Kastriot MYFTARAJ/ A do të bëhet ndonjëherë anëtare e BE-së Shqipëria?

1021
Sigal

Shqipëria dhe standardi special për vendet e NATO-s që anëtarësohen në BE

 Në rastin e kërkesës së Shqipërisë për t’u bërë vend anëtar i Bashkimit Europian (BE), ka një veçori. Shqipëria është një vend i cili ka bërë kërkesë për të hyrë në BE, duke qenë në ndërkohë vend anëtar i NATO-s. Kur Shqipëria paraqiti zyrtarisht kërkesën për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i BE-sw, në 28 prill 2009 (procedurialisht paraqitet kërkesë për t’u bërë vend anëtar, dhe në përgjigje të ofrohet statusi i vendit kandidat), ajo sapo ishte bërë vend anëtar i NATO-s. Shqipëria ishte vendi i nëntë që e bënte këtë, pas Britanisë së Madhe, Danimarkës, Norvegjisë, Greqisë, Portugalisë, Spanjës, Islandës dhe Turqisë. Nga tetë vendet e tjera, të përmendura më lart, katër ishin vende themeluese të NATO-s, të cilat kishin mbetur me dëshirën e tyre, për një kohë të gjatë jashtë atij që më pas do të njihej si BE: Britania e Madhe, Danimarka, Islanda, Norvegjia. Dy vendet e tjera, Portugalia dhe Greqia mbetën jashtë atij që më pas do të njihej si BE, fillimisht për arsye që kishin të bënin me natyrën e bashkësisë së re europiane në atë periudhë, siç do të tregoj më tutje. Spanja hyri vonë në NATO. Turqia është, siç po duket, një rast i veçantë i komplikuar.

Nuk është rastësi që krijimi i NATO-s në 1949, i parapriu me një vit vendimit për krijimin e atij që është në origjinë të BE, Komunitetit Europian të Çelikut dhe Qymyrit (më poshtë: KEÇQ). NATO ishte një aleancë ushtarake, e cila synonte që të mbronte Europën Perëndimore nga rreziku sovjeto-komunist. Por vendet e Europës Perëndimore nuk mund tw qenë të sigurta nga ky rrezik ideologjik, që instrumentalizonte varfërinë për qëllime të subversionit politik në qoftë se ato nuk arrinin të ndërtonin një zonë të prosperimit ekonomik, çka do të sillte mirëqenie për qytetarët e tyre. Për këtë arsye, vendet më të pasura, duhet të paguanin një çmim për zhvillimin ekonomik të vendeve më të varfra, të cilat do të hynin në NATO për arsye strategjike. Në fillim NATO kishte dymbëdhjetë vende anëtare, nga të cilët dhjetë ishin vende europiane. Pesë nga vendet europiane themeluese të NATO-s do të ishin themeluese të atij që do të ishte pikënisja e BE, KEÇQ. Tre, nga pesë vendet e tjera europiane anëtare të NATO-s, Britania e Madhe, Danimarka dhe Norvegjia nuk hynë në KEÇQ, se nuk e deshën vetë këtë gjë, ndërsa dy vendet e tjera, Islanda dhe Portugalia nuk hynë se nuk kishin industri të rëndë. Por KEÇQ ishte ende larg atij çka do të ishte më pas Komuniteti Ekonomik Europian, i krijuar në 1957, për të mos folur për BE.

BE, jo më pak se NATO, është në origjinën e vet gjithashtu një krijesë e Luftës së Ftohtë, dhe kjo gjë ka ndikuar shumë në mënyrën se si ka funksionuar ai. KEÇQ i krijuar në vitin 1953, pasiqë palët qenë pajtuar për krijimin e tij në 1950, ishte një gjetje amerikane për t’i dhënë fund kundërshtimit të Francës që Gjermania Perëndimore të zhvillonte industrinë e rëndë. Në rrethanat e Luftës së Ftohtë SHBA kishte nevojë që Gjermania Perëndimore të rifuqizohej ekonomikisht, madje dhe ushtarakisht. Por Franca mendonte se një Gjermani e ringjallur ekonomikisht kishte mundësi të riarmatosej përtej masës së duhur për vetëmbrojtje, çka do të thoshte kërcënime të reja për Francën. Me krijimin e një autoriteti ndërkombëtar, që do të ushtronte kontroll mbi industritë e çelikut dhe qymyrit (qymyr-guri përbënte në atë kohë burimin kryesor energjetik për industrinë e prodhimit të çelikut), Franca do të kishte mundësi të ushtronte kontroll mbi këto degë të industrisë gjermano-perëndimore, duke mos lejuar që përdorimi për qëllime ushtarake ta kapërcente masën. Nga KEÇQ doli Komuniteti Ekonomik Europian (më poshtë KEE), nga i cili më pas doli BE. Katër vendet e tjera kufitare me dy vendet e mësipërme, të cilat iu bashkuan KEÇQ, Belgjika, Holanda, Luksemburgu dhe Italia, e bënë këtë gjë të detyruara nga SHBA, në mënyrë që marrëveshja franko-gjermane të merrte pamjen e një marrëveshjeje europiane. Kështu u inicuan forcat që në perspektivë çuan deri te krijimi i BE. Kur u bë zgjerimi i parë i NATO-s në 1952, me ç’rast u anëtarësuan në aleancën atlantike dy vende, Greqia dhe Turqia, këto as që kërkuan të hynë në KEÇQ, të krijuar po atë vit, se nuk kishin industri të rëndë.

Kur në vitin 1957 vendet anëtare të KEÇQ nënshkruan Traktatin e Romës, me të cilin u krijua KEE, që në fjalorin politik të botës anglosaksone quhej, jo pa ironi, edhe si Tregu i Përbashkët Europian, të gjashta këto vende qenë tashmë anëtare të NATO-s. Edhe Gjermania Perëndimore, e cila kishte qenë anëtare themeluese e KEÇQ, dhe më pas edhe e KEE, për shkak të veçorive që kishte si fuqi e mundur në Luftën e Dytë Botërore, u bë anëtare e NATO-s vetëm në 1955.

Me krijimin e KEE, çdo vend europian mund të kërkonte të bëhej anëtar i tij me të drejta të plotë, pavarësisht nga shkalla e zhvillimit të industrisë së tij, që kishte përbërë ndalim për të hyrë në KEÇQ. E kuptohet se këtë gjë mund ta bënin së pari vendet e NATO-s. Prandaj, 1 janari i vitit 1958, kur nisi të funksionojë KEE, duhet parë si një vit kufi, pas të cilit edhe vende të pazhvilluara të NATO-s si Greqia, Turqia, Portugalia mund të kërkonin të bëheshin anëtarë të KEE. Dhe Greqia arriti në marrëveshje asocimi me KEE në vitin 1961, pra jo më vonë se tre vite pas nisjes së funksionimit të KEE. Por procesi i integrimit të mëtejshëm të Greqisë në KEE u pengua nga vendosja e diktaturës ushtarake në Greqi në 1967, dhe rifilloi vetëm pas rënies së saj. Gjithsesi KEE ndërtoi që në fillim marrëdhënie të posaçme ekonomike, me vendet e pazhvilluara anëtare të NATO-s si Greqia, Portugalia dhe Turqia, në mënyrë që këto vende të kishin një zhvillim konsistent ekonomik. Pra, qenia e këtyre vendeve në NATO ndikoi në marrëdhëniet e tyre me atë që do të bëhej më pas BE, i cili pranonte se kishte një detyrim të posaçëm ndaj këtyre vendeve. Nga këto marrëdhënie të posaçme ekonomike këto vende përfituan shumë.

Në 1958, NATO kishte pesëmbëdhjetë vende anëtare, nga të cilët trembëdhjetë qenë vende europiane. Nga trembëdhjetë vendet europiane të NATO-s, shtatë prej tyre nuk qenë anëtarë të KEE. Por këto vende ndaheshin në dy grupe. Katër prej tyre, Britania e Madhe, Danimarka, Islanda, Norvegjia, mund të ishin bërë anëtarë të KEE nëse do ta dëshironin këtë gjë, por kishin zgjedhur që të mbeteshin jashtë. Ndërsa tre vendet e tjera, Greqia, Portugalia dhe Turqia donin njëfarë kohe për të arritur standardet minimale për të hyrë në KEE. Me kalimin e kohës erdhi duke u vënë re një prirje që hapësira e NATO-s (për pjesën europiane të saj, natyrisht) dhe hapësira e KEE (më pas BE), të përputheshin, pra vendet europiane anëtarë të NATO-s të bëheshin edhe anëtarë të KEE. Në 1973 u bënë anëtarë të KEE edhe dy vende themeluese të NATO-s, Britania e Madhe dhe Danimarka. Një tjetër vend anëtar-themelues i NATO-s, Norvegjia, që pati bërë kërkesë gjithashtu për të hyrë në KEE, dhe do të hynte këtë vit, u pengua ngaqë qeveria e këtij vendi nuk arriti të fitonte një referendum për të hyrë në bashkësinë europiane. Kështu, në 1973, tetë nga trembëdhjetë vendet europiane të NATO-s, qenë anëtarë të atij që më pas do të quhej BE. Nga pesë vendet e tjera, dy, Islanda dhe Norvegjia nuk qenë anëtare se nuk e donin vetë këtë gjë. Dy vendet e tjera, Greqia dhe Portugalia, në këtë periudhë nuk përmbushnin as kriterin më minimal politik, se qeveriseshin nga diktatura. Turqia vazhdonte të lëkundej midis diktaturës dhe demokracisë të kontrolluar nga ushtarakët.

    I pari nga vendet anëtarë të NATO-s, por që ishin të pazhvilluara ekonomikisht, që u bë anëtar i atij që më pas do të quhej BE ishte Greqia. Greqia aplikoi për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i KEE në 12 qershor 1975 (fill pasi doli nga periudha e diktaturës ushtarake) dhe u bë vend anëtar në 1 janar 1981, pra pas pesë viteve e gjysmë. Atëherë pati dyshime të mëdha nëse Greqia ishte, në çdo pikëpamje, gati për të hyrë në atë që më pas do të quhej BE, por prevaluan arsyet gjeopolitike dhe gjeostrategjike, dhe mbi të gjitha fakti që Greqia ishte vend anëtar i NATO-s. Por, paradoksalisht, për arsye të ngjashme Greqia kishte hyrë edhe në NATO, në 1952, në kohën që ky vend sapo kishte dalë i shkatërruar nga një luftë civile që u shpall e përfunduar nga qeveria në 1949, por që është e sigurt se përfundoi më vonë. Greqia hyri në NATO për arsye të gjeopolitikës perëndimore dhe më pas kjo gjë e favorizoi Greqinë për të hyrë në KEE. Anëtarësimi në KEE (BE) i vendeve të pazhvilluara, anëtarë të NATO-s, si Greqia, që në thelb nuk ka qenë gjë tjetër veçse trajtimi i privilegjuar ekonomik i këtyre vendeve nga ana e KEE (BE), ka pasur edhe një funksion strategjik. Nga mënyra se si trajtoheshin, këto vende bëheshin një vitrinë joshëse gjeopolitike, një lloj magneti gjeopolitik për t’i tërhequr vendet e tjera të ngjashme pranë NATO-s. Kjo ishte tekefundit një nga arsyet kryesore që Greqia u pranua në KEE në 1981, ndonëse, në çdo pikëpamje ishte larg vendeve që bënin pjesë në këtë bashkësi.

Përveç Greqisë edhe Portugalia e Islanda, të cilat qenë bërë anëtare themeluese të NATO-s në 1949, nuk mund të thuhet se plotësonin standardet e duhura për të hyrë në aleancën atlantike, por edhe në rastin e tyre përcaktuese qenë të njëjtat arsye si në rastin e Greqisë. Madje Islanda nuk kishte fare një ushtri, dhe e nënshkroi traktatin e aleancës me klauzolën se nuk do të ishte e detyruar që të krijonte një ushtri. Për të njëjtat arsye si Greqia, në 1986, do të anëtarësoheshin në KEE edhe dy vende të tjera anëtare të NATO-s, Portugalia dhe Spanja (kjo e fundit ishte bërë anëtar i NATO-s në 1982). Portugalia aplikoi për t’u bërë vend anëtar i KEE në 28 mars 1977 dhe u bë vend anëtar në 1 janar 1986, pra pas tetë vitesh e nëntë muajsh. Vonesa në hyrjen e Portugalisë kishte të bënte me një çështje jashtë europiane që ishte zgjidhja e problemit të mbetjeve të perandorisë së saj koloniale. Spanja, nga ana e saj, aplikoi për t’u anëtarësuar në KEE në 28 qershor 1977, dhe hyri në 1 janar 1986. Por Spanja u bë anëtare e NATO-s vetëm në 1982. Pra, Spanja hyri në KEE pas tre viteve e gjashtë muajve qëkurse hyri në NATO.

Në 1986, nga dymbëdhjetë vende anëtare të KEE, njëmbëdhjetë qenë anëtarë të NATO-s. Përjashtim bënte vetëm Irlanda, e cila ishte i vetmi anëtar i bashkësisë europiane që nuk ishte edhe në NATO. Dukej qartë prirja e përputhjes me hapësirës së dy organizatave në Europë. Në 1986, në NATO bënin pjesë gjashtëmbëdhjetë vende, nga të cilët katërmbëdhjetë qenë vende europiane, prej të cilëve njëmbëdhjetë qenë vende anëtare të KEE. Përkimi mes hapësirës europiane të NATO-s dhe asaj të KEE ishte një gjë e natyrshme, për arsye se tekefundit NATO ishte një aleancë e krijuar për të siguruar prosperimin në një zonë të gjerë euroatlantike, që në Europë përfaqësohej në radhë të parë nga ai që më pas do të quhej BE. Nuk është rastësi që Turqia aplikoi për t’u anëtarësuar në KEE pikërisht në vitin 1987, pra një vit pasi u bë më e dukshme se kurrë më parë përputhja midis pjesës europiane të NATO-s dhe atij që më pas do të quhej BE. Aplikimi i Turqisë, në kohën kur u bë, kishte si qëllim të përçonte kumtin se ishte nonsens që një vend i NATO-s, e për më tepër një vend shumë i rëndësishëm i NATO-s, të mos ishte anëtar i KEE, ndonëse e dëshironte anëtarësimin.

Prirja për përputhje mes pjesës europiane të NATO-s dhe BE (i quajtur zyrtarisht kështu që nga viti 1993), erdhi duke u bërë edhe më e dukshme pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Pas Luftës së Ftohtë SHBA nuk e ka humbur interesin strategjik për ekzistencën e BE. Ndonëse interesi parësor amerikan është i përqendruar vetëm te zgjerimi dhe fuqizimi i NATO-s, të cilin Uashingtoni e ka parë, dhe e sheh, si një ekspedient strategjik amerikan në Europë, megjithatë Uashingtoni e kupton se NATO nuk mund të mbijetojë pa qenë hapësira e saj një zonë prosperimi ekonomik, çka mund të realizohet vetëm nëse vendet që anëtarësohen në NATO do të mund të hynin shpejt edhe në BE. Edhe vetë BE ka interes që NATO të jetë sa më solide. Pra, ka pasur një marrëveshje të hershme, të pashkruar mes NATO-s dhe BE, që ky i fundit të asistonte ekonomikisht në mënyrë të posaçme vendet europiane që do të bëheshin anëtare të NATO-s për arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike, ndonëse këto vende nuk përmbushnin standardet e pjesës tjetër të vendeve anëtare. Kështu këto vende do të mund të bëheshin dhe anëtarë të BE. Veçanërisht kjo prirje ishte e dukshme në rastin e vendeve ish-komuniste.

Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia, të cilat hynë në NATO në mars 1999, u bënë anëtare të BE në maj 2004, pasi kaluan vetëm pesë vite dhe dy muaj. Estonia, Letonia, Lituania, Sllovakia, Sllovenia, që u pranuan në NATO në 29 mars 2004, u bënë anëtarë të BE vetëm 32 ditë më pas, në 1 maj 2004. Në 1 maj 2004, nga njëzet e katër vendet europiane që ishin anëtarë të NATO-s, nëntëmbëdhjetë qenë anëtarë të BE, dhe dy të tjerë Bullgaria dhe Rumania, që sapo kishin hyrë në NATO, prisnin të anëtarësoheshin në BE shumë shpejt. Dhe vërtet, Bullgaria dhe Rumania, të cilat ishin bërë anëtarë të NATO-s në 29 mars 2004, u bënë anëtarë të BE 33 muaj më pas, në 1 janar 2007. Në 1 maj 2004 BE kishte njëzet e pesë anëtarë, nga të cilët tetëmbëdhjetë qenë anëtarë të NATO-s. Vendet e BE, të cilët nuk qenë anëtarë të NATO-s ishin: Irlanda, Malta, Qiproja, Austria, Suedia, Finlanda. Në 1 janar 2007, nga njëzet e katër vendet evropiane, të cilët qenë anëtarë të NATO-s, njëzet e një qenë edhe anëtarë të BE. Nga tre vendet e NATO-s, të cilët nuk bënin pjesë në BE, dy prej tyre, Islanda, Norvegjia kishin qëndruar jashtë me dëshirën e tyre, ndërsa Turqia vazhdonte të refuzohej nga Europa, qartësisht për arsye religjioze, si vend islamik. Prirja për përputhje mes NATO-s europiane dhe BE dukej më qartë se kurrë. E njëjta prirje u vu re edhe në rastin e Kroacisë. Kroacia, e cila u bë anëtare e NATO-s në 1 prill 2009, së bashku me Shqipërinë, hyri në BE në 1 korrik 2013, pra vetëm pas katër vite e tre muaj më pas. Në çdo rast, anëtarësimi i një vendi ish-komunist, anëtar të NATO-s në BE nuk është vonuar më tepër se pesë vite.

Në 2013 NATO kishte njëzetegjashtë vende anëtare në Europë, nga të cilët njëzetedy qenë vende anëtare të BE. Nga katër vendet e mbetura, Islanda e bllokoi me dëshirën e saj procesin e integrimit në BE, në 2013. Norvegjia vazhdon të mos kërkojë anëtarësim në BE. Vetëm Turqia dhe Shqipëria janë dy vendet e NATO-s të cilat e dëshirojnë anëtarësimin në BE, por refuzohen prej tij. Në rastin e Shqipërisë u thye edhe rregulli i pashkruar se me hyrjen e një vendi ish-komunist në NATO, ai shpejt ka hyrë edhe në BE. Nëse gjërat do të kishin ecur sipas rregullit të pashkruar të mësipërm, atëherë Shqipëria do të duhej të bëhej vend anëtar i BE në 2014. Kur në fakt Shqipëria në qershor 2014 shpreson që në rastin më të mirë të fitojë statusin e vendit kandidat. BE ia ka borxh Shqipërisë trajtimin e privilegjuar ekonomik, si një vend anëtar i NATO-s. Është e vërtetë se Shqipëria nuk përmbush standardet për të hyrë në BE, por Shqipëria do të arrinte shumë shpejt në nivelin e vendeve ish-komuniste, anëtare të BE, nëse do të kishte për një periudhë një trajtim të privilegjuar ekonomik, që iu është rezervuar vendeve anëtare të NATO-s, që kanë hyrë në BE. Në çdo rast, Shqipëria që do të hynte në BE, nuk do t’i sillte kësaj bashkësie europiane as 0.1% të problemeve që i ka sjelle Greqia, madje as 1% problemeve që i ka sjellë Qiproja greke. Është paradoks domethënës që në BE, madje dhe në Eurozonë, është pranuar me kohë Qiproja greke, e cila është bërë një superfuqi mesdhetare e off-shores, të mbushura me paratë e pista të ardhura nga Rusia dhe Lindja e Mesme, dhe mbetet jashtë Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s. Për Qipron e vogël, me 800 mijë banorë, BE dha një bailout (paketë ndihme financiare) prej dhjetë miliard euro, në mënyrë që ky vend të kapërcente krizën financiare të shkaktuar nga lakmia dhe papërgjegjshmëria totale e qeveritarëve të tij. Me kaq para, të menaxhuar nga vetë europianët, në Shqipëri do të arrihej një mrekulli ekonomike.

Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s meriton së paku 5% të trajtimit të privilegjuar që po i bëhet një tjetër vendi anëtar të NATO-s, Greqisë. Greqia mori ndihma të mëdha ekonomike nga Perëndimi, duke nisur që nga Plani Marshall, i cili u inicua pikërisht për Greqinë dhe Turqinë, dhe më tutje. Këto i mundësuan Greqisë që të përmbushte minimumin e kritereve për t’u bërë vend anëtar i KEE në 1981. Fakti që Greqia ishte anëtar i NATO-s ndikoi që ajo të vazhdoi të merrte ndihma të mëdha nga BE në dekadat në vazhdim. Greqia nuk u pranua në fillim në Eurozonë, kur njëmbëdhjetë vende të BE e inicuan Eurozonën në 1 janar 1999. Arsyeja ishte se Greqia nuk i përmbushte kriteret e Eurozonës. Por fakti që Greqia ishte vend anëtar i NATO-s bëri që për Greqinë të mbyllet njëri sy dhe ajo të bëhej vend anëtar i Eurozonës me dy vjet vonesë në 1 janar 2001. Fakti që Greqia është vend anëtar i NATO-s ka ndikuar jo pak që vendit me më pak se 11 milion banorë t’i jepeshin tre paketa gjigante ndihme financiare me një shumë të përgjithshme prej 272 miliard euro, brenda një periudhe të shkurtër midis majit 2010 dhe gushtit 2012. Vetëm me 5% të shumës që iu dha Greqisë, Shqipëria që ka një të tretën e popullsisë së Greqisë, do t’ i rregullonte të gjitha problemet e saj. Se Shqipëria nuk ka asnjë problem që nuk rregullohet me para, të cilat në këtë rast le të menaxhohen nga vetë europianët.

Shqipëria, jo vetëm që nuk është trajtuar si Greqia, apo si Qipro, por nuk është trajtuar madje as si vendet e tjera ish-komuniste që hynë në BE, duke qenë në NATO. Vërtet Shqipëria sot është më poshtë se këto vende, por kjo ka ndodhur edhe për faktin se të gjitha këto vende, e patën arritur nivelin që kishin kur hynë në BE, në sajë të ndihmave të mëdha ekonomike që patën marrë më parë nga Perëndimi, që në kohën e Luftës së Ftohtë. Kroacia, e cila hyri së bashku me Shqipërinë në NATO, dhe që sot është anëtare e BE-së, e ka arritur nivelin që ka edhe falë ndihmës gjigante ekonomike që mori Jugosllavia e Titos prej Perëndimit, një pjesë të madhe të së cilës Titoja e kanalizoi në Kroaci. Edhe tre ish-republikat baltike sovjetike, Estonia, Letonia dhe Lituania, që sot mburren me zhvillimin e tyre, nuk duhet harruar se përfituan shumë nga huat që Perëndimi i dha Bashkimit Sovjetik në dy dekadat e fundit të Luftës së Ftohtë. Për arsye se në këto republika kishte disponim të madh publik për reforma ekonomike, Moska i kanalizoi në to një pjesë të rëndësishme të këtyre parave perëndimore, që u investuan për rinovimin teknologjik të industrisë në republikat baltike, çka i lehtësoi shumë reformat ekonomike në këto vende. Duke qenë se edhe Republika Çeke, Sllovakia, Polonia, Hungaria, Bullgaria përfituan shumë në dy dekadat e fundit të Luftës së Ftohtë nga huat e mëdha që morën nga bankat perëndimore, nga të cilat, pas përmbysjes së komunizmit në këto vende, vështirë se shlyen më tepër se gjysmën, del se Shqipëria mbetet vendi anëtar i NATO-s më i pafavorizuar ekonomikisht nga Perëndimi. Shqipëria e vetizoluar nuk mori asgjë nga Perëndimi në kohën e Luftës së Ftohtë.

Shqipëria ka plotësisht të drejtë të kërkojë trajtimin e privilegjuar që iu rezervohet tradicionalisht vendeve të NATO-s, në marrëdhëniet me BE. Kjo do të shërbejë edhe për të afruar më tepër me NATO-n vendet e regjionit që kanë dyshime, si Serbia e Mali i Zi, por edhe për të shkurajuar forcat ekstremiste anti-NATO në vende si Greqia. Fuqizimi i Shqipërisë gjithmonë ka pasur efekt moderues në këto vende, për arsye që kuptohen lehtë. Një nga gjërat më poshtëruese të pozitës së Shqipërisë, si një vend anëtar i NATO-s, i mbetur jashtë BE, është se nuk ka gjasa që në dekadën e ardhshme të na bëjë shoqëri ndonjë vend tjetër veç Turqisë. Se nuk ka gjasa që NATO të zgjerohet me shtete të reja anëtare në të ardhmen e largët, së paku jo me siguri në dhjetë vitet e ardhshme. Maqedonia nuk do të hyjë në NATO në dekadën e ardhshme, për shkak të vetos së Greqisë. Serbia nuk do të parapëlqejë që të hyjë në aleancën atlantike për të mos u ballafaquar me kërkesën amerikane për njohjen e Kosovës, por edhe për të mos rrezikuar marrëdhëniet speciale me Rusinë. Edhe Mali i Zi, ku ndikimi ekonomik rus është tashmë shumë i madh, nuk do të rrezikojë të hyjë në NATO. Bosnjë-Hercegovina, për specifikat e saj të brendshme, nuk pritet që të hyjë në NATO. As Gjeorgjia nuk pritet që të hyjë në NATO, përveç të tjerash për ato arsye që e penguan të hynte në 2008, domethënë kundërshtimit të vendeve kryesore europiane, të cilët nuk duan ta sfidojnë Rusinë në një pikë kaq të ndjeshme për të. Kështu del se Shqipëria do të mbetet për një kohë të gjatë në një klub ekskluziv të palakmueshëm, së bashku me Turqinë, si të vetmet vende anëtare të NATO-s që dëshirojnë të hyjnë në BE, por që iu refuzohet kjo kërkesë. Arsyet janë qartësisht religjioze. Shqipëria, ashtu si Turqia refuzohet si vend i quajtur islamik. Ndryshe Shqipëria do të kishte hyrë në BE, e shumta pesë vite pas anëtarësimit në NATO, pra në 2014.

Në këtë rrethanë, ka nga ata që venë në dyshim anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pra nëse u gabua kur Shqipëria u pranua në NATO. Por rrethanat dhe arsyetimi me të cilin Shqipëria u pranua në NATO ishte i njëjtë me ato në të cilat u pranuan në aleancën atlantike vende të tjera shumë të ngjashme me Shqipërinë në kohën kur hynë, siç qenë Portugalia, Greqia, Turqia, Islanda. SHBA kishte arsye strategjike që janë të kuptueshme për një superfuqi, kur ngulmoi që Shqipëria të hynte në NATO. Shqipëria, së bashku me Gjeorgjinë dhe Ukrainën, qenë tre vendet e vetme që kishin qenë pjesë e Traktatit të Varshavës dhe që kishin mbetur ende jashtë NATO-s, ndonëse kishin bërë kërkesë për t’u anëtarësuar në aleancën atlantike. Përveç arsyeve strategjike regjionale, që kanë të bëjnë me pozitën gjeografike të Shqipërisë në Ballkan (Kosova për të cilën aleanca atlantike qe angazhuar në luftën e vetme në historinë e saj nuk kufizohej me asnjë vend anëtar të NATO-s), për SHBA ishte e rëndësishme që nëpërmjet anëtarësimit të Shqipërisë, aleanca atlantike të jepte kumtin se nuk kishte hequr dorë nga zgjerimi në territoret që Moska i quante një tabu gjeopolitike, ku NATO nuk duhej të zgjerohej. Në rrethanat kur anëtarësimi në NATO i Gjeorgjisë dhe Ukrainës kundërshtohej fuqishëm jo vetëm nga Rusia, por edhe nga vendet e mëdha brenda NATO-s, që nuk donin të kapërceheshin edhe të fundmet vija të kuqe gjeopolitike të Rusisë, anëtarësimi i Shqipërisë ishte mënyra më e mirë që SHBA të shpëtonin fytyrën pasiqë dy Presidentë të krahëve të ndryshëm të politikës në Shtëpinë e Bardhë, Clinton dhe Bush, ishin angazhuar në procesin e anëtarësimit të Gjeorgjisë dhe Ukrainës.

Në fjalorin politik ndërkombëtar tashmë ka hyrë termi “Grexit”, që është një fjalë e krijuar nga bashkimi i fjalëve “Greek” (“grek” në anglisht) dhe “exit” (“dalje” në anglisht). Fjala “Grexit” shpreh mundësinë e daljes së Greqisë nga Eurozona. Pas vendimit të fundit të Këshillit të BE për të mos i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat mund të thuhet se në fjalorin politik europian ka hyrë një term i ri konfidencial, që qarkullon i bartur në kodet e komunikimit politikanëve europianë. Ky është termi Alblocking. Kjo është një fjalë të krijuar nga bashkimi i dy fjalëve (“Albania” dhe “blocking”, që mund të përdoret edhe me kuptimin “bllokim”). Se qartësisht sot ka një prirje në kancelaritë e vendeve të BE për të mos e trajtuar Shqipërinë sipas standardit me të cilin janë trajtuar vendet e NATO-s.

 Bashkimi Europian dhe Alblocking

Nga të pesë vendet e BE që refuzuan zyrtarisht dhënien e statusit kandidat Shqipërisë, katër janë vende themeluese të NATO-s, dhe i pesti Gjermania është anëtar i NATO-s që prej vitit 1955, kështu që e kanë shumë të qartë standardin e zbatuar për vendet e NATO-s që kërkojnë të hynë në BE. Edhe sikur statusi i vendit kandidat t’i jepet Shqipërisë në qershor 2014, pra pesë vite pas anëtarësimit në NATO, kjo do të ishte një arritje për çdo vend tjetër që aspiron të hyjë në BE, por jo për një vend anëtar të NATO-s. Se edhe nëse do të na jepet statusi i vendit kandidat në 2014, na është thënë nga zyrtarë të lartë të BE-së, të cilët dinë diçka më shumë për agjendën e zgjerimit të BE-së, se për t’u anëtarësuar në BE Shqipërisë do t’i duhet të presë edhe tetë deri dhjetë vite, pra deri në 2022-2024. Kjo në rastin më të mirë. Se në vitet 2022-2024 BE mund dhe pritet të ketë probleme të tjera, të cilat do të shërbejnë si alibi për një refuzim tjetër ndaj Shqipërisë. Kur një vendi anëtar të NATO-s i thonë se do t’i duhet të presë 13-14 vite te dera e BE-së, që nga dita kur ka hyrë në NATO, atëherë këtij vendi po i thonë në terminologjinë ‘Alblocking’ se nuk ka për t’u bërë kurrë anëtar i BE-së.