Kastriot Islami/ Raport Progresi për Shqipërinë ishte moment motivues

568
Sigal

Publikimi i Raportit të Progresit dhe rekomandimi për fitimin e statusit të vendit kandidat në BE për Shqipërinë është lajm shumë i mirë, një ngjarje e gëzueshme dhe moment motivues.

Raporti i Progresit:

• vlerëson progresin për periudhën tetor 2012-shtator 2013 nga qeveria e drejtuar nga PD

• rekomandon fitimin nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në BE

• nënkupton se qeveria e re e drejtuar nga PS do të vazhdojë luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Hapja e negociatave për anëtarësim në BE do të varet fuqimisht nga progresi në disa fusha por mbeten prioritare i) dialogu maxhorancë-opozitë; ii) lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, iii) reforma në administratën publike, iv ) garantimi i shtetit ligjor, v) ngritja e një sistem gjyqësor të pavarur dhe efikas, vi) garanci për respektimin e të drejtave themelore te njeriut, të pronës, të komunitetit Rom. Merita dhe krenaria kryesore për fitimin e statusit në 2013 i përket maxhorancës së drejtuar nga PD që garantoi progresin e duhur duke qeverisur vendin dhe organizuar zgjedhjet në periudhën tetor 2012-shtator 2013. Raporti që mat progresin një vjeçar në periudhën tetor 2012- shtator 2013 tregon se të gjitha detyrimet janë plotësuar. Kjo tregon së janë kryer me sukses të gjitha reformat gjatë “periudhës tetor 2012-shtator 2013”, periudhë të cilën mbulon ky raport. Rekomandimi për fitimin e statusit bëhet nga Komisioni Europian pasi janë plotësuar të gjithë kushtet konkrete duke lënë të kuptohet (ky është “kushti” i vetëm që ka shoqëruar dhe me sa duket do të shoqërojë të gjithë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kusht i cili ka zënë vend të rëndësishëm në të gjithë raportet e progresit edhe të vendeve të tjera) se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të vazhdohet. Ky është një lajm shumë pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nga ana tjetër fitimi i statusit të vendit kandidat është i) shans për të ecur më shpejt përpara; ii) një pamundësi për kthim prapa apo iii) një pengesë më e madhe për fillim nga zero. Natyrisht fitimi i statusit të vendit kandidat, si një stacion drejt anëtarësimit të plotë në BE, varet nga vendimi i Këshillit Europian që më shumë gjasa duket ngjarje e sigurtë. Sfida kryesore më e afërt e Shqipërisë drejt BE është çelja e negociatave për anëtarësim në BE. Në themel të kësaj sfide janë “dialogu politik konstruktiv dhe i qëndrueshëm midis maxhorancës e opozitës, si edhe arritjet e reja në fushën e administratës publike, në atë të shtetit ligjor dhe në atë të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”. Në trajtë më konkrete disa nga “kushtet” prioritare për t’u plotësuar për hapjen e negociatave do të ishin i) reforma në administratën publike; ii) garantimi i pavarësisë dhe efikasitetit të gjyqësorit, iii) vazhdimi me vendosmëri dhe thellimi i luftës kundër korrupsionit; iv) sigurimi i rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar; v) garanci për respektimin e të drejtave themelore të njeriut, të drejtave të pronës dhe të drejtave të komunitetit romë; e tjerë.