KLSH, miliardat e denoncimeve dhe gjyqet shembullore

Nga Fatos ÇOÇOLI

Në këto gjashtë vite 2012-2017, syri profesional vëzhgues dhe ruajtës i parave publike, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka denoncuar pa pushim abuzimet me paranë e përbashkët të shqiptarëve. Janë me miliarda euro në formën e dëmit ekonomik, të parasë shtetërore të shpenzuar keq, ose të të ardhurave të munguara në Buxhetin e Shtetit. Të gjitha të ravijëzuara dhe përmbledhura në dosje të përgatitura me kujdes dhe përgjegjshmëri. Gati një denoncim në javë (një kallëzim penal në javë) në 2186 ditë ose mbi gjashtë vjet! Ky institucion nuk ka kursyer denoncime ndaj zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike në vitet 2012-2013 në pushtet, dhe më vonë të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, me bindjen se korrupsioni nuk është as blu dhe as rozë, por i zi. Pikërisht kjo shpërfillje ndaj fuqisë politike të momentit në pushtet dhe respekti e përkushtimi ndaj standardeve ndërkombëtare të profesionit, përbën fuqinë e vërtetë të gjetjeve dhe denoncimeve të institucionit “watchdog” (ruajtës) të parasë së përbashkët të qytetarëve. Sepse askush nuk mund të akuzojë apo ankohet për anim partiak apo politik. Askush nuk mund te flasë për shantazh apo gjobë-vënie, sikurse përflitej jo fare pa të drejtë ky institucion gjashtë vjet e tre muaj më parë. Një fuqi e tillë e sotme amplifikohet nga siguria se gjetjet dhe zbulimet e dëmeve ekonomike, parave të shpenzuara keq ose të humbura si të ardhura kanë ardhur si rezultat i një analize të kujdesshme të rrezikut të institucionit shtetëror që kontrollohet, i një pune hulumtuese të hollësishme dhe të ndershme, duke i krahasuar gjetjet dhe shkeljet me kuadrin ligjor përkatës, duke mos pritur asnjë sekondë, kur materialet bëhen gati, për të bërë kallëzimin penal, si dhe duke mos hapur asnjëherë “ankandin” abuziv: “sa para më jep, që të mos të ta nxjerr emrin e mos të të denoncoj tek prokurori”? Një dukuri e shëmtuar dhe shtet-varrosëse kjo, që ndodhte rëndom në institucione të tjera, që paguheshin e paguhen nga taksapaguesit shqiptarë për të kontribuar në luftën kundër abuzimit dhe korrupsionit shtetëror! Përkundrazi, institucionit ruajtës të parasë së qytetarit i është dashur të përballet me presione të forta politike, sa herë “ka sulmuar qiejt” (dhe këtë e ka bërë përherë) duke denoncuar në Prokurori edhe ministra të Shtetit, apo abuzime e dëme ekonomike në nivele me qindra milionë euro. Nëse sot abuzohet më pak në nxjerrjen e naftës shqiptare, nëse Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore është në ristrukturim pozitiv më në fund, kjo ndodh edhe falë denoncimeve KLSH. Nëse sot janë prapa hekurave ish-drejtues dhe drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka denoncuar ata që në vitin 2013 e më tej në vijimësi. Masakrës me pronat e qindra mijëra shqiptarëve dhe mbivendosjet dhe abuzimet e të gjitha llojeve nëpër hipoteka dhe zyra të ALUIZNI-t, KLSH i është përgjigjur me 36 kallëzime penale për 196 drejtues, ish-drejtues, përgjegjës sektori dhe specialistë të këtyre zyrave. Në pamundësi për t’i gjykuar e dënuar po vetë zyrtarët e Shtetit të kapur në abuzim flagrant(nuk është gjykatë), në më shumë se gjashtë vite, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar mbi 270 kallëzime penale, dosje të artikuluara dhe shumë profesionale e të detajuara, pranë organit të akuzës. Institucionet e reja që do të dalin nga reforma në drejtësi, prokurorët profesionistë dhe me integritet me siguri që do të trajtojnë me përparësi denoncimet KLSH. Sepse ato, ndryshe nga denoncimet nëpër media (me gjithë vlerën e jashtëzakonshme të këtyre të fundit), janë të pajisura me dokumente, fakte dhe shifra kokëforta, të cilat do të shërbenin si një bazë ideale nisjeje për procese gjyqësore shembullore kundër abuzuesve me pronën shtetërore dhe paratë e qytetarëve të këtij vendi. Reforma në drejtësi do të fitonte procese konkrete dhe dinjitoze hetimi dhe gjyqesh, peshë dhe besim në sytë e njerëzve, pikërisht në rast se do të mbështetej tek denoncimet KLSH. Dhe me siguri që një ditë ajo do të mbështetet! Dhe kjo ditë nuk është shumë e largët.