Kërcënimi i madh nga Rusia dhe Kina. Në prag të stërvitjes me 300 mijë ushtarë, 1000 avionë ushtarake dhe 36 mijë tanke

294

Hajro Limaj

Drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare

Rusia, ditët e fundit te muajit Gusht deklaroi se ka planifikuar për muajin Shtator stërvitjen ushtarake më të madhe që nga Lufta e Ftohtë e deri më sot. Në stërvitjen që do të zhvillohet në hapësirat e rajoneve qendrore dhe në lindjen e Federatës Ruse do të marrin pjesë 300 mijë personel ushtarak , 36 mijë tanke dhe transportues mjetesh të blinduara dhe mbi 1000 avionë luftarakë. Në këtë stërvitje do të marrin pjesë edhe forca të armatosura Kineze. Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov tha se janë përgatitur objektivat e një stërvitjeje me këto kalibra në drejtimet e agresorëve dhe të atyre që nuk kanë qëndrime miqësore karshi Rusisë. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Sergej Shojgu tha se në stërvitjen qe do të zhvillohet midis datave 11-15 Shtator do të marrin pjesë 36 mijë tanke me mjete të blinduara dhe mbi 1000 avionë luftarakë. Në hapësirën e stërvitjes që do të shtrihet nga Siberia në lindjen e largët të Rusisë do të marrin pjesë edhe të gjitha forcat ajrore dhe detare. Kur krahasojmë stërvitjen Shojgu 2018 me stërvitjen Zapad-81 që u realizua nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1981, të periudhës së Luftës së Ftohtë, nga disa pikëpamje do të përsëriten Zapad-81 shi, por nga pikëpamje të tjera parametrat do të jenë më të mëdha se sa ajo. Marrja pjesë e Kinës në stërvitjen e mësipërme me 3 200 ushtarakë ,30 avionë dhe helikopterë dhe 900 pajisje ushtarake është treguesi i fuqishëm i rritjes së bashkëpunimit të gjithanshëm të Moskës dhe Pekinit. Sasia e forcave që do të marrin pjesë në stërvitjen Vostok 2018, do të jetë në ekuilibër me forcat më të mëdha ushtarake që u dislokuan në Luftën e Dytë Botërore.

Presidenti Vladimir Putin modernizimin e ushtrisë e ka vendosur në rendin e parë të politikës së tij. Rusia dhe Kina vazhdojnë të rrisin dukshëm shpenzimet vjetore ushtarake. Në këtë kuadër Kina e rriti në 216 miliardë dollarë buxhetin vjetor të mbrojtjes, nga 84.5 miliardë që e ka Rusia. Kina sot ka 2 333 000 personel aktiv ushtarak, nga 766 055 që ka Rusia. Rusia ka 15 398 tanke nga 9 150 që ka Kina. Rusia ka 3 429 aeroplanë ushtarake nga 2 860 që ka Kina. Kina ka 67 nëndetëse nga 55 që ka Rusia. Megjithatë Forcat e Armatosura të Federatës Ruse janë fuqia e dytë ushtarake në botë, mbas Amerikës. Por ajo ka fuqinë më të madhe botë sa u përket tankeve, fuqia e dytë në aviacion dhe e treta në flotë, pas Kinës dhe Amerikës. Ndërsa Kina në fuqinë njerëzore konsiderohet fuqia më e madhe në botë. Është e dyta në botë nga numri i tankeve pas Rusisë, si dhe e dyta në botë për Forcat Detare mbas Shteteve të Bashkuara. Rusia me Kinën janë anëtarët kryesorë të Marrëveshjes Ushtarake të Shangait. Kjo stërvitje me këto dimensione të mëdha ka për qëllim të kërcënojë NATO-n , e cila vitet e fundit ka dislokuar mbi 4 000 trupa në afërsi të kufijve të Rusisë. Prandaj shumë analiste strategjikë shtrojnë pyetjen e drejtë: A po shkon bota drejt Luftës së Tretë Botërore ?!.