Kastriot MYFTARAJ / 21 nëntor 1912, dita vendimtare diplomatike për krijimin e shtetit shqiptar

987
Sigal

Në Shqipëri vazhdon të mbijetojë miti i rremë sikur me vajtjen e Ismail Qemalit në Vjenë, në fillim të nëntorit 1912, ai siguroi garancinë për mbështetjen e Perandorisë Habsburgase për krijimin e shtetit shqiptar

Njëqind vjet pas krijimit të shtetit shqiptar, në Shqipëri vazhdon të mbijetojë miti i rremë historiografik sikur me vajtjen e Ismail Qemalit në Vjenë, në fillim të nëntorit 1912, ai siguroi saora garancinë për mbështetjen e imperisë habsburgase për krijimin e shtetit shqiptar, me ç’rast ai dërgoi nga Vlora në Vienë telegramin e famshëm të datës në 9 nëntor 1912: “Vij me vaporin më të parë. E ardhmja e Shqipërisë është e siguruar”. (cituar sipas: “Ismail Qemali: përmbledhje dokumentesh”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1982, f. 218-219)

Përmbajtja e telegramit nënkuptonte se Ismail Qemal Vlora kishte marrë garanci nga Austro-Hungaria se kjo fuqi e madhe do të ushtronte presionin e nevojshëm ndaj shteteve ballkanase, dhe në radhë të parë ndaj Serbisë për të larguar ushtritë e tyre nga trojet shqiptare, që ato i kishin okupuar dhe po vazhdonin t’i okuponin me shpejtësi gjatë Luftës së Parë Ballkanase. Por, që Austro-Hungaria të ushtronte presionin e nevojshëm ndaj fuqive ballkanase dhe në radhë të parë ndaj Serbisë dhe Malit të Zi, duhej që t’i kërcënonte këto vende me luftë. Duke qenë se Serbia dhe Mali i Zi kishin mbështetjen e Rusisë, atëherë hyrja në luftë e Austro-Hungarisë me këto vende ballkanase do të thoshte që Perandoria Habsburgase të hynte në luftë me Rusinë. Por, Austro-Hungaria nuk mund të hynte në luftë me Rusinë, pa pasur mbështetjen e Gjermanisë. Shkurt, Austro-Hungaria nuk mund të ushtronte një presion të efektshëm ndaj Serbisë dhe Malit të Zi nëse Gjermania nuk do ta mbështeste Austro-Hungarinë, pra nëse Gjermania nuk do të ishte e gatshëm që të hynte në luftë kundër Rusisë, për hir të Austro-Hungarisë. Situata në të cilën u gjend Austro-Hungaria në vjeshtën e vitit 1912 ishte në thelb e ngjashme me situatën në të cilën u gjend në verën e vitit 1914, me rastin e vrasjes së Arkidukës Franz Ferdinand në Sarajevë. Në verën e vitit 1914, Austro-Hungaria nuk mund t’ i dërgonte ultimatum Serbisë para se të siguronte mbështetjen e Gjermanisë.

Ironia më e madhe e historisë së krijimit të shtetit shqiptar është fakti se pikërisht në 9 nëntor 1912 kur Ismail Qemali dërgoi në Shqipëri dy telegramet e famshme nga Vjena, ndodhi një zhvillim që e bëri shumë të dyshimtë krijimin e shtetit shqiptar. Pikërisht në 9 nëntor 1912, Perandori i Gjermanisë, Wilhelmi II i telegrafoi Ministrit gjerman të Punëve të Jashtme (sekretarit të shtetit për Punë të Jashtme), Alfred von Kiderlen-Waechter, duke i thënë: “Unë i kam folur në detaje Kancelarit të Reich-ut në të njëjtën linjë me udhëzimet që po iu jap juve, dhe kam theksuar se, në asnjë rrethanë unë nuk mund të marshoj kundër Parisit dhe Moskës, për shkak të Shqipërisë”. (citohet sipas: David Fromkin, “Europe’ s last summer: who started dhe Great War in 1914”, Nju Jork 2004, “Alfred Knopf”, f. 89)

Kajzeri Wilhelm II me këtë donte të thoshte se, për shkak se Rusia kishte një aleancë ushtarake me Francën, atëherë, nëse Gjermania hynte në luftë kundër Rusisë për shkak të konfliktit të Austro-Hungarisë me Serbinë, në këtë rast Gjermania do të gjendej në luftë edhe me Francën. Pra, nëse Austro-Hungaria donte që të pengonte pushtimin e Shqipërisë së paku deri në Lumin Shkumbin nga Serbia, e cila në fakt arriti deri në Lushnjë dhe Gramsh, atëherë Austro-Hungaria do të gjendej e vetme në luftën me Serbinë dhe Rusinë. Gjithashtu, Kajzeri Wilhelmi II i tha telegrafikisht sekretarit të shtetit për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Alfred von Kiderlen-Waechter: “Unë absolutisht nuk shoh rrezik për ekzistencën ose prestigjin e Austrisë, nga një port serb në Adriatik… Unë e gjej të pakëshillueshme e të panevojshme që të kundërshtohet dëshira serbe”. (David Fromkin, “Europe’ s last summer: who started dhe Great War in 1914”, Nju Jork 2004, “Alfred Knopf”, f. 88)

Sigurisht që Wilhelmi II ia dërgonte këto udhëzime kryediplomatit të tij që ai të fliste në këtë gjuhë me homologun e tij austro-hungarez. Dy ditë më pas, në 11 nëntor 1912, Wilhelmi II shkruante: “Serbia kërkon të ketë dalje në Adriatik në disa limane. Austria s’e pranon këtë dëshirë. Rusia duket se do të përkrahë aspiratat serbe dhe të hyjë kështu në konflikt me Austrinë. Atëherë për Gjermaninë vërtetohet, sipas traktatit një casus foederis, në rast se Vjena sulmohet nga Petërsburgu. Kjo gjë sjell vetiu për Gjermaninë mobilizimin dhe luftën në dy fronte. Parisi, padyshim do të përkrahet prej Londrës. Gjermania, pra është e shtrënguar të hyjë në luftë për jetë a vdekje me fuqitë e Mëdha, në një luftë ku duhet të rrezikojë çdo gjë, dhe ndoshta edhe të zhduket. E gjithë kjo rrjedh ngaqë Austria nuk do që serbët të hyjnë në Shqipëri, ose në Durrës. Është e ditur se ky fakt nuk i jepte argument Gjermanisë për të hyrë në një luftë shkatërrimtare. S’ka mundësi që me këto fjalë populli gjerman të ndizet për një luftë përkundrejt këtyre shkaqeve dhe askush me ndërgjegje nuk mund të marrë një përgjegjësi të tillë përpara Zotit dhe popullit të vet- pra, për të tilla shkaqe të rrezikojë Gjermaninë dhe popullin gjerman… Nëse Rusia nuk i pranon propozimet austriake për një ndërmjetësim dhe këto të jenë pranuar prej fuqive të tjera, ajo do të gjendet përballë Vjenës, e cila ka të drejtë, do të tërheqë mbi vete qortimet e Fuqive si dhe dyshimin se kërkon me çdo mënyrë të hyjë në luftë, për të cilën Shqipëria nuk do të ishte veçse një pretekst pa rëndësi. Rusia do të konsiderohet si turbulluese e paqes dhe do të provojë urrejtjen e të tjerëve”. (Emil Ludvig, “Korrik 1914”, Shtëpia botuese “Globus R”, Tiranë 2001, f. 23-24)

Arsyeja për të cilën Kajzeri gjerman ishte kaq i alarmuar pikërisht në 9 nëntor 1912 kishte të bënte edhe me një ngjarje tjetër. Pikërisht në 9 nëntor 1912 u arrit befasisht deri tek nënshkrimi i konventës ushtarako-detare britaniko-franceze, diskutimet e së cilës vazhdonin prej shumë kohësh. Sipas kësaj marrëveshjeje franko-britanike, krejt flota ushtarako-detare franceze do të dislokohej në Mesdhe, ndërsa flota ushtarako-detare britanike e Mesdheut do të shkonte në Detin e Veriut. Derisa bregdetin perëndimor të Francës tani e tutje do ta mbronte flota britanike, rrugëkalimet detare britanike në Mesdhe do t’ i mbronte flota franceze. Synimi ishte që Britania e Madhe të kishte superioritet mbi Gjermaninë, në Detin e Veriut, në raportin 2 me 1 dhe që Franca të kishte në Mesdhe një flotë të barabartë me atë të Italisë dhe Austro-Hungarisë të marra së bashku. Përse duhej që krejt flota ushtarako-detare të dislokohej në Mesdhe, me kë do të përballej atje? Flota gjermane gjendej në Veri. Kjo lëvizje kishte vetëm një shpjegim. Britania e Madhe dhe Franca parashikonin një rrezik imediat për fillimin e luftës mes Antantës dhe Aleancës Trepalëshe, me ç’ rast bregdeti jugor mesdhetar i Francës dhe bregdeti i zotërimeve koloniale të saj në Afrikën Veriore, do të rrezikoheshin nga Italia, krejt flota e së cilës gjendej në Mesdhe. Në nëntor 1912 dy blloqet e fuqive të mëdha mund të hynin në luftë vetëm për shkak të përparimit serb në territorin shqiptar, për të dalë në Detin Adriatik. Nëse Austro-Hungaria dhe Italia mësynin Serbinë për këtë arsye, atëherë Rusia do të mësynte Austro-Hungarinë. Me këtë rast  do të ndodhte casus foederis (aktivizimi i aleancave), ashtu që Gjermania do të mësynte Rusinë, dhe Franca e Britania e Madhe do të mësynin Gjermaninë. Kjo do të thotë se Britania e Madhe dhe Franca ishin kyçur krejt në gjeopolitikën ballkanase të Rusisë. Mbi marrëveshjen detare franko-britanike të 9 nëntorit 1912, Henry Kissinger shkruan në librin e vet “Diplomacy”: “Në 1912, Britania e Madhe, Franca dhe Rusia nisën konsultimet e shtabeve ushtarake, të cilat kishin një rëndësi që veç formalisht kufizohej nga rezervimi i rëndomtë britanik, se me këtë ajo nuk merrte detyrime legale. Madje, edhe kjo rezervë gjithsesi, u fshi nga Traktati detar Anglo-Francez i vitit 1912, sipas të cilit flota franceze do të lëvizte kah Mesdheu, flota britanike do të merrte përsipër mbrojtjen e bregdetit francez të Atlantikut. Dy vjet më vonë kjo marrëveshje do të përmendej si një detyrim moral i Britanisë së Madhe, për të hyrë në Luftën e Parë Botërore, se u tha që Franca e kishte lënë Kanalin të pambrojtur, duke llogaritur mbështetjen britanike”. (Henry Kissinger, “Diplomacy”, Neë York 1994, “Simon & Schuster”, f. 197)

Por ajo që nuk e thotë Kissinger është se momenti i nënshkrimit të marrëveshjes detare franko-britanike, kishte të bënte me një situatë tjetër dramatike kur mund të fillonte nga momenti në moment lufta botërore. Në fakt, nënshkrimi i marrëveshjes detare franko-britanike në situatën e dhënë gjeopolitike europiane të vjeshtës 1912, nuk kishte kuptim tjetër veç atij se kërkohej të nxitej Gjermania që të frenonte Austro-Hungarinë, që kjo të mos hynte në luftë ndaj Serbisë, për shkak të pushtimeve serbe në Shqipëri. Kajzeri gjerman sigurisht që kishte ardhur në dijeni për nënshkrimin e marrëveshjes franko-britanike që para se kjo gjë të ndodhte. Si Parisi ashtu dhe Londra qenë të interesuar që Berlini ta mësonte këtë zhvillim të ri. Prandaj, Kajzeri gjerman duke menduar se në rast se Gjermania mbështeste Austro-Hungarinë në luftë kundër Rusisë, atëherë do të gjendej e përfshirë në luftë edhe me Francën dhe Britaninë e Madhe, ia bëri të qartë Vjenës se nuk do ta mbështeste në aventurën e saj kundër Serbisë.  Raymond Poincare, i cili ishte kryeministër i Francës gjatë vitit 1912 (21 janar 1912-21 janar 1913), si dhe më pas President i Francës (1913-1920) ka shkruar një libër me kujtime për ngjarjet e vitit 1912 në Ballkan, me titull “Les Balkans en feus: 1912”. Ky libër, së bashku me librin tjetër me kujtime të Poincare “L’ Europe sous les armes, 1913”, janë botuar në shqip së bashku, nën titullin “Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike si dhe Konferenca e Londrës”. Në këtë libër, Poincare thotë se në 7 nëntor 1912, pra dy ditë para se Ismail Qemali të dërgonte telegramin nga Vjena në Vlorë dhe Kajzeri gjerman të jepte udhëzimet e cituara më lart, në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Paris u paraqit ministri fuqiplotë i Serbisë në Francë. Poincare shkruan: “Z. Vesniq erdhi në ministri. Ka pamje të rëndë e të vendosur. Deklaron se qeveria e Beogradit e quan daljen në Adriatik si një interes jetësor për Serbinë dhe është e gatshme të bëjë të gjitha sakrificat për t’ ia arritur qëllimit”. (Raymond Poincare, “Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike si dhe Konferenca e Londrës”, Shtëpia botuese “Logos-A”, Shkup 2005, f. 301)

Pra, Serbia po i bënte me dije Francës se ajo ishte gati që të hynte në luftë kundër Austro-Hungarisë për të siguruar pushtimin e Shqipërisë, së paku deri në Lumin Shkumbin. Poincare, më tutje në këtë libër, na thotë se edhe Rusia i bëri me dije Francës se ajo do të ishte e detyruar që të hynte në luftë në rast se Austro-Hungaria i shpallte luftë Serbisë për shkak të Shqipërisë. Poincare rrëfen për një bisedë të Ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sazonov, me ambasadorin e Francës në Rusi, Zhorzh Lui: “Duke biseduar me z. Zhorzh Lui, z. Sazonov i thoshte se ishte shumë e vështirë t’ i bësh serbët të arsyetojnë dhe se, sipas të gjitha gjasave, ata po shkonin të pushtonin një port në Adriatik. Si rrjedhim ishte e pamundur, që prej këtij çasti, të arrihej të pengohej ndërhyrja aktive e Austrisë”. (Raymond Poincare, “Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike si dhe Konferenca e Londrës”, Shtëpia botuese “Logos-A”, Shkup 2005, f. 322)

Pra, Rusia po i bënte me dije aleates së saj të Antantës, Francës se ishte çështje ditës që të niste lufta mes një fuqie të madhe të Bllokut Qendror, Austro-Hungarisë, dhe një shteti ballkanas të lidhur ngushtë me Antantën, Serbisë. Gjithashtu, Poincare thotë: “Z. Sazonov, më telegrafonte z. Zhorzh Lui, lë të kuptohet se ndoshta nuk do të jetë në gjendje të luftojë kundër opinionit publik rus”. (Raymond Poincare, “Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike si dhe Konferenca e Londrës”, Shtëpia botuese “Logos-A”, Shkup 2005, f. 322)

Kështu, Rusia po i bënte me dije Francës se ajo do të hynte në luftë në anën e Serbisë në rast se kjo e fundit gjendej në luftë me Austro-Hungarinë. Poincare bënte kinse nuk e kuptonte atë që po i thoshin në mënyrën më të qartë të mundshme, në gjuhën diplomatike. Reagimi i Poincare ishte: “Edhe një herë, pyeta z. Izvolski (ambasadori rus në Francë- K.M.), dhe iu luta z. Zhorzh Lui t’i kërkonte z. Sazonov, të ketë mirësinë të na njohë paraprakisht, me masat që Rusia e çmonte se duhej t’ i përgjigjej një veprimi kërcënues ose detyrues të Austrisë, dhe i deklarova ambasadorit rus “se më është e pamundur t’ i tregoj, qoftë personalisht, vijën të cilët duhet ta ndiqte Franca, në rastin e një ndërhyrjeje të Austrisë, para se qeveria perandorake të më njoftonte qëllimet e saj”. As z. Zhorzh Lui, as unë, nuk morëm përgjigje”. (Raymond Poincare, “Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike si dhe Konferenca e Londrës”, Shtëpia botuese “Logos-A”, Shkup 2005, f. 322-323)

Natyrisht se në raste të tilla nuk flitet më hapur se kaq, prandaj duket absurde ajo që thotë Poincare në vazhdim se: “Në të vërtetë, z. Izvolski nguli këmbë të merrte një përgjigje, për një çështje, të cilën z. Sazonov nuk vendoste ta sqaronte, dhe një përçapje e ngjashme qe bërë pranë sër Eduard Greit nga konti Bekendorf”. (Raymond Poincare, “Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike si dhe Konferenca e Londrës”, Shtëpia botuese “Logos-A”, Shkup 2005, f. 323)

Por, logjika e marrëveshjes detare franko-britanike të 9 nëntorit 1912 të jep të kuptosh të kundërtën, pra se Franca dhe Britania e Madhe qenë në dijeni se aleatja e tyre, Rusia do të mbështeste Serbinë nëse kjo gjendej e përfshirë në luftë me Austro-Hungarinë, dhe Franca e Britania e Madhe morën masa për të hyrë në luftë në anën e Rusisë, kundër Gjermanisë, e cila pritej të hynte në luftë kur Rusia t’ i shpallte luftë Austro-Hungarisë. Poincare shtirej kinse nuk e dinte se, duke qenë se midis Rusisë dhe Francës ekzistonte një aleancë ushtarake, atëherë Franca, e cila gjendej para rrezikut imediat për t’ u përfshirë në luftë me dy fuqi të mëdha, duhet të mos bënte lojëra diplomatike fjalësh, por t’i fliste qartë Rusisë. Fakti që Franca, domethënë Poincare në këtë rast, nuk e bëri këtë gjë, nuk ka kuptim tjetër veç atij se po i jepej mbështetje Rusisë në këtë aventurë, por duke bërë një alibi diplomatike liderët francezë. Pikërisht këtë gjë e bëri Poincare në 17 nëntor 1912, kur ai i tha ambasadorit rus Izvolski se Franca do të ndihmonte Rusinë në rast se ajo do të gjendej në luftë me Austro-Hungarinë, për të cilën Poincare tha se do të kishte mbështetjen e Gjermanisë. Kjo ishte logjika e marrëveshjes detare franko-britanike të 9 nëntorit 1912, për të cilën Poincare nuk flet fare në librin e vet. Gjithsesi, vetë Poincare pohon se atë që Franca dëshironte të dëgjonte, Rusia ia tha qartë pak ditë më pas, në 20 nëntor 1912. Poincare shkruan: “Mali i Zi e kishte njoftuar Serbinë se donte ta mbante për vete Shëngjinin e Lezhës, që është sipas tij “mushkëria e Shkodrës”. Dukej e sigurt se, nga ana e saj, Serbia do të donte të shtyhej deri në Durrës dhe do të përpiqej të qëndronte aty. Në rast se pranon të bëjë aty vetëm një port tregtar, Rusia, thotë z. Sazonov, duhet ta përkrahë”. (Raymond Poincare, “Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike si dhe Konferenca e Londrës”, Shtëpia botuese “Logos-A”, Shkup 2005, f. 335)

Më në fund Rusia i deklaroi hapur Francës se nëse Serbia do të gjendej e përfshirë në luftë me Austro-Hungarinë për shkak të Shqipërisë, atëherë Rusia do të hynte në luftë kundër Austro-Hungarisë, në anën e Shqipërisë. I vetmi lëshim që bënte Rusia ishte që Durrësi i aneksuar nga Serbia të ishte një port i demilitarizuar, çka ishte një premtim që do të harrohej me kalimin e kohës. A mund të pritej që shtetet të cilat nuk kishin hyrë në luftë kundër Serbisë kur kjo kishte aneksuar Shqipërinë e Veriut dhe Durrësit, ta bënin këtë gjë kur Serbia të shkelte premtimin për mosmilitarizimin e Durrësit?! Në të nëjtën ditë, në 20 nëntor, Poincare priti ambasadorin italian, Tittoni, i cili i bëri me dije qëndrimin e Italisë: “Në bisedën që pata sot me z. Titoni, më tha që, në rast se për fat të keq shpërthen një luftë në mes Austrisë dhe Rusisë për shkak të Shqipërisë, marrëveshjet Viskonti-Venosta do ta detyronin Italinë të merrte anën e Austrisë, pavarësisht nga marrëveshja Racconigi”. (Raymond Poincare, “Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike si dhe Konferenca e Londrës”, Shtëpia botuese “Logos-A”, Shkup 2005, f. 329-330)

Kështu, Italia po e paralajmëronte Francën se nëse kjo e fundit do të hynte në luftë kundër Austro-Hungarisë për shkak të aleancës që kishte me Rusinë, atëherë Franca do të gjendej e përfshirë në luftë edhe me fqinjën e saj, Italinë, aleaten e Austro-Hungarisë. Por Italia nuk do të guxonte që të hynte në luftë kundër Rusisë dhe Francës njëkohësisht, nëse Gjermania nuk do të hynte në luftë nën anën e Austro-Hungarisë dhe të Italisë. Pra, në fakt, Italia po i bënte me dije Francës qëndrimin që do të mbante ajo në rast se Gjermania hynte në luftë në anën e Austro-Hungarisë, nëse kjo gjendej e përfshirë në luftë me Rusinë.

Ismail Qemali natyrisht që nuk dinte asgjë për të gjitha këto. Ai as që mund ta dinte se sa në rrezik u vu çështja shqiptare pikërisht në ditën kur ai nisi telegramin e famshëm, si dhe në ditët në vijim. Ismail Qemali sigurisht që mendonte se, kur në Vjenë i thanë se Austro-Hungaria e mbështeste kauzën shqiptare, kancelaria habsburgase kishte marrë edhe mbështetjen e Gjermanisë për çdo eventualitet. Në të vërtetë austro-hungarezët vepruan në mënyrë të tillë që thjesht ta inkurajojnë Ismail Qemalin, i cili duhet të ketë arritur në Vjenë, në gjendje dëshpërimi të thellë. Austro-hungarezët donin që ta bindnin Ismail Qemalin që të nisej për në Shqipëri, e nëse ai do të vritej nga serbët apo grekët, pasiqë Vjena të mos kishte siguruar dot mbështetjen e Berlinit, kjo gjithsesi do të ishte një ngjarje që kancelaria habsburgase do ta përdorte për qëllime propagandistike kundër aleatëve ballkanas. Ishte e qartë se vendimtar për kahjen që do të merrte çështja e krijimit ose jo të shtetit shqiptar, do të ishte qëndrimi i Gjermanisë. Por edhe në Vjenë kishte shumë ngurrime mbi atë nëse Austro-Hungaria duhet të hynte në luftë me Rusinë për shkak të pushtimit serb të Shqipërisë. Perandori plak dhe i sëmurë i Austro-Hungarisë, 82 vjeçari Franz Joseph, nuk donte që në fund të jetës së tij ta çonte imperinë dobësitë e së cilës kurrkush nuk i njihte më mirë se ai, në një luftë që mund të rezultonte shkatërrimtare për të. Franz Joseph nuk do të ngulmonte kurrë pranë Wilhelmit II që Gjermania t’ i jepte mbështetje të pakushtëzuar Austro-Hungarisë në krizën ballkanase.  Ministri i Punëve të Jashtme i Austro-Hungarisë, Leopold Berchtold ishte një njeri apatik nga natyra. Në shtator 1912, ambasadori francez në Vjenë i raportonte Parisit në nota sarkastike për Berchtold: “Për sa i përket ilaçit që do të duhej për situatën, nuk kam mundur ta bëj kontin Berhtold të interesohej për çështjen e rendit praktik. Do të thoja se ai frikësohej nga vetë nisma e tij, sapo duhej bërë ndonjë gjë reale”. (Raymond Poincare, “Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike si dhe Konferenca e Londrës”, Shtëpia botuese “Logos-A”, Shkup 2005, f. 174)

Ushtarakët austro-hungarezë donin që të ndalej Serbia dhe të dëbohej nga Shqipëria, qoftë edhe me luftë, por atyre u duhej një mbështetës i rëndësishëm në oborr për idetë e tyre. Këtë person ata e gjetën tek trashëgimtari i fronit habsburgas, Franz Ferdinand. Në rrethanat kur perandori plak habsburgas dukej se i ishte dorëzuar rrjedhës së ngjarjeve, dhe kur kancelaria e tij ishte apatike, Franz Ferdinandi mori nismën personale që të shkonte në Gjermani për të takuar Kajzerin. Se çfarë bisedoi Franz Ferdinandi me Kajzerin nuk dihet plotësisht, por një arritje e tij është e sigurt, siç e thotë David Fromkin, në librin e tij të përmendur më lart: “Në 21 nëntor, miku i madh i Kajzerit, Arkiduka Franz Ferdinand, trashëgimtari i fronit Habsburgas, shkoi në Berlin dhe mori nga Kajzeri dhe von Moltke sigurimet se Gjermania do të mbështeste Austrinë “në të gjitha rrethanat”, madje edhe duke marrë parasysh rrezikun e luftës me Britaninë e Madhe, Francën dhe Rusinë. Kajzeri qartësisht ishte bindur se Austria nuk ishte pala provokuese dhe se Anglia dhe Franca nuk do të ndërhynin. Këto mund të kenë qenë kushtet e tij, ndonëse të pathëna”. (David Fromkin, “Europe’ s last summer: who started dhe Great War in 1914”, Neë York 2004, “Alfred Knopf”, f. 89-90)

Ajo që mund të imagjinohet lehtë është se Franz Ferdinandi i bëri me dije Kajzerit se nëse Serbia zgjerohej në Shqipëri, duke marrë edhe Durrësin, atëherë kjo do të ishte vdekjeprurëse për Austro-Hungarinë, pasiqë ishte njëjtë sikur Rusia të kishte dalë në Durrës. Një bazë ushtarako-detare serbo-ruse në Durrës, ose diku përreth tij, do të kërcënonte seriozisht rrugëkalimin detar të Austro-Hungarisë. Franz Ferdinandi duhet ta ketë kërcënuar Kajzerin me prishjen e aleancës me Gjermaninë, duke i aluduar për një bashkëpunim me Francën që kjo e fundit të ushtronte presion ndaj Rusisë, për ta bërë Serbinë të tërhiqej nga Adriatiku. Kajzeri, i cili ishte i vetëdijshëm se Austro-Hungaria ishte i vetmi aleat i besueshëm i Gjermanisë (Italia ishte një aleat i lëkundur, siç e tregoi edhe koha), nuk kishte ç’të bënte veçse t’i nënshtrohej atij që nuk mund të quhej tjetër posë shantazh i princit habsburgas. Vetëm pas bisedës së Franz Ferdinandit me Kajzerin mund të thuhej ajo që tha Ismail Qemali në 9 nëntor, pra se çështja shqiptare ishte siguruar. Nuk është rastësi që pikërisht në ditën kur Ismail Qemali shpalli pavarësinë në Vlorë, pra në 28 nëntor 1912, Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, von Kiderlen-Waechter, deklaronte në parlamentin gjerman: “Nëse Austria është e shtrënguar, për çfarëdolloj arsyeje, të luftojë për pozicionin e saj si fuqi e madhe, ne do të qëndrojmë në anën e saj”. (David Fromkin, “Europe’ s last summer: who started dhe Great War in 1914”, Nju Jork 2004, “Alfred Knopf”, f. 90)

Pra, Gjermania shpalli botërisht se do të hynte në luftë në anën e Austro-Hungarisë, në rast se kjo do të gjendej në luftë me Rusinë për shkak të Serbisë. Në Londër, ministri britanik i Punëve të Jashtme, Sir Edward Grey, i tha ambasadorit gjerman, duke komentuar fjalët e Kiderlen-Waechter se: “pasojat e një politike të tillë do të qenë të pakalkulueshme”. (David Fromkin, “Europe’ s last summer: who started dhe Great War in 1914”, Nju Jork 2004, “Alfred Knopf”, f. 90)

Sir Edward Gray me këtë donte që t’ i thoshte kolegut gjerman se me këtë deklaratë Gjermania kishte hyrë në një rrugë që mund ta çonte në luftë me Britaninë e Madhe. Në këtë rrugë Gjermaninë e tërhoqi Franz Ferdinand. Ai e ktheu rrotën e historisë në dobi të shqiptarëve. Serbët e mësuan sigurisht se cili ishte njeriu që i dëboi nga Adriatiku dhe që atëherë e dënuan me vdekje Franz Ferdinandin. Vendimi terrorist u zbatua një vit e gjysëm më pas, në 28 qershor 1914 në Sarajevë. Franz Ferdinandit ne i detyrohemi më tepër se çdokujt të huaji për krijimin e shtetit shqiptar. Por edhe 100 vite pas krijimit të shtetit shqiptar, ky njeri jo vetëm që nuk ka asnjë shtatore të ngritur në shenjë mirënjohjeje, por asnjë rrugë, asnjë shesh nuk mban emrin e tij. Në 18 dhjetor 2013 është 150 vjetori i lindjes së Franz Ferdinandit, një ditë kjo që më tepër se Austria ka detyrimin ta celebrojë Shqipëria. Nëse në 28 nëntor 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, kjo para së gjithash është meritë e Franz Ferdinand, i cili meriton për këtë që të jetë qytetar nderi i Vlorës.