Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

2559
Sigal

Titulli i këtij shkrimi është vënë për  shkak të dy pyetjeve përcaktuese ndaj këtij shkrimtari, i cili përdori talentin e tij për të mbrojtur një regjim diktatorial: çfarë mesazhi përshkon vepra e Kadaresë? Dhe përse Kadareja dhe jo ndonjë shkrimtar tjetër u bë simboli i regjimit komunist?

Nuk mund të mos vijë pështirë kur dëgjon dhe sheh se si po përpiqet me çdo kusht ky shkrimtar prangosur midis dy epokave:  nam-lënësi Kadare dhe gjyqi i tij me ish -shefen e tij Nexhmije Hoxha. E them kështu se në kohën e diktaturës kur Nexhmije Hoxha ishte Kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë edhe Ismail Kadare ishte zv/kryetar me ‘meritë‘ –sigurisht për punën e palodhur që ai bëri për të justifikuar me marifetet e tij letrare veprën e PPSH. Nuk ishte e rastit që origjinali i “Dimrit të Vetmisë së Madhe” (apo Dimri i Madh) gjendej në duart e Familjes Hoxha. Pse mendoni ju, e kishte origjinalin Familja Hoxha?  A mos duhet të besoni broçkullat e  Kadaresë  kur sot pas 40 vitesh, thotë se, ‘ma ka marrë Familja Hoxha dorëshkrimin? E pse duhet ta mbante kjo familje nëse Kadare nuk ja pati dhuruar vetë? Mendoni me të vërtetë të nderuar lexues se Familja Hoxha ja kërkoi atij- apo vetë ky ja dhuroi  origjinalin në shenjë falënderimi për përkrahjen e pamasë që i dha kjo familje për të mbrojtur Kadarenë nga kritikët e komunizmit që në fakt ‘ishin me katolikë se Papa‘? Kulmi është që në fund të gjyqit ky origjinal iu dorëzua arkivit të shtetit?! E pse arkivit të shtetit? Cili nga dorëshkrimet e shkrimtarëve shqiptarë gjendet në arkivin e shtetit? Dhe pse ky dorëshkrim, i cili është një nga veprat e rralla se si  një shkrimtar mbron PPSH me aq djallëzi sa e bën edhe popullin të thotë:..‘hm..dale more se Enveri ka të drejtë, këta poshtë tij janë dallkaukë e tradhtarë…“ .  Pra, në fakt me apologjinë që i bën Enver Hoxhës, Ismail Kadare në librin e tij ‘Dimri i Vetmisë se Madhe‘, praktikisht ky shkrimtar e ka mbrojtur aq bukur figurën e Enverit sa që e lejoi që kjo figurë të nderohej dhe të hyjnizohej edhe nga inteligjenca shqiptare, e cila shihte tek Kadareja pinjollin se si duhet të jetë ‘njeriu i ri‘ ose ‘njeriu i partisë‘, dhe se si ky ‘njeri i ri‘ duhet të mbrojë me çdo kusht udhëheqësin.  “Dimri i Vetmisë së Madhe” është vepra e rrallë që një shkrimtar ka bërë ndonjëherë për t’i hedhur hi syve popullit të tij duke justifikuar veprën e diktatorit. Ky është shkaku që ky dorëshkrim iu dhurua dhe u mbajt aq mirë nga familja Hoxha. U mbajt mirë sepse ishte një vepër makiaveliste që mbron regjimin dhe udhëheqësin –diktator- por dhe në të njëjtën kohë krijon tek lexuesi përshtypjen se (kushdo që e ka jetuar atë kohë mendonte kështu): ..uji nga burimi rrjedh i pastër- pra Enveri ishte i pastër- por ndotet poshtë- pra aparati dhe dikasteret janë të ndotura! O empora o Mores…Ka të drejtë Petraq Kolevica që shkruan një strofë të tillë për Kadarenë:

“Atë që Hoxha e thosh në prozë

E kthente Kadare në poezi,

Ku jetën blozë e bënte rozë,

Kur ajo shkonte zi e më zi.” 

E gjithë veprimtaria e tij deri në ikjen e turpshme të tij më gusht-shtator 1990 në Francë përbën posi një ‘fill i kuq‘ mbrojtjen më të kamufluar të PPSH, si në poezitë e tij, ashtu dhe në prozën e tij.  Ashtu sikundër dhe në poezinë ‘anti-regjim‘ për të cilën insiston autori ‘Pashallarët e kuq‘, gjithmonë luftoheshin njerëzit pa emër të pushtetit dhe të Partisë, por me qëllimin e fshehtë që të dilte në pah se:.. sa i pastër ishte Enveri dhe se sa të pabesë dhe të poshtër ishin bukëshkalët që ishin bërë dhe pashallarë…, e për këtë arsye atyre iu duhet prerë koka nga udhëheqësi. Bukur. I nderuar Kadare. Praktikisht në Shqipëri, PPSH për të ruajtur pushtetin e saj veproi kështu: -shkatërroi klasën e pasur nën emrin e Kominternit ( botën e vjetër do ta shkatërrojmë), -nën emrin e revolucionit permanent të Trockit –vrau komunistët dhe simpatizantët  kundërshtarë (revolucioni ha bijtë e vet), – u përpoq të krijojë ‘njeriun e ri‘  jo si Lei Fen kinez, por duke mbajtur zap dhe nën presion inteligjencien shqiptare duke e qarkulluar dhe futur në burg në disa raste disa nga inteligjencia, krijoi një art dhe artistë të realizmit socialist me qëllim të mbronte dhe justifikonte veprën e PPSH, -gjeti personin, i cili me talentin e tij dhe intrigën e tij të justifikonte dhe të mbronte direkt vetë Udhëheqësin duke e lejuar këtë shkrimtar të veçantë që edhe të diskreditonte në disa raste në veprën e tij,  njerëzit poshtë hierarkisë Enveriane.  Kjo risi  e djallëzuar, i solli  një popullaritet të madh si vetë shkrimtarit ashtu dhe vetë Enver Hoxhës duke e ngritur si shkrimtarin ashtu dhe Enverin në piedestal, aq sa u gënjyen dhe vetë intelektualët, të cilët kur lexonin shkrimet sofiste të Kadaresë mendoheshin , por në fund të fundit pohonin se Kadare është i madh sepse edhe Enveri e përkrah. Ç‘ndodhi me Kadarenë e mikluar, të nderuar dhe të respektuar, të vendosur në poste drejtuese si deputet i Kuvendit Popullor dhe zv/kryetar i FDSH, për shërbimet që i bëri Partisë së Punës dhe veçanërisht Enver Hoxhës? Gjatë këtyre 22 viteve pas ‘90? Ky njeri është përpjekur me çdo kusht që t’i heqë vetes aureolën që e rrethonte si  ‘beniamin i regjimit‘ dhe ‘shkrimtar i oborrit‘. Së pari, bëri hapin e parë që ‘nuk ishte dakord me regjimin‘- duke u larguar papritur e pakujtuar nga Shqipëria për të krijuar përshtypjen se regjimi po e përndiqte. Populli e hëngri, por prapë Kadare nxori dhëmbët e tij komunistë duke u shprehur në atë kohë kur njerëzit ikën nëpër ambasadat e huaja : “Iku llumi i shoqërisë?!”  Më vonë u përpoq të shkruajë libra dhe vepra që nuk patën jehonën e atyre që shkroi në kohën e regjimit komunist. Së fundmi, ka bërë përpjekje të pafundme për të ripunuar veprat e botuara, disa vjersha, për të krijuar përshtypjen se ai ishte kundërshtar i rregjimit. Po, jo ore I.Kadare, talentin tënd ja dedikove regjimit, ai të ngriti, të ushqeu, të bëri me post, të nxori jashtë shtetit. Kulmi i mosmirënjohjes ishte ky gjyq i fundit në të cilin demaskove vetë veten tënde. E harrove Poemën “Përse mendohen këto Male”  e harrove poemën “Pashallarët e kuq”, ku ke ngritur në piedestal Enverin  (sigurisht me penën tënde e bëre indirekt) dhe nga ana tjetër u a hodhe fajin atyre poshtë, pra vazhdove të zbatoje porosinë e fshehtë të familjes Hoxha: “vërteto me shkrimet e tua se: uji në burim rrjedh i pastër, por ndotet gjatë rrugës”. Këtë porosi e zbatove në mënyrë të shkëlqyer. Të lumtë! Tani ç‘kërkon mor njeri?  Çfarë është ajo gjë e “bardhë”  që nxin aty në fund? Përse z. Kadare lan duart, por duart nuk të pastrohen? A nuk ngjason me vjershën tënde për Lady Makbeth? Tani po të kthehet mbrapsht. Karakteristikë e përpunimeve të poezisë së tij është dhe poezia “Varri” – që mban sipas Kadaresë vitin 1986 e që thotë:

…Jashtë ngrënë piramidën e turpit

Të murtajës, të hoxhës së zi.

Ndërsa unë pranë oxhakut të studios

 i vetëm mbi varrin e tij.

Si talenti juaj në Shqipëri ka shumë. Vjershat që ke shkruar nuk janë më të bukura se sa të pedagoges së talentuar që kam unë në universitet- znjsh.Alisia, dhe mund të them me plot gojën  që ajo mund të krahasohet me Dritëro Agollin (të paktën Dritëroi e pranon që është i majtë) dhe Fatos Arapi etj.. Ajo i ka thagmë. Më vjen keq që nuk ka një përkrahës të fortë ashtu si e pate ti z. Kadare. Them që është një gënjeshtër me bisht-është e përpunuar pas viteve 1990…. E kush e beson? Proza juaj? “Ura me tri harqe”? Broçkullat e trinisë që thotë politikani Majko? Prozatorë të zotë kemi plot dje dhe sot. Për mua shkrimtar më  i zoti dhe plot  larmi gjuhësore dhe subjekte mahnitëse ka qenë Jakov Xoxa, është sot Fatos Kongoli, e plot të tjerë. Nami juaj është nami i PPSH-së. Largo PPSH dhe nga vepra juaj do të mbeten shkrime të një shkrimtari  oborri të zakonshëm. E keqja qëndron se shkrimtarët e poetët ashtu sikundër dhe tek artistët, ata nuk promovohen nëpërmjet profesionistëve, por ashtu si ndodh në këto vende si i yni, gjithmonë dalin në breg njerëz që kapen pas politikës…. Ndoshta në të ardhmen do të jetë ndryshe, por sot emri i Ismail Kadaresë është për fat të keq i lidhur me memorien e një kohe të trishtuar, ku vepra e tij dukej si ëmbëlsirë e dhënë nga PPSH nëpërmjet dorës së tij, por sot kur kujtojmë se përse ky njeri gjatë gjithë kohës së diktaturës dhe tani 22 vite pas nuk na u hoq nga media, mund të them se nuk është arti i tij, nuk janë shkrimet e tij, nuk janë klithmat e tij që i ngjajnë një të mbyturi në harresën e kohës, por është emri i tij i lidhur me vuajtjet e së kaluarës; sa herë përmendet emri i tij na kujtohet e kaluara e trishtuar, përpjekjet e tij për t’u bërë shkrimtar nobelist në një kohë që e dinim mirë se nuk mund të bëhet dot kurrë. E përse? Sepse njëlloj si Ladi Makbeth – përpiqet të lajë duart nga ndyrësia e së kaluarës por .., duart nuk i lahen dot… sepse si thotë vetë autori tek poezia e tij  ‘Sapuni Ledi Makbeth‘:

Por asnjë prej tyre

Nga duart dot s’ia heq

Njollat e gjakut

Ledit Makbeth… 

I përket popullit dhe brezave që do të vijë, nëse ky person kontradiktor dhe ‘shkrimtar oborri‘  do të ketë  ‘file‘ e tij në histori, Sigurisht, do ta ketë, por jo si shkrimtar i madh, por se si nuk duhet të veprojë një shkrimtar në kohë diktature dhe demokracie.