Kastriot Myftaraj/ Si i grabiti 23 vjet më parë emrin e trashëgiminë Partia Socialiste, Partisë së Punës

665
Sigal

17 korrik 1991: Shkresa nr. 1167 e Fatos Nanos

 Në 17 korrik 1991, në Ministrinë e Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë shkoi një shkresë e formuluar në 3 korrik të atij viti dhe që thoshte fjalë për fjalë:

PARTIA SOCIALISTE E SHQIPËRISË

KOMITETI DREJTUES

Tiranë, më 3. 7. 1991

     Ministrisë së Drejtësisë

Tiranë

Ju njoftojmë se në bazë të Vendimeve të Kongresit të 10-të të PPSH si parti politike e njohur, veprimtaria dhe marrëdhëniet e saj si person juridik do të vazhdojnë me emrin Partia Socialiste e Shqipërisë.

      KRYETARI I PARTISË SOCIALISTE

                 FATOS NANO

Dokumentet arkivore. Shkresa e Fatos Nanos dhe vendimet e organeve të drejtësisë që ligjëruan këtë skandal

Kjo (Teksti shoqërues në këtë faqe) është përmbajtja e plotë e shkresës të protokolluar në Ministrinë e Drejtësisë me nr. 1167 dhe origjinali i së cilës, që prej vitit 2000, sipas Ligjit nr. 8580, dt. 17 shkurt 2000, “Për partitë politike” ruhet në arkivin e Gjykatës së Faktit të Rrethit Gjyqësor Tiranë. Shkresa e dërguar nga Fatos Nano në Ministrinë e Drejtësisë ishte një akt absolutisht i pavlefshëm, i përpiluar në papajtueshmëri të plotë me kërkesat e ligjeve në fuqi. Përmbajtja e shkresës është kontradiktore sa nuk ka ku të vejë më, se, ndonëse thuhet që PPSH si parti është personi juridik, e me këtë edhe subjekti që ka titullin për të dalë në qarkullimin civil, sic thuhet në gjuhën juridike, shkresa niset nga Partia Socialiste, në emër të kryetarit të saj, kur që të ekzistonte një person juridik me emrin “Partia Socialiste” duhej miratimi i Ministrisë së Drejtësisë. Dërguesi i shkresës ishte plotësisht të vetëdijshëm për problemet që kishte shkresa. Kjo gjë kuptohet nga fakti se në shkresën e mësipërme të dërguar nga Fatos Nano në Ministrinë e Drejtësisë, nuk ka asnjë referencë në ndonjë ligj, madje as që përdoret fjala “kërkesë”. Nuk mund të mos të të bjerë në sy se shkresa nuk i referohej asnjë neni të asnjë ligji.

Por në shkresë përdoret fraza juridike “parti politike e njohur”, duke iu referuar PPSH-së, e cila frazë  gjendet në Ligjin nr. 7502, dt. 25 korrik 1991, “Për partitë politike”, i cili ligj nuk ishte miratuar ende në kohën kur Fatos Nano nisi këtë shkresë, por ishte vetëm projekt-ligj dhe do të miratohej nga Kuvendi Popullor tetë ditë pasi në Ministrinë e Drejtësisë të dërgohej shkresa e përmendur më lart, nga ana e Fatos Nanos. Fatos Nano dhe këshilltarët e tij juridikë, kur patën diskutuar se kur do ta nisnin  shkresën, kishin llogaritur që kërkesa e tyre do të shqyrtohej nga Ministri i Drejtësisë në bazë të ligjit 7502, i cili do të ishte miratuar në ndërkohë. Për këtë arsye Kuvendi Popullor ku shumicën e kishte PPSH, e cila në Kongresin X kishte ndryshuar emrin në PS bëri që ky ligj të hynte në fuqi menjëherë. Neni 30 i këtij ligji shfuqizonte Dekretin nr. 7442, dt. 17 dhjetor 1990 “Për krijimin e organizatave dhe shoqatave politike”, në bazë të së cilit rregullohej ekzistenca dhe veprimtaria e partive politike deri në këtë kohë. Kështu që, kërkesa do të shqyrtohej në bazë të Ligjit nr. 7502, dt. 25 korrik 1991, ndonëse ishte dërguar para miratimit të këtij ligji. E gjithë kjo manovër e ndërlikuar juridike u bë se Dekreti nr. 7442, dt. 17 dhjetor 1990 “Për krijimin e organizatave dhe shoqatave politike”, i cili ishte i vetmi akt ligjor në fuqi për krijimin dhe funksionimin e partive politike, ishte konceptuar në atë mënyrë që të mundësonte vetëm krijimin e partive të reja.

Merret vesh, duke u përdorur termi “parti politike e njohur” në shkresën e dërguar nga Fatos Nano, kërkohej të thuhej se, meqenëse Partia e Punës së Shqipërisë ishte një parti ekzistuese, e njohur ligjërisht, atëherë ajo po vinte në dijeni Ministrinë e Drejtësisë mbi ndryshimet e bëra prej saj, ashtu siç parashikonte Ligji i ardhshëm nr. 7502 mbi bazën e të cilit do të shqyrtohej kërkesa e dërguar nga Fatos Nano. Por, sipas nenit 12 të Ligjit nr. 7502, vetëm PPSH si parti që supozohej të ishte e njohur ligjërisht, kishte të drejtë t’ i bënte një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë ku të kërkonte që të miratoheshin ndryshimet e bëra në Kongresin X të saj. Në nenin 12 të Ligjit të sipërpërmendur, thuhej: Kur partitë politike të njohura bëjnë ndryshime të rëndësishme në program, statut apo në emërtimin e tyre, vënë në dijeni Ministrinë e Drejtësisë për të kryer veprimet përkatëse. Kur Ministria e Drejtësisë vëren se këto ndryshime vijnë në kundërshtim me rregullat e këtij ligji, vendos mospranimin e tyre dhe brenda 20 ditëve nga paraqitja e kërkesës, njofton organin e interesuar.

Sipas kësaj dispozite të ligjit, Ministrisë së Drejtësisë nuk mund t’ i adresohej një shkresë nga Partia Socialiste e Shqipërisë, e cila nuk ekzistonte ligjërisht, por që fitonte ekzistencën juridike vetëm pas lëshimit të urdhrit nga ministri i Drejtësisë. Partia Socialiste nuk mund t’ i adresohej Ministrisë së Drejtësisë me anë të një forumi të saj, siç ishte Komiteti Drejtues dhe me anë të kryetarit të kësaj partie, për arsyen e thjeshtë se Partia Socialiste, forumet e saj, dhe kryetari i kësaj partie, si element statutor, fitonin të drejtën e ekzistencës ligjore vetëm pasi që Ministria e Drejtësisë të kishte miratuar kërkesën e Partisë së Punës së Shqipërisë për njohjen e ndryshimeve të bëra prej saj në emërtimin, statutin dhe programin e saj. Me shkresën që i ishte dërguar Ministrisë së Drejtësisë në 17 korrik 1991, Partia Socialiste e Shqipërisë (Komiteti Drejtues i saj) njoftonte Ministrinë e Drejtësisë se Partia e Punës e Shqipërisë kishte ndryshuar emrin në Partia Socialiste e Shqipërisë!!! Nonsens! Madje më tepër se kaq. Kërkesa ishte nul nga pikëpamja juridike. Ndryshimet që kishte bërë Kongresi X i PPSH-së kishin vlerë vetëm brenda për brenda kësaj partie, sa kohë që ato nuk qenë miratuar nga Ministria e Drejtësisë, mbi kërkesën e PPSH-së, sipas ligjit përkatës në fuqi. Vetëm pasiqë ministri i Drejtësisë të nxirrte urdhrin përkatës për miratimin e ndryshimeve, atëherë PPSH fitonte titullin juridik për të përdor emrin Partia Socialiste. Që Partia Socialiste t’ i dërgonte, me anë të një forumi të saj, një shkresë si ajo e përmendur më lart Ministrisë së Drejtësisë, kjo është njëjtë sikur në zyrën e gjendjes civile të shkojë  një njoftim nga ana e një fëmije të porsalindur ku të thuhej se prindërit e tij kanë lindur një fëmijë dhe të kërkohej regjistrimi i këtij fëmije me emrin me të cilin e kanë quajtur prindërit!

Përderisa ligji 7502 i njihte të drejtën vetëm Partisë së Punës së Shqipërisë për t’ ju drejtuar Ministrisë së Drejtësisë me një kërkesë për ndryshime në statut, emërtim dhe program, atëherë këtë të drejtë e kishte Komiteti Qendror i PPSH dhe Sekretari i Parë i Komitetit Qendror, të cilët qenë dy instancat partiake të cilët i kishte zëvendësuar Komiteti Drejtues dhe kryetari i partisë. Pra, Ministria e Drejtësisë duhet të pranonte që të shqyrtonte vetëm një kërkesë që i adresohej nga Komiteti Qendror i PPSH, të firmuar nga emrin e tij nga Sekretari i Parë i këtij Komiteti. Meqenëse, Sekretari i Parë, Ramiz Alia, kishte dhënë dorëheqjen që në maj 1991, pasiqë u zgjodh President i Republikës, atëherë mbetej që kërkesën ta firmonte ai që e zëvendësonte përkohësisht Ramiz Alinë sipas Statutit të PPSH-së. Fatos Nano nuk ishte veçse një nga anëtarët e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe sipas Statutit të PPSH-së nuk kishte të drejtë që të dërgonte një kërkesë të tillë.

Për të studiuar çështjen e kërkesës që do t’ i bëhej Ministrisë së Drejtësisë për miratimin e ndryshimeve të bëra në Kongresin X të PPSH qe ngritur një grup pune ku bënin pjesë njerëz që e kuptonin mirë problemin, se në grupin e punës bënin pjesë juristë të njohur si Luan Omari, Arben Puto, apo edhe Fehmi Abdiu, deputet i PS-së që më pas do të bëhej Kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Grupi i juristëve në fakt ishte diskutuar që në përfundim të Kongresit X për mënyrën sesi do të përpilohej kërkesa për Ministrinë e Drejtësisë. Juristët binin dakord se i duhej dërguar Ministrisë së Drejtësisë një kërkesë në emër të PPSH-së, si parti e njohur, që të miratoheshin ndryshimet e bëra në Kongresin X të kësaj partie. Aq më tepër kur Kongresi X i PPSH-së përmendet shprehimisht edhe në shkresën që iu dërgua më në fund Ministrisë së Drejtësisë, si forumi që kishte kryer ndryshimet. Por juristët që ishin ngarkuar për të përpiluar kërkesën kishin frikë se  nëse në Ministrinë e Drejtësisë do të shkonte një kërkesë e tillë, atëherë shumë njerëzve do t’u ndizej një llambë në tru, si të thuash, dhe do të pyesnin se si ishte një parti e njohur ligjërisht kjo PPSH, pra do të kërkonin të dinin më tepër mbi ekzistencën ligjore të PPSH-së. Se PPSH në këtë shkresë duhet të tregonte se si ishte një parti e njohur ligjërisht, pra duhet të tregonte datën ligjore të krijimit të saj, pra atë datë se kur një autoritet shtetëror kishte vendosur mbi fillimin e ekzistencës ligjore të kësaj partie, pasiqë i ishte paraqitur një kërkesë nga personat të cilët kishin iniciuar krijimin e një partie. Pra PPSH nuk duhet të paraqiste datën 8 nëntor 1941, kur ishte krijuar Partia Komuniste e Shqipërisë, e cila në 1948 ndryshoi emrin në Partia e Punës e Shqipërisë, por duhet të paraqiste datën lindjes legale të PKSH.

Data 23 qershor 1947 kishte lënë një “minë” të kronometruar juridike për PS-në. Duke qenë se Partia e Punës së Shqipërisë ishte trashëgimtare juridike e Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila e ndryshoi emrin nga PKSH në PPSH, në Kongresin I të saj, në 1948, ekzistenca e PPSH ishte legale për aq sa ekzistenca e PKSH ishte legale. Kjo sillte dy pyetje-kyç për natyrën e trashëgimisë juridike në linjën PKSH- PPSH-PS. Pyetja e parë-kyç është: Cila ishte trashëgimia juridike e PS nga PPSH? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje ka si premisë përgjigjen ndaj një tjetër pyetjeje-kyç: Cila është trashëgimia juridike e PPSH nga Partia Komuniste e Shqipërisë? Përgjigjja e kësaj pyetjeje ishte e thjeshtë: Trashëgimia juridike në linjën PKSH-PPSH-PS ishte ILEGALITETI

Partitë amë nga të cilat PPSH e kishte dhuratë ilegalitetin, Lidhja e Komunistëve e Jugosllavisë (Partia Komuniste e Jugosllavisë), nuk do ta kishin këtë shqetësim juridik. Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë e pati mbyllur tashmë llogarinë duke u shpërbërë në fillim të vitit 1990. Këtë fat do ta kishte  dhe Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik, e cila do të ndalohej me ligj të posaçëm në gusht 1991, nga parlamenti rus. Të dy këto parti kishin pasur të njëjtin problem me PPSH. Por homologia e tyre shqiptare vazhdoi të vepronte në mënyrë të kundërligjshme në rrethanat e reja.

Fatos Nano e perceptoi debatin e stërzgjatur juridik në grupin e punës, si një konspiracion që bëhej kundër tij, që emri i tij të mos figuronte në kërkesën që do t’ i dërgohej Ministrisë së Drejtësisë për miratimin e ndryshimeve. Por Nano donte që emri i tij të figuronte në kërkesë, madje i vetëm, që atij t’ i njihej merita historike e të qenit reformator i partisë. Prandaj Nano nuk pajtohej në asnjë mënyrë që në Ministrinë e Drejtësisë të shkonte një kërkesë e firmosur nga sekretarët e mbetur të Komitetit Qendror të PPSH, të cilët qenë Spiro Dede dhe Abdyl Backa. Të dy ata Nano do t’i eliminonte politikisht duke mos i vënë në vende të sigurta në listën shumëemërore të kandidatëve të PS-së në zgjedhjet që e marsit 1992. Nano donte që ta firmoste shpejt shkresën dhe të largohej në një udhëtim jashtë Shqipërisë. Prandaj Nano e bëri fakt të kryer duke përpiluar shkresën ashtu siç e kam cituar më lart, i vuri datën 3 korrik që të dukej se ishte bërë më herët (data kur u publikua programi i PS) dhe e nisi në Ministrinë e Drejtësisë shkresën që kam cituar më lart, dhe ku kërkonte si kryetar i PS që Ministria e Drejtësisë të miratonte ndryshimin e emrit të PPSH në PS. Kur morën vesh këtë gjë pjesëtarët e grupit të juristëve ata vunë duart në kokë dhe thanë se ky ishte një absurditet juridik dhe se shkresa ishte absolutisht e pavlefshme. Dhe kishin të drejtë. Por Nano nuk pyeti për ta. Ai e dinte se Ministri i Drejtësisë kishte arsye të forta për të bërë siç donte ai.

Me rastin e shkrimit të këtij libri i kërkova një prononcim Fatos Nanos mbi atë se sa kishte qenë i vetëdijshëm ai që shkresa e nisur prej tij në Ministrinë e Drejtësisë ishte absolutisht e pavlefshme juridikisht dhe për pasojë edhe vendimi i Ministrit të Drejtësisë me të cilin miratoheshin ndryshimet e kryera nga PPSH. Nano nuk i mohoi faktet por tha se do të prononcohej për këtë çështje në kujtimet e tij. Por kam të dhëna të sigurta se Nano, privatisht, në momente sinqeriteti ka pohuar prej kohësh se ekzistenca e PS mbështetej në akte që ishin nul nga pikëpamja ligjore dhe se një ditë kjo gjë do të merrej vesh, dhe se shpresonte që të mos ishte ai kryetari i partisë kur të ndodhte kjo gjë.

Fatos Nano, ashtu si dhe këshilltarët e tij, pati qenë i vetëdijshëm mbi problemin juridik që kishte PPSH, e cila nuk mund të bënte një kërkesë as sipas Dekretit 7442 të dhjetorit 1990, as sipas Ligjit nr. 7502, dt. 25 korrik 1991, “Për partitë politike”, se kjo parti nuk figuronte të ishte e regjistruar ligjërisht, sipas ligjeve të kohës kur kjo parti ishte në pushtet. Me shkresën e datës 17 korrik 1991, Partia e Punës e Shqipërisë u soll sikur ndryshimet e bëra nga Kongresi X i saj të kishin vlerë ligjore. Pra, PPSH u soll njëjtë ashtu siç ishte sjellë gjithmonë, kur kishte shpërfillur ligjet.

(Vijon nesër)

 NESËR DO TË LEXONI:

-Si u shfaq në 17 dhjetor 1990 fantazma e ligjit 370 të vitit 1946 që do i hapte rrugë kthimit të Partisë së Punës në Parti Socialiste. Roli i Ramiz Alisë.

-Manovrat ligjore, zgjedhjet e para pluraliste, si dhe pse I fitoi ato Partia Socialiste.

-Pse dhe si e kundërshtoi pas Marsit 1991 Edi Rama,  që opozita e kohës të mos i jepte legjitimitet PPSH dhe pasardhëses së saj Partisë Socialiste, por të bënte një përmbysje si ajo që u bë në Bashkimin Sovjetik.