Sigal

Majlinda Keta

Integrimi i Ballkanit Perëndimor është procesi më specifik i anëtarësimeve në BE nën filozofinë “Ndërtimi i bashkimit nga diversiteti mund të jetë i vështirë por bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe NEGOCIATAT e DURUESHME na çojnë drejt një konsensusi të fuqishëm” (Mesazhi i Robert Schuman, 9 maj 1950). Ballkani Perëndimor konsensusin e tillë e ka si një zinxhir ku hallkat realizohen një pas një mes vendeve po aq sa brenda vendit dhe vetëm në të shënjohet rasti i njërit prej anëtarëve aspirant që kushtprogresi kërkoi dhe ndërrimin e emrit si shtet , po pritet një emër konsensual pas kompromisit me fqinjin, paradoksalisht ky vend anëtar i BE prej vitesh. (Maqedonia dhe Greqia). Ndërsa kufijtë detarë dhe tokësorë mes shteteve të tjera të Ballkanit( Shqipëri-Greqi, Serbi-Kosovë) ende nuk po finalizojnë “konsensusin”, ne pretenduam “PO”-në për radhën. Faktin që neve, Ballkanasve perëndimore, na nevojitet një durim i durimit , ne akoma nuk ja kemi pranuar vetes.

Po a e zotërojmë këtë kulturë të konsensusit dhe durimit në Shqipëri, edhe pas kaq vitesh?

Shteti shqiptar dhe 3 pushtetet e tij të pavarura, qeveria në mënyrë specifike, ende nuk kanë kulturën e duhur politike të KONSENSUSIT TË MADH as për këtë ideal të shqiptarëve të viteve 90’, integrimin evropian. Mjafton të analizosh “kulturën e konfliktit dhe fyerjeve” që rrezaton Parlamenti shqiptar publikisht dhe ndërkombëtarisht që të kuptosh sa larg jemi nga filozofi durimi. Për të keqen e ecurisë tonë, vitet e konsumuara në poçes integrimi nuk po i largohen dot kapjes së të gjithë pushteteve nga politika fenomen ky që përmbys premisën për konsensus të fuqishëm bazuar në përgjegjësitë e secilit pushtet ndaj anëtarësimit në BE. Kapja e politikës nga krimi dhe komandimi i këtij të fundit për cilësinë e vendimmarrjeve të mëdha në vend sigurisht që nuk japin shans për as për “durim” e jo më për konsensus. Tashmë është bërë normale që ligje të rëndësishme në vend të vijnë si klandestinë dhe të votohen si me emergjencë lufte duke lënë mjaft konflikte sociale nga pas. Sërish kjo lloj kulture godet cilësinë e integrimit. Qendërzimi tek politikanët dhe “kompromisi” mes tyre apo me to më shumë se tek institucionet e pavarura dhe ato të shtetit në përgjithësi, asistenca anemike, jo koherente jo rrallë e perceptuar publikisht dhe me mungesë ekzigjence për progresin e shqiptarëve apo joetike, heshtja publike ndaj fenomeneve si kanabizimi masiv i vendit dhe “ndotja” e ekonomisë dhe monedhës nga paratë e këtij krimi, mosveprimi dhe mosdenoncimi ndaj nivelit kritik të administratës publike si pasojë e paqëndrueshmërisë nga spastrimet e njëpasnjëshme politike, heshtja ndaj pseudoreformave me pasoja degraduese në politikat publike nga jo pak përfaqësues zyrtarë të Brukselit në Tiranë ja ka hequr shpirtin procesit integrues, të ndjerit në të dhe pjesëmarrjen aktive të qytetarëve dhe veçanërisht të rinjve që në vetvete kanë zgjedhur një proces të ngjashëm me “exit”, vijojnë të emigrojnë masivisht. Askush prej zyrtarëve të lartë të shteteve anëtare besoj se nuk e kanë menduar dhe nuk duhet ta pranojnë që të quhet në progres apo i suksesshëm një poçes integrues i një vendi, rajoni, popullata e të cilit zë vendin e dytë, pas zonave të luftës, për nivelin e emigrimit. Emigrimi masiv i të rinjve nuk mund të jetë tregues progresiviteti dhe as nuk mund të shprehë cilësisht negociata të durueshme. Përkundrazi, ky duhet të jetë një ALARM STRATEGJIK POLITIK për Brukselin zyrtar i cili duhet të rishohë strategjinë e ndjekur me Ballkanin Perëndimor në asistencën e ofruar në 27 vite. Nga ana tjetër, brenda vendit, nuk kam kuptuar asnjëherë të vetme se përse nuk u analizuan apo analizohen fondet e pafund të BE-së për cilësinë e burgjeve shqiptare dhe trajtimin e individëve në to ndërkohë që konsumojmë shtimin ende të të burgosurve në Shqipëri apo burgjeve të Evropës? Besoj se shtimi I burgjeve, qoftë edhe me kushte të mira, nuk është element i suksesit në integrim???? Nuk kuptoj se përse heshtën dhe nuk veproi Brukseli zyrtar ndërsa politikanët vendas kanabizuan ekonominë duke cenuar edhe vetë sigurinë e Bashkimit Evropian dhe të botës demokratike? Dështimet e njëpasnjëshme në mundësinë e çeljes së negociatave duhen pranuar dhe shoqëruar edhe me vetë-refleksione të zyrtarëve të BE. Nuk pashë asnjë llogaridhënie para shqiptarëve nga Ambasadorët e BE-së në Tiranë, një përvojë që në fund të mandatit të bënte një bilanc arritjesh dhe mosarritjesh përkundrejt platformave të tyre kur u emëruan të tillë. Së pari është detyrim ndaj taksapaguesve evropianë. Nga ana tjetër kjo do të ndikonte në dimensionin human të BE-së së ideuar mbi vlera dhe mbi burokraci, raporte për eprorë e komisione. Kjo do t’i shërbente EDHE besimit të shtuar të shqiptarëve tek partnerët tanë por edhe do t’i edukonte dhe detyronte EDHE politikanët tanë për këtë lloj standardi qeverisës dhe mënyre të të bërit politikë. Zyrtarëve të lartë të BE-së, qoftë edhe në emër të “negocimeve të durueshme” që besojnë shqiptarët për të realizuar ëndrrën e tyre, do të doja t’ju shihja vendime bllokimesh dhe refuzimesh publike, ndaj politikanëve që lejuan që ta dhunojnë moralin e integrimit evropian ndërsa u pasuruan nga firma piramidale, paratë e trafikimeve, paratë e kanabizimit (të gjitha këto të denoncuara politikisht në raportet e tyre dhe agjencitë e tyre të specializuara). Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor apo i Shqipërisë do jetë një realitet që DUHET ta realizojnë dhe jetojnë ballkanasit, shqiptarët në vendet e tyre respektive dhe në sovranitet. Udhërrëfyesi i komunikimit të Brukselit me NE dhe matësi i progresit drejt finalitetit në BE i Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë tonë nuk mund të jetë peng e as të asgjësohet nga lobet të diskutueshme në raport me ideimin human të unionit, as nga lobet politike pro qeverive vendase, as dhe vetëm nga financat e Brukselit kjo pasi ne sfidojmë rrugëtimin tonë për demokraci e shtetbërje. Për këtë intelektuali shqiptar, institucionet e kërkimit, institucionet e edukimit dhe kulturës duhet të aftësojnë shqiptarët për të qenë REFLEKTIVË, DEBATBËRËS dhe DINJITOZË në këtë rrugëtim. Ky duhet të jetë debati më i madh i shqiptarëve me VETEN për historinë e mëpasme por edhe i Ballkanit Perëndimor ndaj kësaj politike rajonaliste të Evropës, si kontinenti ku lindi demokracia dhe shteti i së drejtës për të gjithë. Ndërsa NE do të presim qershorin tjetër të na thonë “PO”, ndërkohë që nuk jemi të sigurt as për shëndetin e vetë BE-së pas 1 viti, BE-ja vetë nuk duhet ti thotë “JO” stopimit të filozofisë së zgjerimit pasi bashkë me të mund të vdesë edhe filozofia e krijimit të vetë BE-së. Ne, shqiptarët sapo provuam se mund të thuhet “JO” me afat ngaqë nuk kanë guxim të thonë të vërtetën se përse nuk mund të thuhet “PO”…. edhe kësaj radhe. Ne e merituam “PJO”-në.