Koço Broka/ Paga minimale dhe minimumi jetik në Shqipëri

1310
Kohët e fundit janë shumuar zërat për rritjen e pagës minimale apo pagave në tërësi. Dikush thotë se, Shqipëria nuk mund të dalë dot nga varfëria nëse nuk merr parasysh një rritje të menjëhershme të pagave, duhet bërë rritje deri në masën 50 % brenda harkut kohor të katër viteve,.duhet një rritje e konsiderueshme me të paktën 50 %e pagës minimale. Kjo do të nxiste punëtorët të shtojnë konsumin dhe nivelin e tyre të jetesës si dhe do të rritë taksat për buxhetin e shtetit. Një tjetër kërkon e thotë që paga minimale duhet të rritet 20-50 %. Argumentet më kryesore që sillen janë, krahasimi me vendet e tjera të rajonit ku edhe vitet e fundit janë bërë një rritje e pagës minimale, por dhe plotësimi i nevojave jetike të njerëzve. Përfaqësuesit e sindikatave ndërkohë pretendojnë se “argumenti formal i biznesit, i cili lobon me politikbërjen në disfavor të punëtorëve është se “kemi konkurrencë globale shumë të fortë”, “kemi pasoja të krizës financiare”etj., nuk janë asgjë përveçse justifikime për t’u pasuruar në mënyrë të pandershme dhe për të mos vlerësuar realisht krahun e punës dhe koston e saj. Jo vetëm për çdo lektor të ekonomisë, por për çdo student e di se nuk ka drekë falas, dikush duhet të paguajë për këtë shtesë. Kryesorja është shtimi i byrekut, rritja e produktivitet. Në këto kushte minimalja që mund e duhet bërë, në periudhë afatshkurtër (brenda këtij viti) është kalkulimi i varianteve reale për rritjen e mundshme të pagës minimale, prezantimi, diskutimi dhe arritja e një konsensusi ndërmjet tre aktorëve: sindikata- biznes-qeveri. Kjo për faktin se gjatë tre viteve të fundit, që nga korriku i 2013, nuk ka pasur rritje të pagës minimale dhe ajo ka mbetur në nivelin 22000 lekë. 

Kërkesa e konfederatës së sindikatave

Konfederata e sindikatave shqiptare argumenton se, “paga minimale duhet të rritet sepse ajo lidhet direkt jo vetëm me piramidën e sistemin e pagave por veçanërisht me pensionet, punësimin e papunësisë, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë e të tjera përfitime bazike të cilat në mënyrë të frikshme po rrisin nivelin e varfërisë në shtrirje dhe thellësi”. Duke mos ndryshuar për vite me radhë kur inflacioni ndodh, krijohen probleme nga më të ndryshmet. Ndërkohë INSTAT bën të ditur,se rritja reale e pagave në sektorin shtetëror gjatë vitit 2014 ishte vetëm 0.1%. Të dhënat për vitin 2015 nuk janë publikuar ende. Por në thelb është e njëjta situatë përderisa është ndjekur politika e ngurtësimit të pagave. INSTAT ka bërë një punë shumë të mirë në këtë rrafsh duke publikuar të dhëna jo vetëm për sektorin publik dhe privat. Sipas botimit : “Tregu i Punës”, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë sipas pronësisë së ndërmarrjes dhe gjinisë, për 2014 rezulton mesatarisht 45539 lekë, në ndërmarrjet shtetërore 54 981 lekë, ndërsa në Ndërmarrjet Private Shqiptare, paga mesatare ishte 30751 lekë. Ndërsa paga mesatare mujore për një të punësuar sipas aktivitetit ekonomik (sektori privat e shtetëror; industri, tregti, ndërtim, transport-komunikacion, shërbime) sipas INSTAT, mesatarisht në 2009, ishte 36075 lekë në 2013 ishte 36332 lekë. 

Këto të dhëna flasin në mënyrë elokuente për shkakun e kërkesave të mëdha për t’u punësuar në sektorin shtetëror. Ndërkohë ato dëshmojnë se problematika e nivelit të pagës mesatare dhe pagës minimale nuk janë çështje afatshkurtra që mund të zgjidhen me disa premtime elektorale e masa rishpërndarëse të shtetit duke rritur artificialisht pagën minimale qoftë 50 %. Ajo mund të jetë një kartë elektorale mjaft e mirë për ata që duan ta besojnë e përdorin, por zor se është zgjidhje reale afatgjatë. Në se mund të zgjidhej me këto premtime le të ishte zgjidhur në sektorin privat gjatë 25 vjetëve. Emigracioni nuk është dukuri e viteve të fundit. Paga minimale është e detyrueshme për t’u zbatur nga punëdhënësi si në sektorin publik ashtu dhe atë privat. Rritja me 50 % e saj do të thotë që edhe në sektorin privat ajo të shkojë në nivelin e 33000 lekë, kur paga mesatare aktualisht në ndërmarrjet private shqiptare është 30751 leke. Ky nivel nga njëra anë dëshmon për nevojën e rritjes se pagës minimale, por dhe pagës mesatare sidomos në sektorin privat. Por ndërkohë ai shtron çështjen: Si mund të bëhet e mundur kjo rritje e pagës minimale jo thjesht si pagë nominale por dhe reale e në mënyrë të qëndrueshme? Duke legjitimuar të drejtën e çdo pale për t’u interesuar për interesat e veta, përfshi dhe rritjen 20-50 % të pagës minimale, shkenca ekonomike dhe jeta ka dëshmuar se ajo nuk është dhe nuk mund te jetë si dreka falas.

 Dikush duhet të paguajë për këtë rritje. Në këtë rrafsh pretendimi, për t’i trajtuar deklaratat dhe qëndrimet e biznesit se “kemi një konkurrencë globale shumë të fortë” nuk është asgjë tjetër përveçse justifikime për t’u pasuruar në mënyrë të pandershme dhe për të mos vlerësuar realisht krahun e punës, e koston e saj”, ndonëse ka dhe të vërteta brenda, nuk është tërësisht i tillë. Konkurrenca në tregun e jashtëm por dhe të brendshëm është reale dhe shumë e fortë, ashtu si ndërkohë ekzistojnë përpjekjet për ta shmangur atë dhe për t’i hapur rrugën praktikave antikonkurruese, në dëm të konsumatorëve, duke mundësuar fitime të pamerituara. Gjithsesi faktori Kinë është real. Ose mjafton të shohësh se sa shkoi çmimi i kastravecit (70- 60 lekë kg me pakicë) këto ditë kur në vendin tonë nuk kanë munguar as reshjet e dëborës. Natyrisht shumëkush, sidomos fermerët, nuk mund te ndjehen mirë kur nuk kanë përftuar asgjë nga rënia drastike e çmimit ndërkombëtar të karburanteve. Nëse vlera e zhdoganimit të një 1 kg karburant nuk është më shumë se 30 lek për litër, ose aq sa ka qenë në vitin 2003, tatim taksat janë trefishuar dhe nga rreth 30 lek për kg janë aktualisht rreth 90 lek për kg, Ndërkohë ata kanë pësuar dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Çështja është se siç shkruan në shkrimin e vet, Presidenti i Konfederatës së Sindikatave për këto çështje “ILO rekomandon disa elementë të domosdoshëm për këtë çështje si: Përmirësim i pagës reale dhe rritje të pagës minimale, mbështetjen e pagës tek produktiviteti, reforma rregullatore paralele në paga dhe në taksa, zhvillimin e një dialogu social efektiv për adaptimin më të mirë të politikave të pagave me krizat sociale”.

 Nëse rritja e pagës minimale nominale nuk mbështetet në rritjen e produktivitetzor se do të ketë rritje të qëndrueshme të nivelit real të saj. Në këto kushte merr përparësi dialogu social efektiv midis tre palëve, punës-sindikatave, kapitalit-biznesit dhe qeverisë. Paul Heyne tërheq vëmendjen: “Qeveria nuk është si gjeniu i mrekullueshëm i Aladinit, i cili gjithmonë u bindej komandave dhe gjithmonë realizonte me sukses çfarë i ngarkohej për të bërë …edhe sikur qeveria të jetë ‘e popullit’ nga ‘populli për popullin’ sipas frazës së famshme të Linkolonit, qeveria nuk do të bëjë domosdo atë që dëshiron shumica…Teoria ekonomike e qeverisë parashikon se zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar do t’u kushtojnë vëmendje interesave personalë kur ata zgjidhen dhe zbatojnë politikat. Mbi të gjitha, zyrtarët e emëruar ashtu si dhe ata të zgjedhur nuk do t’i peshojnë një lloj interesat e çdo qytetarinë përpilimin e vendimeve të tyre. Ata do të jenë të prirur të ndikojnë dhe të mbrojnë ata njerëz të cilët i bëjnë të njohura me ekzaktësi preferencat e tyre dhe të kujdesen për t’i shfaqur vendimet që marrin përfundimisht zyrtarët qeveritarë. “Rrotat e ndryshkura fillojnë grasatohen”. Në këtë rrafsh mendoj se ka ardhur koha të flitet e mendohet seriozisht për minimumin jetik. Gjatë tranzicionit llogaritja e minimumit jetik ka mbetur në mes të rrugës megjithëse aty nga viti 1999 u dhanë fonde dhe nga UNDP për studimin dhe publikimin e tij. Përllogaritja e tij në fillim të viteve 2000 nga sindikata nuk ka marrë në konsideratë shpenzimet për strehim. Në këto kushte bëhet imperative llogaritja e plotë e tij nga shteti duke mishëruar konsensusin trepalësh punëmarrës- punëdhënës-qeveri. 

Domosdoshmëria e një studimi

Por në funksion të arritjes së këtij konsensusi, nuk do të ishte herezi që partizanët e rritjes së pagës minimale dhe pagave në masën 50 %, le të mbështesin propozimet e tyre me këtë studim. Ma do mendja se si UNDP, po dhe qeveritë europiane që kanë ngritur shqetësimin mbi rritjen e numrit të azilantëve nga Shqipëria , mund ta mbështesin me grante këtë studim të sindikatave apo universiteteve apo OJF. Studimi do të nxirrte në pah si llogaritja e minimumit jetik e viteve1989-1990, se ekonomia shqiptare ka nevoja reale si për punësimin e shqiptarëve në Shqipëri, ashtu dhe për rritjen e produktivitetit. Natyrisht ai përjashton zëvendësimin e statistikave, të dhënave dhe fakteve me propagandë. Nëse sipas publikimit të INSTAT “Punësimi sipas burimeve administrative dhe sektori bujqësor, Tr1 2012-Tr4 2015” , rezulton se numri i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor dhe sektorin shtetëror është rritur nga 452 180 vetë në Shtator 2013, në 559027 vetë në fund të vitit 2015 ose 106847 më shumë të punësuar e formalizuar, por jo 170 000 vetë më shumë sa prezantohet ky tregues nga politikbërsit. Treguesit e shtimit të të punësuarve të formalizuar gjatë vitit 2015, sipas ISSH nuk janë publikuar ende. Në këtë mënyrë nga njëra anë zor se mund të merret as urimi i atyre të punësuarve që si rezultat i luftës kundër informalitetit tashmë iu paguhen sigurimet shoqërore, por nga na tjetër iu vihen dhe stengeza kompromisit dhe dialogut efektiv social. Përvoja e bizneseve të përparuara botërore si ato të Google, Facebook, Apple, dëshmon se synimi i biznesit nuk është thjesht më vetëm fitimi, por dhe plotësimi i nevojave të konsumatorëve, furnitorëve, punonjësve, mbrojtja e ambientit duke rritur njëkohësisht produktivitetin, por edhe fitimin. Pra prodhohen produkte me vlerë të lartë, të cilat janë të dobishme si për konsumatorët aq dhe për sipërmarrësit dhe punonjësit e tyre. Kjo kërkon që edhe biznesi dhe sipërmarrësit shqiptarë të përvetësojnë një mendësi dhe paradigmë të re sipërmarrjeje, që nuk përjashton por presupozon mbajtjen parasysh të konkurrencës globale. Natyrisht kjo është nga ato gjera që mund të thuhen lehtësisht me fjalë por vështirë për t’u realizuar në praktikë. Ajo është sa sfida e biznesit dhe sipërmarrësve shqiptarë aq edhe e punonjësve, e qeverisë por dhe mbarë shoqërisë shqiptare. Por me ndryshimin e mendësisë mund të ndryshohet dhe realiteti i ekonomisë shqiptare. Është koha e kapitalizmit të vetëdijshëm.
Sigal