Jozef Radi/ Të takohesh me Visarin, të takohesh me fitoren…

149

Edhe pse asokohe Lushnja ishte qytet konglomerat të ardhurish, ku shumica mbanin barrë ndëshkimesh, mjaft me ulje postesh, mjaft të tjerë me shërbime… e plot të tjera, që e bënte Lushnjën “Qytetin e Kleçkanëve”, por që ia vlen edhe të theksohet se lufta e klasave jetonte për çudi një çmprehje të tehut kokëkëputës…

Në verën e vitit 1971, kur do ta shkelja për së pari hyrjen e gjimnazit të Lushnjës, mirëseardhja më befasuese s’do të ishte e ndonjë mësuesi, as e ndonjë të njohuri, po e një djaloshi, që at vit e kish mbaruar shkollën e mesme… Natyra ime kureshtare më kish shtyrë te stenda e “Letrarit të Ri”, krejt përballë portave së hyrjes… ku në katër faqe të shkruara bukur: (si shkrim, edhe si brendi artistike), m’u shfaq ashtu i butë, miqësor, i sjellshëm dhe poet: Visar Zhiti…

Ishte takim disi absurd i një të porsaardhuri me të ikurin, i nji realiteti me ëndrrën, i dy të njohurve të panjohur, i atij djaloshit që fati befas i kish dhënë flatra, dhe atij tjetrit që i thoshte vetes: “Po unë, pse jo…!?”

Ishte një takim fantazmagorik, po që do t’i jepte kuptim gjithçkaje mes nesh…

Im atë dhe i ati Visarit, Hekurani ishin mjaft miq, po edhe mjaft të kujdesshëm për të mos e rënduar njeri tjetrin në dukje. E kujtoj si sot Hekuran Zhitin me atë ballin e gjerë e të pjerrët, me ato dallgët e flokëve paksa të thinjura, dhe me at energjinë në lëvizje, në biseda, në humor me tim atë dhe me të tjerët, kur zhvillohesh festivali i teatrove amatore të qytetit dhe rrethinave… S’kishte gjë më magjepse… Flitesh për dramat, skenat, dekorin, personazhet, provat, vërejtjet; vinin aktorët, punëtorët, nëpunësit, muzikantët, regjisorët, sekretarët e partisë, drejtorët e ndërmarrjeve… po kishte edhe mjaft “armiq” vërdallë… sepse aty ishin edhe Seit Selfo, Lek Pervizi, Hekuran Zhiti, Lazër Radi, Fotaq Filipeu, Shahin Hrushiti, Vango Lezo, Faslli Haliti, kishte edhe mjaft kureshtarë, si puna ime, që si këpushë mbas tim eti ndiqja grupet teatrore të ndërmarrjeve të qytetit myzeqar që befas dukej sikur jetonte një ëndërr që do të shuhesh shpejt…

Midis asaj morie njerëzish dhe personazhesh, syri im kish përzgjedhur dy, veç dy: Hekuran Zhitin që ishte shpirti i organizimit dhe i humorit, dhe Murat Banon, një djalosh që luante rolin e një gjenerali gjerman… Edhe ai ashtu biond, i pashëm, me at shpinën pak të kërrusur, dhe me at zërin grykor dhe determinant, edhe pse personazh negativ, më shtynte ta admiroja figurën e Muratit dhe harroja personazhin…

Po le ta lemë kohën në shenjtërinë e saj dhe t’i kthehem personazhit të shkrimit tim, të mbetur te ajo pika më e hershme e referimit tim: Visari i Letrarit…

Mbas asaj dite të parë në shkollë, jeta e secilit prej nesh vazhdoi n’at hullinë e vet… Tashmë për Visarin, edhe pse ende i panjohur, dija gjithçka: dija se kush ishte, i njihja babanë, nënën, dija ku e kish shtëpinë, bile mëngjes e mbasdite kur kaloja pranë saj i hidhja sytë me shpresë se ndonjë ditë papritmas mbasi të mbaronte studimet në Shkodër, do të kishim mundësi ta pinim nga një birrë bashkë, të flisnim për letërsinë, t’i tregoja edhe “marrëzitë” e mia, që guxoja t’i quaja poezi…!! Ta kisha shok, ja ashtu si Hekurani dhe Lazri…

Po shpesh jeta kur ti pret të shfaqë anën e ndritshme të saj, të shfaq më parë anën më të përbindshme… dhe ajo ëndrra e nisur prej Visarit… dhe e mbjellë edhe ndër ne, pësoi thyerjen e saj të madhe kur befas një ditë Mësuesi Gjuhës dhe Letërsisë në një fshat të Kukësit iu shfaq shtetit si armik, ose më mirë kur shteti zbuloi te shpirti i një poeti të quajtur Visar varrëmihsin e vet…!!! Oh Zot! S’ka pasur asnjë kategori më të madhe armiqsh ky vend se sa poetët! Prandaj aq lehtësisht ata rrëzoheshin para plotoneve të pushkatimit ose lëkundeshin të varur trikëmbshave…

Sapo kisha mbaruar ushtrinë, kur një mbrëmje im atë zymtësisht na tha se: “…djalin e vogël të Hekuranit, shpresën ma të madhe të tij e kishin burgosë… Harrojeni çdo shpresë, o ju që n’kët Ferr hyni…” mërmëriti n’italisht vargun e famshëm të Dantes… Dhe fytyrën e tij ia mbuloi nji mjegull dhimbjeje…

Ajo ëndrra ime e një birre dhe e një bisede letrare me Visarin, tashmë qe shtyrë edhe për dhjetë vjet të tjera… Ndërsa ai do të shtynte ditë-netët burgjeve, unë do të vazhdoja baltrave…

Në burg do ta gjente Visarin kunati im, Dine Dine, dhe do të ishin shokë e bashkudhëtarë të atyre “Rrugëve të Ferrit” në Spaç e Qafë Bari, ku regjimi shtynte ditët e mbrame me vagonët e krom që nxirrnin të burgosurit politikë, kështu kur shkëmbenin cigare apo përshëndetje mund të jetë futur edhe emri im atyre humbellave, si një ngushëllim…

Me Visarin u takuam vetëm mbas daljes së tij nga burgu, ose më saktë vetëm mbas daljes së kunatit tim… Një mbasdite, në të errur, do linim biçikletat te dera e pallatit dhe do të ngjisnim shkallët e ndërtesës dykatëshe prej guri, për t’u futur në Tempullin e Tij… Ka qenë një mbasdite nga më të bukurat e jetës sime… Ishte viti 1988, duhet të ketë qenë vjeshtë… Ndenjëm aty në sallën e pritjes që ishte dhoma e tij… plot me libra, kuadro, lule… Më foli për punët, për projektet, më tregoi valixhen e dorëshkrimeve… e pashë përsëri atë shkrimin ashtu të bukur… (s’ia kish prishur dot as kromi dhe as kroma…!!) E njihja prej 17 vitesh atë njeri, qysh ditën kur shkela në gjimnaz dhe e kisha lexuar me një frymë… po veç atë ditë e takoja për së pari! Prej asaj mbrëmje e dija krejt jetën e tij prej Shkodre në Kukës; ia njihja krejt shokët e dikurshëm, një pjesë e të cilëve e kishin rënduar me akuza fshehtas, me tregoi për poezitë, dramat, tregimet, esetë që prisnin kohën, me rrëfeu për shokët e prangave, për jetën e burgut, ndërsa mirësia e nënës e dëgjonte dhe e dëgjonte me dhimbje, heshtje dhe adhurim, ndërsa verbëria e të atit dukej sikur i gjente sytë për ta parë të birin, që vazhdonte të jetonte me ëndrrën…

***

Një mbrëmje vjeshte ndërsa terri mbulonte Myzeqenë ai pa lajmëruar do ta trokiste me droje portën e shtëpisë sonë… Nuk ishte vetëm… ishte së bashku me një pianiste, një vajzë të bukur dhe sykaltër, që i jepte dritë gjithçkaje… Quhesh Mira, kishte sjellë një trëndafil të bardhë, sikur krahas bukurisë donte të sillte paqe dhe mirësi… Ndenjën gjatë me ne, dikur nxori nga trupi, (sikur shkuli një brinjë), dy libra në serbo-kroatisht të një poeti rebel malazez, Jevrem Bërkoviç… Lazri i hodhi me të shpejtë një sy kopertinës së librit: Një O e zgjatur iu bashkua titullit “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina”, pastaj kaloi në faqen e parë ku ishte dedikimi ndaj Saj, dhe ndër të tjera shkruhesh “Princi yt”, ai qeshi dhe e pa vajzën drejt e në sy… Ndaloi te parathënia ku flitej për edukimin e “armiqve të popullit” dhe të ai fillim tronditës i asaj poeme antidiktaturë… ku Stalini jetonte ankthin e orëve të fundit të jetës… Diktatura ishte në këmbë dhe e kish deklaruar haptas Vazhdimësinë… Po te ajo barakë kampi qeshej dhe ngrihej dolli… për ëndrrat! At mbrëmje në shtëpinë tonë Visari kish sjellë shpresën dhe kur doli po merrte me vete lirinë…

Jashtë ishte shumë terr… Qielli qe nxirë sikur dilte nga shpirti i regjimit dhe rrufetë i lëshonin kthetrat e tyre të përbindshme gjithandej… I përcolla Visarin dhe pianisten, deri te rruga kryesore, folëm, qeshëm ashtu kot, ndërsa terri i thelle shpërthehej herë mbas here nga verbimi dhe gjëmimet… Si dukej edhe natyra po e përcillte ashtu trazuar kohën që duhej të vinte…

Për dy javë poema u përkthye mjeshtërisht dhe u lexua në klandestinitet, duke kaluar dorë më dorë…

Në qiell ndjehej koha e ëndrrës…

Pastaj gjithçka u bë një pafundësi takimesh, bisedash shkrimesh, diskutimesh, dëshpërimesh, shpresash, dhe librash të botuar…

Visari nuk rreshti së punuari dhe luftuari, nuk rreshti së dëshmuari krimet e diktaturës… Krahas kontributeve si përfaqësues i shtetit, ai bëri gazetarin opozitar për shumë vite, bëri drejtorin, bëri poetin, deputetin, shkrimtarin, eseistin, por mbi të gjitha bëri njeriun… askush si ai s’është lodhur duke shkruar të vërtetën e skëterrës së burgjeve, askush si ai s’ka nxjerrë nga errësira ngjarje dhe personazhe të gdhendur magjishëm, askush si ai s’e ka ngritur zërin në mbrojtjen dhe përkrahjen e të përndjekurve, prandaj askush si ai sot s’ka më shumë të drejtë për të kërkuar haptas dhe pa lutje, sepse Visar Zhiti di të dëgjojë, di të mbrojë, di të shpresojë, di thelbin e vuajtjes njerëzore, dhe e di se e mira nuk triumfon aq lehtë… Dinjiteti i njeriut dhe dinjiteti i artistit te emri janë shkrirë në një të vetëm! Prandaj Ai e thekson gjithkund se s’ka kapital që mund ta blejë shpirtin e lirisë dhe as dinjitetin e njeriut kur lufton për të…

Çdo njeri prej nesh mund të dënohet për lirinë e fjalës, po kurrë s’mund të dënohet shpirti i lirisë… Visari e ka dëshmuar me shembullin e tij se ka qenë dhe mbetet njeriu i shpirtit të lirisë… Dënimi dhe vitet e burgut, s’bënë asgjë tjetër veçse i dhanë krahë shpirtit të asaj lirie që jetonte brenda tij… Prandaj Visari mbetet gjithnjë fitimtar… dhe s’mund të jetë ndryshe as kësaj here…