Kanan BRAHO/ Bashkia Orikum dhe pazar-maxhoranca

930
Sigal

Kryerja e Reformës Administrative Territoriale, patjetër ishte e nevojshme. Teorikisht, mënyra e aprovimit, kriteret e ndarjes së re territoriale, si dhe objektivat që duheshin arritur, përgjithësisht, ishin të gjithë pranuara, si nga krahët politikë, ashtu edhe nga opinioni publik. Analiza e plotë e një sërë faktorësh, do të çonte objektivisht edhe në përcaktimin, nëse një njësi e caktuar vendore do të plotësonte ose jo kriteret, për të qenë Bashki.

Rasti i Bashkisë Orikum, është rasti më i pastër i përdorimit të fuqisë së pushtetit për të vendosur arbitrarisht të ardhmen e një krahine, pa marrë në konsideratë asnjë kriter shkencor, duke injoruar të gjitha të dhënat që kanë të bëjnë me sipërfaqen, resurset kapacitetet ekonomike, historinë etj.. Pyetja që shtrohet në këtë rast është: Bashkia Orikum nuk i plotëson kriteret e vetëqeverisjes si pasojë e mungesës së kapaciteteve, resurseve, territorit etj.? Apo është duke u përdorur si “plaçkë” për të kënaqur orekset e vjetra të agallarëve të rinj në Tiranë e në Vlorë?

Vështirë të gjesh një territor kaq mirë të përcaktuar si ai i Krahinës së Dukatit me një sipërfaqe, prej më shumë se 340 km2, më të madhen nga njësitë vendore në Shqipëri.

Vështirë të gjesh një territor të një njësie vendore, si Bashkia Orikum, që të ketë brenda saj mbi 100 km bregdet, port turistik, lumenj, lagunë, park kombëtar, fusha, male etj..

Vështirë të gjesh një territor me një fizionomi, thuajse tërësisht të përcaktuar, për sa i takon zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor. Me disa studime urbanistike si ato të zonave turistike, të qytetit të Orikumit, me një megaprojekt, në zbatim e sipër, si ai i Bankës Islamike për Ujësjellës-Kanalizimet.

Vështirë të gjesh një krahinë tjetër, që të jetë e mbushur me një histori mijëra-vjeçare, me park arkeologjik (një nga tetë parqet e Shqipërisë), si dhe monumente të shumta kulturore. Plani i Zhvillimit Lokal të Bashkisë Orikum, si dhe studimet urbanistike, kanë parashikuar një rritje në vazhdim të popullsisë, për shkak të drejtimit turistik të zhvillimit ekonomik të zonës. Edhe sot popullsia e zonës është dyfishuar dhe shumëfishohet në pikun e sezoneve. Të katër kolonat, ku është mbështetur vendimi i Qeverisë, për ta fshirë nga harta Bashkinë Orikum, bien njëra pas tjetrës.

Bashkia Orikum i ka të gjitha kapacitetet njerëzore dhe ekonomike, për të funksionuar si njësi me vete, për të qenë shembull i zhvillimit ekonomik dhe ofrimit të shërbimeve të qytetarët e saj, si dhe të gjithë atyre që e vizitojnë. Totalisht, pa sens, është pretendimi se në këtë mënyrë po u rritka demokracia përfaqësuese dhe fuqizimi i demokracisë direkte. Kjo është demagogji e pastër. Në fakt, është duke ndodhur komplet e kundërta, centralizimi i pushtetit drejt “Komiteteve Ekzekutive”, të famshme të cilat rikthehen pas më shume se 24 vitesh. Nuk e kuptoj dot se ku e kanë parë këtë “demokracinë direkte”, vetëm nëse e kanë ndarë mendjen për të ringritur Frontin Demokratik të asaj kohe, që në një farë mënyre i përgjigjet në mënyrë adekuate Komiteteve të Rretheve.

Bashkia Orikum, nuk ka nevojë “t’i marrë dorën” Vlorës, për t’u zhvilluar e për të prosperuar. Ne e kemi provuar me fakte, në mandatin tonë qeverisës, që brenda një kohe të shkurtër, me vullnetin dhe vizionin e duhur, me bashkëpunimin dhe mbështetjen e Qeverisë Demokratike, ndryshuam tërësisht infrastrukturën, përmirësuam shërbimin ndaj qytetarëve dhe me pjesëmarrjen e tyre përcaktuam të ardhmen e kësaj zone.

Mjafton, që Qeveria qendrore të mos pengojë implementimin e planeve zhvillimore, si dhe të plotësojë detyrimet e veta për ndërtimin e akseve nacionale, të ndërmarrë hapa konkrete në njohjen, kthimin dhe regjistrimin e të gjitha pronave të qytetarëve të Bashkisë Orikum dhe nuk ka pse të asgjësojë me një të rënë të lapsit një zonë plotësisht të vetëmjaftueshme për t’u vetëqeverisur. Pa marrë në konsideratë sensin negativ të krahasimit, mund të thuhet se, jo qeverisje vendore, po ka shtete në Evropë, që kanë më pak territor, resurse, kapacitete dhe potenciale ekonomike se Bashkia Orikum.

Kjo është një Reformë Administrative Territoriale që nuk e ka pëlqimin e qytetarëve, të cilët i prek drejtpërsëdrejti, e nga ana tjetër nuk ka pëlqimin as të aktorëve të tjerë të interesuar si dhe as konsensusin e opozitës. Shpresoj që mazhoranca qeverisëse të mos e trajtojë Bashkinë Orikum as si “qokë” për të kënaqur biznes-politikën rilindase, as si “damën” e agallarëve të rinj të Vlorës, me të cilën mund të bëjnë çfarë të duan.

Pazarmazhoranca është akoma në kohë, për t’i vënë fre pasioneve ekspansioniste, duke u lënë qytetarëve të kësaj zone, edhe pse të privuar jo pak nga të drejtat pronësore, të drejtën e tyre për ta vetëqeverisur këtë krahinë, ashtu siç kanë bërë me mijëra vite, në të kundërt do të duhet të përballet me të drejtën e qytetarëve, jo më thjesht si votues, por si vendimmarrës. E pra, kjo është “Demokracia Direkte” .

 (ish Kryetar i Bashkisë Orikum)