Kadri UJKAJ / Kur mbetemi pré e filozofisë së robërisë

580
Sigal

Kur dimë se tradita në shoqëritë e vërteta demokratike vlerësohet si hipotezë pune, në të cilën natyra e vendos njeriun apo popujt para të gjitha gjërave, sikurse autoritetin e konsideron si hipoteza e leximit të realitetit, ndryshe si mundësi e verifikimit dhe e prosperimit konstruktiv me këmbë mbi tokë, tek ne shqiptarët ku, siç do të shprehej Profesor Arshi Pipa, politikanët tanë s’arritën asnjëherë “zëvëndësimin, nga ana e tyre, të pushtetarit provincial me atë të ideologut kombëtar”, ndodh krejt ndryshe. Ne i fshihemi traditës, sikur vazhdojmë t’i servilosemi Autoritetit dhe me tragjikomicitetin tonë, si hipokritë të epokës postmoderne, s’ka asnjë gjasë t’i shpëtojmë atij identiteti kamaleon, nën trysninë e frikës apo mbijetesës si përshtatje të rregullit apo të drejtave tona zakonore, të trashëguara së brendshmi, me qeverisjet e ndryshme, të imponuara së jashtmi, në mungesë të një përvoje evoluimimi apo shtetformimi nën rebelimin “e turmave”, për ndryshim shoqëror, të cilin na e diktoi ndër breza të tërë statuskuoja e “më të dobëtit” përballë të të Mëdhenjëve, si pushtues, ndër shekuj.

Kështu, duke hedhur vallen e tjetërsimit postmodern, vazhdojmë të jetojmë kohën e një absurdi gjithnjë “origjinal”, jo thjesht, pre e një mentaliteti patriarkal qindra vjeçar apo totalitar, gjysmë shekullor, por ajo, më bafasuesja në mrekullinë e saj “origjinale”, vijon të gjallojë vizioni tragjikomik i “Kohës Zero”, filozofia e të cilit lexohet rregullisht, filluar me fatin e Sheshit “Skënderbej” në kryeqendrën tonë, sa herë alternohet qeverisja në këtë vend: Si shkatërruam ç’gjetëm para investimit totalitar në sektorë të arsimit, kulturës, ekonomisë, etj., me fantazinë e sëmurë tragjikomike të “Çekut të Bardhë”, po aq s’po lëmë moment serioz pa hedhur baltë mbi të apo shpërfillur deri institucionalisht, përfshirë edhe historinë tonë moderne, nën trysninë anakronike të antikomunizmit si dogmë. Rrjedhimisht, të dehur nga entuziazmi modern, duke mos qenë të aftë, as në ditët tona, të duam si duhet vetvehten, apo të vendosim bashkarisht, mjerimi sa psikologjik, sa politik, sa filozofik, është ulur këmbëkryq mes nesh. Ka lirinë për të menduar, por nuk ka kushtet për të menduar si duhet arsyeshëm, sepse shoqëria e sotme nuk zhvillohet nga vetvetja, ndryshe shqiptari është qenie e rrahur paq, edhe pse ka pasur një kohë aty nga vitet ’70-të apo ’80-të, kur të flisje për “shqiptarin si të besës, ose të pabesë, gjakmarrës, ose gjakfalës, gjaknxehtë apo gjakftohtë, kanunor apo institucional, mikpritës apo vëllavrasës, pra sipas një koncepti antropologjik me natyrë holiste, tërësore, ishte një emancipim, sepse ky këndvështrim ngrihej kundër stalinizmit që shqiptarin e shihte vetëm si produkt i luftës së klasave. Pra, ishte një formë disidence, edhe pse, mjerisht, pasi u bë hapja demokratizuese, kjo lloj metode antropologjike për të gjetur shqiptarin si tipologji holiste, tërësore, mua më duket se po kthehet në një metodë dhe ideologji paksa konservatore” ( Profesor Doktor Artan Fuga, sociolog, “Homos albanicus…”, Gazeta shqiptare, më 22.01.2012 ).

Jemi, ndoshta, i vetmi komb në postkomunizëm, që akoma nuk po arrin të kuptojë se Fitorja mbi Nazifashizmin në Luftën II Botërore do të ishte mamia që shoqëroi lindjen e Evropës së Re, të vlerave iluministe, ku dëshirojmë të jemi edhe ne. Me shumë vend media, kohët e fundit, ka tërhequr vemendjen: “Komunizmi, si sistem, vërtet ishte një eksperiencë totalitare, që në Kosovë mori ngjyrat e pushtetit serb, por, kjo nuk u lejon kurrsesi shqiptarëve të krahinës të vendosin si emra rrugësh Xhaferr Devën dhe Rexhep Mitrovicën. Këta kuislingë, përpara se të ishin nacionalistë dhe vrasës të serbëve, ishin vrasës të shqiptarëve. Atëhere ekstremi ynë i majtë s’ka pse të mos kërkojë vendosjen e emrave të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut në rrugët shqiptare. Fundja, këta të fundit, nuk kanë qenë bashkëpunëtorë me pushtuesin nazifashist.” (Dritan Hila, “Milosao”, më 1.04.2012). Ne nuk do të hynim në Hartën e Botës pa kontributin e shkëlqyer të popullit tonë, veçanarisht të partizanëve dhe nacionalistëve të ndershëm, pa ndihmën direkte të asnjë ushtrie të huaj, në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste Shqiptare, kur të gjitha Fuqitë e Mëdha: Gjermania hitleriane, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Sovjetik, Franca, të pasuara nga shtete të dorës së dytë e të dorës së tretë, përfshirë edhe shtetet fqinje, me përjashtim të Egjiptit dhe Turqisë, dikush de fakto, dikush de juro, do të njihnin pushtimin fashist të Shqipërisë më 7 prill 1939, çka do të sillte që shqiptarët ta ndjenin veten të braktisur, kur panë se Fuqitë e Mëdha të Kampit Antifashist s’po i trajtonin as si viktimën tjetër, Çekosllavakinë, e pushtuar nga fashistët më 15.03.1939. Madje ato s’pranuan as të njohin asnjë institucion që ta përfaqësonte Shqipërinë në mërgim si shtet i pavarur dhe sovran çka do të thoshte se Shqipëria s’ekzistonte më as si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, sepse fati i saj u la në mëshirë të Italisë fashiste”.

Sipas studiuesit gjermano-amerikan, të historisë sonë moderne, Bernd Fisher “Zogu dhe Enveri qenë dy nga diktatorët e Ballkanit”. Nëse në vitin e Pavarësisë Zogu nuk kishte mbushur akoma 17 vjeç, nuk mund të injorohet kontributi i tij si shtetar, së bashku me mjaft atdhetarë të tjerë, në organizimin e Kongresit të Lushnjes(1920) duke rivendosur një autoritet shtetëror kundrejt përpjekjeve që bëheshin për të ricopëtuar Shqipërinë, sikur duhet vlerësuar themelimi i shtetit shqiptar dhe profili evropian i institucioneve që u ngritën nga regjimi i Zogut. Megjithatë mbretëria demokratike parlamentare e tij, ndonëse si formë qeverisëse qe mbretëri konstitucionale, sipas statutit të saj nuk lejonte krijimin e partive të reja politike, ashtu si edhe regjimi i tij u karakterizua nga një pushtet i pakufizuar i mbretit. Kështu që formati i asaj mbretërie qe ai i një regjimi autokratik, obskurantist. Vërtet “Zogu përktheu ligjet e Perëndimit, por kryetar të nëpunësisë shqiptare vuri Lalë Krosin, se psikoza e tij mbeti ajo e një çifligari, që vendin e vet e shikonte si pronën që mund ta përdorte si garanci hipotekore, apo ta shiste me copa, ngaqë mbreti vetëm emrin e kishte të tillë, pasi edukatën e kishte kokë e këmbë orientale. E vetmja kulturë që kishte, ishte blerja e kundërshtarit, në vend të respektimit dhe bashkëjetesës, sikur vrasja, në vend të konkurrencës apo garës. Mjafton të kujtojmë vrasjet e kundërshtarëve të tij politikë, figura elitare të kombit tonë, si: Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën dhe Avni Rrustemin.

O zot, a ka përmasa hipokrizie civile më brutale sesa të vendosësh në Piedestalin e Nderit të Kombit, në 100 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, krahas Ismail Qemalit, Babait të Kombit Shqiptar, “Hero i Popullit”, Hasan Prishtinës “Hero i Popullit”, vigan i kombit tonë dhe njëri nga diplomatët më të shquar shqiptarë të kohës, Ahmet Zogun, vrasësin e Tij, duke shmangur Luigj Gurakuqin “Hero i Popullit”, bashkëpunëtorin më të ngushtë të Ismail Qemalit, vrarë po nga Zogu, dhe heshtur kaq brutalisht për kontributin e shkëlqyer kombëtar të poliedrit-gjigand F.Noli. Nuk mund të deshifrohet ndryshe loja me historinë nga ndonjë politikan, mjerisht i ri, që në emër të pragmatizmit elektoral, kur s’është “fronti” i tij, por i historianëve, ikjen mjerane të mbretit tonë, të përçudnuar botërisht nga ky akt, guxon ta quajë një akt që duhet vlerësuar, kur “Profesor Abaz Ermenji, ish-kryetari i Ballit Kombëtar, pra politikan, historian, personazh i njohur në vitet e Luftës  Antifashiste, ikjen e Ahmet Zogut e cilësonte akt pabesie dhe tradhtie kombëtare”. Dhe, nëse shtrojmë pyetjen pse komunizmi tek ne gjeti aq përkrahje dhe aq pak rezistencë, sikur, edhe pse qe aq i egër dhe me aq pasoja tragjikeë Nuk ka dyshim se shumë nga shkaqet duhet t’i kërkojmë tek urrejtja që kishte ngjallur regjimi i Zogut, po ashtu edhe tek injoranca që la ai regjim. Nëse E. Hoxha ishte një tiran dhe vrasës, kjo nuk do të thotë që t’i ngremë një monument Zogut, se ky paska vrarë më pak se Enveri. Atëherë me ç’mend në kokë mund t’i ngrihet monument Zogut në kohën tonëë!ë. Jetojmë Epokën e Tjetërsimit (kush jam unë…pyet veten njeriu modern) “kur njerëzimi, duke kaluar nga epoka astrologjike e Peshkut, e diktatit mbi njeriun, në atë të Ujorit, të vetëvendosjes së individit për fatin e vet, sipas Dan Braun, jeton krizën më të madhe brenda vetes. Pikërisht, në këtë epokë, të një post-historie mjaft komplekse, kur, fatkeqësisht, me shembjen e komunizmit edhe demokracitë më liberale kanë humbur jo pak nga identiteti i tyre liberal, ndryshe janë të motivuara, thjesht, nga inercia e qytetërimit të trashëguar prej kohësh, kuptohet sa delikate bëhet brishtësia e kombeve të vegjël si yni, të cilat, jo për mazohizëm, rrezikojnë shuarjen, e cila, nënvizon Kadare, “për paradoks të gjërave s’është e thënë që një kohëshuarje e tillë të jetë kohë e  pushtimit, por shpesh e kundërta, ajo e lirisë”(“Mosmarrëveshja-raporti i shqiptarëve me vetveten”, fq.77-78 ).