Jonild Hoxhaj/ Bashkëveprimi KLSH–media, një përqasje mes institucionit dhe publikut

850
Publiku informohet çdo ditë nëpërmjet gazetave, lajmeve, radios apo mediave online mbi rezultatet që nxjerr KLSH, nga auditimet, kallëzimet penale për shpërdorim detyre, etj. Në fakt, shumë pak e dinë natyrën e një Institucioni Suprem Auditimi dhe sidomos detyrat, përgjegjësitë dhe misionin e tij, siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ata që e njohin mirë, janë ata që punojnë pranë këtij institucioni, një pjesë kanë njohuri, pasi për kuriozitet kanë shfletuar diçka diku dhe pjesa tjetër janë personat, të cilët në një mënyrë apo tjetrën janë pjesë e procesit të auditimit si subjekte që auditohen. Kuptohet se pjesa tjetër e publikut e mendojnë KLSH-në si një institucion, i cili “gjen gabimet dhe hajdutët”, ndaj dhe KLSH, është duke punuar edhe në drejtim të një prezantimi sa më të saktë, si institucion për publikun e gjerë, në zbatim të misionit të tij për “…Informimin e publikut dhe të Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me përdorimin e burimeve me ekonomicitet, efektivitet dhe efiçiencë nga pushteti qendror dhe lokal dhe nga njësi të tjera publike, si dhe nxitja e përgjegjshmërisë në të gjithë sektorin publik, në përputhje me praktikat me të mira të BE dhe me standardet ndërkombëtare të INTOSAI, duke kontribuar për qeverisjen e mire, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit”. Mbështetur në Deklaratën e Limës, e cila është Kushtetuta e Institucioneve Supreme të Auditimit, por edhe sipas ligjit organik nr.154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e kontrollit të lartë të shtetit” e konkretisht neni 2, përcaktohet se: “Kontrolli i Lartë i Shtetit, nëpërmjet auditimeve, synon përdorimin me efektivitet, efiçencë dhe ekonomicitet të fondeve publike, pronës publike dhe asaj shtetërore, zhvillimin e një sistemi të përshtatshëm të menaxhimit financiar, kryerjen si duhet të aktiviteteve administrative, si dhe informimin e autoriteteve publike dhe publikut, nëpërmjet publikimit të raporteve të tij”. Pra në thelb institucioni nuk ka vetëm objektivin e gjetjes së shkeljeve apo parregullsive por edhe raportimin. Të raportosh mbi punën dhe këtë ta kryesh në mënyrën më të mirë, të dyja këto janë po aq të rëndësishme, sa është e gjithë puna audituese. Kjo është vërtet e rëndësishme për një Institucion Suprem Auditimi. Në një konferencë të mbajtur më datat 9 – 12 nëntor të këtij viti, në Jerusalem, të organizuar nga Institucioni Suprem i Auditimit të Izraelit dhe Avokati i Popullit, mes pjesëmarrësve, shtete të ndryshme evropiane, si dhe Institucioni i Auditimit të NATO – s, vunë theksin në shpërndarjen sa më efektive të raporteve. Gjithashtu u përmend edhe domosdoshmëria e një komunikimi gjithnjë e më tepër interaktiv mes audituesve dhe publikut për garantimin dhe sigurimin e një informacioni lidhur me problemet konkrete në shoqëri. Konferenca të tilla dhe shkëmbimi i eksperiencave bëjnë që puna audituese dhe fryma e institucionit të konvergjojë, sipas praktikave më të mira të institucioneve homologe. Implementimi i praktikave më të mira, pavarësisht kuadrit ligjor të çdo vendi, ka në thelb kryerjen e punës audituese me objektivitet, integritet, paanshmëri, transparence, profesionalizëm, besueshmëri dhe pavarësi si dhe raportimin në parlament ose në një organ tjetër publik përgjegjës, por përveç kësaj edhe raportimin për publikun e gjerë. Për tu prezantuar tek publiku i gjerë, si një institucion objektiv, i pavarur, me përgjegjshmëri të lartë si dhe për të rritur transparencën e punës së vet KLSH është çdo ditë e më tepër prezent në media. Duke qenë gjithnjë koherent dhe në përputhje me situatën ne Shqipëri, i është kushtuar një vëmendje e veçantë pranisë së vetë institucionit në media, si një mjet mjaft efektiv i shpërndarjes së informacionit dhe shpalosjes së rezultateve mbi punën e vet. Sipas studimeve rezulton se përqindja e popullsisë që kanë mundësi të përdorin internetin është rritur nga 0.1 % në vitin 2000 në gati 90% në ditët e sotme. Teknologjia ka bërë që lajmi, nuk është më ai lajmi tradicional i orës 16:00 apo ai i orës 20:00, por e gjen kurdo dhe në çdo moment të ditës mjafton të hapesh një aparat smartphone apo një tablet. Gjithandej gjen shkrime, të cilat azhurnohen orë pas ore dhe minutë pas minute. Midis tyre sot mund të gjenden shumë mirë edhe lajme mbi KLSH lidhur me gjetje për abuzime ose parregullsi, kallëzime, konferenca, analiza shkrime nga auditues etj. Në këto kushte, por mbi të gjitha për të dhënë shembullin e vet si institucion i hapur, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rritur në vitin 2014 prezencën e vet në median e shkruar me gati gjashtë herë dhe ka katërfishuar prezencën në median audiovizive, këto krahasuar me vitin 2010. Prezenca konstante në median e shkruar është arritur jo vetëm nga komunikimet zyrtare si institucion, por edhe nga ato të shkrimeve të audituesve apo nga punonjës të niveleve drejtuese. Këto botime jo vetëm shtjellojnë plotësisht çështje apo fenomene të akumuluara nga eksperienca gjatë auditimit, por i vënë këto shkrime para publikut duke e njohur atë me situatën. Vlen të theksohet fakti se një pjesë e mirë e këtyre botimeve, përveçse janë një vlerë e shtuar, ato bëjnë prezentë për publikun edhe zhvillimet e institucionit, rritjen e kapaciteteve audituese të stafit nëpërmjet konferencave, trajnimeve, seminareve etj. Shkrimet janë pa diskutim një vlerë edhe për subjektet e audituara pasi eksperienca e akumuluar në vite nga audituesi vjen si një përmbledhje e plotë dhe me një qasje drejt asaj çka është e ligjshme. Çdo nëpunës shtetëror ka mundësinë e aksesit në botimet e KLSH- së dhe stafit të tij në mënyrë që eksperienca e sipër përmendur mos ti shërbejë vetëm institucionit por edhe subjekteve të audituara. Një rezultat i bashkëpunimit me median ka qenë dhe vlerësimi maksimal i ankesave të publikut, për çështje të ndryshme për trajtim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili është institucion shumë i hapur ndaj ankesave të qytetarëve, të cilat administrohen me profesionalizëm nga punonjësit e KLSH-së në funksion të tematikës që trajtojnë dhe qytetarët marrin në çdo rast përgjigje për shqetësimin e ngritur. Kështu nga viti 2010 deri më sot është rritur me më shumë se gjashtë herë numri i ankesave nga qytetarët. Konkretisht nga 65 në vitin 2010 në gati 400 në vitin 2015. Ky fakt tregon se institucioni jo vetëm ka gjetur mënyrën e duhur për të qenë sa më pranë publikut, por ka arritur të fitojë edhe besueshmërinë e tij nëpërmjet një llogaridhënieje sistematike ndaj tij. Llogaridhënia dhe transparenca janë dy mjete shumë te fuqishme sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe promovimi i tyre e ka kaluar konceptin për Kontrollin e Lartë të Shtetit në një tjetër dimension, atë të një strukture të përgjegjshme për rolin dhe detyrën që mbart. Shumëkush është i ndërgjegjshëm që sot KLSH është në një shkallë më lartë, ka një tjetër ngjyrë dhe është gjithnjë e më tepër afër me publikun. Së fundmi mund të themi që intensifikimi dhe rritja cilësore e komunikimit të KLSH-së ka sjellë rezultate konkrete, veçanërisht në rritjen e vëmendjes së medias për raportet e auditimit dhe për institucionin në tërësi, si edhe ne rritjen e besueshmërisë se qytetarëve ndaj institucionit.
*Auditues pranë Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Kontrollit të Territorit, Administrimit të Aseteve të Qëndrueshme

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 23.12.2015
Sigal