Kastriot Myftaraj: Enigma e Gjyqit Ismail Kadare-Nexhmije Hoxha

1156
Sigal

Në gjyqin më të fundit, në të cilin Ismail Kadare u përball me Nexhmije Hoxhën për dorëshkrimin e romanit “Dimri i Vetmisë së Madhe”, ka një pakt të heshtur mes të dy palëve për të mos e përmendur të vërtetën. Nexhmije Hoxha i kurseu Ismail Kadaresë argumentin kryesor që ajo kishte për t’ i provuar gjykatës se dorëshkrimi i romanit i ishte bërë dhuratë Enver Hoxhës nga ana e Ismail Kadaresë, pikërisht në vitin 1975, kur pretendon Nexhmije Hoxha dhe jo në 1972, vit në të cilin Ismail Kadare pretendon se iu imponua që ta “dhuronte” dorëshkrimin. Të vërtetën e ka pohuar tërthorazi Ismail Kadare, i cili në librin “Katër përkthyesit”, të shkruar në bashkëautorësi me gazetarin francez Denis Fernandez Recatala, thotë për takimin e tij me Nexhmije Hoxhën, kur shkoi të merrte dosjen sekrete që përmbante bisedimet e Enver Hoxhës në Mbledhjen e Moskës, në 1960, për ta përdorur në roman:

 “Nexhmije Hoxha e njohu shkrimtarin me rregullat që duhej të zbatonte. Ai duhej t’ i linte shënimet aty dhe do t’ ia kthenin përsëri pasi t’ i kishin kontrolluar. Materialet s’ duhej t’ i shfletonte vetë. Kishin caktuar dikë tjetër me këtë detyrë. Ai do të ishte në dispozicion të tij. Dhe së fundi, kur të përfundonte romanin, ai duhej të dorëzonte faqet ku flitej për Mbledhjen e Moskës, sepse aty citoheshin fjalë që ishin thënë nga personazhe që ishin gjallë. Në këtë rast, këta të fundit kërkonin të përfitonin nga një e drejtë ndërkombëtare. Kjo dispozitë e habiti shkrimtarin. Këta njerëz kontrollonin të gjitha botimet, të gjitha dorëshkrimet dhe krenoheshin me fuqinë e tyre në këtë fushë. Kur rishikonin shkrimet e tyre ata tregoheshin shumë ‘vigjilentë’ dhe përpiqeshin që asgjë të mos i shpëtonte syrit të tyre. Megjithatë ata silleshin sikur shkëmbenin fjalë të mira midis shokësh të mirë, sikur papritur Shqipëria adoptonte ligje ekzotike nga Zvicra, apoFranca, apo nuk e di se nga ç’ demokraci tjetër”. (Ismail Kadare & Denis Fernandez Recatala, “Katër përkthyesit”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 181-182)

Nga ato që thotë Kadare në librin e sipërpërmendur, të shkruar së bashku me Denis Fernandez Recatala, kuptohet se Enver Hoxha e konsideronte romanin e Kadaresë “Dimri i Vetmisë së Madhe”, si një libër që do të perceptohej nga sovjetikët si versioni zyrtar që po jepte Enver Hoxha për atë që kishte ndodhur në vitet 1960-61 mes sovjetikëve dhe shqiptarëve. Sipas këtyre që thotë Kadare, liderët sovjetikë mund ta padisnin Enver Hoxhën në gjyqin ndërkombëtar, duke e akuzuar mbi bazën e romanit të Ismail Kadaresë! Një gjë shumë kërshërore del e sigurt nga fragmenti i mësipërm. Edhe Kadare ishte i vetëdijshëm se romani i tij do të perceptohej si versioni zyrtar i regjimit të Enver Hoxhës për një ngjarje për të cilën ende qenë zbuluar shumë pak dokumente, si nga Moska, ashtu dhe nga Tirana.

Por këto që thotë Kadare mbi detyrimet që lindnin nga ligjet ndërkombëtare, janë krejt të pabesueshme. Mbledhja e Moskës e vitit 1960, për të cilën bëhet fjalë këtu, nuk ishte një mbledhje e institucioneve ndërkombëtare rregullat e së cilës përcaktoheshin nga ligjet ndërkombëtare të vendosura me marrëveshje të arritura ndërmjet shteteteve, ose me traktate ndërkombëtare të nënshkruara prej tyre. Mbledhja e Moskës e vitit 1960 ishte një forum i komunizmit ndërkombëtar, ku pjesëmarrës nuk qenë shtetet por 81 parti komuniste dhe të ashtuquajtura punëtore. Rregullat e kësaj mbledhjeje nuk qenë ligjet ndërkombëtare, por postulatet e Marksit, Engelsit dhe Leninit. Pjesëmarrësit nuk qenë në një mendje për të katërtin në radhë, Stalinin.

Të gjithë personat pjesëmarrës në Mbledhjen e Moskës, të cilët citoheshin në ato dokumente që Kadare do të citonte në roman, qenë shpallur me kohë armiq nga Enver Hoxha, kështu që ky i fundit nuk kishte arsye përse të shqetësohej për reagimin e tyre. Enver Hoxha ishte sharë ndërsjelltas me Hrushovin dhe liderët e tjerë sovjetikë, si dhe ata të vendeve të tjera komuniste, apo edhe të partive komuniste të pjesës tjetër të botës, të cilët përmendeshin në romanin e Kadaresë. Këta njerëz nuk mund ta padisnin Enver Hoxhën në një gjykatë ndërkombëtare, për arsye se mbledhjet e komunizmit ndërkombëtar nuk qenë subjekt i ligjit ndërkombëtar. Këto qenë çështje ideologjike që zgjidheshin brenda sferës së komunizmit ndërkombëtar.

Por pjesëmarrësit në Mbledhjen e Moskës në 1960, kishin bërë një pakt mes tyre, sipas të cilit, aktet e mbledhjes, fjalimet dhe transkriptet e bisedimeve do të klasifikoheshin si sekrete dhe nuk do të publikoheshin për një periudhë të caktuar. Për fjalimet u vendos që të mbaheshin sekret për dhjetë vjet. Për transkriptet e bisedimeve u vendos që të mbaheshin sekret për 15 vjet. Që ka ndodhur kështu, kuptohet nga ajo që thuhet në broshurën e Enver Hoxhës “Fjala e mbajtur në emër të KQ të PPSH në mbledhjen e 81 partive komuniste dhe punëtore në Moskë në nëntor 1960”, të botuar në 1970, ku jepet ky sqarim që në fillim: “Fjala e mbajtur nga shoku Enver Hoxha në Mbledhjen e 81 partive komuniste dhe punëtore në nëntor 1960 është botuar për herë të parë në vëllimin III të Dokumentave Kryesore të PPSH, që u vu në qarkullim në qershor të vitit 1970… Ky fjalim në atë kohë nuk u botua sepse PPSH nuk donte të bëhej shkaktare që mosmarrëveshjet të dilnin jashtë lëvizjes komuniste ndërkombëtare”.(citohet sipas broshurës: Enver Hoxha: “Fjala e mbajtur në emër të KQ të PPSH në mbledhjen e 81 partive komuniste dhe punëtore në Moskë në nëntor 1960”, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, Tiranë 1970, f. 5-6)

A nuk ngjan kjo është tepër e çuditshme? Duke filluar që nga një vit pas mbledhjes së Moskës, në 1961, të dy palët do të shaheshin në mënyrën më të ashpër, e megjithatë Enver Hoxha nuk e publikoi fjalimin e tij të mbajtur në Moskë! Merret vesh, ka pasur një pakt, të cilin Enver Hoxha qe i detyruar që ta respektonte, për shkak të Kinës, e cila ishte mbështetësja kryesore me ndihma ekonomike e Shqipërisë në atë kohë. Enver Hoxha bëri vetëm një thyerje kuptimplotë të paktit. Ai e publikoi fjalimin e vet të mbajtur në Moskë, në qershor 1970 dhe jo në nëntor, siç duhej të bënte sipas paktit. Pra, Enver Hoxha e publikoi fjalimin e vet në përvjetorin e Mbledhjes së Bukureshtit, e cila ishte mbajtur në qershor 1960, dhe ku Enver Hoxha kishte munguar (ai pati dërguar si përfaqësues Hysni Kapon), në pritje për të parë se si do të shkonin gjërat mes sovjetikëve dhe kinezëve. Pra, Enver Hoxha i dha vetes një satisfaksion! Transkriptet e bisedimeve të Moskës të nëntorit 1960, mes Enver Hoxhës dhe Hrushovit, si dhe në përgjithësi mes delegacioneve të dy partive, asaj shqiptare dhe sovjetike, u publikuan vetëm në 1975, në vëllimin 19 të Veprave të Enver Hoxhës, i cili doli në qarkullim duke u kapërcyer radha në serinë e veprave të Hoxhës, ashtu që doli i treti në radhë, pas vëllimit të parë dhe atij të dytë. Enver Hoxha nuk respektoi radhën në serinë e veprave të tij, por respektoi afatin e vendosur në paktin e arritur në Moskë, për publikimin e dokumenteve të Mbledhjes së nëntorit 1960!

Nga kjo pikëpamje duket më e sigurt që Enver Hoxha ta ketë kërkuar dorëshkrimin e romanit të Kadaresë në 1975, kur u publikua vëllimi 19 i serisë së Veprave të tij, dhe jo në 1972. Dorëshkrimin e romanit të Kadaresë Enver Hoxha e ka kërkuar se sovjetikët do të pyesnin se përse bisedimet mes Enver Hoxhës dhe Hrushovit, që paraqitej në mënyrë korrekte në vëllimin 19 të Enver Hoxhës, qenë tjetërsuar në romanin e Kadaresë, që supozohej të respektonte transkriptin, siç pretendon vetë Kadare. Ismail Kadare në librin tjetër të tij, të shkruar bashkë me Denis Fer­nandez Recatala, me titull “Kohë barbare”,  thotë se ai (Kadare) bëri kërkime në dokumente që t’i pasqyronte ngjarjet sa më saktë: “Afërmendsh që për të shkruar ‘Dimrin e vetmisë së madhe’ kisha nevojë për dokumentacion lidhur me mbledhjen ndërkombëtare të partive komuniste që u mbajt në Moskë e në mbyllje të së cilës ndodhi ndarja e Shqi­përisë me Bashkimin Sovjetik. Duhet t’i pasqyroja ngjarjet sa më besnikërisht nëpërmjet dokumentave që mbaheshin sekret. Kështu formulova një kërkesë zyrtare e cila më dha mundësinë të shqyrtoj dosjet historike: ‘Më duhet të shikoj këto doku­mente. A është e mundur?’ Por për t’i parë ato më ‘dërguan’ të takoj drejtoreshën e arkivave, e cila ishte dora vetë e shoqja e Enver Hoxhës. Më dhanë autorizim. Gjatë disa orëve munda të shqyrtoj këto dosje tronditëse. Në romanin tim e kam për­shkruar këtë histori shumë të bukur, dramatike e tërheqëse. Para se të më jepej leja, zonja Hoxha më ftoi një mbrëmje në shtë­pinë e saj për t’u fjalosur e, ndërkohë që po bisedonim, Enver Hoxha hyri kështu si rastësisht”.(Ismail Kadare, Denis Fernandez Recatala: “Kohë barbare”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë, 2005, f. 49)

Por, megjithatë Kadare i ndryshoi dokumentet, pra transkriptet e bisedimeve Enver Hoxha-Hrushov, në romanin e tij, dhe kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Në romanin e vet “Dimri i vetmisë së madhe” (1973), Kadare e sjell kështu dialogun e mësipërm Enver Hoxha-Hrushov për bazën e Vlorës:

“Gjatë kohës që proverbi u përkthye në dy-tri variante, krejtë­sisht të pangjashme me njëri-tjetrin, dikush për­mendi grindjet në bazën e Vlorës.

– Në qoftë se baza sjell grindje, ta heqim, – tha Hrushovi.

– Si të doni, – tha Enver Hoxha. – Qënia e Pasha Limanit do të thotë që në rast lufte, të digjet më parë Vlora se Sevastopoli.

– Ç’është ky Pasha Liman? – tha Hrushovi.

– Kështu quhet ndryshe baza, – i shpjegoi me zë të ulët Miko­jani.

– Hm, – ia bëri Hrushovi. – Ç’emër i tmerrshëm. Po të doni ne mund t’i heqim nëndetëset, – tha ai. – Ato janë tonat.

– Baza është e përbashkët, – tha Enver Hoxha”. (Ismail Kadare: “Dimri i vetmisë së madhe”, “Naim Frashëri”, Tiranë, 1973, f. 148)

Sipas transkriptit të bisedës midis Enver Hoxhës dhe Hrushovit që u bë në Moskë, në 12 nëntor 1960 (në kohën kur mbahej Mbledhja e Moskës e 81 partive komuniste) dhe që u botua tek volumi 19 i veprave të Enver Hoxhës është bërë ky dialog midis këtij të fundit dhe Hrushovit:

“SHOKU ENVER HOXHA: Lidhur me çështjen e ushta­rakëve, ne u kemi folur shokëve tuaj. Ç’interes kemi ne që ushtarakët tanë të grinden në bazën e Vlorës! Kurse ju nxirrni dokumente se një shoku ynë paska thënë kështu e ashtu. Shiko­jini mirë ushtarakët tuaj. Unë i thashë Mikojanit se kundëradmi­rali juaj në bazën ushtarake në Vlorë nuk është kundëradmiral.

N. S. HRUSHOVI: Në qoftë se doni mund ta heqim bazën.

SHOKU ENVER HOXHA: Atëhere del e vërtetë ajo që kanë thënë Malinovski dhe Greçko. Mos doni të na kërcënoni? Po të dëgjojë populli sovjetik se ju kërkoni të hiqni bazën nga Vlora, kur ajo shërben për mbrojtjen e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera socialiste të Evropës këtë nuk do t’jua falë.

N. S. HRUSHOVI: Shoku Enver, mos e ngrini zërin!

SHOKU ENVER HOXHA: Nëse do të hiqni bazën, do të bëni një gabim të madh. Ne kemi luftuar edhe pa bukë e të zbathur, por asnjëherë nuk i jemi përkulur askujt”. (Enver Hoxha: VEPRA, vol. 19, Instituti i Studimeve Marksiste-Lenini­ste, Tiranë, 1975, f. 379)

Ndryshimi i fjalëve të bisedës është evident. Kështu, është e qartë se Enver Hoxha, në bisedën autentike me Hrushovin, nuk e ka shprehur preo­kupimin se ekzistenca e bazës së Vlorës do të bëjë që në rast lufte Vlora të digjet para Sevastopolit, çka ia atribuon Kadare. Pra, ka gjëra që janë thënë dhe Kadare nuk i ka përmendur, si dhe gjëra që nuk janë thënë dhe që Kadare ua ka atribuar folësve. Në versionin e bisedës të dhënë nga Kadare Enver Hoxha nuk indinjohet nga deklarata e Hrushovit për heqjen e bazës së Vlorës. Në versio­nin e bisedës të dhënë nga Kadare para së gjithash të bën për­shtypje fjalia e thënë nga Enver Hoxha “Qënia e Pasha Limanit do të thotë që në rast lufte, të digjet më parë Vlora se Seva­stopoli”. Kuptohet që fjala është në rastin e luftës midis NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, respektivisht midis SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik. Sevastopoli atëhere qe baza kryesore ushta­rako-detare sovjetike në Detin e zi ku qe stacionuar flota detare sovjetike që në rast lufte duhej të bënte veprime në Mesdhe.

Ajo që ka ndodhur është se Ismail Kadare nuk e ka ndryshuar tekstin e bisedave të Enver Hoxhës, sipas vullnetit të vet, por sipas dëshirës së Enver Hoxhës. Në romanin e Kadaresë, Enver Hoxha i flet Hrushovit në Moskë, ashtu siç i konvenonte Enver Hoxhës në 1973, kur u botua romani, që t’ i kishte folur Hrushovit në Moskë, në 1960. Enver Hoxha, në romanin e Kadaresë, kërkon të tjetërsojë dhe një thënie të tij, e cila shkaktoi tronditje të thellë kur u mësua në Shqipëri, në 1957. Kur ministri sovjetik i mbrojtjes, mareshali Zhukov vizitoi Shqipërinë, në tetor 1957, Enver Hoxha, në një mbledhje të Byrosë Politike, të mbajtur në 24 tetor 1957, u shpreh për shndë­rrimin e Pasha Limanit në një bazë të përbashkët ushta­rako-detare shqiptaro-sovjetike të pajisur me luftanije moderne. Në këtë mbledhje Enver Hoxha u shpreh se në prill të po atij viti, kur ai gjendej për vizitë në Moskë, Hrushovi i pati thënë: “Shqi­përia është një bazë me rëndësi të madhe strategjike për mbrojtjen e kampit tonë”.(Arkivi Qendror i Shtetiti Arkivi i PPSH, fondi 14, lista 1, dosja 20)

Në vazhdim të fjalës së vet, Enver Hoxha e argumentoi këtë rëndësi strategjike të bazës dhe nevojën për ndërtimin e saj, me fjalët që i kishte thënë një natë më parë mareshali Zhukov, në Tiranë: “për flotën sovjetike të Detit të Zi një pengesë e madhe janë Dardanelet, Bosfori, dhe ishujt e shumtë të Greqisë”. (Po aty)

Enver Hoxha e potencoi argumentin me një dëshmi të mini­strit të atëhershëm shqiptar të mbrojtjes, Beqir Balluku: “Edhe Beqiri ka dëgjuar që Zhukovi u ka thënë oficerëve të tij: Përse i mbani nëndetëset në bregun e Detit të Zi? Ne duhet të arrijmë që ta asgjësojmë flotën e 6-të amerikane që nga bazat e Shqi­përisë”. (Po aty)

Është e qartë se sovjetikët qenë të interesuar për bazën, por ata donin që kërkesa të paraqitej nga pala shqiptare. Dhe Enver Hoxha u tha anëtarëve të Byrosë Politike: “T’i dalim punës përpara, të marrim iniciativën dhe t’i themi Zhukovit se ne nuk kërkojmë të na japin aq e kaq (luftanije, armatim – K. M.) por që mbrojtja e vendit tonë të konsiderohet si mbrojtje e çdo pike të Bashkimit Sovjetik. Në rast se Sevastopoli është qendër e rëndësishme ushtarake për Bashkimin Sovjetik, ne mendojmë që Vlora të bëhet një kështjellë përpara Sevastopolit për të shka­tërruar tentativat dhe flotën e armikut, që në asnjë mënyrë të mos hyjë në Detin e Zi… Ne nuk na rëndohet ekonomia dhe nga ana tjetër Bashkimit Sovjetik do t’i vijë shumë mirë për një kërkesë të tillë”.( Po aty)

Pra, Enver Hoxha, për t’u treguar një lake i bindur i rusëve, që këta ta mbanin në pushtet në Tiranë ofronte që, në rast lufte midis Traktatit të Varshavës dhe NATO-s, Vlora dhe, pas të gjitha gjasave dhe krejt Shqipëria, të shndërroheshin në mburojë për Sevastopolin, portin kryesor ushtarak sovjetik në Detin e Zi, si dhe për pjesën jugperëndimore të Bashkimit Sovjetik, duke ofruar që territori sovjetik të mbrohej edhe me çmimin që të digjej Vlora dhe krejt Shqipëria. Me këtë, Enver Hoxha e vinte Vlorën dhe krejt Shqipërinë, në rast të një lufte midis Traktatit të Varshavës dhe NATO-s, para rrezikut të asgjësimit total, pasi këtu forcat e NATO-s do të detyroheshin që të përqendronin goditjen e parë për të eliminuar grupimin ushtarak rus në prapavijën e tyre. Fjalët e Enver Hoxhës për djegien e Vlorës dhe të Sevasto­polit, në rast lufte midis NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, fjalë të cilat nuk janë thënë në bisedën e Enver Hoxhës me Hrushovin në Moskë, në nëntor 1960, janë shtuar në romanin e Kadaresë për të zhdukur jehonën e fjalëve që Enver Hoxha pati thënë në mbledhjen e Byrosë Politike në Tiranë, në tetor 1957 dhe që natyrisht se dolën jashtë asaj salle, në formë thashe­the­mesh dhe u mësuan nga shqiptarët, duke i tronditur thellë ata. Kur u prish Shqipëria me Bashkimin Sovjetik, për të tjetërsuar këtë krim të Enver Hoxhës kundër Vlorës dhe krejt Shqipërisë, u tjetërsuan fjalët e tij në bisedën me Hrushovin, në librin e Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe” (“Dimri i madh”). Pra, fjalët që Enver Hoxha ka thënë në mbledhjen e Byrosë Politike, në Tiranë, në 1957, projektohen nga Kadare në bisedimet e Enver Hoxhës me Hrushovin, në Moskë, në 1960! Me të vërtetë mjeshtër i rrallë ky Kadare!

Këtu nuk mund të mos bëhet një pyetje. Nëse Kadaresë iu dhanë për të përdorur vetëm dyzet faqe nga transkriptet e bisedimeve sekrete të nëntorit 1960 në Moskë, si dhe aktet e prishjes së marrëdhënieve diplomatike të vitit 1961, si u njoh ai me transkriptin sekret të mbledhjes së Byrosë Politike në 1957? Merret vesh, Kadare, nuk e thotë të gjithë të vërtetën. Gjëja tjetër që të bën përshtypje është se edhe pas botimit të veprës 19 të Enver Hoxhës, ku u publikuan bisedat e Enver Hoxhës me Hrushovin, duke u njohur të gjithë me to, askush nuk e kritikoi Kadarenë për tjetërsimin e fjalëve të Enver Hoxhës. Për këtë çështje nuk shkoi asnjë letër në Komitetin Qendror të PPSH, siç kishte ndodhur kur u botua romani “Dimri i Vetmisë së Madhe”. Askush nuk reagoi madje as kur Kadare e përsëriti versionin e tjetërsuar të bisedës Enver Hoxha-Hrushov edhe në botimin e dytë të ripunuar të romanit, me titullin “Dimri i Madh”, në 1977. Në fillim të romanit “Dimri i madh” Ismail Kadare ka vënë këtë shënim:

“Botimi i vëllimit të 19-të të Veprave të shokut Enver Hoxha, me jehonën e madhe brënda dhe jashtë vendit, ishte një ndihmë tepër e madhe për pasurimin e mëtejshëm të romanit, si edhe për konceptimin e plotë të ngjarjes monumentale, që tashmë ka hyrë në histori”. (Ismail Kadare: “Dimri i madh”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1977, f. 3)

Ky shënim është hipokrit, se Kadare, siç citova më lart, tashmë i pati pasur në dispozicion transkriptet e bisedave të bëra në mbledhjen e Moskës, e megjithatë ai e pati shtrembë­ruar bisedën Hrushov-Hoxha. E megjithatë, dialogu i cituar më lart, midis Enver Hoxhës dhe Hrushovit u dha sipas versionit të parë të dhënë në romanin “Dimri i vetmisë së madhe”. (Shih: Ismail Kadare, “Dimri i madh”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1977, f. 174)

      Volumi 19 i veprave të Enver Hoxhës u botua në 1975, ndërsa romani “Dimri i madh”, versioni i ripunuar i “Dimrit të vetmisë së madhe” u botua dy vjet më pas, në 1977. Tashmë që qe botuar volumi 19 i Veprave të Enver Hoxhës cilido në Shqipëri mund të zbulonte shtrembërimin e bërë nga Ismail Kadare dhe të pyeste me vete se si ka mundësi që Kadare nuk iu përmbajt bisedave të paraqitura tek volumi 19 i veprave të Enver Hoxhës. Si guxoi që ta bënte këtë gjë? Për këtë ka veç një shpjegim, që Kadare e bëri këtë gjë me porosinë e Enver Hoxhës. Pse? Sepse në romanin e vet Kadare i paraqet ngjarjet jo ashtu siç ato ndodhën, por ashtu sikur do të donin Enver Hoxha dhe regjimi komunist shqiptar që të dukej se kishin ndodhur, pra se qe Enver Hoxha ai që i dëboi sovjetikët nga Vlora.

      Dorëshkrimi i romanit të Kadaresë mund t’ i duhej Enver Hoxhës në bisedimet që përfaqësuesit e tij do të kishin me sovjetikët për çështjen e respektimit ose jo të paktit të bërë në 1960. Natyrisht se Bashkimi Sovjetik nuk do të fajësonte aq Enver Hoxhën, sa ç’ do të fajësonte Kinën për veprimet e Enver Hoxhës, se këtë të fundit e quante një vasal të Mo Ce Dunit. Në kursin në të cilën kishin hyrë marrëdhëniet shqiptaro-kineze që pas vizitës së Presidentit amerikan Nixon në Pekin, në 1972, nuk ishte çudi që Kina ta përdorte këtë incident të shkaktuar me sovjetikët, nga romani i Kadaresë, për të zvogëluar ndihmat ekonomike për Shqipërinë. Prandaj Enver Hoxhës, në 1975, i duhej dorëshkrimi i romanit të Kadaresë, për ta përdorur në çdo rast. Enver Hoxha do të thoshte se tjetërsimin e bisedave të tij me Hrushovin e kishte bërë Kadare (ja dhe prova, dorëshkrimi) dhe se për këtë gjë romani ishte nxjerrë nga qarkullimi disi me takt. Meqënëse kur u ribotua romani në 1977, ndihma ekonomike kineze për Shqipërinë ishte duke shkuar drejt zeros, Enver Hoxha nuk kishte arsye që të shqetësohej më për qëndrimin kinez për shkeljen e paktit të bërë në Moskë, në 1960. Kështu që fjalët u ribotuan pikë për pikë siç qenë në versionin e parë të romanit. Dorëshkrimi i mbeti Enver Hoxhës, që të luhej komedia e gjyqit 40 vjet më pas.