhin në biodiversitet dhe në rritjen e shkallës së ndotjes nga ujërat e zeza dhe mbeturinat urbane. Efektet e reshjeve intensive, erërave të forta dhe valëve të fuqishme, rritja e nivelit të detit në Parkun Kombëtar Kune-Vain-Tale, ka sjellë për pasojë hyrjen e detit në tokë për 2.5 m në vit, të gjitha tipet e specieve të zonës derdhje e lumenjve Drin e Mat (DLDM) (pyjet ripariane dhe habitatet e ujërave të ëmbla, kënetat e kripura, grykëderdhjet e lumenjve, plazhet ranore dhe dunat) janë subjekt i një erozioni të ndjeshëm dhe përmbytjeve, depërtimit ne brendësi të territorit të ujit të kripur, për shkak të stuhive detare (erërave të fuqishme nga deti të shoqëruara me reshje të forta). 
Pasojat e pakthyeshme
Intensifikimi i erozionit dhe futja e ujit të kripur në brendësi të zonës së DLDM ka shkaktuar një numër të konsiderueshëm pasojash të pakthyeshme: 
Në Parkun Kombëtar Lurë, gjendja ka agravuar në përmasa të mëdha, për arsye se zjarret e ndodhura në 5 vitet e fundit në këtë park pothuajse është djegur rreth 37 përqind e sipërfaqes pyjore. Rezultojnë sipërfaqe të mëdha me pemë të prera, duke krijuar favorizime për një erozion masiv dhe të pandërprerë, e cila tregon bindshëm se kjo zonë nuk ka patur kujdesin e duhur nga organet kompetente. Madhësia dhe numri i lartë i popullatës si dhe shpërndarje e tyre në zonat e mbrojtur ka dhënë një influencë negative në gjendjen e mjedisit në këto zona. Një nga agresionet më të mëdha mjedisore që po vuan vendi ynë është prerja e pakontrolluar e pyjeve në një farë mase ku gjendja e tyre është agravuar në nivele alarmante. Fakti i thjeshtë i prerjes në mënyrë të paligjshme (pa autorizim ose në kohën e vendin e ndaluar) do të përbëjë një vepër penale kur nuk përbën një shkelje administrative. Këtu duhet të kemi parasysh atë që thuhet mbi pasuritë juridike të mbrojtura. Nga pikëpamja juridike duhet të jetë një vepër penale vetëm kur prerja e paligjshme mund të vërë në rrezik ekosistemin, gjë e cila do të ndodhë vetëm kur si pasojë e prerjes shkatërrohen ato vende ose vendndodhje që nga karakteristikat e tyre të kenë një rëndësi nga pikëpamja mjedisore. Në të njëjtën kohë do të konsiderohen si vepra penale ato drejtime që për shtrirjen e tyre të dëmshmërisë së shkaktuar supozojnë një çrregullim serioz të ekuilibrit të ekosistemit, por për rastet e prerjes së drurëve pyjorë në zona të mbrojtura detyrimisht duhet të përcaktohej në ligj që përbën kundërvajtje penale. Përvoja tregon se sistemi ekzistues i ndëshkimeve nuk ka qenë i mjaftueshëm për të siguruar respektimin e plotë të ligjeve, ku si pasojë e moszbatimit të tyre ka krijuar pasoja të pariparueshme në mbrojtjen e mjedisit, njëkohësisht ligji nr. 10279, datë 20.05.2010 “Për kundërvajtjet administrative”, nuk ka përmirësim të ndjeshëm në zbatimin e sanksioneve ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme dhe për rrjedhojë nuk ka frenuar prerjet e paligjshme në pyje.
Sigal