Kastriot MYFTARAJ/ Mbi artikullin e Hysamedin Ferajt kundër rektorit Dhori Kule

1441
Sigal

(Oxygen show akademik nga dr. Hysamedin Feraj)

Artikulli me titull “Rektori… Kule”, me autor Hysamedin Ferajn, shef i Departamentit të Politologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit Publik të Tiranës është kulmi i paturpësisë politike dhe intelektuale të këtij individi, i cili deri tani nuk ka lënë akrobaci intelektualo-politike pa bërë. Çdo njeri me të kaluarën e Hysamedinit do të turpërohej të shkruante fjalinë e parë të artikullit: “Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. dr. Dhori Kule është ilustrimi i arrogancës së drejtuesve që e zbritën nga pushteti Partinë Demokratike”. Kjo logjikë e Ferajt është absurde se Profesor Dhori Kule nuk ka qenë drejtues me ndonjë post politik i emëruar nga PD, por një administrator universitar i dalë nga zgjedhjet në universitete, nga të cilat doli dhe z. Feraj. Është e vërtetë se qeveria e PD parvjet përtëriu mandatin e drejtuesve të zgjedhur universitarë, por kjo u bë për të gjithë dhe nga kjo gjë përfitoi edhe z. Feraj. I vetmi post politik i z. Kule është ai i anëtarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Por PD nuk ka humbur zgjedhjet vendore, por ato parlamentare dhe vështirë se mund të mendojë dikush se Profesor Kule është bashkëpërgjegjës për humbjen e PD-së në 23 qershorin e kaluar. Nëse Profesor Kule ka ndikuar me qenien e tij si rektor në humbjen e PD-së, atëherë njëjtë mund të thuhet se edhe Feraj ka pasur të njëjtin ndikim, madje shumë më të madh, për faktin se edhe ai mori dy mandate si drejtues universitar në kohën që PD ishte në pushtet. Për z. Feraj mund të thuhet se ndikoi në rënien e votave të PD-së nga zgjedhësit katolikë për shkak se z. Feraj është ideolog i njohur i Islamit politik në Shqipëri.
Duke konsideruar se cilët morën poste të larta në PD gjatë këtyre tetë viteve që kjo parti ishte në pushtet, mund të thuhet se Profesor Dhori Kule është nga ata njerëz të cilëve PD-ja iu ka mbetur borxh dhe nuk i kanë mbetur ata borxh PD-së. Nëse shikon të gjithë ministrat e Arsimit që PD pati në tetë vitet që ishte në pushtet, mund të thuash me siguri se Dhori Kule do të kishte qenë një ministër më i mirë se secili prej tyre. Kurse Hysamedin Feraj është nga ata njerëz që në hije kanë kërkuar të marrin shumë nga PD në pushtet, që prej vitit 1992, por që nuk ia kanë arritur për shkak se dosja e të këqijave të tyre qe aq e fryrë sa mund të shpërthenin lidhëset, siç është shprehur për Ferajn një zyrtar shumë i lartë në qeverinë e PD-së të vitit 1992, kur i afërmi i Ferajt nga gruaja, ish-ministri Rexhep Ukaj ndërhyri që Feraj të bëhej zëvendësministër i Arsimit, ose zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Kur PD-ja ishte në pushtet, shumë njerëz me të kaluar të kompromentuar morën poste të larta, por megjithatë disa prej tyre të cilët qenë veçanërisht të kompromentuar u evituan nga PD. Feraj ishte përtej edhe masës së tolerancës që kishte PD për këtë kategori njerëzish. Dhe këtu nuk ka të bëjë fakti se Feraj ishte shqiptar i Kosovës, se një i tillë profesor Rustem Gjata u bë kryetar i Gjykatës Kushtetuese me ardhjen e PD-së në pushtet, në 1992.
Hysamedin Feraj, para se të shkruajë për të kaluarën e profesor Kules, bën mirë të na sqarojë të kaluarën e vet, se Feraj është vetë një drejtues në Universitetin Publik të Tiranës, duke qenë shef i Departamentit të Politologjisë, pra një nëpunës i paguar me paratë e taksapaguesve. Hysamedin Feraj është lindur në fshatin Goden të Gjakovës në vitin 1962. Paraprakisht iu them se kjo nuk do të thotë asgjë, se Gjakova, e cila i ka dhënë Shqipërisë Inva Mulën, dhe të tjerë njerëz të shquar (ata që e njohin mirë jetën e këngëtarit të shquar Qamilit të Vogël e dinë mirë se ai për një fije nuk mbeti në Shqipërinë e këtej kufirit), i ka dhënë për fat të keq ndonjë si Hysamedin Feraj. Origjinën e Ferajt e përmenda vetëm për faktin se ai në 1981 u arratis nga Jugosllavia në Shqipëri, në rrethana mëse të dyshimta. Për këtë pjesë të jetës së tij, z. Feraj nuk flet kurrë publikisht, por vetëm privatisht. Sipas atyre që dëshmoi Feraj kur u pyet nga Sigurimi i Shtetit pas ardhjes në Shqipëri, ai pretendon se u arratis për shkak se donte ta arrestonte UDB-a (SDB quhej në atë kohë). Sipas z. Feraj kur erdhën për ta arrestuar njerëzit e UDB e pyetën nëse ai ishte Isa Feraj. Hysamedinin e quanin shkurt edhe Isë, ose Isa. Feraj iu përgjigj se ai ishte Hysamedin Feraj dhe jo Isa Feraj dhe u tregoi letrën e njoftimit. Njerëzit e UDB-së u bindën dhe u larguan duke e lënë të qetë. Hysamedini pas kësaj u arratis në Shqipëri. Nuk ka dyshim se njerëzit e UDB-s nuk qenë kaq naivë, se ata para se të arrestonin një irredentist kundërrevolucionar, siç i quanin veprimtarët atdhetarë shqiptarë, e vëzhgonin mirë për të këqyrur lidhjet e tij, dhe kur shkonin për ta arrestuar e dinin mirë se cili ishte personi që do të arrestonin. Por këtë përrallë se si i iku UDB-s për duarsh, Hysamedini e ka mësuar nga librat e Enver Hoxhës, posaçërisht libri “Kur lindi Partia”, ku Enver Hoxha tregon se si ai i shpëtoi arrestimit nga fashistët që kishin shkuar në dyqanin “Flora”, në tetor 1941. Sipas versionit të Enver Hoxhës, fashistët pyetën atë vetë se cili ishte Enver Hoxha (Paskëshin shkuar të arrestonin një komunist të rrezikshëm të cilin nuk e njihnin as për fytyrë?!) dhe vetë Enver Hoxha u tha se po shkonte të njoftonte Enver Hoxhën, pastaj doli nga dera e pasme e dyqanit dhe mori rrugën që e çoi në… Beograd, në 1946.
Hysamedinit i ndodhi e njëjta gjë por me një ndryshim. Hysamedinin UDB e lejoi të shkonte në Shqipëri. Gjakova, vendlindja e Ferajt ka nxjerrë një humorist të famshëm në Kosovë, të quajtur Besim Dina, të cilin e kur kam kohë e përcjell dhe unë, në Oxygen shoë të tij, në KTV. Besim Dina i ngjan në pamje Hysamedin Ferajt, kështu që do të mund ta luante mirë rolin e Hysamedinit në një komedi ku tregohet historia se si i iku ai UDB-s. Nëse Sigurimi i Shtetit do të kishte pasur vërtet si qëllim të luftonte agjentët e UDB-s që hynin në Shqipëri, atëherë Hysamedinin, me historinë që tregoi se si shpëtoi nga UDB duhet ta kishin rrasur në burg, siç u bë me shumë shqiptarë të tjerë nga Kosova. Por ndodhi e kundërta, Sigurimi i Shtetit e besoi historinë e Hysamedinit dhe këtij të fundit iu dha e drejta e studimit në Universitetin e Tiranës, sipas kërkesës së tij, për filozofi marksiste-leniniste. Kur Hysamedini diplomoi atë e mbajtën në Universitet si pedagog. Nëse kur ra Muri i Berlinit këtij Hysamedinit do t’ i kishte rënë një tullë e tij mbi krye, vështirë se do të kishte bërë mendja e tij një ndryshim më të çuditshëm se ai i Hysamedinit, i cili nga marksist-leninist fanatik u bë islamik fanatik.
Deri më tash Hysamedin Feraj ka si arritjen e tij më të madhe si studiues, librin “Skicë e mendimit politik shqiptar” (botuar së pari nga Shtëpia botuese “Koha”, Tiranë 1998), duke qenë pjesa më e madhe e këtij libri punimi me të cilin Feraj doktoroi në 1997. Sipas Ferajt fatmirësia historike e shqiptarëve qe pushtimi turk dhe islamizmi që solli ai. Për Ferajn pushtimi turk ka qenë në fakt çlirim për shqiptarët, islamizimi i shqiptarëve ka qenë shpëtimi i tyre nacional dhe këtë fe shqiptarët e pranuan me dëshirë dhe nuk iu imponua me dhunë nga pushtuesit turq. Të mirët, në historinë shqiptare për Ferajn kanë qenë ata shqiptarë që bashkëpunuan me Turqinë, që në fillim të pushtimit turk dhe në vazhdim, si dhe ata që e konceptonin nacionalizmin shqiptar si filoturqizëm dhe si proislamik. Sipas Ferajt shqiptarët u formuan si “komb” në saje të pushtimit turk dhe se vetë nacionalizmi shqiptar ka në origjinën Këtë teori Feraj e quan “paradigma qendrore” dhe e paraqet kështu:
“Gjatë shekujve XI-XIV shqiptarët u ndanë në rrymën që përvetësoi besnikërinë ndaj Kishës Lindore, ortodokse, sllave dhe greke dhe që e quajtën veten përkatësisht “sllavë” ose “grekë” dhe rrymën që i qëndroi besnike Kishës Perëndimore dhe që e quante veten “albanë”. Politikisht u ndanë në rrymën e shqiptarëve që ishin besnikë ndaj pushtuesve “ballkanikë”, Perandorisë Bizantine, përkatësisht Mbretërive Serbe, Bullgare e Greke, të cilët bënë karrierë dhe ngjitën shkallën më të lartë të hierarkisë ushtarake e civile feudale të tyre deri në strategë, dhe në rrymën që lidhej me mbretëri e principata të ndryshme të Evropës Perëndimore kundër pushtuesve bizantinë, serbë, grekë e bullgarë”. Në shekullin XV, nga njëra anë, veproi rryma e “skënderbegasve” në aleancë me disa mbretëri e principata të Evropës Perëndimore dhe popujt e Ballkanit kundër pushtuesve jashtëballkanikë osmanë dhe, nga ana tjetër, rryma e “vasalistëve” në bashkëpunim me pushtuesit jashtëballkanikë osmanë kundër pushtuesve më të vjetër e më të rrezikshëm sllavë e grekë . Gjatë gjithë shekujve XVI-XIX, vazhdoi tradita e “rezistencës” së armatosur kundër pushtuesit jashtëballkanik osman në bashkëpunim me popujt fqinjë sllavë e grekë, nga njëra anë, dhe tradita e integrimit në Perandorinë Osmane, e bashkëpunimit me pushtuesin jashtëballkanik osman kundër pushtuesve rrezikues ekzistencialë ballkanikë, sllavëve dhe grekëve, nga ana tjetër. Në shekullin XIX, nga tradita e bashkëpunimit me popujt ballkanikë kundër “armikut të përbashkët” jashtëballkanik osman lindën rrymat e ndryshme politike që u quajtën “serbofile” dhe “grekomane” të cilat bashkarisht do të quhen “panballkanike”, dhe nga tradita e bashkëpunimit me pushtuesit jashtëballkanikë osmanë kundër pushtuesve ballkanikë lindën rrymat politike të cilat u quajtën “turkomane” dhe “nacionaliste” shqiptare”. (Hysamedin Feraj, “Skicë e mendimit politik shqiptar”, “Koha”, Tiranë 1998, f. 145-146.)
Kështu, sipas Ferajt, te Skënderbeu e ka zanafillën tradhtia kombëtare, na thotë Feraj, ndërsa te Ballaban Pasha, e ka origjinën nacionalizmi shqiptar, ose më saktë. Feraj kërkon që ta identifikojë nacionalizmin shqiptar me Islamizmin politik. Nuk është çudi që në promovimin e këtij libri, që u bë në Tiranë, në korrik 1998, morën pjesë qindra studentë shqiptarë, të cilët studionin në vendet arabe, krerët e Komunitetit Mysliman Shqiptar, besimtarë myslimanë nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe të gjithë përfaqësuesit e shoqatave të vendeve islamike në Tiranë. Në atë kohë Shijak Tv, i cili atëherë ishte televizion i rëndësishëm, e përcolli gjerësisht këtë ngjarje. Ky libër pas botimit të parë në Tiranë pati dhe shumë ribotime në Tiranë, Shkup, Prishtinë, dhe ka qarkulluar madje edhe në diasporë.
Në kohën e luftës në Kosovë, Hysamedin Feraj ka shkruar gjëra që nuk mund të konsiderohen ndryshe veç si teza të propagandës serbe të sjella në shtypin shqiptar. Shkrimet e tij të botuara në shtypin e Tiranës botoheshin paralel edhe në gazetën “Bota Sot” që dilte në Zvicër dhe qarkullonte tek shqiptarët në Europë dhe Amerikën e Veriut. Në atë kohë pati edhe të tjerë zëra shqiptarë kundër firmosjes së Marrëveshjes së Rambouillet, por rasti i Ferajt është krejt i veçantë për nga mënyra e arsyetimit të kundërshtimit të marrëveshjes. Gjatë kohës që zhvillohej Konferenca e Rambouille-s, në 1999, Feraj në shkrimin e vet, “Të mos hedhim firmën e tradhtisë”, të botuar në gazetën “Rimëkëmbja”, Tiranë 2 shkurt 1999, e quante tradhti firmimin e njëanshëm nga shqiptarët e Kosovës të marrëveshjes dhe u bënte thirrje shqiptarëve që mos ta firmonin dokumentin e Rambujesë, duke e konsideruar tradhti firmimin. Ja sesi shkruante ai: “Janë dhënë njoftime për një projekt të bazuar në projektet të deritanishme të Hillit, që do t’u paraqitet në formë ultimatumi, me afat të caktuar saktësisht (96 orë) serbëve dhe shqiptarëve me alternativën “merre ose lere” dhe pas të cilit do të fillojnë sulmet ushtarake të NATO-s dhe përgjithësisht pasojat e ultimatumit. Nëse Millosheviçi nuk pranon ultimatumi do të zbatohet ndaj tij, d.m.th Serbia do të bombardohet. Nëse Millosheviçi e pranon, atëherë shqiptarët dalin si jokooperativë me faktorin ndërkombëtar dhe ultimatumi zbatohet ndaj tyre. Edhe në këtë situatë, shqiptarët nuk kanë pse e pranojnë projektin. Faktori ndërkombëtar nuk ka çka t’u bombardojë atyre, por Millosheviçit do t’i lejohet edhe një fushatë kundër tyre. Megjithatë, me këtë Kosova i afrohet shumë pavarësisë. Ky është presioni i fundit dhe nëse përballohet, pas tij vjen pavarësia”. (“Rimëkëmbja”, 2 shkurt 1999, f. 2.).
Feraj praktikisht ka thënë se shqiptarët nuk duhet ta firmosnin marrëveshjen edhe nëse NATO do të kryente bombardime të drejtuara kundër shqiptarëve dhe jo kundër serbëve. Feraj që shkruante kështu nuk ishte aspak një njeri i marrë apo një ekscentrik, ai përkundrazi përdor metodologji të sofistikuar të arsyetimit të mendimeve të tij, tjetër çështje pastaj se kjo metodologji zbatohet mbi një nonsens absolut çfarë është teza e tij. Feraj ishte tejet konsekuent në bindjen se dokumenti i Rambouille-s nuk duhej firmuar dhe kërkon që ky qëndrim të mbahej edhe në një situatë imagjinare kur, jo serbët, por shqiptarët do të gjendeshin nën mësymjen ushtarake të NATO-s. Feraj thotë se, për të arritur deri tek pavarësimi i Kosovës, shqiptarët duhet që të hynin në luftë edhe me NATO-n, sikur mos t’ u mjaftonte armiqësia e Serbisë dhe Rusisë. Sipas Ferajt, pasi shqiptarët e Kosovës të fitonin luftën e parashikuar prej tij kundër NATO-s dhe serbëve, atëherë, Kosova do të fitonte pavarësinë. Sesi do të bëhej e mundur kjo fitore, Feraj nuk jep kurrfarë shpjegimi. Feraj thjesht bënte një humor të kobshëm me shqiptarët e Kosovës, duke i terrorizuar ata me idenë se së shpejti do të ndodhen edhe në luftë me NATO-n veç serbëve. Ai i ftonte shqiptarët e Kosovës mos t’ i tuten as një situate të tillë, por madje e paraqet atë si rrugëdaljen më të mirë. Ideja e Ferajt luftës kundër gjithë botës, kundër NATO-s dhe Serbisë, SHBA-ve dhe Rusisë etj., kishte dalë drejtpërdrejt nga tekstet strategjike ushtarake enveriane, ku parashikohej që Shqipëria socialiste të përballonte një luftë në të cilën do të sulmohej njëherësh nga NATO dhe Traktati i Varshavës. Ndryshimi ishte se, derisa Enver Hoxha nuk e pati seriozisht, dhe i pati thënë këto fjalë veç për konsum propagandistik të brendshëm, në një kohë kur kurrkush nuk pati ndërmend ta sulmonte, Feraj e pati seriozisht sepse ai shkruante në një kohe lufte. Por, manifesti më i plotë i tezave serbe të përhapura nga Feraj është shkrimi i tij “A mashtrojnë SHBA?” (“Rimëkëmbja”, 9 mars 1999, “Bota Sot”, mars 1999). Këtu po sjelli veç dy paragrafë nga ky shkrim: “Firmosja e Rambujesë nga shqiptarët u duhet amerikanëve jo për të ndërhyrë dhe dërguar trupa në Kosovë, por për të mos ndërhyrë dhe për të mos dërguar trupa në Kosovë. Në qoftë se pushtetin dhe pushtimin serb e pranojnë me marrëveshje shqiptarët, atëherë SHBA nuk ka asnjë detyrim të mbajë premtimin për vijën, për moslejimin e Bosnjës në Kosovë etj. Ne, do të thonë SHBA, u patëm premtuar se nuk do të lejojmë agresionin serb, por shqiptarët kanë pranuar vetë të mbeten nën pushtetin e Serbisë(kap. I, pika 4 e marrëveshjes dhe pika të tjera), të ndërtojnë besimin e ndërsjellë dhe një Jugosllavi demokratike (korniza, neni II, në shumë pikat e tij). Këmbëngulja e SHBA që shqiptarët të firmosin këtë marrëveshje është dëshmia më e mirë se SHBA nuk do të mbajnë fjalën as për dërgimin e trupave”. (“Rimëkëmbja”, 9 mars 1999, f. 2.)
Pra, Feraj u thoshte shqiptarëve të Kosovës se me firmosjen e marrëveshjes të ofruar nga ndërkombëtarët do të firmosnin pranimin e pushtimit serb. Nëse marrëveshja ishte e tillë atëherë përse nuk e firmosën serbët. Pra, në këtë rast, Feraj, ka bërë mbrojtësin e Serbisë nga goditja e NATO-s. Është e vërtetë se shumë njerëz dyshonin nëse NATO do ta bombardonte vërtet Serbinë, para se të fillonin bombardimet, por këta njerëz nuk pretendonin të ishin analistë që kuptonin atë që do të ndodhte nga analiza e ngjarjeve dhe fakteve. Feraj e kishte një pretendim të tillë dhe ai në fakt ishte një ndër ata njerëz që e kuptonin se shqiptarët e Kosovës do të përfitonin nga nënshkrimi i marrëveshjes. Feraj, në të njëjtin shkrim e kundërshton kështu tezën se NATO-s dhe SHBA u duhet firma e shqiptarëve në Rambouille, në mënyrë që të kishin mundësi të fillonin bombardimin e Serbisë: “Argumenti është qesharak. NATO e paraqet situatën sikur veprimtaria e saj varet nga firma e shqiptarëve. Po firmosën shqiptarët, NATO e bombardon menjëherë Serbinë; po nuk firmosën, NATO nuk mund të veprojë. Kështu, shqiptarët dalin si komandanti supreme i NATO-s dhe NATO del se është në varësi të një firme të shqiptarëve. Kjo është qesharake. NATO nuk varet as nga OKB dhe Këshilli i Sigurimit, as nga firma e shqiptarëve. Ajo ka urdhrin të firmosur. Po nuk dëshiron të veprojë. Firma e shqiptarëve nuk i ndryshon dëshirat e NATO-s, as vullnetin politik të saj. Është e pabesueshme propaganda se NATO komandohet nga 15 shqiptarët e Rambujesë dhe se mjafton firma e tyre që NATO të veprojë”. (po atje. f. 2.)
Por, nëse NATO ta ndërmerrte mësymjen kundër Serbisë, pa firmuar shqiptarët dokumentin e Rambouille-s, atëherë, NATO atëherë ajo do të paraqitej si agresore dhe jo si ndëshkuese e një agresioni dhe gjenocidi. Në këtë kohë, nuk pati mbetur kalama në Beograd që nuk e pati kuptuar se, sikur mos ta firmonin shqiptarët e Kosovës marrëveshjen NATO nuk i bënte dot gjë Serbisë. Këtë gjë nuk e pati “kuptuar” veç politologu Hysamedin Feraj. Shkrimet e Ferajt të periudhës shkurt-mars 1999 mund të gjenden lehtësisht në gazetën “Bota Sot” të kohës. Ato meritojnë që të publikohen në një antologji të shkrimeve më të zeza të dala nga dora e shqiptarëve në atë kohë. Në pranverën e vitit 1999 Feraj ankohej se njerëzit e UÇK donin ta vrisnin se ai kishte thënë të “vërtetat” e mëdha të tradhtisë së tyre. Feraj shkoi edhe në Polici për të kërkuar mbrojtje nga shteti kundër… UÇK-së. Kur disa djem nga Gjakova që kishin ardhur nga diaspora në Tiranë për të luftuar me UÇK-në, trokitën në derën e shtëpisë së Ferajt, thjesht për ta takuar bashkëvendësin e tyre, Hysamedini bërtiti që nga kati i sipërm i banesës së tij se ata qenë vrasës të dërguar nga Shtabi i UÇK-së për ta eliminuar atë që thoshte të vërtetat e mëdha, dhe i kërcënonte se do t‘ i qëllonte me kallashnikov, ndërsa i thoshte me zë të lartë gruas që t‘ i telefononte Policisë. Në periudhën që nga dita e firmosjes së marrëveshjes në Paris dhe deri në ditën kur nisën bombardimet e NATO-s kundër Serbisë Feraj e kishte zakon që të thoshte nëpër kafeteritë e Tiranës se ai vinte bast një drekë se nuk do të bombardohej Serbia. Kaq shumë dreka të tilla premtoi Feraj saqë duhej të prenotohej një restorant në Beograd që të punonte gjatë gjithë kohës së bombardimeve që të shlyente detyrimet Feraj. Dy ditët e para të bombardimeve Feraj nuk doli fare nga shtëpia. Ditën e tretë doli dhe tha se bombardimet do të vazhdonin jo më shumë se 3-4 ditë sa për të larë fytyrën Millosheviçi që të nënshkruante marrëveshjen dhe pastaj shqiptarët e Kosovës do t‘ ia shihnin sherrin marrëveshjes. Vetëm këtë gjë nuk parashikova në analizën time thoshte Feraj në tryezat e kafeterive, që Millosheviqit i duheshin nja tre-katër ditë bombardime për të larë fytyrën për firmën që do të hidhte, por gjithcka tjetër do të shkojë siç kam thënë unë. Kur bombardimet vazhduan edhe ditën e katërt, Feraj qëndroi edhe dy ditë mbyllur në shtëpi dhe pastaj doli kur i tha Abdi Baleta se këto janë risqet e profesionit të tyre. Dhe Feraj me kalimin e ditëve e mbylli gojën më në fund, duke pritur që të harroheshin sadopak ato që kishte shkruar.
Kur Hysamedin Feraj kritikon profesor Dhori Kulen për dëmin që i ka shkaktuar PD-së, ai do të bënte mirë që të prezantohej si politikan. Se Hysamedin Feraj është edhe një politikan. Që prej vitit 1995 ai është nënkryetar i Partisë Rimëkëmbja Kombëtare që ka si kryetar Abdi Baletën. Ndonëse kjo është një parti minore, me profil të theksuar islamik, e cila ka marrë pjesë vetëm një herë në zgjedhje, në 1996, kryetarit dhe nënkryetarit u duhen këta tituj kur udhëtojnë në vendet arabe, se këta tituj prodhojnë benefite të mëdha atje. Kur u krijua Lëvizja “Vetëvendosje” e Albin Kurtit Hysamedini iu bashkua asaj, madje kandidoi edhe për deputet i “Vetëvendosjes”. Nuk është çudi afrimi i Ferajt me Kurtin, se në shkurt mars-1999 kishin të njëjtin qëndrim. Hysamedin Feraj është i vetmi njeri që ka kandiduar për deputet në Kosovë dhe në Shqipëri, me dy lëvizje që kanë si kryetarë dy njerëz që kanë mbajtur qëndrim kundër NATO-s gjatë luftës në Kosovë në shkurt-mars 1999, kuptohet deri në 24 mars kur nisën bombardimet. Këta dy njerëz janë Abdi Baleta dhe Albin Kurti që në atë kohë ishte sekretar i Adem Demacit.
Në Shqipëri Hysamedin Feraj ka kandiduar në zgjedhjet e vitit 1996, me qëllimin e vetëm që të merrte një vërtetim negativ, se nuk kishte qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, nga Komisioni Parlamentar i Verifikimit të Figurës së zyrtarëve të lartë, që shqyrtonte dhe kandidatët për deputetë. Këtë vërtetim Feraj arriti ta marrë vetëm me ndërhyrjen e profesor Rustem Gjatës që në atë kohë ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Nejse, Feraj pasi e mori këtë copë letre e tundte atë lart e poshtë duke bërtitur se çfarë do të thoshin tani ata që e kishin quajtur bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit.
Feraj është edhe plagjiator, domethënë hajn intelektual. Në librin“Skicë e mendimit politik shqiptar” ai ka bërë hajni intelektuale duke vjedhur një tezë të Nexhmedin Spahiut, të cilën e ka vënë në qendër të paradigmës së librit. Dikur Hysamedini dhe Nexhmedini kanë pasur edhe një fondacion në Tiranë, por u ndanë keq të dy dhe prej atëherë nuk i flasin më njëri-tjetrit. Por Feraj ka vjedhur edhe një tezë të Injac Zamputit në librin e tij “E pafilozofuara”. (Në shkrimin tim “Shqiptaro-centrizmi i Hysamedin Ferajt është Islamo-centrizëm”, të botuar në shtyp para shumë vitesh dhe që sot gjendet në website tim kastriotmyftaraj.com mund të gjeni argumente për plagjiatin e Ferajt)
Feraj është ndër ata shqiptarë të Kosovës që kanë ardhur në Shqipëri për të bërë punë të mbrapshta. Derisa në Shqipëri kanë ardhur shumë shqiptarë nga Kosova që kanë bërë punë shumë të mira, ka pasur edhe disa si Feraj, të cilët i kanë nxjerrë emër të keq “kosovarit” në Shqipëri. Hysamedin Feraj është versioni akademik i Besim Dinës në Tiranë, që prej tre dekadash. Por në humorin e Besimit ka shumë më tepër seriozitet dhe arsyetim se në tezat e profesor Hysamedin Ferajt. Por përtej humorit, problemi është serioz, në Shqipëri ka disa njerëz me origjinë nga Kosova dhe Maqedonia, të cilët duke vepruar si shtetas të Shqipërisë, janë shumë aktivë në promovimin e Islamit politik, në intriga në botën akademike, në politikë. Këta njerëz i kanë nxjerrë një emër të keq këtej kufirit njeriut shqiptar të trojeve shqiptare përtej kufirit. Ishte një gjë tepër e turpshme që një mësimdhënës i Universitetit Publik të Tiranës, me origjinë nga Kosova, çka është z. Feraj, andej nga fundi i viteve nëntëdhjetë vuri njerëz që të rrahin në rrugë kryesore të Tiranës një tjetër mësimdhënës të Universitetit Publik të Tiranës, shqiptar nga Kosova, z. N. S, i cili në atë kohë jetonte në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur afër ish-kinema “Partizanit”, pikërisht atje ku sot është libraria e shtëpisë botuese “Albas” të Tetovës, dhe ky zotëriu tjetër është midis miqve të mijë këtu në Facebook dhe mund të komentojë nëse do. Siç thotë Besim Dina: “Na shqiptarë jena, çka s’na ban vaki”. Sa për pjesën tjetër të artikullit të Ferajt kundër rektorit Kule, përveç fjalisë së parë që përmenda më lart, nuk ia vlen të flasësh për dy arsye: E para artikulli është shumë tendencioz qëkurse rektori Kule ngarkohet me përgjegjësi për humbjen e PD-së në zgjedhjet e fundit parlamentare. Së dyti, z. Feraj rendit shumë akuza të përgjithshme mbi fajet e z. Kule, por nuk përmend asnjë emër personi që të jetë në pozitën e dëmtuarit nga veprimet e rektorit Kule. Apo i ka bërë ndaj alienëve fajet e tij rektori Kule?  Rektorati dhe vetë zoti  Kule bënë mirë që të shikojë statusin e këtij pedagogu  dhe mbi cilat kritere Hysamedin Ferraj është emëruar si pedagogë dhe vazhdon të japë mësim në universitetin shtetëror të Tiranës.