Kërkohen të aftët, po kush do t’i afrojë ata?!

563
Bardhyl BERBERI 
Shqipëria për momentin po kalon një periudhë të vështirë politike. Ajo me miratimin e reformës në drejtësi po kërkon për t’i hapen më pas dyert për në BE. Shqipëria mbase është vendi i vetëm në botë që të gjithë merren me politikë .

Pse vendi për 26 vjet ka ngelur në tranzicion si ajo shtëpia për të lyer me plaçka të ngritura si askush tjetër. Dështimet e reformave po ndikojnë që vendi ynë të mos mund të përparojë drejt Bashkimit Evropian. Opinioni vendas është mësuar të përballet me situata nga më të ndryshmet, që nga dështimet, korrupsionet, krimet dhe duke patur një shpresë të vagëlluar “… hë se do të bëhet më mirë… Do të na ndihmojnë të huajt”

Pse të gjithë në vendin tonë merren me politikë? Pse çdo i ri e i moshuar di gjithçka që ndodh në skenën politike? Pse duhet çdo ditë të diskutohet për situata politike në Shqipëri? A thua edhe ne shtetet e zhvilluara ndodh e njëjta gjë?! A thua se danezët apo suedezët e dinë se cili është minister i mbrojtjes apo të i drejtësisë? Jo ata nuk merren me gjëra të tilla, pasi nuk kanë kohë. Nuk kanë kohe, pasi janë të preokupuar me këndin e punëve të tyre me të cilat sigurojnë të ardhurat për një jetë sa më të begatë, qeveria dhe djersa e tyre u ka siguruar një standard të lartë jetese, pasi ata vetëm pushime bëjnë katër herë në vit dhe as që u intereson se kush e udhëheq shtetin, në momentin kur shteti i tyre është një shtet normal pa korrupsion me njerëz të aftë në drejtimin e tyre ku drejtojnë njerëzit e mençur, me tituj dhe grada shkencore, jo si tek ne që vendin e punës e merr me një teserë partie. Atje shteti u siguron mirëqenie ekonomike dhe askush nuk lutet çdo ditë që të presin përgjigjen e lotarisë amerikane, të presin t’u jepet një mundësi që ta braktisin atdheun e tyre.

Opozita në Shqipëri e ka humbur busullën dhe vjen vërdallë në det të hapur, pa e ditur se ku do të shkojë dhe çfarë të kërkojë… Populli tashmë e ka kuptuar lojën se kacafytjet dhe akuzat e ndërsjella midis pozitës dhe opozitës janë vetëm një cirk dhe mashtrim, ku më pas të gjithë e shijonin bashkë pushtetin me një marrëveshje të heshtur “Ne nuk ju ngasim kur jemi në pushtet, ju të opozitës, por dhe ju mos u merrni me ne kur të ndërrojmë vendet” . Politika jonë jetën na e ka bërë të tillë që, edhe nëse diçka nuk është në rregull, populli nuk guxon të kritikojë njëshin në krye të partisë , ai mund të qëndrojë në krye të partisë sa t’i dojë qejfi, sepse, nëse sulmon apo hidhëron “njëshin” mund të përballesh edhe me “pasoja”, si largimi nga vendi i punës, mos futja në listën e deputetëve edhe pse mund ta quash veten senator apo mospunësim të fëmijëve dhe të afërmve të familjes. Ne e pamë se edhe pse Lul Basha humbi zgjedhjet ai qëndroi në krye të partisë. Fitoi Luli si Pirua i Epirit, por qëndron në krye të partisë. Një ndeshje humb një trajner futbolli dhe shkarkohet ..Tek ne ka çudira të papara dhe të padëgjuara ..

Gjëja më e madhe që mund të arrijë një i ri shqiptar tek ne është një punësim ku do të siguronte kafshatën e gojës dhe nuk do të detyrohej të marrë rrugën e kurbetit.

Me secilin që mund të takohesh dhe të bisedosh do të flasë për: papunësinë e madhe, largim i rinisë në shtetet perëndimore, të llogariturit si popull që qëndrojmë në krye të vendeve që braktisin atdheun. Të gjitha këto, për habi, nuk e zgjojnë popullin edhe atëherë kur u vodh Banka e Shteti dhe Fullani çuditërisht mori një dëmshpërblim marramendës ! Tragjedia e Gërdecit një aferë skandaloze me gjak të pafajshëm për t’u dhjamosur një takëm politikanësh (Në Amerikë po e shohin në një film të Hollivudit ekranizimin e kësaj ngjarjeje), po k♪7shtu katër të pafajshëm të vrarë në bulevard që lanë fëmijët rrugëve… E pra këto çudira mund të ndodhin vetëm në Shqipëri. Populli çdo mbrëmje shikon këto fytyra “engjëllore” të veshur firmato, madje edhe me kubure në brez dhe është gati të thyejë ekranin e televizorit .

Shqiptarët jo se nuk i duan reformat, por ata presin që presioni të huajve të sjellë ndryshimin siç ka ndodhur gjithmonë . Derisa vetë të ndërgjegjësohet klasa politike dhe të vijnë fytyra të reja, me mendësi të reja, për të dalë nga kjo situatë e vështirë politike, ekonomike, sociale dhe kulturore, ne do të vazhdojmë të gjendemi në këtë situatë, madje ndoshta edhe më keq. Tek ne telashet dhe hallet nuk kanë të sosur dhe fajin sigurisht e ka kjo klasë politike anemike dhe e paaftë të drejtojë vendin. Kryeministri vazhdon dialogun me qytetarët për të larguar ata që kanë bërë “pis” administratën, po ku janë të aftët, kush duhet t`i afrojë ata pas largimit të shpendëve grabitqarë?!
Sigal