Kastriot MYFTARAJ/Analizë e listave të kandidatëve të PD dhe PS

1062
Sigal

PD dhe PS, ose më saktë Berisha dhe Rama, kanë zgjedhur që në disa qarqe të vendosin në krye të listave njerëz të cilët janë të lidhur me qarkun nga pikëpamja e origjinës familjare, në linjë atërore

Një nga gjërat që të bën përshtypje në listat e kandidatëve për deputetë të dy partive të mëdha është se PD dhe PS, ose më saktë Berisha dhe Rama, kanë zgjedhur që në disa nga qarqet të vendosin në krye të listave njerëz të cilët janë të lidhur me qarkun nga pikëpamja e origjinës familjare, në linjë atërore (që është dhe koncepti tradicional i origjinës familjare në shoqërinë shqiptare), ose amësore. Natyrisht se Qarku i Tiranës, pjesa më e madhe e popullsisë të së cilit i përket kryeqytetit të vendit, përjashtohet nga një analizë e tillë për shkak se kryeqyteti është shumë heterogjen dhe pjesa më e madhe e popullsisë së tij është e ardhur pas vitit 1990- në këtë vit kryeqyteti kishte vetëm 250 mijë banorë. Por edhe para këtij viti pjesa e popullsisë autoktone ishte e vogël në krahasim me popullsinë e përgjithshme të qytetit të Tiranës.

Partia Demokratike, në shtatë nga dymbëdhjetë qarqet, ka vënë në krye të listave të kandidatëve persona, të cilët e kanë origjinën familjare nga qarku, në linjë atërore. Në Qarkun e Dibrës listës së PD i prin Sherefedin Shehu, i lindur në fshatin Vleshë të Dibrës. Në Qarkun e Fierit listës së PD i prin Sokol Olldashi, me origjinë nga fshati Sinjë i Mallakastrës. Në Qarkun e Gjirokastrës listës së PD i prin Genc Ruli me origjinë nga Libohova. Në Qarkun e Korçës listës së kandidatëve i prin Ridvan Bode, i lindur në fshatin Rakickë të Devollit. Në Qarkun e Shkodrës listës së PD i prin Jozefina Topalli e lindur në qytetin e Shkodrës. Në Qarkun e Kukësit listës së PD i prin Flamur Noka, i lindur në fshatin Novosej të Lumës. Në Qarkun e Vlorës listës së PD i prin Astrit Patozi. I ati i Astritit, Hiqmeti ka lindur në vitin 1934 në Lushnjë nga një familje me origjinë të afërt nga fshati Çermë Proshkë i Lushnjës, familja e të cilit ishte larguar nga Vlora.

Partia Socialiste ka vënë në krye të listave të kandidatëve persona, të cilët e kanë origjinën familjare nga qarku, në linjë atërore, në pesë nga dymbëdhjetë qarqet. Në Qarkun e Beratit listës së PS i prin Fidel Ylli, në Qarkun e Dibrës Shkëlqim Cani, në Qarkun e Gjirokastrës Arben Ahmetaj, në Qarkun e Kukësit Vexhi Muçmataj, në Qarkun e Shkodrës Mimoza Hafizi. Në një nga qarqet, në atë të Elbasanit, PS ka vënë në krye të listës një kandidat që ka lidhje me qarkun në linjë amësore, Ben Blushin.

Kështu del se për PD-në, Dibra, Fieri, Gjirokastra, Korça, Kukësi, Shkodra dhe eventualisht Vlora, janë qarqet ku duhet bërë një politikë elektorale, si të thuash tribale. Tre nga këto qarqe janë në Shqipërinë e Veriut, tre në Shqipërinë e Jugut. Ndërsa për PS-në të tillë janë qarqet: Berat, Dibër, Gjirokastër, Kukës, Shkodër, dhe disi Elbasani. Nga qarqet ku nga PS është ndjekur përfaqësimi me bazë origjine në linjë atërore tre janë në Shqipërinë e Veriut (Dibër, Kukës, Shkodër), dy në Shqipërinë e Jugut (Berat, Gjirokastër). Qarku i Elbasanit, në Shqipërinë Qendrore, ku popullsia  autoktone toske dhe gege janë të ndara thuajse në mënyrë të barabartë, është gjykuar si i denjë vetëm për të pasur në krye të listës një kandidat të lidhur me të në linjë amësore.

Nuk mund të mos të të bëjë përshtypje fakti se për katër nga qarqet, të Dibrës, Gjirokastrës, Kukësit dhe Shkodrës, të dy partitë e mëdha kanë të njëjtin mendim, pra se duhet të kenë në krye të listës emra që e kanë origjinën në linjë atërore nga qarku!!! Nuk kuptohet se përse PD i konsideron Beratin, Lezhën, Elbasanin, Durrësin, si qarqe ku nuk është e nevojshme që të ndiqet një praktikë e ngjashme me atë në qarqet e tjera. Gjithashtu nuk kuptohet se përse PS i konsideron Korçën, Fierin, Lezhën, Durrësin si qarqe ku nuk duhet të ndiqet një praktikë e ngjashme me atë në qarqet e tjera. A thua se dy partitë e mëdha paskan bërë analiza sipas të cilave u ka dalë se banorët e disa qarqeve qenkan më shumë “tribalë” se ata të disa qarqeve të tjera!

Një shqyrtim më i thellë i listave nga pikëpamja e origjinës së kandidatëve zbulon detaje të tjera interesante. Le t’i marrim qarqet me radhë sipas rendit alfabetik: Në Qarkun e Beratit, ku PD herën e parë mori tre nga tetë mandatet që ka ky qark, edhe këtë herë si në zgjedhjet e kaluara, Berisha ka vendosur që në krye të listës së PD të jetë një emër që nuk ka lidhje me qarkun, Genc Pollo. Kjo në një kohë që PS ka ndryshuar taktikë në këtë qark, duke larguar nga vendi i parë i listës Erion Braçen me origjinë nga fshati Lozhan i Korçës, i cili nuk kishte lidhje me qarkun dhe duke nxjerrë të parin në listë Fidel Yllin me origjinë nga Skrapari, i cili në zgjedhjet e kaluara ishte i treti në listë. Pollo vetë duhet të kishte kërkuar që të largohej nga ky qark, duke u zhvendosur emri i tij në listën e Tiranës ndoshta, se prania e tij në krye të listës në Qarkun e Beratit qartësisht nuk është produktive për PD-në. Në rastin e PS-së, vendosja në vende të sigurta në listë e emrave të njerëzve që nuk kanë lidhje origjine me këtë qartë, si Eduard Shalësi dhe Artan Lame, sjell vënien në rrezik të votave të shumta që PS mori në zgjedhjet e kaluara në këtë qark.

Në Qarkun e Dibrës ku PD në zgjedhjet e kaluara ka fituar katër nga gjashtë mandatet, tre emrat e parë në listën e PD-së u përkasin njerëzve që kanë lindur në këtë qark. Listën e PD-së e udhëheq Sherefedin Shehu i lindur në fshatin Vleshë të Dibrës. I katërti në listë është një kuksian, Ekrem Spahia, kryetar i Partisë aleate Lëvizja e Legalitetit, e cila në zgjedhjet e vitit 2009 mori në Qarkun e Dibrës 3.13% të votave. Pra emri i Spahisë në listën e PD-së më tepër se ka rregulluar punë, ka prishur raportet mes tre rretheve që përbëjnë qarkun: Dibrës, Matit dhe Bulqizës. Normalisht, në katër emrat e parë të listës, dy duhet të ishin nga rrethi i Dibrës, por për shkak të futjes së Spahisë, vetëm një emër është nga rrethi i Dibrës në katër të parët, Sherefedin Shehu. Emri i dytë në listë është matjani Bedri Hoxha dhe i treti Roland Keta, nga Bulqiza.

Në listën e PS-së për Qarkun e Dibrës dy emrat e parë në listë (PS ka fituar dy mandate në këtë qark në zgjedhjet e kaluara) i përkasin rrethit të Dibrës: Shkëlqim Cani dhe Ulsi Manja (nga fshati Dohoçisht). Ndërsa në zgjedhjet e kaluara, emri i dytë në listën e PS-së ishte një matjan, Qemal Minxhozi, këtë herë matjani Hasan Ceni (nga fshati Derjan) është vetëm i treti në listë.

Në Qarkun e Durrësit, ku PD në zgjedhjet e kaluara ka marrë shtatë nga trembëdhjetë mandatet që ka ky qark, në krye të listës është Eduard Halimi, i cili ka lindur në fshatin Vreshtas (ish-Nizhavec) të Korçës. Dy emrat e tjerë në listë pas tij u përkasin dy njerëzve me origjinë nga shqiptarët e Kosovës të ardhur në Shqipëri në periudhën mes dy luftërave botërore: Igli Cara dhe Albana Vokshi. Por, derisa Igli Cara mund të quhet si banor autokton i Durrësit për shkak se i ati i tij ka lindur në fshatin Rromanat të Durrësit, Albana Vokshi ka lindur në Tiranë. Është e vërtetë se në Qarkun e Durrësit ka një popullsi me origjinë kosovare, që meriton përfaqësimin në Kuvend, por ajo nuk është në numër aq të shumtë sa të përfaqësohet me dy deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Aq më tepër kur Kruja, një pjesë e rëndësishme e këtij qarku, përfaqësohet nga vetëm një kandidat në një vend jo dhe aq të sigurt, të shtatin. Vullnet Topalli, i cili ka lindur në fshatin Tapizë të Krujës është i shtati në listën e PD-së dhe rrezikon shumë që të hyjë në Kuvend. I katërti në listën e PD-së, pra në vend të sigurt, është një tjetër njeri që nuk ka lidhje me Durrësin, Gent Strazimiri, i lindur në Tiranë në një familje me origjinë dibrane nga i ati dhe vjeneze nga nëna. (Nëna e tij Ana- Liza ka lindur në Vjenë, në 1939).

Edhe PS, ashtu si PD në Qarkun e Durrësit ka vendosur në krye të listës një “të huaj” Blendi Klosin, që ka lindur në Tiranë në një familje nga e cila prej të atit e ka origjinën nga Mallakastra dhe prej nënës nga Libohova. Nga pesë emrat e parë të listës së PS, që mund të quhen të sigurt sipas rezultatit të zgjedhjeve të kaluara, tre nuk kanë lidhje me qarkun. Emri i tretë në listë, Ilir Beqaj, është me origjinë shkodrane nga i ati dhe vlonjate nga nëna. Emri i katërt në listë, Namik Dokle ka lindur në Durrës, por kjo lidhje e tij me Durrësin është rezultat i rrethanave që nuk ushqejnë krenarinë e një të majti antifashist. Emri i pestë në listë, Gentian Bejko ka lindur në Lezhë dhe është me origjinë nga Sevrani i Përmetit. Nga pesë të parët e listës së PS, ajo që ka lidhje me qarkun është një kandidate me origjinë nga Kruja: Klodiana Spahiu.

Në Qarkun e Elbasanit, ku PD arriti një rezultat të mirë në zgjedhjet e kaluara duke marrë gjysmën e katërmbëdhjetë mandateve, me një kandidat autokton në krye të listës, këtë herë ka rrezikuar duke vënë në krye të listës një emër që nuk ka asnjë lidhje me Elbasanin. Arben Imami ka origjinë vlonjate nga i ati dhe shkodrane nga nëna. Por, gjashtë emrat që vijnë pas tij dhe që konsiderohen nga PD si të sigurt, duke pasur parasysh rezultatin e zgjedhjeve të kaluara, kanë lidhje me qarkun. Numri 2 në listën e PD-së për Qarkun e Elbasanit, Eduard Selami i cili nga i ati është me origjinë nga fshati Pëllumbas i Beratit, ka lidhje me qarkun nga nëna e tij, e cila ka lindur në fshatin Beisore të Elbasanit. Katër emrat që pasojnë: Ardian Turku, Luçiano Boçi, Dashnor Sula dhe Arbjola Halimi janë të gjithë të lindur në qarkun e Elbasanit në familje autoktone. Në listën e PD-së të këtij qarku të bie në sy zhvendosja në listë e një “të huaji” që është deputeti i legjislaturës së fundit Aurel Bylykbashi, me origjinë nga Korça, i lindur në Fier, i cili është i shtati në listë pas Arbjola Halimit, e cila është me origjinë nga fshati Shalës i Elbasanit.

Në Qarkun e Elbasanit numri një i listës së PS-së, Ben Blushi ka lidhje në linjë amësore me qarkun, se nëna e tij është vajza e Dhimitër Shuteriqit. Edhe numri dy i listës së PS-së për këtë qark, Damian Gjiknuri, i cili në linjë atërore është himariot, ka lidhje amësore me qarkun, se nëna e tij ka lindur në fshatin Shelcan të Elbasanit. Ajo që të bën përshtypje në listën e PS-së në këtë qark është se të tre emrat e parë të listës janë të krishterë ortodoksë. Emri i tretë në listë është Evis Caku (mbiemri nga burri “Kushi”), e krishterë ortodokse nga babai dhe nëna (kjo e fundit nga fshati Poro i Vlorës). Duke qenë se i krishterë orotodoks është edhe emri i shtatë në listë (Arben Vasil Kamami), atëherë del se nga shtatë emrat e sigurt në listë, katër, pra shumica janë të krishterë ortodoksë. Kur kjo gjë ndodh në një qark ku popullsia e krishterë ortodokse nuk përbën më shumë se 10% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së qarkut, rrezikon të ketë një kosto elektorale. Lista e PS për këtë qark nuk duket e mirëmenduar, kur shikon se emri i gjashtë në listë, Musa Ulqini, që do të kishte pasur më tepër vlerë në Qarkun e Shkodrës, gjendet në këtë qark, me të cilin e lidh vetëm emri i gruas. Tek të dy partitë e mëdha, në shtatë emrat e parë të listës mungon një emër nga Gramshi, çka duket të jetë një neglizhencë më e madhe nga ana e PS-së, e cila ka marrë tradicionalisht pjesën më të madhe të votave të këtij rrethi.

Në Qarkun e Fierit ku PD në zgjedhjet e kaluara ka fituar gjashtë nga gjashtëmbëdhjetë mandatet, dhe ku ka rrezik evident që të humbë një mandat në këto zgjedhje, nuk u hoqën nga vendet e sigurta në listë të gjithë emrat që nuk kishin lidhje me qarkun. Kështu, PD hoqi nga lista emrin e Fatos Bejës, por jo edhe atë të Mesila Dodës. Rezultatin e pakënaqshëm të PD-së në Qarkun e Fierit nuk mund ta përmirësojë prania në vendin e dytë në listë e kuksianes Mesila Doda. Ndoshta më logjike do të kishte qenë që në vend të saj të ishte një emër nga popullsia e madhe kosovare e këtij qarku, e cila gjendet në Fier dhe në Lushnjë dhe që në pjesën më të madhe ka votuar për PD-në. Aq më tepër që në gjashtë emrat e parë të listës, që PD i presupozon fitues, mungon një emër i tillë. I katërti në listë, kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, mendohet se do të mbledhë votat e bashkësisë çame të Fierit. Rëndësia e faktit që listën e PD-së për këtë qark e udhëheq një nga figurat kryesore të PD-së, mund të zbehet për shkak se Sokol Olldashi është i krishterë ortodoks dhe pjesa më e madhe e votave të kësaj bashkësie ka shkuar për PS-në. Natyrisht se PD me këtë lëvizje kërkon të tërheqë më shumë vota nga kjo bashkësi, por numri i tyre në çdo rast nuk ka për të qenë aq i madh sa t’ia vlejë një eksperiment me kaq risk elektoral.

PS, siç duket e konsideron Qarkun e Fierit një bastion aq të sigurt saqë i ka lejuar vetes që të luajë me “zjarrin” në listën e këtij qarku. Dy emrat e parë në listë, Gramoz Ruçi dhe Erion Braçe nuk kanë lidhje me qarkun, duke qenë i pari nga Tepelena dhe i dyti nga Korça. Edhe i katërti në listë, Ilirian Celibashi nuk ka lidhje me qarkun, duke qenë se është me origjinë nga Skrapari. Në gjashtë emrat e parë të listës, tre nuk kanë lidhje origjine me Qarkun e Fierit dhe tre të tjerët që kanë (Eglantina Gjermeni, Armando Subashi dhe Arben Çuko) janë të krishterë ortodoksë. Edhe në listën e PS-së për Qarkun e Fierit nuk ka asnjë emër që t’ i përkasë popullsisë kosovare të këtij qarku.

Në Qarkun e Gjirokastrës ku PD ka marrë dy mandate nga pesë që ka qarku, dhe ku listën e PD-së e udhëheq Genc Ruli, me origjinë nga Libohova, një zonë e këtij qarku, Berisha ka zgjedhur, krejtësisht për arsye të politikës së jashtme (marrëdhëniet me Greqinë), që emri i dytë në listë të jetë një minoritar grek, Spiro Ksera, ndonëse kjo ka një kosto të dyfishtë elektorale për PD-në. Me këtë dua të them se, nga njëra anë Ksera nuk i sjell vota PD-së në zonën e minoritetit grek, se ajo voton për PS-në dhe PBDNJ-në, dhe në anën tjetër PD ka humbur mundësinë për të vënë të dytin në listë një emër nga dy rrethet e tjera të këtij qarku, Tepelena ose Përmeti, çka do të rriste prurjet elektorale për PD-në. Partia Socialiste, ndërsa ka vënë të parin në listën e saj një njeri me origjinë nga qyteti i Gjirokastrës, si Arben Ahmetaj, dy emrat e tjerë që është e sigurt se do të jenë fitues, nuk kanë lidhje me qarkun. I dyti në listë, Erion Veliaj, është me origjinë nga Berati. I treti në listë, Anastas Angjeli është minoritar grek me origjinë nga Saranda. Tepelena dhe Përmeti, dy rrethet e tjera të qarkut, nuk mund të mos pyesin se përse ata duhet të trajtohen ndryshe nga Gjirokastra.

Në Qarkun e Korçës, ku në zgjedhjet e kaluara PD ka marrë gjashtë nga dymbëdhjetë mandatet e këtij qarku, katër nga gjashtë emrat e parë të listës janë të njerëzve të lindur në këtë qark: Ridvan Bode, Eleina Qirici, Edmond Spaho, Gjergji Papa. I gjashti në listë, Fatbardh Kadilli është me origjinë nga ky qark (Starova e Pogradecit ku ka lindur i ati). I katërti në listë, Fatmir Mediu nuk ka lidhje me Qarkun e Korçës, duke qenë se i ati i tij ka lindur në Okshtun të Durrësit, me mbiemrin Mehdihoxha, dhe në Durrës ka lindur edhe Fatmiri, por që më pas ka banuar në Fier. Fakti që emri i Fatmir Mediut mungon në listën e Qarkut të Fierit, ku ai ka kandiduar tradicionalisht për deputet, është tregues i zhvlerësimit të tij politik. I pesti në listën e PD-së për Qarkun e Korçës, Gjergji Papa, njëkohësisht edhe kryetari i degës së PD-së të rrethit të Korçës, është minoritar grek me origjinë nga Delvina. I ati i tij ka qenë me punë në Korçë si oficer në kohën e regjimit komunist dhe u martua në Korçë. Në gjashtë emrat e parë të listës së PD-së në Qarkun e Korçës, mungon një emër nga Kolonja, një rreth i rëndësishëm ky i këtij qarku.

Enver Hoxha në një letër të shkruar në vitin 1943 i quan korçarët njerëzit më lokalistë në botë. PS e ka shpërfillur në këto zgjedhje këtë mësim. Listën e PS-së për Qarkun e Korçës e udhëheq një gjirokastrit, Bashkim Fino. Një gabim i dyfishtë ky në një qark ku PS ka pasur mbështetjen e gjerë të elektoratit të krishterë ortodoks, që përbën rreth gjysmën e elektoratit të këtij qarku, për arsye se Bashkim Muhamet Fino është mysliman. Për më tepër që edhe emri i dytë në listën e PS-së, Arta Dade është gjirokastrite, myslimane. Në listën e PS-së për Qarkun e Korçës mund të gjesh emra nga familje autoktone gjirokastrite, por jo nga familje autoktone korçare. Emri i gjashtë në listën e PS-së për Qarkun e Korçës, Ylli Petraj, mund të kishte kërkuar vota me emrin e tij të mirë si mjek, por kur del me mbiemrin e dyfishtë (Petraj- Ziçishti), do të thotë se kërkon vota me emrin e të atit, Mihallaq Ziçishti, ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe një nga krerët e Sigurimit të Shtetit për njëçerek shekulli, i cili në gjyqin e tij, në të cilin e nxori Enver Hoxha, pohoi me gojën e tij krimet e tij të përbindshme, dhe mori dënimin që do ta kishte merituar në çdo shtet ligjor. PS nuk mund të presë më shumë vota në Korçë me një listë që hapet me emrin e një gjirokastriti dhe mbyllet me emrin e djalit 63-vjeçar të një ish-zëvendësministri të Punëve të Brendshme të kohës së komunizmit, veprimtaria e të cilit ishte e dënueshme edhe sipas standardeve të vetë regjimit komunist.

Në Qarkun e Kukësit, ku PD ka marrë tre nga katër mandatet që ka ky qark, dy emrat e parë të listës janë me origjinë nga rrethi i Kukësit, ndryshe Luma (Flamur Noka, nga fshati Novosej dhe Alban Zeneli që e ka origjinën nga një fis i qytetit të Kukësit që ka ardhur atje nga Bicaj i Lumës). Emri i tretë në listë është ai i Besnik Dushit nga Tropoja. Siç shihet në listë mungon një emër nga rrethi i tretë i qarkut, që është Hasi. Edhe Partia Socialiste, e cila kërkon mandatin e dytë në këtë qark, dy emrat e parë të listës i ka nga një prej rretheve të këtij qarku, Kukësi (Vexhi Muçmataj nga fshati Shtiqën dhe Lavdim Elezi).

Në Qarkun e Lezhës, ku në zgjedhjet e kaluara PD ka marrë katër nga shtatë mandatet që ka ky qark, listën e PD-së e udhëheq Aldo Bumçi, i cili nuk ka asnjë lidhje origjine me këtë qark. Nga i ati Aldo Bumçi është shkodran, ndërsa nga nëna është kolonjar. Vendosja e Aldo Bumçit në krye të listës në Qarkun e Lezhës ka sjellë një problem, duke prishur raportin mes rretheve të këtij qarku në listë. Të tre emrat pasues në listë janë nga dy rrethe të qarkut, Lezha dhe Mirdita. Gjovalin Kadeli, i dyti në listë, është nga Treshi i Lezhës, Albina Deda, e treta në listë, është nga Ndërfusha e Mirditës, dhe Vasil Bicaj është nga Tale e Lezhës. Rrethi i Kurbinit, i cili ka votuar tradicionalisht në shumicë për PD-në, nuk është i përfaqësuar në katër emrat e parë të listës, që mendohet të jenë fitues. Në listën e PD-së për Qarkun e Lezhës një kurbinas e gjen vetëm të pestin: Mhill Fufi nga fshati Dritë i Kurbinit. Edhe PS ka vënë të parin në listën e Qarkut të Lezhës, një emër që nuk ka lidhje me qarkun. Mimi Kodheli, nga i ati është me origjinë nga Shkodra dhe nga ana e nënës nga Përmeti. Nga tre emrat e parë të listës së PS-së, që mendohet të jenë fitues, nuk ka asnjë nga Mirdita. I dyti në listë, Armando Prenga është nga Kurbini, ndërsa i treti Arben Ndoka është nga Blinishti i rrethit të Lezhës.

Në Qarkun e Shkodrës, ku në zgjedhjet e fundit PD ka marrë shtatë nga njëmbëdhjetë mandatet, Të shtatë emrat e parë të listës së PD-së në Shkodër kanë një veçori, kanë lindur të gjithë në Qarkun e Shkodrës. Katër nga emrat e parë të listës janë katolikë (Jozefina Topalli, Nard Ndoka, Gjovalin Bzheta, Ndue Paluca), tre janë myslimanë (Helidon Bushati, Voltana Ademi, Bardh Spahia). Bardh Spahia është djali i ish-deputetit të PD-së, Ali Spahia dhe është një nga dy emrat në listën e përgjithshme të PD-së në këto zgjedhje që është fëmijë deputeti të hershëm të PD-së. Shkodra është një nga tre qarqet ku PD nuk ka vënë në listë asnjë emër që të mos e ketë origjinën atërore nga qarku. Dy qarqet e tjera janë Gjirokastra dhe Kukësi. Ndryshe ka vepruar PS, e cila ka vënë në krye të listës Mimoza Hafizin, mbiemri i vajzërisë i së cilës është Gjurgjej, një mbiemër ky që e ve në dyshim identitetin shqiptar të saj. Profesioni i saj si astrofizikane, pra që merret me fizikën e planetëve të tjera, e bën edhe më të largët atë për Shkodrën. Përse duhet një astrofizikane në listën e PS-së, apo Edi Rama ka ambicie që ta përhapë rilindjen e iniciuar prej tij edhe në galaksitë e tjera? Në katër emrat e parë të listës së PS-së për Shkodrën mungon një emër katolik qytetar shkodran. Kur dihet se PS ka pasur probleme pikërisht me bashkësinë katolike në këtë qark.

Në Qarkun e Vlorës, ku në zgjedhjet e kaluara PD ka fituar katër nga shtatë mandatet, listën e kësaj partie e udhëheq një njeri si Astrit Patozi, për arsye që i di vetë, nuk thotë publikisht nëse ka ose jo lidhje origjine familjare me Vlorën. I dyti në listë është Arben Ristani, me origjinë atërore nga Zagoria e Përmetit, por që gjendet në listën e Qarkut të Vlorës për shkak se nëna e tij është nga Qeparoi i Himarës. Emri i tretë në listën e PD-së për këtë qark është Liljana Elmazi, e cila në fakt është Liljana Billa, por paraqitet me emrin e vajzërisë, se PD e ka futur në listë si vajzën e një familjeje çame. Liljana është vajza e ish-deputetit të PD-së me origjinë çame, Abedin Elmazi. Që të mos zemërohet Greqia është zgjedhur një çame e martuar me një himarjot të krishterë, siç është Liljana. I katërti në listën e PD-së është Ardian Kollozi nga Armeni i Vlorës. Njerëzit e këtij fshati janë parë gjithmonë në Vlorë si armenë të asimiluar, të zotë për tregti dhe Ardiani është shembull për këtë gjë.

Në Qarkun e Vlorës listës së PS-së i prin kryetari i saj Edi Rama, i cili ka një lidhje me këtë qark, se nëna e tij është me origjinë nga Himara. Në të vërtetë, lista e PS-së për Vlorën tregon qëndrimin e dyfishtë të kësaj partie ndaj Vlorës. Edhe çmohet shumë, edhe trajtohet me një lloj shpërfilljeje. Asgjë nuk e tregon këtë më mirë se shtatë emrat e parë në listën e PS-së për këtë qark, që mendohen fitues. Emri i dytë në listën e PS-së për këtë qark, Valentina Leskaj është me origjinë nga Tepelena dhe ka si lidhje me Vlorën vetëm atë që është martuar me një vlonjat. Emri i tretë në listë është nga Qeparoi i Himarës: Koço Kokëdhima. Nuk mund të mos të të bëjë përshtypje fakti se ndër shtatë emrat e parë të listës së PS-së për Vlorën pesë janë të krishterë ortodoksë (Edi Rama, Koço Kokëdhima, Luiza Xhuvani, Andrea Marto, Edmond Leka), çka është në shpërpjesëtim me raportin religjioz të popullsisë në këtë qark. Ndër shtatë emrat e parë të listës së PS-së nuk ka asnjë qytetar nga Vlora, por ka dy himarjotë e gjysmë (Edi Rama, Koço Kokëdhima, Edmond Leka). Qartësisht, Vlora nuk ia ka arritur kurrë që të trajtohet nga PS ashtu siç trajtohet Shkodra nga PD.

Një krahasim i shpejtë i listave të PD dhe PS në Qarkun e Tiranës ndriçon gjëra interesante. Në Qarkun e Tiranës, ku në zgjedhjet e kaluara PD ka marrë pesëmbëdhjetë nga tridhjetedy mandatet, në pesëmbëdhjetë emrat e parë të listës, që mendohen si të sigurt, gjenden, përveç kryetarit të partisë Berisha gjashtë emra që përfaqësojnë tre bashkësi të tiranasve autoktonë të para vitit 1944: tiranasit myslimanë, vllehtë ortodoksë dhe shqiptarët e ardhur nga Dibra dhe Kosova në Tiranë (Halim Kosova, Florion Mima, Gerdi Bogdani, Dashamir Shehi, Jorida Tabaku, Keltis Kruja). Me anë të emrave të tjerë në listë PD kërkon të bëjë që të ndihen të përfaqësuar edhe të ardhurit e tjerë në kryeqytet nga pjesë të ndryshme të vendit. Por në pesëmbëdhjetë emrat e parë të listës së PD-së ka një katolik (Edi Paloka) dhe dy të krishterë ortodoksë (Arben Qirjako dhe Florion Mima), një zgjedhje kjo jo shumë e zgjuar nga pikëpamja elektorale duke qenë se PD merr shumë më tepër vota nga katolikët se nga ortodoksët.

PS, nga ana e saj, e cila në zgjedhjet e kaluara në Qarkun e Tiranës ka marrë pesëmbëdhjetë mandate, në pesëmbëdhjetë emrat e parë të listës ka katër të krishterë ortodoksë (që nga i pari i listës, Pandeli Majko, Vasilika Hysi, Artan Gaçi, Milena Harito). Pra, më tepër se një e katërta e emrave që mendohen a-priori si fitues! Duket qartë se nga cila pjesë e elektoratit kërkon më shumë vota PS. Përveç kësaj, lista e PS është zhbalancuar nga futja në vende të sigurta i dy të lindurve në Dibër ndaj të cilëve Edi Rama ka detyrime personale: Sadri Abazi (i nënti) dhe Rakip Suli (i katërmbëdhjeti).