Jeta Katro/ Fuqizimi i gruas në jetën ekonomike

766
Të dish do të thotë të fuqizohesh. E kam fjalën për fuqizimin e gruas, për të cilën një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë civile tashmë është angazhuar për ta bërë realitet të mundshëm. I besoj gjykimit se, gjërat mund të ndodhin dhe nuk bëj pjesë në atë kategori që më shumë fokusohet në trajtimin e problematikës sesa të zgjidhjes së saj. Jo se nuk jam kritizerë e realiteteve aktuale, përkundrazi kam thënë, por dhe kam shumë për të thënë, por më pëlqen të mendoj pozitivisht dhe të besoj se gjërat mund të ndryshojnë dhe mund të zgjidhen, nëse ngulmohet në rrugët e duhura. Pavarësisht barrierave apo zbaticave të zhvillimeve, pavarësisht kohës që do të marrë. Në këtë aspekt mendoj se fuqizimi i gruas nis me lidershipin dhe vullnetin politik, i cili perceptohet në më shumë gra në pozicione kyçe të larta drejtuese, të nominuara dhe të zgjedhura, si në nivel qendror ashtu dhe atë lokal. Por ndërsa iniciativat e ndërmarra nga gratë mundësojnë rritjen e influencës të tyre në politikbërje, sidomos në pushtetin lokal, shumë e rëndësishme është të gjendet mënyra, sesi këto iniciativa të institucionalizohen që të bëhen realitet. Për t’ia arrirë kësaj është i nevojshëm decentralizimi i buxheteve, transferimi i përgjegjësive, mirëkuptimi dhe vlerësimi i situatave nga perspektiva e gjinisë tjetër, njohja e diferencave, pabarazisë dhe nevojave specifike të dy gjinive. Duke qenë se jemi në fillimet e funksionimit të reformës territoriale, që përmban brenda vetes sfida të mëdha, është e domosdoshme që këto koncepte të jenë pjesë e pandarë e strategjisë të pushtetit vendor.
Integrimi i këtyre koncepteve
Integrimi i këtyre koncepteve në strategjinë lokale në fakt ka nisur dhe brenda kësaj strategjie është përfshirë dhe promovimi i çështjeve gjinore apo dhe përpjekjet për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të grave. Por kjo duhet të vazhdojë me integrimin e analizës gjinore në të gjitha politikat dhe funksionet organizative dhe administrative të pushtetit lokal, ngritjen e kapaciteteve dhe ekspertizës gjinore të administratës vendore dhe këshilltarëve në çështjet kyçe të administrimit lokal si: planifikimi, buxhetimi, shpërndarja e shërbimeve apo forcimi i sistemit të mbrojtjes sociale. Duke u nisur nga fakti që zgjedhjet vendore të 2015-ës sollën prurje të reja në këshillat bashkiake, ku një pjesë e mirë e tyre janë pa asnjë eksperiencë në këto fusha dhe një pjesë fare e re në moshë, por dhe nga fakti që në një pjesë të konsiderueshme të bashkive kemi ndryshime të stafeve të tyre, që do të thotë stafe të reja, gjykoj se çështjet e lartpërmendura duhen domosdoshmërish të jenë pjesë e strategjisë të pushtetit lokal. Po aq e rëndësishme mendoj, se është dhe mbështetja që u duhet dhënë organizatave të grave nga pushteti lokal nëpërmjet instalimit të dialogut me to, si dhe mbështetja e iniciativave strategjike specifike me burrat mbi çështjet gjinore dhe maskulinitetin. Deklarata të tilla si ajo e z. Nard Ndoka (një prej drejtuesve të partive të vogla politike në vend), që publikisht shprehet për paaftësi të grave në organet e zgjedhura, evidentojnë qartë se, steriotipet gjinore vazhdojnë të prezantojnë një pengesë serioze në arritjen e standardeve të barazisë gjinore, parashikuar në 17 Objektivat e Strategjisë të Zhvillimit të Qëndrueshëm, miratuar nga OKB në shtator 2015, të cilat synojnë luftën kundër varfërisë ekstreme, por dhe përballjen me sfida që sigurojnë rritje ekonomike të barabartë.
Pushteti lokal 
Pushtetit lokal do t’i duhet të ngrejë mekanizma konsultimi për të grumbulluar informacione dhe të dhëna mbi nevojat specifike dhe interesat gjinore, nga të gjitha komunitetet që përbëjnë territoret e bashkive të sapo dala nga zgjedhjet lokale 2015, që përfshijnë si zonat urbane ashtu dhe ato rurale. Pikërisht për këtë merr rëndësi të veçantë pajisja me aftësitë e duhura e stafeve të këtyre bashkive për të kuptuar informacionin që do të mblidhet, e për t’ia përshtatur atë sa më mirë programeve, politikave dhe buxheteve sipas shkallës dhe peshës së këtyre nevojave. Por dhe për të prioritizuar çështjet sipas përparësive të komuniteteve përbërëse të bashkive, sfidë kjo që në fakt prezanton dilema sidomos kur bëhet fjalë për buxhetet dhe shpërndarjen e shërbimeve. Duke qenë se vazhdojmë të jemi në fillimet e implementimit të reformës territoriale jam e bindur se strategjia, të cilën përpiqem ta shpjegoj më sipër nuk mund të aplikohet njëlloj nga të gjitha bashkitë e vendit. Për shkak të kategorisë, nivelit të zhvillimeve të rajoneve dhe problematikës të prezantuar nga raporti i zonave urbane me ato rurale, mundësitë nuk janë të barabarta, por kjo mund të kapërcehet nëpërmjet nxitjes të punës kërkimore, tureve studimore dhe shkëmbimeve të eksperiencave dhe praktikave në nivel nacional por dhe rajonal. Përdorimi me efikasitet edhe i strukturave që janë ngritur tashmë brenda institucionit të Bashkisë të Tiranës (e njohur si bashkia më e madhe në vend me afro një milion banorë) siç është Këshilli Ekonomik i Tiranës, koordinator i të cilës është zgjedhur politikani dhe eksperti i mirënjohur i çështjeve ekonomike e financiare, z. Arben Malaj, njëkohësisht dhe dashamirës e kontribuues në avancimin e statusit të gruas, do të jetë një tjetër burim efikas për të arritur fuqizimin e gruas. Duke e konsideruar fuqizimin ekonomik si bazë të fuqizimit politik (pa fuqizim ekonomik të gruas zor se mund të kemi fuqizim politik te saj) mbetet e rëndësishme të sigurohet aksesi i grave ndaj burimeve natyrore e produktive, shërbimeve financiare, si dhe zëri i tyre në vendimet ekonomike. Zëri i gruas rurale është po aq kritik, sa dhe ai i gruas urbane në suksesin e 17 objektivave të zhvillimeve të qëndrueshme. Në radhët e ekspertëve për zgjidhjet ekonomike duhet domosdoshmërisht të përfshihen ekspertët gjinorë. Ta pranosh barazinë gjinore si dhe fuqizimin e gruas si objektiv por dhe si pjesë të zgjidhjes së problemit është e rëndësishme, pasi ndihmon në çrrënjosjen e diskriminimit gjinor kudo që ai shfaqet, por dhe për t’u siguruar që qeverisja lokale reflekton nevojat e grave në planifikim dhe buxhetim. Gjykoj se duhet shkuar edhe më tej me përmirësimin e ligjit dhe praktikave ligjore, që përpos kuotës të përfaqësimit femëror në listat elektorale duhet të përfshijnë ne ligj edhe kuotën për një përfaqësim femëror 30 % në pozicionet menaxheriale apo bordet e menaxhimit të kompanive dhe korporatave. Është koha e duhur për shoqërinë civile të nisë negociatat me politikën dhe aktorë të tjerë potencialë për të mundësuar këtë kuotë, që jo vetëm do të rrisë përfaqësimin e gruas në lidershipin ekonomik, por edhe ta nxisë atë të luaj rolin e saj në pushtetin ekonomik. Gra me aftësi dhe kapacitete të duhura për të qenë efektive në rolin e tyre ka pasur dhe ka, vetëm se u duhet dhënë mundësia dhe hapësira për të qenë pjesë e lidershipit ekonomik.
Fuqizimi i gruas për të qenë pjesëmarrëse e plotë në jetën ekonomike në të gjithë sektorët është esencial, nëse duam të kemi ekonomi të fortë. Në këtë kontekst gjykoj se, sektori privat duhet konsideruar si partner kyç në përpjekjet e përbashkëta për të avancuar barazinë gjinore dhe fuqizuar gruan. Eksperiencat ndërkombëtare, por dhe ato kombëtare kanë provuar se, diversiteti gjinor ka ndihmuar bizneset të performojnë më mirë, prandaj duhet bashkëpunuar me to që ky fuqizim të shtrihet në tregun dhe vendin e punës në bazë të parimeve të fuqizimit të gruas, të cilat synojnë të mbështesin kompanitë në rishikimin e politikave dhe praktikave për të realizuar këtë fuqizim. Ndër parimet më kryesore do të rendisja 1. Vendosjen e barazisë gjinore në nivel të lartë të lidershipit të kompanisë/korporatës, 2. trajtim, respekt, mbështetje e të drejtave dhe mosdiskriminim, 3. edukim, trajnim dhe zhvillim profesional për gratë, 4. praktika marketingu që fuqizojnë gruan,5. vlerësim dhe publikim të raportit mbi progresin e barazisë gjinore. Të dish dhe të veprosh do të thotë jo vetëm të fuqizohesh por dhe të hapësh rrugën për gjeneratat që vijnë.
Fuqizimi ekonomik e politik padyshim përbëjnë dy shtyllat më kritike të drejtave të grave. Vetëm kur gratë t’i kenë këto të drejta do të jenë të fuqishme. Historia ka treguar se një vend mund të transformohet së bashku me ekonominë e tij, vetëm, nëse gratë i fitojnë këto dy të drejta themelore. Tashmë jemi të ndërgjegjshëm që transformimet vijnë nëse realisht nisin ndryshimet. Të identifikosh nevojat bazuar ne gjini, për të cilat duhen bërë ndryshimet është njëri hap, t’i implementosh ato është hapi tjetër, që sjell produktin e realiteteve për të cilat të gjithë aspirojmë.
Sigal