Kanuni i Labërisë

Analizë nga Av. Vasil Bendo

Veprat e mëdha shkruhen nga njerëz të mëdhenj, vepra është “KANUNI i LABËRISË” kurse hartuesi dhe kodifikuesi është Prof. Dr. Ismet Elezi me origjinë nga fshati Fterë e Vlorës. Dëshiroj të shënoj që në krye se vlerësimet mbështeten kryesisht në studimet dhe ekspeditat mbarëshqiptare, kërkimet shkencore, materialet e shkruara, vlerat studimore dhe shkencore të studiuesit shekullor, patriotit dashamirës të kombit tonë -Profesorit tonë të dashur. Hartimi dhe kodifikimi i kanunit të një treve apo territori të gjerë shqiptar mendoj, se kërkon studime, hulumtime, këmbëngulje, njohje, dashamirësi njerëzore, respekt popullor, pyetje-përgjigje, marrëdhënie bashkëreciproke, figurë shkencore dhe njerëzore, duhet të jesh bir i zonës së cilës i shkruan Kanunin dhe më tej, me qëllim që ai Kanun të bëhet burim i së drejtës zakonore dhe tradicionale shqiptare. Këto cilësi dhe virtyte mishëron Profesori me veprën e tij madhore që do të mbetet e pavdekshme ndër shekujt e ardhshëm.

Zakoni shqiptar 
Në të drejtën historike kanunore shqiptare termi “zakon” është quajtur dhe konsideruar si një rregull sjelljeje i vendosur si rezultat i zbatimit të tij në fakt gjatë një kohe të gjatë në popullatën vendase dhe zonale. Zgjidhja e njëllojtë e çështjeve analoge për një kohë të gjatë nga komuniteti krijon nevojën e një sjelljeje të detyrueshme për popullatën zonale dhe më gjerë, që trashëgon zakonin. Në fjalorin themelor të gjuhës shqipe jepen dy shpjegime për termin “zakon”:

“1. Mënyrë veprimi, sjelljeje, etj. që është ndjekur e është përsëritur vazhdimisht nga dikush; shprehi e fituar nga përsëritja e vijueshme e një veprimi, e cila ruhet për një kohë të gjatë.

2. Rregull a normë në mënyrën e jetesës (në sjelljen,në veshjen, në marrëdhëniet shoqërore, etj.) që është vendosur historikisht e zbatohet si ligj i pashkruar nga një popull, nga një fis, nga një klasë a shtresë shoqërore dhe që trashëgohet brez pas brezi..”. 

Zakoni popullor bëhet ose konsiderohet i detyrueshëm, sepse të gjithë njerëzit që e njohin kanë vepruar me kohë kështu, pra kanë vepruar sipas zakonit të trashëguar nga stërgjyshërit, gjyshërit, prindërit etj. Njerëzit mësohen apo edukohen ndër breza të vazhdueshëm të zbatojnë rregullat e sjelljes të pashkruara të komunitetit popullor që i përkasin. Këto rregulla të pashkruara me kalimin e kohës konsiderohen si të shkruara dhe nguliten në mendjen e njerëzve sikur të jenë tabu dhe të pashkelshme, në të kundërt quhet “turp” për atë që i shkel. Në fjalorin e avancuar anglez të vitit 1977 dhe botuar në Tiranë në vitin 1983, si për termin “normë” dhe “rregull”, ashtu edhe për termin “zakon” ka dy përcaktime klasike që vlejnë botërisht, por që i shërbejnë edhe analizës së Kanunit në fjalë: 

“1. Rule, low or custom which guides or controls behavior or action; 

2. Decision made by an organization, etc. about what must or must not be done..”. 

Gjithmonë, këto rregulla kanë pasur karakterin e theksuar popullor pozitiv të sedrës, ndershmërisë, moralit, bashkësocialitetit, ndihmës, premtimit, besës, krenarisë, etj. Asnjëherë ato nuk vendosin ndasi sociale, fetare, racore, pasurore. Turpi mbetet tek shkelësi i rregullave zakonore, duke e treguar me gisht trashëguesit që njohin bashkëjetesën paqësore, sociale dhe kanunore. Mendimi im është se:“Rregullat zakonore vendosin pajtimin publik për zgjidhjen e çështjeve me mirëkuptim brenda dhe ndërmjet komuniteteve popullore brenda dhe ndërkrahinore”. Kanuni i Labërisë është kërkuar, shkruar dhe kodifikuar prej autorit gjatë një periudhe afërsisht 30-vjeçare, duke filluar nga vitet 80’ dhe deri në botimin në vitin 2006. Është një “Kushtetutë Popullore” e Shqipërisë së Jugut përkundrejt Kanunit të Lekë Dukagjinit të Shqipërisë së Veriut dhe Kanunit të Skënderbeut. Tri kanunet janë shumë të përafërt me njëri-tjetrin me ndonjë dallim të pa konsiderueshëm konceptual që nuk sjell pështjellim në bashkëjetesën tonë sociale. Kanuni i Labërisë pasqyron me vërtetësi kulturën e lashtë juridike të popullit të krahinës së Kurveleshit, si pjesë përbërëse e kulturës shpirtërore e materiale të kombit shqiptar. Labëria është bashkësi etnokulturore e formuar në një territor autokton, zonë ndër më të mëdhatë etnografike, me shtrirje gjeografike mjaft të gjerë në jugperëndim të Shqipërisë, me gjuhë, zakone e tradita kulturore të përbashkëta me krahinat e tjera përreth. Mund të thuhet me siguri se Kanuni i Labërisë zbatohej në fshatra të Vlorës, në Himarë, në bregdet në tërësi, Kurvelesh, Rrëzomë, Kardhiq, Rrëzë të Tepelenës, kudo gjetkë ku banojnë bashkësi labe, si dhe në Mallakastër e në shkallë më të kufizuar deri në qytetet e Gjirokastrës, Delvinës, Tepelenës e Vlorës. Eqerem Bej Vlora ka shkruar: “Shumica e lexuesve nuk dinë fare që në Shqipërinë e Jugës, ka qenë (deri dje) në veprim një “ligj i zakonit” ndërmjet popullatave malore të Labërisë, të Toskërisë dhe të Çamërisë…”. E drejta zakonore që u ruajt gjatë pushtimit osman vepronte, jo vetëm në krahinat autonome (Malësi e Shkodrës, Mirditë, Himarë), por edhe në zonat e tjera të banuara të Kosovës, Dibrës, Elbasanit, Tiranës, Beratit, Skraparit, Mallakastrës, Vlorës, Labovës, Kolonjës, Korçës, Pogradecit, Çamërisë etj. dhe zbatohej nga të krishterë e myslimanë, njëlloj nga të gjithë së bashku.“Kanunet, zakonet, adetet të marra në unitet me origjinën, historinë, gjuhën, kulturën dhe vlerat morale të përbashkëta dëshmojnë identitetin kombëtar shqiptar” është përcaktimi i autorit te veprës. Që këtej rrjedh se Kanuni i Labërisë është pjesë përbërëse dhe variant kryesor i kanunit popullor mbarëshqiptar, i bazuar në filozofinë e vetëqeverisjes popullore vendore, por edhe shumë më gjerë, influencues në qeverisjen qendrore të vendit tonë.

Kanuni shqiptar
Prejardhja e termit “kanun” ka ngjallur diskutime ndërmjet autorëve të ndryshëm shqiptarë. At Gjergj Fishta në parathënien e Kanunit të Lekë Dukagjinit shprehet se “rrjedh nga greqishtja e vjetër “Kanon” që u përhap edhe në gjuhë të tjera” kurse historiani Kristo Frashëri mendon se “kanun” është me origjinë bizantine dhe rrjedh nga emërtimi “Kanon”. Autorë të tjerë mendojnë se në Shqipëri ky term hyri nëpërmjet turqishtes “Kanun” dhe “Kanuname”. Pavarësisht se nga rrjedh ky term dhe se si u përhap në vendin tonë, është fakt i pamohueshëm se ai u pranua në të gjitha variantet e kanuneve shqiptare dhe deri në Kosovë. Termi “Kanonizma” është përdorur në aktin e Komitetit të Fshehtë të Manastirit “Për lirinë e Shqipërisë” të themeluar në vitin 1865. Gjithashtu “Kanon” është përdorur nga qeveria e Vlorës në aktin e quajtur “Kanoni i Zhurisë” në vitin 1913. Në popull janë përdorur fjalët “shart”, “adet”, “zakon” por edhe këto janë me origjinë të huaj. Fjalori i gjuhës shqipe termin “kanun” e përkufizon: “Përmbledhje ligjesh e normash të pashkruara, të trashëguara brez pas brezi, që pasqyrojnë gjendjen ekonomiko-shoqërore të periudhave të kaluara dhe që në kohën e vet mbronin interesat e klasave e të shtresave të caktuara shoqërore; tërësia e normave të së drejtës zakonore”. Nisur nga pranimi dhe përkufizimi drejtshkrimor në fjalorin tonë themelor, por edhe pas konsultimit me specialistë të fushës, autori vendosi që vepra të emërtohet “Kanuni i Labërisë” për këto arsye kryesore: 

Së pari, termi “kanun” është njohur e pranuar në malësitë e Veriut të Shqipërisë, Kosovë dhe aktet e qeverisë së Vlorës, pra ka gjetur një pranim mbarëpopullor. 

Së dyti, kultura greke, bizantine dhe turke kanë pasur një ndikim të ndjeshëm për vendosjen e normave të së drejtës zakonore të Labërisë. 

Së treti, është më i pranueshëm termi “kanun”, duke pasur parasysh përmbajtjen juridiko-sociale të tij të përkufizuar nga autori, si vijon:“Kanuni paraqitet si tërësi e normave juridike, rregullave të sjelljes, të pashkruara, të vendosura në kohë të ndryshme e të përcjella në traditën gojore nga njëri brez te tjetri dhe që shërbejnë për rregullimin e marrëdhënieve juridike në mes njerëzve, në fusha të ndryshme të jetës, zbatimi i të cilave sigurohet sipas traditës nga vetë bashkësia e njësisë të vetëqeverisjes vendore, pa forcën e shtetit”. Personalisht, pa dyshim shpreh pëlqimin dhe vlerësimin tim maksimal për këtë përkufizim që pasuron më tej të drejtën e përgjithshme shqiptare, nxit hulumtime e studime shkencore krahasuese dhe nxjerr në dritë vlerat kanunore e kulturore të Labërisë, pikësëpari të autorit, por edhe të popullsisë së krahinës nga ai rrjedh. Në stadet më të hershme të shoqërisë shqiptare janë njohur “tabutë” si veprime të ndaluara dhe shkelësve të tyre u jepeshin dënime të ndryshme. Veç tabuve, në shoqërinë tonë kanë vepruar normat e moralit, bazuar në filozofinë e të mirës dhe të keqes, të cilat përcaktonin se si duhej të silleshin njerëzit. Gjithashtu janë zbatuar zakonet që kanë luajtur rol të rëndësishëm për rregullimin e marrëdhënieve shoqërore në grupet etnike. Me zhvillimin historik të shoqërisë, si pasojë e dallimeve ekonomiko-shoqërore, u diktua nevoja e shndërrimit të zakoneve në norma të së drejtës zakonore. Në Labëri kanë ekzistuar sisteme të ndryshme të së drejtës, bartës të të cilave kanë qenë grupe të ndryshme sociale e kulturore. Në literaturën historike e juridike vendase dhe të huaj, është pranuar se Perandoria Bizantine ishte e detyruar t’ua njihte bashkësive të ndryshme etnike, duke u përfshirë edhe shqiptarët, format patriarkale të ekzistencës së tyre kombëtare dhe normat e së drejtës zakonore për vetëqeverisjen vendore. Megjithatë, është fakt i pamohueshëm se e drejta zakonore e Labërisë, si dhe ajo mbarëshqiptare, nuk u asimilua, nuk u zhduk, ruajti karakterin origjinal shqiptar e kombëtar dhe vazhdoi të mbijetojë e të zbatohej në praktikë. Ajo ishte pjesë përbërëse e qëndresës popullore kundër pushtuesve të huaj. Në rast se ajo do të asimilohej gjatë pushtimit osman, atëherë njerëzit do të detyroheshin të zbatonin vetëm “sheriatin” dhe të humbnin gjuhën e dashur shqipe, por kjo gjuhë nuk humbi dhe nuk kishte mundësi të humbte, pasi e ruajti e drejta zakonore e vendit tonë.
Rëndësia e Kanunit
Origjina e normave të së drejtës zakonore mbarëshqiptare, përfshirë dhe të Labërisë, i përket lashtësisë, para pushtimit romak, që nga ilirët e shekullit IV p.e.r. Këto norma u përcollën në traditën gojore gjatë shekujve deri në gjysmën e parë të shekullit XX, gjithmonë në trajtën e normave të sjelljeve të pashkruara. Normat e së drejtës zakonore të përfshira në Kanun nuk kanë qenë statike në të gjitha kohët. Ato kanë pësuar evolucionin e tyre historik, janë ndryshuar dhe plotësuar me norma të reja, në përshtatje me kërkesat objektive të zhvillimit ekonomik, social e kulturor të Labërisë. Një gojëdhënë popullore ia atribuon Kanunin papa Zhulit nga Zhulati, shek. XI, që flitet se ka qenë prift dhe prijës i Kurveleshit. Figura e papa Zhulit i takon kohës së Bizantit, çka dëshmon se gjurmët e Kanunit të Labërisë gjenden qysh atëherë dhe kanë vepruar në praktikë krahas monokanonit bizantin. Është interesant fakti se kjo gojëdhënë për papa Zhulin në Labëri ka shumë ngjashmëri me atë të Malësisë se Veriut që ia atribuon Kanunin mesjetar Lekë Dukagjinit, apo Kanuni i Skënderbeut, megjithëse nuk ka dokumente arkivore. Sipas mendimit të autorit, as Lekë Dukagjini dhe as Papa Zhuli nuk kanë qenë dhe nuk mund të ishin krijuesit e kodifikuesit të Kanunit, përderisa normat zakonore kanë origjinë më të lashtë. Por në rastin më të mirë ata mund të kenë bërë ndryshime të normave të vjetra duke i zëvendësuar me norma të reja në përputhje me zhvillimet e kohës, ose kanë ushtruar autoritetin e tyre për zbatimin e këtyre normave duke u fiksuar si kodifikues historik. Shpreh mendimin tim, se normat zakonore janë krijuar e ushtruar nga populli që nga lashtësia dhe ato marrin vlerë kur studiohen, përmblidhen dhe kodifikohen nga autorë të shquar si Prof. Dr. Ismet Elezi me veprën madhore “Kanuni i Labërisë”. Profesori e filloi veprën nga “paku” dhe e përfundoi me një vlerë burimore kombëtare të jashtëzakonshme që do t’u rezistojë shekujve të ardhshëm. Më duhet të pohoj se Kanuni i Labërisë ka rëndësi historike, etnokulturore, juridike e kombëtare, çka shkurtimisht paraqitet në vijim. Populli i Labërisë, sikurse i gjithë populli shqiptar, është shquar për atdhedashuri e trimëri, ka bërë qëndresë shekullore dhe luftëra pa fund kundër pushtuesve të huaj, për liri dhe pavarësi kombëtare, për të ruajtur vetëqenien, identitetin kombëtar, gjuhën, zakonet e traditat e veta kulturore të trashëguara nga paraardhësit-ilirët. Këtë e ka favorizuar edhe pozicioni gjeostrategjik, me terren malor e bregdetar dhe me potencial të madh njerëzor, luftëtarë me përvojë. Shembulli i gjallë i Labërisë është tepër domethënës për të vërtetuar ato që ka thënë albanologia angleze Edith Durham: “Perandoritë e tjera erdhën e ikën, por ato kaluan mbi shpinën e shqiptarit si uji mbi shpinën e rosës…..dhe ai ruajti zakonet dhe identitetin e tij”. Kjo ishte vetëmbrojtje e mirëfilltë për individët dhe shoqërinë shqiptare. Në Kanunin e Labërisë themelohen në unitet etika, një sistem vlerash të larta morale si dhe parimet themelore juridike të mbrojtjes së nderit, burrërisë, fisnikërisë, besës, mikpritjes, bujarisë, parimet e barazisë së gjakut dhe të lirisë, ashtu siç pasqyrohen ne të drejtën zakonore mbarëshqiptare. Populli shqiptar nuk e ka gjetur kurrë drejtësinë popullore në ligjet e vendosura nga shtetet e huaja pushtuese. Ai krijoi dhe jetoi me të drejtën zakonore të tij, me ligjet e veta të pashkruara, të trashëguara brez pas brezi nga të parët, për vetëmbrojtjen e bashkësisë dhe vetëqeverisjen vendore. Këtu qëndron thelbi i kanuneve shqiptare. Edith Durham shprehet se: “Kjo filozofi e ligjit qëndron edhe mbi “dhjetë urdhëresat e zotit””.Kanuni është dëshmi e gjallë se bashkësia labe nuk ka jetuar në anarki dhe arbitraritet, por ka ruajtur dhe zbatuar normat e së drejtës zakonore për rregullimin e marrëdhënieve shoqërore në mes njerëzve, në fusha të ndryshme të jetës shoqërore. Këto norma janë krijuar si rezultat i zhvillimit të marrëdhënieve shoqërore-ekonomike të grupit etnik dhe kanë vepruar brenda tij në truallin e Labërisë. Si formë e vetëdijes shoqërore ato kanë hyrë thellë në shpirtin e këtij etnosi dhe janë respektuar e zbatuar me fanatizëm nga bashkësia dhe çdo pjesëtar i saj, krejt natyrshëm, sipas traditës së përditshme, të pranuar nga të gjithë, pa forcën shtrënguese të shtetit, aq sa do ta kishte zili çdo shtet i sotëm për zbatimin e ligjit, drejtësisë dhe demokracisë.

Koncepti i Kanunit
Kuptimi dhe rëndësia që ka pasur nderi për popullin e kësaj bashkësie kanë luajtur rol të madh në zbatimin e Kanunit. Veç traditës së normave të moralit që kanë qenë faktori kryesor, për zbatimin e Kanunit kanë ushtruar ndikim edhe feja, organizmat e vetëqeverisjes vendore, këshilli i pleqve, gjyqi i pleqve dhe kuvendi i burrave me autoritetin e tyre patriarkal. Respektimi i këtyre normave lidhej ngushtë me vetëqenien dhe vetëqeverisjen e këtyre bashkësive dhe të pjesëtarëve të tyre, kurse mosrespektimi vinte në rrezik jetën kolektive të bashkësisë e të individëve. Këto rrethana kanë bërë që bashkësitë dhe organizmat e vetëqeverisjes vendore të reagojnë ashpër ndaj të gjitha sjelljeve me rrezikshmëri shoqërore, me qëllim ruajtjen e unitetit të bashkësisë dhe mbrojtjen e individit. Format dhe mënyrat e reagimit kanë ndryshuar gjatë zhvillimit historik të shoqërisë labe, që nga bojkotimi, dëbimi e deri te vrasja e fajtorit me faj. Në kushtet kur nuk kishte shtet të pavarur, nuk kishte kushtetute dhe ligje në zbatim të saj, nuk kishte shtet që të administronte pasuritë dhe kulturën popullore shumëshekullore shqiptare, Kanuni luante rolin e një “Kushtetute Popullore” për rregullimin e marrëdhënieve juridike të popullsisë të njësive të vetëqeverisjes vendore, duke përfshirë edhe Kanunin e Labërisë qe ka luajtur dhe luan një rol të madh në pasurimin e mëtejshëm të kulturës dhe të së drejtës sonë popullore. Koncepti kryesor i Kanunit të Labërisë është ruajtja e vlerave më të mira morale e kulturore të trashëguara nga e kaluara dhe lufta kundër anëve negative, të papajtueshme me parimet morale e juridike të shoqërisë demokratike shqiptare. 

Vijon nesër…