Kanë filluar bastet për zgjedhjet si në loto sportive

829
Bardhyl Berberi 
Edhe pak ditë, na ndajnë kur ne do t’iu drejtohemi kutive të votimit. Liderët po luajnë shumë fort me zëra të ngjirur, por çuditërisht populli i zhgënjyer dhe zhgërryer nga këta liderë i ka marrë këto zgjedhje me përtesë… Realiteti nuk duket aq paqësor, sa u duket politikanëve. Kanë plasur sondazhet madje edhe baste me qindra mijëra euro midis bosëve që mbrojnë partitë e tyre që i kanë bërë të dhjamur. Në Pogradec flitet për një bast me 100 mijë euro që është vënë nga dy bosë që janë në dy parti të ndryshme; një në pushtet e tjetra në opozitë. Populli thotë: Gosti të hash çdo ditë dhe të mërzitet e jo të dëgjosh dënglat e politikaneve tanë. Në murin e një fasade në qytetin e Korçës ishte shkruar para pak ditesh:- Unë votoj/ti voton/ne votojmë/Ata fitojnë …Mesazhet janë të qarta. Shumë shpesh, dhe pa arsye, po na shkëpusin nga jeta jonë e vërtetë me anë e rrjeteve sociale . Na servirin lloj lloj ngjarjesh që askujt nuk i hynë në punë. Në fund të fundit, çfarë rëndësie ka se cili nga ata, do të jetë në parlament? Pushteti i vërtetë nuk del nga populli, por nga listat e këtyre partive. Por thonë se, demokracia kështu e ka! Oligarkët, thjesht e adhurojnë lojën e demokracisë. Kështu, ajo e legjitimon pronën e blerë, me paratë e qytetarëve. Na nxjerrin, në votime, sa herë të duhet të vërtetojnë bastet, të legjitimojnë lojën të çelikosin karrigen e tyre. Vështirë se luan rol, për popullin se kush do të fitojë. Edhe elektoratin, për aq sa u duhet e mbajnë peng, e kanë blerë me premtime të pafund për vende pune dhe afera tenderësh dhe koncesionesh. Por, te ne, demokracia , ka dalë prej mode, përfundimisht populli është zhgënjyer maksimalisht nga “ mullarë “me premtime dhe asgjë në torbë . Zgjedhjet tek ne janë bërë të kurdisura.. Zgjedhjet mbahen, jo për të zgjedhur, deputet apo drejtues lokal, por vetëm për të vërtetuar bastet. Më kot insiston Evropa edhe Amerika, për lista të (pa)pastra. Përse na mundoni kot ,Populli thotë : Selanik e tatëpjetë siç ka qenë do të jetë. Nëse nuk ju pëlqen, të dashur pushtetarë , na e jepni një shans na jepni ide të qarta dhe platformë reale, se vërtet jetën tonë do ta ndryshoni cilësisht. Duam që premtimet tuaja kur të merrni karrigen të jenë me procedurë të shkurtuar jo të presim katër vjet. Boll na lodhët. E shikoni që të gjithë duan të largohen nga Shqipëria, pasi ju në fjalimet tuaja të stërholluara me lloj lloj sofizmash nuk u jepni njerëzve qoftë edhe një arsye, se pse ata duhet të qëndrojnë më në Shqipëri me këtë klasë politike “fuorixhoko” Pastaj, përse bëheni merak? Ne e kemi modelin, që të dalldisemi pas tij . Njerëzve u ka rënë krejt interesi për ju. Ju nuk jeni më mite që ata t’ju shikojnë në sy. I keni zhgënjyer dhe unë sinqerisht nuk e di, por me sa kemi kontakte me njerëz të thjeshtë shumë prej tyre nuk duan të votojnë për asnjë forcë politike. Ne në këto 26 vjet, nuk kemi pasur shtet, në kuptimin e plotë të fjalës dhe kjo ka bërë që të bien mitet. Koha të konsumon të ventit kur t`i zhgënjen qytetarët e tu. Qytetarët duhet të shërbejnë për shtetin, institucionet, presidentin! Qytetarët tanë e duan demokracinë ata e kanë ëndërruar atë, por jo këtë demokraci alla-shqiptare të arnuar keq. Në zgjedhjet e kaluara e dinë më së miri, edhe nga vëzhguesit ndërkombëtare se në Shqipëri vidhet ose blihet vota. As vjedhja nuk është më dukuri negative dhe e rrallë. Është industrializuar dhe institucionalizuar. Nëse, demokracia është si një pikë bastesh, edhe rezultatet duhet të përshtaten me bastet. Varet sa kush ka investuar në këto baste politike . Bastet i fitojnë më shumë, ata që nuk pritej dhe shpesh herë dalin më të fituar. Kali i Trojës njihet edhe në politikë. Gjithçka dihet, tashmë më 25 qershor përsëri votohet kjo klasë politike, atëherë me pikëllim të thellë njerëzit e thjeshtë dhe hallexhinjtë kanë rënë në mendime. Po me ne çfarë do të ndodhi? Të dalim në votime apo të mos dalim, kjo është çështja? Siç ka thënë Orwell, duke dalën zgjedhje, edhe ne bëhemi bashkëpunëtorë në mashtrim. Në fund të fundit, edhe nëse nuk dalim, prapë se prapë gjithçka do të vazhdojë sipas skenarit. Ka kush voton për ne…! Bastexhinjtë që po presin të fitojnë bastet për partitë e tyre e që janë duke bërë tifozllëk, jo se jo…
Sigal