Kastriot MYFTARAJ/Idetë-matrioshka të Lubonjës

653
Sigal

Rrjeti ndërkombëtar ku është kyçur prej vitesh Fatos Lubonja dhe merr porositë për propagandë të zezë ndaj kombit shqiptar

Artikullin e Fatos Lubonjës, me titull “Nën qiellin e Europës”, të them të drejtën e kam pritur që të shkruhet dhe të botohet që në dhjetor të vitit të kaluar, fill pasi Gjeneral Haradinaj pati marrë pafajësinë nga gjykata ndërkombëtare dhe ai vizitoi Shqipërinë, me ç’rast ndodhën ato gjëra për të cilat flet Lubonja. E them këtë gjë se, si studiues i hershëm i shkrimeve të Lubonjës, jam në gjendje që duke e parë tërësinë e ideve të tij si një mozaik në ndërtim e sipër, mund të marr me mend se si do të jenë gurët e munguar të mozaikut, pra mund të them me siguri, se për çfarë dhe si do të reagojë ai në shtyp apo në televizion në lidhje me ngjarjet që ndodhin. Artikulli i Lubonjës “Nën qiellin e Europës” ka jo më tepër se dhjetë mijë karaktere (germa), pa hapësira, në shqip, pra është në standardin e shkrimeve të Lubonjës në shtyp. Kështu që nuk kuptohet se përse ai nuk e bëri këtë artikull që në dhjetor. Në një shënim në përfundim të artikullit të tij, të botuar në të përditshmen “Panorama”, në 17 korrik 2013, Lubonja na sqaron se: “Ky shkrim është botuar në anglisht në numrin e majit 2013 të revistës SUDOSTEUROPA Mittelungen, që ka vënë në fokus (me kontributet e Andreas Ernst, Florian Bieber, Natasha Kandiç, Karl – Peter Schvarz, Adelheid Wolfi, Sonja Biserko, Fatos Lubonja) çështjen e çlirimit nga Gjykata për Krimet në ish-Jugosllavi të Gatovinës dhe Haradinajt dhe pasojat e saj”. 

Këtu çdo gjë bëhet e qartë. Është rrjeti ndërkombëtar në të cilin është kyçur prej vitesh Lubonja, ai që i kërkoi atij të bënte një artikull për çështjen e Haradinajt, duke i dhënë dhe linjën e ideve. Pra Lubonja, në këtë rast ka shërbyer thjesht si presta nome (emër i huazuar), siç thuhet në Itali, në vendin ku ai jeton falë parave të fituara në operacione të tilla mediale, që vetëm me median nuk kanë të bëjnë, por më tepër kanë të bëjnë me atë që njihet si propagandë e zezë në atë kategori ushtarake që është lufta psikologjike. Dy vjet më parë, ambasadori amerikan në Shqipëri, Arvizu, nuk nguroi që të denoncojë publikisht në një intervistë televizive disa artikuj kundër tij në shtypin shqiptar, duke i etiketuar me titullin e një artikulli të një analisti shqiptar, që ishte “Antiamerikanizëm i porositur”. Në rastin e Lubonjës nuk mund të flitet thjesht për Antishqiptarizëm të porositur, por për “Albanophagy të porositur”. Termi albanophagy (prirje kanibaleske ndaj shqiptarëve) shkon më mirë se termi Albanophoby në rastin e porositësve të artikujve të Lubonjës.

Thelbi i artikullit të Lubonjës “Nën qiellin e Europës” është se, vendimi i gjykatës ndërkombëtare për krime lufte, për shpalljen të pafajshëm të Ramush Haradinajt është i padrejtë, se Haradinaj i ka kryer të gjitha krimet për të cilat akuzohej, por ai u shpall i pafajshëm vetëm në sajë të krimeve të tjera, duke vrarë dhe kërcënuar dëshmitarët. Kur Prokuroria ndërkombëtare për krime lufte nisin procedimin ndaj Haradinajt dhe të tjerëve, dhe kishte spekulime mbi atë nëse Haradinaj, i cili në atë kohë ishte kryeministër, do të shkonte vullnetarisht në Hagë, apo do të vepronte ndryshe, Lubonja dhe të tjerë si ai, duke iu kundërvënë atyre që e quanin inkriminimin e Gjeneral Haradinajt si inkriminim të UÇK, thoshte se Haradinaj duhet të shkonte vetë para gjykatës ndërkombëtare, dhe atje do të merrte pafajësinë nëse ishte i pafajshëm. Lubonja natyrisht shpresonte që Gjeneral Haradinaj do të shpallej fajtor nga gjykata ndërkombëtare, dhe mbi të gjitha Lubonja shpresonte që Gjeneral Haradinaj do të merrte përsëri malet, për t’i ikur gjykatës ndërkombëtare. Gjeneral Haradinaj e zhgënjeu shumë Fatos Lubonjën duke shkuar vullnetarisht në Hagë. Këtë gjë Lubonja nuk ia fal Gjeneral Haradinajt. Përse Lubonja, i cili dikur kërkonte që Gjeneral Haradinaj dhe krerët e tjerë të luftës t’i nënshtroheshin gjykatës ndërkombëtare, tashmë nuk e njeh vendimin e gjykatës? Merret vesh, Lubonja kishte bindjen se gjykata ndërkombëtare do të vepronte sipas agjendës së çmontimit të “miteve nacionale” shqiptare, që ndjek Lubonja dhe një prej të cilëve “mite” që duhen çmontuar supozohet të jetë dhe UÇK.

Vendimin e gjykatës nuk mund të komprometojnë dot as ankesat e ish-Prokurores Carla Del Ponte, së cilës i referohet Lubonja për të mbështetur tezën e tij, se ajo është penguar për shkaqe politike nga qeveritë e fuqive të mëdha në hetimet e saj ndaj ish-krerëve të UÇK. Por pretendimet e tilla të Carla Del Ponte, si dhe akuzat e saj dhe të prokurorëve të tjerë ndërkombëtarë, kanë një “Thembër të Akilit” një goditje e saktë juridike te e cila i rrënon ato. Shkurt, çështja qëndron kështu: Kur Prokurorët ndërkombëtarë akuzojnë ish-krerët e UÇK për rrëmbime të njerëzve, vrasje dhe burgime, a supozohet që krerëve të UÇK u njihej e drejta që siç bëjnë komandantët e çdo ushtrie në botë në kohë lufte, të kishin të drejtë të jepnin urdhra për arrestimin, eventualisht gjykimin dhe dënimin e njerëzve të dyshuar si bashkëpunëtorë me shërbimet inteligjente të armikut, ose si komando të tij? Pra, çështja është nëse ish-krerët e UÇK-së akuzohen për ushtrim të kompetencave të komandantëve ushtarakë në kohë lufte, apo se i kanë tejkaluar këto kompetenca? Prokuroria ndërkombëtare nuk ka dhënë përgjigje për këtë çështje në asnjë nga rastet e procedimit ndaj krerëve të UÇK-së, dhe është për të ardhur keq që asnjë nga avokatët mbrojtës nuk e ka shtruar këtë pyetje që në fillim, me të drejtën e kërkesës për saktësim të akuzës. Kështu do të zbulohej se, derisa prokurorët ndërkombëtarë e shikonin UÇK-në si përgjegjëse nga pikëpamja e legjislacionit ndërkombëtar të luftës, ata nuk donin që ta njihnin UÇK-në si një ushtri, e cila kishte të drejtë që të ushtronte të drejtat e saj siç do ushtri në botë, në kohë lufte, për t’u mbrojtur nga veprimet e armikut. Nëse çështja do të shtrohej kështu, pjesa më e madhe e akuzave ndaj krerëve të UÇK do të binin lehtësisht, për shkak se ata do të mund të sillnin dëshmitarë se kanë vepruar në pajtim me ligjet ndërkombëtare të luftës. Asnjë ushtarak serb nuk është dënuar, madje as nuk është proceduar me akuza të ngjashme me ato me të cilat u proceduan nga prokuroria ndërkombëtare ish-krerët e UÇK-së. Kështu, krerëve të UÇK-së iu mohua kjo e drejtë, e cila iu njoh ushtarakëve serbë, të cilët u proceduan dhe eventualisht u dënuan vetëm për rastet kur kishin tejkaluar të drejtat e tyre si komandantë, për të arrestuar dhe gjykuar të dyshuarit si bashkëpunëtorë të armikut, jo për çdo rast kur i patën ushtruar këto të drejta.

Por Lubonja tregohet i pasinqertë kur shkruan kundër Gjeneral Haradinajt me ato argumente që përdor në artikullin e tij “Nën qiellin e Europës”. Këtu duhet thënë se idetë e Lubonjës janë si ato kukullat e shumëfishta (njihen si matryoshka nga Rusia, por kjo i ka kopjuar nga Japonia ku njihen si daruma), ku çdo kukull më e vogël është futur në një kukull më të madhe, e kështu në vazhdimësi. Lubonja e shikon pafajësinë e Haradinajt dhe ardhjen e tij në Tiranë, në kontekstin e tezës lubonjane, ose më saktë të porositësve të tij. Fjalën e kam për tezën e kahershme të Lubonjës se ekziston një armiqësi dhe urrejtje mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, ose kosovarëve, siç i quan Lubonja, i cili nuk pranon t’i quajë shqiptarë, përveç rastit kur kjo i shërben për t’i sharë. Lubonja në vitin 1995 ka botuar artikullin “Ne shqiptarët dhe kosovarët, ne kosovarët dhe shqiptarët”, ku thuhet: “Retorikat mbi solidaritetin për çështjen e madhe të kombit, dashurinë për Kosovën dhe Shqipërinë, mbi bashkimin, duket sikur janë bërë gjithnjë e më formale, gjithnjë e më shumë vegla të politikanëve në luftërat politike ndërkohë që, thellë- thellë, si popuj ndjehemi larg, jo rrallë dhe plot dyshim dhe mosbesim të ndërsjellë. Mua më duket se ka ardhur koha që të dy palët të ndeshemi më ballazi me problemin e këtij hendeku mjaft të thellë shpirtëror, kulturor e psikologjik që na ndan dhe që nuk premton një martesë të lumtur edhe sikur të realizohet”. (Fatos Lubonja, “Liri e kërcënuar”, Botime “Përpjekja”, Tiranë 1999, f. 274.)

Fatos Lubonja, siç shihet, kërkonte të krijonte një paradigmë të konfliktit historik ndërshqiptar, sipas së cilës fault line e këtij konflikti kalon përkitazi me vijën e kufirit shtetëror që ndan Republikën e Shqipërisë prej Kosovës. Lubonja nuk e shpjegon sesi ka lindur kjo armiqësi, e cila na paska përkuar me vijën e kufirit të hequr në hartë në Londër, një shekull më parë, për arsye gjeopolitike të fuqive të mëdha. Merret vesh, ishte Serbia ajo së cilës i konvenonte që të kishte një armiqësi të tillë ndërshqiptare, përkitazi me vijën kufitare. Synimi i kësaj teorie ishte që Kosova, të konsiderohej në një rrethim të plotë armik. Nuk kaluan veçse tre vite pas këtij artikulli të Lubonjës dhe me fillimin e luftës në Kosovë, realiteti shqiptar i përgënjeshtroi këto teza të Lubonjës. Shqipëria e Veriut u bë bazë e luftës së UÇK dhe krejt Shqipëria i priti dhe akomodoi rreth një milion shqiptarë të Kosovës të dëbuar nga serbët.

Artikulli i Lubonjës, i vitit 1995, i cituar më lart, është një artikull paradigmatik sa i përket mendimit të Lubonjës. Ose e thënë ndryshe ky artikull na bën me dije mbi mozaikun që kërkon të ndërtojë Lubonja. Haradinaj, si shqiptar i Kosovës, në këtë mozaik duhet të jetë i keqi, njeriu është i padëshiruar në Shqipërinë e këtej kufirit, një kriminel i përbindshëm. Por matriyoshkat e Lubonjës bartin brenda tyre të tjera “surpriza”. Urrejtja e Lubonjës nuk i adresohet vetëm shqiptarëve të Kosovës. Urrejtja e Lubonjës në fakt i adresohet krejt nacionit (kombit) shqiptar, dhe në radhë të parë shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë. Se Lubonja para së gjithash nuk urren shqiptarët e Kosovës e të Shqipërisë, por urren shtetin shqiptar, Shqipërinë, urren shqiptarët e Shqipërisë, se ata janë shkaku që ekziston shteti shqiptar. Këtë gjë Lubonja e tregoi me rastin e censusit që u mbajt në Shqipëri në 2011. Lubonja priste që me rastin e censusit që do të mbahej në Shqipëri në 2011 të vërtetohej mosekzistenca e kombit shqiptar, duke rezultuar se Shqipëria përbëhej nga një mozaik etnik, ku shqiptarët qenë minorancë. Lubonja, në artikullin “Pse jam pro regjistrimit të popullsisë”, të botuar në gazetën “Panorama” në 21 mars 2011 e etiketonte kështu tezën e kundërshtarëve të censusit se ai do të manipulohej nga vendet fqinje, për të rritur numrin e minorancave etnike dhe për të shpikur të reja: “Kjo ide, të çon bash tek një reminishencë e kohëve nacionaliste e nacional – komuniste të aplikuara jo vetëm në Shqipëri, që nacionalizmin e shndërruan në fe mbizotëruese dhe që e aplikoi Enver Hoxha në mënyrën më radikale, duke i eliminuar në emër, gjoja, të unitetit të popullit, krejtësisht fetë dhe duke asimiluar thuajse krejtësisht grupet e ndryshme etnike në vend. Një ‘kanibalizëm kulturor’ ky për pasojat negative të të cilit duket se shoqëria nuk është ende e vetëdijshme”.

Enver Hoxha mund të akuzohet për shumë gjëra, por jo se i keqtrajtoi minoritetet etnike në krahasim me shqiptarët. Shembulli më i mirë kundër tezës së Lubonjës është se edhe pasi Greqia i dëboi çamët shqiptarë, Shqipëria komuniste nuk iu përgjigj me të njëjtën mënyrë duke dëbuar minoritetin grek. Lubonja priste që censusi t’i shpëtonte “minoritetet” etnike nga “kanibalizmi kulturor” shqiptar, dhe duhet që të jetë mërzitur shumë që shifrat e censusit nuk dolën ashtu siç uronin urrejtësit e kombit shqiptar.

Në serinë e matryoshkave të Lubonjës, Haradinaj duhet të jetë një figurë brenda së cilës gjendet… Skënderbeu. Pra, Haradinaj reflekton imazhin e pëlqyer që Lubonja ka për Skënderbeun, arketipi i komandantit ushtarak historik shqiptar, si kriminel dhe bandit. Në shumë artikuj, Lubonja është treguar një mbështetës entuziast i portretizimit që i bëri Skënderbeut historiani sharlatan zviceran, Oliver Jens Schmitt, si një grabitës dhish që luftonte për një çështje ordinere kanunore familjare, dhe jo për ideale. Në 25 shtator 2012, Lubonja botoi në “Panorama” artikullin “Pse ky numër mbi Skënderbeun”, ku shpjegon se përse në revistën e tij “Përpjekja” i ka kushtuar një numër special reagimeve ndaj librit të Schmitt për Skënderbeun, por duke përzgjedhur vetëm reagimet në favor të Schmitt. Në këtë numër të “Përpjekja” që mban titullin “Skënderbeu i kërkimit shkencor” vetëm kërkim shkencor për Skënderbeun nuk ka. Se askush nga “kërkuesit shkencorë” të përzgjedhur nga Lubonja nuk thotë që si është e mundur që një historian profesionist si Schmitt nuk e vuri aspak në dyshim dokumentin mbi të cilin ai thotë se e rindërtoi krejt librin e tij mbi Skënderbeun dhe që është një raport i dy të dërguarve të Dukatit të Milanos në Romë, në të cilin ata thonë se motivet e Skënderbeut qenë kanunore, për shkak se Sulltani i pati vrarë të atin. Askush nga “kërkuesit shkencorë” të përzgjedhur nga Lubonja, pale vetë Schmitt që jo e jo, nuk i bën kritikën këtij dokumenti, duke thënë se diplomatët e Dukatit të Milanos kishin arsye për ta paraqitur Skënderbeun në dritë të keqe në kohën që u përpilua raporti se ai kishte bërë paqe me Venedikun që ishte prej 19 vitesh në luftë me Milanon, në atë që njihet në histori si Lufta Lombarde. Gjithsesi, gjëja më interesante në këtë numër është se atje sorosianët kozmopolitë si Lubonja pajtohen në shumë gjëra me shkruesit islamikë si Ervin Hatibi, Enis Sulstarova, dhe disa historianë turq, duke pasur të njëjtën urrejtje për Skënderbeun e simbolet nacionale shqiptare. Të dy palët, ndonëse nga pikëpamje të ndryshme, kanë të njëjtin qëllim, shpërbërjen e nacionit shqiptar.

Kur Presidenti amerikan Bush vizitoi Shqipërinë në qershor 2007, me ç’rast u fabrikua lajmi i rremë për vjedhjen e orës së tij, në Fushë-Krujë, Lubonja botoi artikullin “Nderi i kombit dhe ora e Bushit”, ku thotë: “Personalisht kur e dëgjova lajmin e besova dhe qesha me të madhe dhe nuk u ndjeva fare keq që kam lindur në këtë vend”. (Gazeta “Korrieri”, 18 qershor 2007, f. 11)

Merret vesh, Lubonja u kënaq se kështu funksionin në vazhdimësi idetë-matryoshka të tij. Nga tradita e Skënderbeut-grabitës dhish (Skënderbeu siç dihet e kishte qendrën në Krujë), doli në Fushë-Krujë hajni, i cili i ka vjedhur orën Presidentit Bush. Është hipokrizi e madhe nga ana e Lubonjës, kur thotë se nga lajmi i vjedhjes së orës së Bushit nuk cenohet nderi i kombit, kur Lubonja ka shkruar se ai do të donte që ta shihte kombin shqiptar të shpërbërë, siç e kam cituar më lart. Në janar 2012, në emisionin “Opinion” në Tv Klan, tema e të cilit ishte “A janë shqiptarët sot më patriotë”, Lubonja tha: “Nuk jam patriot, as nacionalist. Edhe kur e dëgjoj Himnin nuk ngrihem në këmbë dhe as që më bën përshtypje. Bile të gjitha himnet e vendeve të tjera bazohen mbi ideologjitë që bënin krime e vrisnin njerëz nën thirrjet e nacionalizimit. Njëlloj veproi Stalini, Hitleri e Enver Hoxha”.

Lubonja këtu spekulon në funksion të agjendës së tij të ideve-matryoshka, se ai e di shumë mirë që Himnin kombëtar shqiptar nuk e ka bërë Enver Hoxha, por ai ka ekzistuar që shumë kohë para se të vinte Enver Hoxha në pushtet. Ndryshe nga ç’thotë Lubonja himnet nacionale nuk kanë qenë rezultat i ideologjive, se himne nacionale kanë të gjitha vendet dhe jo vetëm Bashkimi Sovjetik i Stalinit dhe Gjermania e Hitlerit, që sjell si shembuj Lubonja. Fatos Lubonja i di këto por ai vepron kështu se ka një agjendë personale të përpunuar në zyrat dhe laboratorët e Sorosit, ku ai ka qenë një nga njerëzit më të afërt. Kjo agjendë përmban goditjen dhe shkatërrimin e atyre që në gjuhën sorosiane quhen mite, të nacionit (kombit), duke predikuar shpërbërjen e nacionit shqiptar në minoritete të sajuara, përçmimin e vetëdijes nacionale shqiptare, të përkushtimit nacional, heronjve nacionalë, dhe në rastin shqiptar posaçërisht të Skënderbeut, të përçmimit të flamurit nacional, të historisë nacionale, të rëndësisë së personaliteteve ndërkombëtare me origjinë shqiptare. Fatos Lubonja, nuk e ka vetëm me Gjeneral Haradinajn, por edhe më Nënë Terezën. Merret vesh, Lubonja nuk e duron dot që kombi shqiptar të ketë nxjerrë një figurë si Nënë Tereza. Kjo e prish mozaikun e Lubonjës. Dhe meqenëse Nënë Terezën nuk e akuzon dot për krime, kërkon ta denigrojë në çdo mënyrë tjetër, duke thënë se ajo nuk ka lidhje me shqiptarët dhe nderimi që i bëhet asaj është absurd. Në 19 shkurt 2009, në emisionin “Opinion” të Fevziut, Fatos Lubonja foli shumë keq kundër Nënë Terezës dhe raportit të shqiptarëve me të. Fatos Lubonja fillimisht e quajti Nënë Terezën: “shembull tipik të mendësisë nacional-komuniste, kur ndërtohen imazhe për t’ u identifikuar”.

Më tutje Lubonja tha se: “Ajo për të cilën ajo vlerësohet, mori Çmimin Nobel nuk ka të bëjë fare me shqiptarët, se atë shqiptarët nuk e kanë fare pjesë të kulturës së tyre”.

Meqenëse Lubonja është paguar nga hebreu Soros, këtu është vendi të thuhet se sipas logjikës së Lubonjës del se edhe Holokausti nuk ka lidhje me Izraelin se hebrenjtë që u vranë në Europë, në pjesën më të madhe nuk e dinin fare gjuhën judaike, dhe u përkisnin kulturave të ndryshme, sipas vendeve ku jetonin. Më tutje Lubonja tha se: “Nënë Tereza vetë nuk thotë se jam shqiptare se ajo i përket Jezu Krishtit, e në njëfarë mënyrë edhe kjo është një kulturë, një kulturë antinacionaliste”.

Por Nënë Tereza ka thënë qartë se nga gjaku jam shqiptare, gjë që Lubonja e di mirë, e megjithatë mashtron se ashtu i konvenon agjendës së tij shqiptarocide. Në të njëjtin emision Lubonja tha për Nënë Terezën si simbol se: “kjo të le në debilllëk, në manipulim të le”.

Me cilën duhet ta zëvendësojmë Nënë Terezën, me gruan e Sorosit, sponsorit të Lubonjës? Apo ndoshta mos duhet që meqenëse Lubonja tani po kërkon që të rivlerësohet periudha e pushtimit osman, atëherë duhet që Nënë Terezën ta zëvendësojmë me ndonjë hanëme filantrope shqiptaro-osmane? Se që të zërë vend historia e rivlerësuar duhet që të krijohen mite të reja. Lubonja këtë gjë e di mirë. Lubonja ka dëshirë që të merret shumë edhe me histori, dhe në shumë shkrime ai shtiret si historian. Ai që nuk e njeh Lubonjën, dhe që e sheh për herë të parë në disa dalje televizive dhe shkrime, do të besojë se Lubonja është fundamentalist islamik. Siç është rasti në shkrimet dhe daljet televizive ku Lubonja mohon pushtimin turk të Shqipërisë. Lubonja, nga dëshira për të rrëzuar ato që i quan mite historike shqiptare, siç është Rilindja Nacionale, shkon në pozitën e studiuesve osmanofilë shqiptarë, duke e quajtur periudhën pesëshekullore osmane, si një periudhë bashkëjetese harmonike dhe jo pushtimi. Por faktet që mohojnë Lubonja dhe ata tezat e të cilave ai i ka kopjuar në këtë rast, janë se gjatë këtyre pesë shekujve ka pasur një numër shumë të shpeshtë kryengritjesh shqiptare antiosmane, të cilat pavarësisht nga motivet, tregojnë në thelb një gjë, mospajtimin e pushtuesin. Motivet shpesh gabojnë. Lufta për pavarësi në kolonitë britanike në Amerikë nga e cila dolën SHBA si shtet i pavarur, nisi si një rebelim fiskal.

Problemi nuk është te Lubonja, por te ata që të përdorin njerëzit si Lubonja. Një proverb kinez thotë: “Sa më lart ngjitet majmuni në pemë, aq më shumë e vë në pah prapanicën”. Kështu ndodh dhe me ato qendra të huaja, të cilat qëndrojnë pas Lubonjës. Nuk do t’ia vlente që Lubonja të merrej shumë seriozisht nëse ai nuk do të ishte i sponsorizuar nga qendra të rëndësishme ndërkombëtare, një prej të cilave është Fondacioni “Soros”. Lubonja është shegerti i një skuadre historianësh ndërkombëtarë, të cilën kanë bërë kauzë të tyre terrorizmin historiografik kundër kombit shqiptar, sipas parimit Oruellian se ai që kontrollon të shkuarën kontrollon të ardhmen. Kështu, nëse shkatërroni të ashtuquajturat mite të një kombi në të shkuarën e tij, do të thotë historinë e tij, atëherë lehtë mund të projektoni zhdukjen e këtij kombi në të ardhmen. Këta historianë janë të pranishëm shpesh në faqet e revistës “Përpjekja” të Lubonjës. Madje Lubonja, me artikujt dhe fjalën e tij televizive, shërben si një lloj divulguesi i ideve të këtyre historianëve, një lloj përçuesi i tyre te publiku i gjerë shqiptar. Agjendën e tij Lubonja e çon para në shkrimet e tij në gazeta si dhe në daljet e tij televizive. Pavarësisht se cila është ngjarja për të cilën shkruan, apo tema e emisionit televiziv ku është i ftuar, Lubonja flet në funksion të agjendës së tij. Lubonja kërkon të krijojë për vetveten aureolën e një mendimtari të pavarur, i cili është kundër të dy palëve, kundër së majtës dhe së djathtës, të cilat i quan dy banda të mëdha që kërkojnë të vjedhin dhe të abuzojnë me pushtetin. Por e vërteta është se ky qëndrim i Lubonjës nuk është pasojë e pikëpamjes morale të tij, por e idesë fikse të tij, për shpërbërjen e kombit dhe të shtetit shqiptar.

Në ndërkohë Lubonja, para se të merret me gjyqin e Haradinajt le të na shpjegojë pak se çka ndodhur në gjyqin ku u dënuan me vdekje dy “miqtë” e tij, Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani, dhe ku armiku i madh i nacional-komunizmit Fatos Lubonja shpëtoi paq. Lubonja ka 22 vite që tjerr një melodramë për dy “miqtë” e tij, por nuk shpjegon se si nuk ndodhi e kundërta, ajo që duhet të kishte ndodhur, sipas logjikës së regjimit të Enver Hoxhës, pra që djali i armikut të regjimit, Todi Lubonjës, Fatosi, të dënohej me vdekje, dhe dy të tjerët, të dënoheshin me burgim të gjatë. Tani me logjikën me të cilën flet Fatos Lubonja për gjyqin e Haradinajt, shumëkush ka të drejtë të thotë se për çfarë i shërbeu ky Fatos Lubonja Enver Hoxhës që ia kurseu jetën. Enver Hoxha kishte zakonin sovjetik të troikës, që pushkatimet e njerëzve të nomenklaturës komuniste t’ i bënte treshe. Kështu u pushkatuan tre ushtarakë të lartë: Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako. U pushkatuan një trojkë tjetër pas vdekjes së Mehmet Shehut: Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti. Atje ku ligji i trojkës është prishur, ka pasur ndonjë marrëveshje të dyshimtë. Është e vërtetë se edhe Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho u pushkatuan në trojkë, por me ta bashkuan një njeri që i përkiste një shtrese tjetër, jo asaj të nomenklaturës komuniste. Ky ishte Xhelal Koprencka që i përkiste shtresës së djathtë antikomuniste. Që të mos i biem në qafë kot Enver Hoxhës, kjo nuk ishte në stilin e tij. Në trojkat makabre ai ruante pastërtinë ideologjike si ‘coup de grace’ për të dënuarit. Duket se Koprencka është zgjedhur në momentet e fundit për të mos prishur ligjin makabër të trojkës, nga e cila duket se u përjashtua Fatos Lubonja për arsye që i di ai. Këtu ekziston miti i fundit nacional-komunist nga i cili duhet të çlirohet Fatos Lubonja. Nuk them se Fatosi nuk dëshiron që ta bëjë këtë gjë, por ja ku del Gjykata e Hagës e cila me vendimin për Haradinajn e pengon Fatosin që të merret me këto gjyqe më të hershme nacional-komuniste. Se ndryshe do të na krijohet përshtypja se Fatos Lubonja, i cili e mban veten si kundërshtar të madh të asaj që e quan si mitologji të rreme nacional-komuniste, vetë prodhon mite të tilla kur i duhet të provojë se përse nuk u bë pjesë e trojkës makabër.