Kastriot MYFTARAJ/Tritan Shehu, ose kur Vatikani punon me dosjet e OVRA-s

1232
Sigal

Si hyri në Partinë Demokratike Tritan Shehu duke marrë postin e ministrit të Shëndetësisë, lidhjet e tij me katolikët italianë dhe krijimi i universitetit “Zoja e Kshillit të Mirë”

Kur Bujar Nishani dha dorëheqjen si deputet, për shkak se u zgjodh President, personi që ishte pas tij në listën e PD-së, dha dorëheqjen si dekan i një fakulteti, për shkak se detyra e deputetit është e papajtueshme me çdo post tjetër. Ky ligj megjithatë duket se nuk vlen për Tritan Shehun, i cili megjithëse deputet, mban që prej vitit 2005 fillimisht detyrën e bashkërektorit të një universiteti privat, dhe më pas atë të zëvendësrektorit. Është për t’u çuditur se, as opozita e majtë nuk flet për këtë gjë. Madje për Tritan Shehun nuk vlen as rregulli tjetër që ka vënë Sali Berisha që prej vitit 2005, se ata që zgjidhen deputetë me PD ose koalicionin e drejtuar prej saj, duhet që të heqin dorë nga biznesi privat. Sali Berisha e di mirë se Tritan Shehu është bashkëpronar tek Universiteti “Zoja e Kshillit të Mirë”, sipas një skeme të ndërlikuar që përdoret në raste të tilla për të fshehur gjurmët. E thënë më qartë, Fondacioni “Zoja e Kshillit të Mirë” që del zyrtarisht si pronar i universitetit, me praninë e Tritan Shehut merr pamjen e kompanisë famëkeqe “Shqiponja” të krijuar dikur nga PD dhe ku personi kyç ishte pikërisht Tritan Shehu.

Që Berisha bën një përjashtim nga rregulli në rastin e Tritan Shehut, kjo nuk është e vështirë që të kuptohet për shkak të lidhjeve të posaçme që Tritan Shehu ka pasur gjithmonë me Ambasadën e Italisë dhe Nunciaturën Apostolike (ambasada e Vatikanit) në Tiranë. Pyetja është se nga vijnë këto lidhje të Tritan Shehut. Tritan Shehu është një rast nga manuali dhe një çelës për të kuptuar atë që unë e quaj nomenklaturë të ambasadave të huaja në Tiranë dhe të kancelarive përkatëse sa u përket politikanëve shqiptarë. Fjala “nomenklaturë” do të thotë listë emrash, dhe përdorej në kohën e diktaturës komuniste për të treguar se cili organ, siç quheshin atëherë institucionet, kishte të drejtë të emëronte këta njerëz në poste të caktuara. Tritan Shehu është qartësisht nomenklaturë e dy Ambasadave, asaj të Italisë dhe asaj të Vatikanit.

Pas vitit 1990, asnjë nga shqiptarët me origjinë muslimane nuk ka qenë beniamin i Vatikanit sa Tritan Shehu. Ky Tritan Shehu nuk ka asnjë lidhje gjenealogjike katolike, që të sillej si arsye për qenien e tij beniamini i Vatikanit. Nga babai, Masar Shehu, ai është me origjinë nga qyteti i Gjirokastrës. Nga nëna ai është me origjinë nga familja muslimane Bogdo, nga Libohova. As gruaja e Tritan Shehut nuk është katolike, ajo është me origjinë nga Himara. I ati i Tritanit nuk ka studiuar në Itali, por Francë. Është e vërtetë se nëna e Tritanit ka studiuar në Itali, por kjo nuk është një arsye e fortë për statusin e posaçëm të Tritan Shehut. Nëna e Tritanit në Itali nuk ishte pranë rretheve katolike, por atje u bë komuniste. E vetmja lidhje speciale familjare e Tritan Shehut me Italinë është se në fillim të vitit 1943, babai dhe nëna e tij u arrestuan nga italianët si komunistë. Babai i Tritanit, Masar Shehu kishte qenë i pari sekretar i Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste për Durrësin. Të dy u liruan shpejt në rrethana që mbetën gjithmonë të errëta dhe që Enver Hoxha do t’ia kujtonte 13 vjet më vonë Masar Shehut në Konferencën e Tiranës, kur ky i fundit iu bashkua korit të kritikave kundër tij. Dy komunistë të arrestuar nga OVRA, shërbimi i fshehtë fashist, mund të liroheshin në rrethanat që u liruan prindërit e Tritanit, vetëm nëse firmosnin për bashkëpunim me të. Ndryshe do të qenë varur në litar, siç ndodhi me të tjerë, ose më e pakta do të qenë internuar në ndonjë ishull të Italisë. Kur italianët i liruan Masarin dhe të fejuarën e tij, ata u paraqitën tek Enver Hoxha, i cili i mbrojti ata, për arsye të lidhjeve familjare. Babain e Masarit, Ramiz Shehun, Enver Hoxha e përmend në librin “Vite të Rinisë”, duke e quajtur mik të familjes, dhe që si i tillë mori përsipër detyrën e kujdestarit të Enver Hoxhës në kohën që ky i fundit ishte nxënës në Liceun e Korçës, sipas rregullit që çdo nxënës duhet të ishte nën kujdestarinë e një familjeje vendase. Por Enver Hoxha nuk përmend dy gjëra, se Ramiz Shehu ishte kushëri me të atin e tij, çka do të thotë se edhe Masari dhe Enveri qenë kushërinj, dhe se gjirokastriti Ramiz Shehu gjendej në Korçë se ishte gjykatës i emëruar nga Mbreti Zog.

Enver Hoxha mendonte se Masari do t’i ishte mirënjohës dhe do t’i qëndronte besnik, prandaj pasiqë e liruan italianët, e dërgoi komisar në Pezë, te Myslim Peza, duke e bërë kështu përfaqësuesin kryesor të Partisë Komuniste në Pezë. Kur Masari u ngrit dhe e kritikoi Enver Hoxhën në Konferencën e PPSH për Tiranën, në 1956, Enver Hoxha shpërtheu, duke iu bërë me dije delegatëve të habitur një fakt skandaloz:

-Harrove ti Masar se Partia (domethënë vetë Enver Hoxha- shënimi im: Kastriot Myftaraj) ta fali firmën që hodhe te Jakomoni, dhe ja sesi ia shpërblen ti Partisë të mirën që të bëri. Por nëse ti e harrove, Partia nuk e ka harruar.

-Por ti shoku Enver e di se në ç’rrethana firmosa unë!- Iu përgjigj Masari, duke aluduar se ai firmosi vetëm sa për t’u liruar nga burgu.

-E di, e di, por Qemal Stafa dhe Vojo Kushi kur u ndodhën në rrethana si të tuat nuk firmosën por zgjodhën tjetër rrugë, dhe sot nënat e tyre vendosin kurora me lule tek varrezat e dëshmorve – Ia ktheu Enver Hoxha.

Kështu, delegatët e habitur mësuan se komisari i Çetës së Pezës, e para dhe më e famshmja në Shqipëri, kishte qenë agjent fashist. Edhe pas kësaj që ndodhi në Konferencën e Tiranës, Masar Shehu nuk e pësoi si të tjerët. Atë jo vetëm që as nuk e burgosën dhe as nuk e internuan, por vazhdoi të jetojë në Tiranë ku punoi si mësues në një shkollë të mesme. Arsyeja duhet kërkuar tek miqësia e madhe që Enver Hoxha kishte me vëllain e Masarit, Talat Shehut, i cili jetonte në SHBA. Enver Hoxha e përmend Talatin në librin “Vite të Rinisë”. Talati ishte një nga njerëzit të cilëve ambasadorët shqiptarë në OKB (Neë York) u jepnin dorazi çdo vit telegramin e urimit nga Enver Hoxha, me rastin e datëlindjes.

Në gusht 1943, Masar Shehu, në cilësinë e Komisarit të Batalionit të Pezës (çeta në atë kohë ishte bërë batalion) bëri një vrasje shumë të bujshme për kohën. Forcat partizane të Pezës kapën dy ballistë të rinj, me origjinë nga Libohova, por që ishin banorë të Tiranës, Besnik Çano dhe Qeramudin Sulo. Këta të dy u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan në një gjyq të drejtuar nga Masar Shehu. Ishte koha fill pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, kur edhe Enver Hoxha vetë nuk e akuzonte ende Ballin Kombëtar për bashkëpunim me pushtuesit, ndryshe ç’kuptim kishte që Enver Hoxha pranoi të dërgonte një delegacion në konferencën e përbashkët me Ballin Kombëtar, për bisedime për të arritur një marrëveshje. As Besnik Çano dhe as Qeramudin Sulo nuk u akuzuan atëherë për pjesëmarrje në ndonjë aksion të armatosur kundër partizanëve, dhe gjatë gjysmë shekulli historiografia komuniste nuk ka përmendur diçka të tillë. Nuk dihet versioni që jep Masar Shehu në kujtimet e veta, të shkruara pas vitit 1990, se i biri Tritani nuk i boton ato. Një gjë është e sigurt, Besnik Çano dhe Qeramudin Sulo nuk do të ishin vrarë nëse kryetar i gjyqit partizan nuk do të kishte qenë Masar Shehu.

Masari i njihte mirë të dy djemtë e rinj që po gjykonte, se ata qenë edhe kushërinj jo fort të largët të vjehrrit të tij libohovit, Sulo Bogdos. Besnik Çano ishte djali i familjes që kishte në pronësi hotelin më të madh dhe më luksoz të Tiranës për kohën, “Internacionalit” (Hotel “Dajti” do të promovohej vetëm në 1943). Sigurisht se ashtu siç ndodh në të gjithë botën, shërbimet e fshehta italiane, OVRA dhe SIM-i mbanin dhoma të posaçme në hotelin kryesor të Tiranës, për punët e tyre. Këtë e di edhe vetë Enver Hoxha prandaj në kujtimet e tij nuk thotë që ta ketë frekuentuar “Internacionalin”, që si çdo hotel i madh kishte dhe bar e restorant shumë të frekuentuar. Ndonëse nuk duket e besueshme që Enver Hoxha të mos ketë qenë klient i “Internacionalit”, ku miku i tij Esat Dishnica ishte një klient i rregullt. Besnik Çano, dashur pa dashur ishte bërë dëshmitar i ngjarjeve që, jo vetëm Masar Shehu, por edhe Enver Hoxha nuk donin që të kishin dëshmitarë. Kjo është dhe arsyeja e pushkatimit të Besnik Çanos dhe mikut të tij.

Nuk është ironi e vogël që marrëdhënia speciale e Tritan Shehut me Vatikanin mund të shërbejë si konfirmim i teorisë konspirative të Enver Hoxhës se Kleri Katolik në Shqipëri dhe posaçërisht të dërguarit e Vatikanit, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, qenë agjentë të shërbimeve të fshehta fashiste. Kur ndodhën ndryshimet politike në Shqipëri në dimrin e 1990-91, këtu erdhi një klerik misterioz katolik, Don Vincenzo Paglia, i “San Egidio”, i njohur në Tiranë si “prifti me kravatë të kuqe”. Njeriu të cilin mbante më afër Don Vincenzo Paglia ishte pikërisht Tritan Shehu. Ishte pikërisht Don Vincezo Paglia ai që ua sugjeroi Tritan Shehun drejtuesve të rinj të PD-së, si njeri që duhet të bënte karrierë politike. Emri i Tritan Shehut nuk kishte qenë në listën me 343 emra të atyre që firmosën për themelimin e PD-së, nga të cilët rreth 300 iu dërgua Ministrisë së Drejtësisë (Emri i Tritanit nuk figuron as në listën që ka botuar miku i tij i sotshëm profesor Aleksandër Meksi në librin e tij me dokumente “Dhjetor 1990”). Tritan Shehu, i cili pak vjet më pas do të bëhej kryetar i PD-së nuk ishte anëtar i komisionit nismëtar të PD-së, në dhjetor 1990 dhe as i komisionit drejtues në shkurt 1991. Por Tritan Shehu kishte Don Vincezo Paglia-n. Dhe kështu Tritan Shehu u bë deputet në parlamentin e parë pluralist në 1991 dhe me ardhjen e PD-së në pushtet në 1992, u bë ministër i Shëndetësisë. Është thënë shpesh se nga të gjithë emërimet në qeverinë e parë të PD-së në prill 1992, ai më i habitshmi ishte i Safet Zhulalit si ministër i Mbrojtjes. Por jo më pak i habitshëm ishte emërimi i kushëririt të tij Tritan Shehut si ministër i Shëndetësisë. Se një gjë që nuk është thënë kurrë është se Safeti dhe Tritani qenë kushërinj, vërtet të largët, por në raste të tilla lidhjet e gjakut fitojnë një kuptim të ri. Safet Zhulali ishte me origjinë nga Libohova dhe i ati i tij ishte kushëri me nënën e Tritan Shehut, gjithashtu libohovite. Do të ishte pikërisht Don Vincenzo Paglia ai që i kërkoi Sali Berishës që Tritan Shehu të kishte një vend në qeveri, dhe kështu Tritani u bë Ministër i Shëndetësisë.

Deri në atë kohë Tritan Shehu ishte i njohur në Tiranë kryesisht për historinë se si atij iu dha e drejta e studimit për mjekësi me ndërhyrjen e vetë Enver Hoxhës. Me biografinë politike që kishte Tritan Shehu në atë kohë, atij nuk duhej që t’i jepej fare e drejta e studimit universitare, e jo më për mjekësi. Enver Hoxha mund ta quante shumë atë që kishte bërë për Masarin, që tekefundit e kishte tradhtuar atë. Si të mos mjaftonte ajo që kishte bërë Masari në Konferencën e Tiranës, kunati i tij, Perlat Bogdo (vëllai i gruas) ishte gazetar te BBC në gjuhën shqipe në Londër, ku jetonte qëkurse kishte ikur me studime për gjeologji në Britaninë e Madhe, në vitet tridhjetë, me një bursë që iu dha qeverisë shqiptare të kohës nga britanikët. BBC në shqip fliste kundër regjimit të Enver Hoxhës dhe cilësohej nga ky i fundit si një qendër e propagandës imperialiste. Madje me emrin e Perlat Bogdos lidhet edhe një tjetër incident që mund ta kishte çuar në burg, madje në pushkatim Masar Shehun disa vjet para Konferencës së Tiranës, si agjent britanik. Në vitin 1951, kur u arrestua kunati i vjehrrit të Masarit, Fuat Asllani, ish-ministër i Punëve të Jashtme në kohën e Mbretit Zog, BBC në shqip e dha lajmin që ditën e nesërme. Kjo i bëri përshtypje të madhe Mehmet Shehut i cili në atë kohë ishte ministër i Punëve të Brendshme dhe drejtonte Sigurimin e Shtetit. Mehmet Shehu e ngriti në alarm Sigurimin e Shtetit për të zbuluar se si ishte e mundur që nga Shqipëria e izoluar kishte shkuar kaq shpejt lajmi i arrestimit jashtë vendit dhe kishte arritur në Londër, kur lidhjet telefonike me jashtë vendit qenë të lejuara vetëm përmes zyrave postare dhe kontrolloheshin rreptësisht. Nga të gjithë njerëzit e rrethit të Fuat Asllanit, dyshimi ra mbi Masar Shehun i cili në atë kohë punonte shef i redaksisë së jashtme në gazetën “Zëri i Popullit” dhe përdorte linja telefonike me jashtë vendit, duke përfshirë edhe Perëndimin, ku ndodhte që të bisedonte me drejtues të partive komuniste. Por Enver Hoxha e mbrojti Masarin, një detaj ky që duket se Mehmet Shehu e kishte ruajtur si asin në mëngë që do ta përdorte në bisedën me Enver Hoxhën, kur i kërkoi takim në natën fatale të 17 dhjetorit 1981, tridhjetë vjet më pas. Nuk përjashtohet mundësia që Masari ta ketë dërguar lajmin në Londër tek Perlat Bogdo, me porosi të Enver Hoxhës, i cili donte ta legjendonte, siç thuhej në gjuhën e Sigurimit të Shtetit, si njeri që kishte lidhje të posaçme në Shqipërinë e izoluar, që t’ i rriteshin pikët në sytë e eprorëve të vet, çka hap një pistë më të ndërlikuar. Gjithsesi, me këtë përbërje politike familjare, Tritani nuk mund ta merrte të drejtën e studimit për mjekësi. Por këtu hyri në lojë xhaxhai i Tritanit, Talati, i cili jetonte në SHBA. Në vitin 1969, pikërisht në vitin e dytë kur Tritanit iu refuzua kërkesa për të studiuar për mjekësi (Tritani është i datëlindjes 1949), Talat Shehu vizitoi Shqipërinë dhe u takua edhe me Enver Hoxhën. Biseda e Enver Hoxhës me Talat Shehun gjendet edhe në veprat e Enver Hoxhës. Talat Shehu u takua me Enver Hoxhën në 9 dhjetor 1969 në selinë e Komitetit Qendror të PPSH (sipas një shënimi që shoqëron transkriptin e bisedës) dhe i tha:

“I dashur shoku Enver, do të them shok jo vetëm se kështu përdoret kjo fjalë në Shqipëri, por edhe pse bashkë kemi qenë shokë të vjetër… Rroftë Partia e Punës! Rrofshi ju shoku Enver! Rroftë populli shqiptar!”. (Enver Hoxha, Vepra, vëllimi 42, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1984, f. 276-277)

Ajo që nuk thuhet në transkriptin e bisedës është se Talati i kërkoi shokut të vjetër edhe një të drejtë studimi për mjekësi për nipin. Enveri ia premtoi dhe siç ndodhte në këto raste ishte gruaja e Enverit, Nexhmija ajo që bënte pjesën e pakëndshme të punës. Nexhmija i tha Talatit që Tritani të shkonte të takonte shokun Sulo Gradeci, i cili do ta ndihmonte për formalitetet. Se çfarë ishin formalitetet, Talati e kuptonte mirë se emri i tij doli si informator i Sigurimit të Shtetit vite më pas, kur zbarkoi Xhevdet Mustafa dhe një prej atyre që kishte informuar kishte qenë pikërisht Talati. Tritan Shehu i ka kërcënuar me gjyq ata që e kanë akuzuar se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Heqimi”, por deri më sot nuk ka ngritur ndonjë padi.

Një nga vizitorët e parë që i erdhën Tritanit në zyrën e tij ministrore ishte pikërisht Don Vincenzo Paglia. Projekti kryesor për të cilin ata punuan ishte një universitet i madh privat katolik në Shqipëri, që në publik paraqitej sikur do të shërbente si një lloj filantropie intelektuale që do t’u mundësonte të rinjve shqiptarë që të kryenin studime të nivelit të lartë europian. Prandaj duhej që projekti të mos konsiderohej si biznis, por si bamirësi, dhe të ardhurat t’i shkonin një fondacioni që do të krijohej dhe do të ishte pronar i universitetit. Koha tregoi se tarifat e studimit në universitet, veçanërisht në fakultetet e preferuara si mjekësi, janë aq të larta saqë janë të paaritshme për pjesën më të madhe të shqiptarëve. Universiteti frekuentohet nga fëmijët e familjeve të pasura dhe ata të rinj nga vendet perëndimore të cilët nuk arrijnë të studiojnë për mjekësi në universitetet prestigjioze të vendeve të tyre. (Për këta të fundit tarifa është më e lartë, deri në 7000 euro, në mjekësi)

      Nuk mund të mos bëhej pyetja se përse duhej që Don Vincenzo Paglia të përzgjidhte pikërisht Tritan Shehun nga të gjithë ministrat e kohës, për të bashkëpunuar për projektin e Universitetit. Logjika të thotë se më ngushtë duhet të bashkëpunonte me ministrin e Arsimit të kohës, një profesor i njohur dhe që e zotëronte italishten jo më keq se Tritan Shehu. Pastaj përse nga të gjithë ministrat që erdhën që nga viti 1993 deri në 2005 kur u hap universiteti, dhe që punuan për t’ u realizuar ky projekt, ishte pikërisht Tritan Shehu ai që pati një lidhje të posaçme me universitetin e ri duke u bërë bashkërektor (lexo: bashkëpronar)? Nëse Don Vincenzo Paglia nuk ka ndonjë përgjigje më të mirë për këto pyetje atëherë e vetmja përgjigje mbetet e kyçur në atë dhomën e errët të Hotel “Internacionalit” të vërtetat e së cilës i pagoi me kokë i riu Besnik Çano. Puna kryesore që bën Tritan Shehu në Universitetin “Zoja e Kshillit të Mirë” është që të kujdeset për studentët që janë nomenklaturë e tij. Është fjala për një kastë të përzgjedhur studentësh të fakultetit të mjekësisë, shqiptarë dhe të huaj,  emrat e të cilëve gjenden në listën që Tritan Shehu nuk do t’ ia tregonte as gjyshes së vet, nëse do të ngrihej nga varri. Këta studentë duhet të kalojnë provimet, shpesh edhe me nota të mira, gjë që në këtë universitet është shumë e vështirë, se profesorët e huaj që vijnë janë shumë të rreptë në provime.

      Përveç kësaj, Tritanit i pëlqen që të shfaqet në oborrin e Universitetit “Zoja e Kshillit të Mirë”, ku tashmë është zëvendësrektor, duke ndërruar automjete luksoze. Për të nuk vlejnë rregullat e rrepta të parkimit, që vlejnë për të gjithë studentët, për të mos parkuar automjetin në sheshin para ndërtesës së universitetit. Një herë pati një incident me djalin e shefit të Misionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, i cili deri vitin e kaluar ishte student në këtë universitet. E thënë shkurt, Sequi junior, i cili ishte bërë i famshëm mes policëve rrugorë të Tiranës për shkeljen e të gjithë rregullave të qarkullimit rrugor, përplasi automjetin e tij me atë të Tritan Shehut në oborrin e universitetit. Dhe zëvendësrektori Tritan Shehu, në vend që të shikonte automjetin e tij se sa ishte dëmtuar, shkoi të shikonte atë të studentit!

      Tashmë në vitin 2013, Tritan Shehu, në moshën 64 vjeçare kërkon të kurorëzojë karrierën e tij politike, duke u bërë deputet për herë të shtatë. Sot Tritan Shehu është i vetmi njeri në PD, përveç Berishës dhe Genc Rulit, që ka qenë deputet që në parlamentin e parë pluralist të vitit 1991. Ky është një tregues për lidhjen e posaçme të Tritan Shehut me Berishën. Si për koincidencë edhe Ruli është libohovit dhe kushëri i largët i Tritanit nga ana e nënës. Libohova ka qenë një qytezë e vogël ku deri vonë nuk parapëlqeheshin shumë martesat jashtë saj, kështu që është krijuar një rrjet kushërinjsh, i pazakonshëm, i ngjashëm me atë në qytetin e Gjirokastrës. Kur Berisha ishte President, veprimi më i pakuptueshëm i tij për anëtarët e PD-së ishte që përzgjodhi Tritan Shehun si zëvendës të Eduard Selamit në postin e kryetarit të PD-së, pas shkarkimit të këtij të fundit. Me Selamin në PD u krijua precedenti që kryetari i partisë nuk merrte pjesë në qeverisje, duke u nënkuptuar se partia përfaqësohej me anë të Presidentit që ishte Berisha dhe shihej si lideri i partisë. Selami e vuri në dukje këtë anomali që kryetari i partisë nuk merrte përgjegjësi qeverisëse, dhe ia ofroi postin e vet kryeministrit Meksi. Në atë kohë një nga kritikët më të mëdhenj të Selamit, në valën e kritikave të dirigjuar nga Berisha, ishte pikërisht Tritan Shehu. Fillimisht Tritani nuk mori pjesë në qeveri. Por pas zgjedhjeve të majit 1996, Tritani hyri në qeveri si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, duke mbajtur njëkohësisht edhe postin e kryetarit të PD-së. Tritani i harroi kritikat që kishte bërë ndaj Selamit. Kështu u krijua një qeveri e çuditshme ku kryetari i partisë në pushtet ishte zëvendëskryeministër. Me Alfred Serreqin, i cili qëndroi i palëvizur si ministër i Punëve të Jashtme gjatë katër vjetëve të parë të PD-së në pushtet, Berisha krijoi një lloj tradite të ministrit të Jashtëm katolik. Kur Berisha e zëvendësoi katolikun Serreqi me Shehun, ai e dinte se as Italia dhe as Vatikani nuk do të shprehnin pakënaqësi, madje do ta pëlqenin këtë gjë, çfarë edhe ndodhi. Kështu, Tritan Shehu u fry si bretkosa e përrallës duke marrë tre poste. Gjëja më qesharake ishte se Tritani ka dhe një të metë të lindur në të folur (pasojë e devijimit gjenetik të krijuar nga tradita gjirokastrite e martesave brenda fisit), që nuk do t’ ia vlente të përmendej nëse ai nuk do të bëhej diplomati i parë i Shqipërisë. Njerëzit bënin shaka duke thënë se më parë kishim Mehmet Shehun dhe tani kemi Tritan Shehun.

      Aq shumë e kishte përfshirë deliri i madhështisë Tritanin sa në fillim të trazirave në jug, në janar 1997, i hipi helikopterit dhe shkoi në Lushnjë, qytetin ku më së pari shpërthyen trazirat. Në kalkulusin e Tritanit, pas kësaj shfaqjeje force, ai do të zinte vendin e kryeministrit. Se si përfundoi kjo aventurë dihet, Tritani u kap nga protestuesit të cilët për fatin e tij qenë lushnjarë, njerëz gjithsesi të butë, dhe u lëshua pasi i kishin ngulur simbolin e protestave, prasin, nga një në çdo vrimë, në gojë dhe në prapanicë. Lushnjarët i bënë dhe këngë: “O Tritan me tri nishane/që më rend asaj ane/ qysh s’ i ndale ato hapa/ e ta shkulje preshin prapa”.

      Reputacioni i Tritanit ra fare në maj 1997 pasiqë ai tërhoqi padinë që kishte ngritur kundër gazetës së re “Indipendent” për publikimin e asaj që gazeta pretendonte se ishte një bisedë e përgjuar e tij me ambasadorin italian, Foresti. Në PD thoshin hapur se PS i bëri presion Tritanit me dosjen e Sigurimit të Shtetit. Tritani nuk kishte arsye që ta tërhiqte padinë aq më tepër kur PS u implikua drejtpërdrejt pasiqë bisedën që pretendohej se ishte përgjuar, por që kuptohej se ishte e montuar, e dha edhe Radio 1, e cila gjendej në selinë qendrore të PS-së në Tiranë.

      Në këto rrethana, për të rregulluar reputacionin e Tritanit u rishfaq miku i tij Vincenzo Paglia, i San Egidio, i cili erdhi në Tiranë në qershor 1997, dhe organizoi një takim në Romë para zgjedhjeve të 29 qershorit, ku përfaqësues të PD dhe PS-së do të firmosnin një marrëveshje. Merret vesh, San Egidio nuk kishte asnjë peshë në zhvillimet shqiptare dhe aq më pak vlente firma e Tritan Shehut që firmosi nga PD përkrah kryetarit të PS-së Fatos Nanos, i cili nga ana e tij firmosi për t’ i dhënë një kënaqësi Vatikanit. Por kjo shërbeu për të rregulluar paksa imazhin e Tritanit. Që Berisha nuk e mirëpriti këtë shfaqje, kjo u kuptua se Tritan Shehu nuk u zgjodh në kryesinë e PD-së në Kuvendin e kësaj partie të mbajtur pas zgjedhjeve, ku Berisha u zgjodh kryetar i Partisë. Para se të shkonte në Romë, Tritani sajoi dhe një atentat, ku atë e qëlloi një snajper ndërsa po bisedonte në Hotel “Rogner”. Më pas, Tritani u bashkua me Genc Pollon në grupin e ashtuquajtur reformator, dhe krijuan një parti, me të cilën, megjithëse patën ndihmën e qeverisë socialiste në zgjedhjet e vitit 2001, nuk arritën që të bëhen deputetë as Genci dhe as Tritani. Tritani u bë përsëri deputet në 2005, kur partia e re bëri koalicion me PD të Berishës. Në 2006 Tritani fillimisht iu bashkua Ngjelës në rebelimin e tij ndaj Berishës. Në parlament pati disa skena qesharake, kur Ngjela ngrihej dhe dilte nga salla për të prishur kuorumin, dhe pas tij ngrihej si me sustë edhe Tritan Shehu e ndonjë deputet tjetër. Kur Tritani e pa se mburrjet e Ngjelës se atë do ta ndiqnin pas mjaftueshëm deputetë për të prishur mazhorancën parlamentare, qenë të kota, u nda prej tij dhe u rikthye te Berisha, duke mos dashur të rrezikonte që të bëhej deputet në 2009. Ngjela e ka marrë aq shumë inat për këtë gjë, sa e ka sharë shumë në librin e tij “Përthyerja dhe rënia e tiranisë shqiptare”. Tritani reagoi duke e kërcënuar me gjyq, dhe Ngjela u kundërpërgjigj duke thënë publikisht se gjërat më të rënda për të do t’ i thoshte në vëllimin e tretë, që ai kishte premtuar ta botonte në mars, por nuk e mbajti fjalën. Gjithsesi, edhe pa librin e Ngjelës, portreti i Tritanit është i skalitur në “Rushmorin” e turpit të politikës shqiptare. Këtë nuk e ndryshon as fakti që me ndërhyrjen e don Vincenzo Paglia-s, Tritani është bërë edhe kalorës i Urdhërit të Maltës, duke qenë ky rasti i parë kur mund të imagjinohet një gomar mbi një kalë. Një gjë është e sigurt. Me rolin e posaçëm që tashmë duket qartë se ka Tritan Shehu në Fondacionin dhe Universitetin “Zoja e Kshillit të Mirë”, më e saktë është që të flitet për Fondacionin dhe Universitetin “Salome” dhe jo “Zonja e Kshillit të Mirë”. (Salome ishte kërcimtarja e Herodit, e cila mund të shihet si e kundërta e Shën Marisë- Zojës së Kshillit të Mirë).

 Shënim:

Njoftoj lexuesit se asnjë nga adresat që janë në facebook në emrin tim, duke përfshirë dhe atë “Kastriot Myftaraj-faqja zyrtare” nuk më përkasin mua, pra janë të rreme. E vetmja faqe e imja online (në përpunim) është: www.kastriotmyftaraj.com