Josip Kuzhe, miku i gazetës “Telegraf”

602
Sigal

Ndarja e papritur nga jeta e Josip Kuzhesë, sigurisht që nuk mund të mos hidhëronte dhe drejtuesit dhe stafin e gazetës “Telegraf’. Kuzheja ka folur shpesh për gazetën “Telegraf”, madje ka dhënë edhe disa intervista ekskluzive për të, ku deklaroi se ishte i “dashuruar me Shqipërinë” se nuk do ta harronte kurrë deri në ditën e vdekjes së tij. Kur emri i Josip Kuzhesë u përmend si kandidati më i fortë për të pasuar holandezin e dështuar Ari Han, në krye të Kombëtares shqiptare, të gjithë besonin se kroati 55-vjeçar do të eklipsohej nga statura e rëndë që kishte lenë në Shqipëri, bashkatdhetarit i tij, 75-vjeçarit Oto Bariç, të ashtuquajtur “Oto Maximales”. Kur mbërriti në Tiranë, në fillim të majit të vitit 2009, Josip Kuzheja krijoi një përshtypje të veçantë si një bashkëbisedues i hapur me median, ndërkohë që kjo e fundit gjeti thesare duke gërmuar në jetën e ish-trajnerit të Dinamos së Zagrebit dhe Kombëtares së Ruandës. Një seri skandalesh me paratë e vendosura në baste, borxhe pa fund, madje dhe kërcënime, aq sa individë në Zagreb i kishin venë flakën edhe makinës së tij. Një personazh i pasur për lajme, por jashtë botës së futbollit. I shoqëruar nga nofka “kumarxhiu”, Federata nuk ia dha mundësinë e prezantimit zyrtar ceremonial, ashtu siç kishte bërë me paraardhësin e tij, holandezin Ari Han, i cili pas nënshkrimit të kontratës në “Rogner” (janar 2008), konsumoi shishe të shtrenjta vere në hollin e hotelit luksoz. Barazimet e holandezit me Suedinë dhe Portugalinë, u lanë në hije nga humbjet me Danimarkën dhe Hungarinë, ndërsa presidenti Armand Duka dhe presioni popullor nuk ja falën barazimin-dështim në Maltë. Me vetëm 10 ditë kohë në dispozicion dhe një listë lojtarësh të hartuar tërësisht nga Federata Shqiptare e Futbollit, Kuzhe u përball me Portugalinë e Kristiano Ronaldos, që luftonte për “jetë a vdekje” në Tiranë. Një barazim e nxirrte jashtë Botërorit, një fitore i hapte rrugën drejt “Afrika e Jugut 2010”. 27 muaj në krye të përfaqësueses kanë dëshmuar se Josip Kuzheja, përtej opinioneve kundërshtuese dhe negative, ka mundur të sfidojë skeptikët, duke zbuluar pikërisht gjenin fitues e duke zbuluar “fjalëkalimin e artë” për të motivuar lojtarët. Fitorja 6-1 në miqësoren me Qipron, e futi përjetësisht në histori (të paktën deri tani), si trajnerin që ka regjistruar fitoren më të thellë me Kombëtaren, pavarësisht se Josipi, gjithmonë modest, deklaronte se nuk u jepte shumë rëndësi atyre. Serbi Ljubisha Broçiç e bëri Shqipërinë kampione të Ballkanit, 65 vjet më parë, në tetor të vitit 1946. Hungarezi Miklosh Vadash i dha një dimension më taktik në 1953, rusi Nikolai Ljkushnikov krijoi shkollën e parë të trajnerëve në vitin 1957, gjermanolindori Joakim Klinger e braktisi në Londër Kombëtaren pas skandalit të lojtarëvë në aeroportin e kryeqytetit anglez në vitin 1991, italiani Xhuzepe Dosena u largua si hajdut pas dështimit me Rusinë në vitin 2002, gjermani Hans Peter Brigel futi disiplinën e hekurt në 2003, kroati Oto Bariç futi taktikën në 2004-2006, holandezi Ari Han në 2008-2009 më shumë prishi punë, ndërsa Josip Kuzhe i dha shumë Shqipërisë, si një kuqezi i vërtetë. Ai do të mbetet njëri nga ne. U prehsh në paqe Kuzhe!