Jeta Katro/ Drejt të ardhmes, pa qenë peng i të shkuarës

573
Një kaos mediatik përgjatë fundvitit 2015, që ndryshe nga viti i shkuar vazhdoi intensivisht me ngjarje të përziera deri në shkëmbimin e viteve. Dhe kur bën bilancin kalendarik, pak kush kishte për të thënë nga njerëzit e thjeshtë apo ata në nevojë se çfarë arritën për të gëzuar të qetë dhe hareshëm në këtë fundvit, për të shpresuar më shumë tek e nesërmja apo për të qenë më të sigurt tek ndryshimet që mund të ndodhin edhe tek ne. Nuk dua të ndalem tek shkrimet dhe komentet pa fund që shpalosnin mendimet nga me diverse në median sociale, vizive apo të shkruar përgjatë këtij viti. Mbase kjo ka qenë detyra e ngarkuar, por jo misioni që duhet të ketë media. Po ashtu nuk dua të ndalem tek autorët e tyre, që varionin nga njerëzit e thjeshtë, specialistë, ekspertë, intelektualë dhe pa dyshim, padyshim politikanë, të cilët opinioni publik me të drejtë i etiketoi në mos autorë, nxitës të këtij kaosi. 
Në fakt…
Në fakt janë ngjarjet që ndodhin tek ne çdo ditë dhe që mendoj se janë shumë për një vend të vogël si i yni, që çuan në një angazhim të gjerë njerëzor, duke nisur nga palët e akuzuara të gatshme për t’u justifikuar, tek palët përgjegjëse, që asnjëherë nuk morën përgjegjësitë (ç’po them, s’besoj se dikush vërtet mund ta besojë këtë) deri tek qytetarët e thjeshtë që konfuz deri në dëshpërim nuk dinin kujt t’i besonin më parë. E pak, shumë pak mund të gjeje në media mesazhe që nxisin daljen nga ky qerthull. Akoma më pak flitet për reagime dhe aksione qytetare, serioze, të organizuara, e të pa drejtuara nga forcat politike, tashmë të thëna e stërthënë si burim i tërë kësaj zallamahie. Edhe shoqëria civile, e njohur për misionin e saj të promovimit të ndryshimeve duket se ka rënë në një gjumë letargjik duke mbetur e fokusuar kryesisht në implementim projektesh, që thithin pafundësisht donacione, që kuptohet se ndihmuan dhe në krijimin e shtresave të tyre shoqërore. E nënkuptuar shpesh si prapavijë e politikës (një pjesë e mirë e tyre), dhe e gatshme për të shkëmbyer me atë, politikën, kontingjentet e saja drejtuese në nivelet më të larta qeverisëse, shoqëria civile nuk mundi edhe këtë vit të bënte zërin e fuqishëm për t’i thënë stop kësaj rrokopujë, dhe s’ka se si për shkak të raporteve që një pjesë e mirë e saj ka ngritur me politikën. Dhe këtu përfshihen edhe gratë e shoqërisë civile, një pjesë e konsiderueshme tashmë ne tribunën politike, por edhe ato të organizatave të grave (një pjesë e lidhur me politikën), që të heshtura e të tulatura u bënë dëshmitare jo vetëm e problematikës dhe diskriminimit social e gjinor, por dhe të nëpërkëmbjes dhe përdorimit të statusit moral e politik të gruas nga vetë politika. 
Përdhunimi i grave gjatë periudhës komuniste
Gjithsesi, në këtë shkrim do ndalem në dy prej temave më të përfolura të mediave shqiptare në 2015-ën, si ajo e përdhunimeve të grave gjatë periudhës komuniste dhe ajo e dekorimeve për kontribute në luftë, ku titujt e lajmit mediatik nisin edhe me emrat e grave. Nuk kam dhe nuk kam pasur ndonjëherë angazhim politik, por kjo nuk është arsye për të mos patur kurajën për një angazhim qytetar e publik lidhur me këto çështje. E mendoj normale ekzistencën e mendimit ndryshe në demokraci, por po aq anormale e konsideroj presionin mediatik, që rreket të krijojë një tablo të së vërtetës me shumë të pavërteta. Po e nis nga çështja e parë, ajo e përdhunimeve të grave në monizëm, sikundër quhej periudha e viteve para tranzicionit. Nuk mund të them se ato nuk kanë ekzistuar, pasi përdhunime të kësaj natyre ekzistojnë edhe sot, dhe jo vetëm tek ne, po kudo ne botë. Problemi qëndron tjetërkund. Tek interpretimi i kësaj çështjeje. Vetiu lind pyetja, përse ky zgjim i grave që përjetuan këtë dhunim pas 25 viteve të tranzitimit për në demokraci? Kush e ngacmoi plagën e pa kuruar, të mbuluar me kore pas kaq e kaq shumë vitesh? Përse ky ekzagjerim nëpërmjet këtij marketingu, që çuditshëm merret edhe me persona tashmë të larguar nga kjo jetë? Dhe së fundi, çfarë kërkojnë të zgjidhin me këto histori të së shkuarës? Jam e bindur se historia do të shkruhet, dhe kjo sigurisht në bazë të analizës të historive të viktimave, bashkëkohësve të tyre, si dhe dokumenteve ekzistuese nga personat përkatës të fushës, të cilët do të përcaktojnë volumin dhe peshën që zë ky shqetësim në morinë e madhe të shqetësimeve që ka një komb e një shtet në periudha të caktuara, përfshi dhe atë të monizmit. Mendoj se nuk është ky thelbi i çështjes, pasi të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se sot shoqëria, e aq me tepër gruaja po përballet me shqetësime shumë herë më të mëdha si ato ekonomike e shëndetësore, taksat, papunësia, pensionet, që përveçse të pamjaftueshme për kërkesat bazike të jetës nuk shkojnë në përpjesëtim të duhur edhe me jetëgjatësinë, për të mos folur më tej për plagën e korrupsionit, drogës apo emigracionit. Mos duhet larguar vëmendja ndaj tyre vallë? Asnjëherë nuk e kam kuptuar në gjithë këto vite p. sh. pse ka munguar vullneti për ta bërë funksional mekanizmin që siguron komunikim apo konsultim konstant të institucioneve me komunitetin, ku kjo e fundit njihet të jetë njësia matëse e suksesit dhe mos suksesit të institucioneve. Takime dhe tryeza të tilla formale ka patur dhe ka sa të duash. E kam fjalën për eficencën e tyre. Nuk e di se ç’do të ndodhë këtej e tutje, por për të shprehur shqetësimin e tyre tek kryetari i bashkisë të Tiranës p.sh në gjithë këto vite (të paktën duke filluar nga viti 2001 deri në 2015), përfaqësuesit e komuniteteve e kanë patur shumë të vështirë, thuaj të pamundur takimin me të. Delegimi i këtyre takimeve tek strukturat e tjera të institucionit (ndonëse edhe takimet me ta kanë qenë të vështira) nuk i zgjidhnin problemet, pasi vendimmarrja në këto vite ka qenë jo vetëm monopol i kryetarit/ drejtuesit, por dhe politike. Në një mjedis të tillë sigurisht nuk bëhet fjalë për përfshirje të komunitetit në zgjidhje të përbashkëta të shqetësimeve, e aq me pak për kërkesë llogarie nga poshtë lart, që çon dhe në marrje përgjegjësish. Mundësimi nga institucionet i strategjisë që bazohet në zhvillimin inkluziv, e për rrjedhojë dhe dëshmitë e fuqishme të komunitetit mbi shqetësimet apo ngushtimin e hendekut gjinor të tyre, të ndjekura edhe nga dëshmitë e organizatave të shoqërisë civile apo sektorit privat, do të ndihmojë jo vetëm në pasqyrimin e drejtë të realiteteve, që sot imponojnë kosto reale e me pasoja në nivel lokal dhe qendror, por dhe fokusim e adresim me sukses të tyre. Objektivat që çojnë drejt një shoqërie të barabartë si ngushtimi i hendekut gjinor në shërbimet shëndetësore; krijimi i fronteve të punës për gratë dhe vajzat e reja; mbyllja e hendekut gjinor në financa, teknologji, pronësi dhe kontrollin e pasurisë si toka dhe strehimi; apo dhe rritja e aftësive dhe kapaciteteve të grave për të drejtuar vete jetën e tyre janë objektiva që sjellin zhvillime dhe ndryshime që krijojnë mundësi për të gjithë. E mbi të gjitha, zgjidhjen e shqetësimeve kapitale si papunësia dhe varfëria, që garanton të drejtën e aksesit ndaj oportuniteteve të njëjta për të dy gjinitë (equity), domosdoshmëri kjo për të arritur plotësisht barazinë (equality). Publiciteti mediatik i kohëve të fundit për paketat me projekte, idetë e të cilave thuhet të jenë mbledhur në komunitet uroj të mos jenë thjesht fjalë, por vepra, ku barazia gjinore të kthehet në një parakusht për t’u përballur me sfidat e uljes të varfërisë, promovimit të zhvillimeve të qëndrueshme dhe qeverisjes të mirë, sikundër shprehet Kofi Annan.
Dekorimet e veteranëve
Dekorimet e veteranëve kanë qenë një tjetër temë delikate në fokusin e medias përgjatë 2015-ës, ku janë përfolur dhe emra të përveçëm, e ndërmjet tyre dhe ato të grave. Por më sensitive u bë kjo temë kur nisën të përmenden emra të njohur të periudhës komuniste. Dekorata e Vito Kapos në 2014-ën u bë histori tërkuzë që zgjati pothuaj një vit, e që çoi në deklaratën e saj në fundvitin e 2015-ës për të refuzuar pranimin e mëtejshëm të kësaj dekorate të dhënë sipas saj jo publikisht. Në raste të tilla gjykoj se kemi të bëjmë me dy qëndrime të kundërta ndaj një çështjeje. Dhe qëndrime të kundërta kemi patur me bollëk gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit, si për datën e çlirimit të vendit (28 apo 29 Nëntori), figurën e Nolit, rolit të gjermanëve apo ballistëve në luftën Nacional Çlirimtare, madje dhe të vetë kësaj lufte etj., etj. Edhe pse asnjëherë nuk është ditur balanca e raportit pro dhe kundër, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm mbi spekulimin politik mbi këto çështje. Madje, hera herës duket sikur ato gjallohen sidomos kur kemi mungesa të ngjarjeve të bujshme në vend, për të humbur vëmendjen nga çështje më të rëndësishme si ekonomia, drejtësia e korrupsioni që vazhdojnë të gërryejnë shoqërinë nga brenda. Pikërisht në këtë këndvështrim e shoh edhe çështjen e dekorimeve të veteranëve. Personalisht i qëndroj mendimit se pavarësisht dëshirave dhe mllefeve që mund të kemi nuk mund të c’bëhet kontributi i veteranëve të LANC-it, madje dhe i atyre që kontribuuan për luftën, e që nuk u vlerësuan për të. Vlerësimi i këtyre kontributeve nuk mund t’i atribuohet personave të tjerë përveçse atyre që ja kushtuan rininë një ideali, atij të çlirimit të vendit. Gjithsesi, në shumicë këta janë veteranët e LANC-it. Akoma me komike bëhet situata kur mendon se veteranët e luftës apo dhe të tjerë kanë përfunduar në një grusht njerëzish, që e bën këtë vlerësim tashmë honorifik dhe pa kosto. Nëse kërkohet të rivlerësohet kontributi i karrierës të këtyre kategorive për punën gjatë rindërtimit të vendit, apo dhe meritat e veçanta akorduar apo mos akorduar atyre duhet bërë kujdes. Rregullat e lojës duhet të jenë njëlloj për të gjitha kohërat, përfshi dhe atë që jetojmë, nëse duam të jemi koherent ndaj realiteteve. Në këtë kontekst i kam të paqarta qëndrimet e kryeministrit lidhur me këtë çështje, sikundër kam të paqartë oreksin e atyre që kane dalë vullnetarë për të rishikuar historinë në gjetje të mundësisë për të realizuar vlerësimin e figurave të zhvleftësuara historikisht. Por edhe këtu gjykoj se problemi qëndron tjetërkund, tek qëndrimi i dyfishtë që mbajmë ndaj çështjeve kardinale për një komb, që ka çuar deri në luftën ndaj simboleve por dhe të qenurit kritik patologjik ndaj vetvetes. Por pa simbolet e saj, një shoqëri mbetet pa identitet, sikundër të qënurit kritik ndaj historisë të popullit tënd edhe atëherë kur s’ke asnjë arsye apo motiv për t’a bërë këtë çon drejt mohimit dhe vetëshkaterrimit. Kësisoj, asnjëherë nuk e kam kuptuar tendencën për t’i përsëritur e përsëritur vetes se jemi një komb që nuk bëhemi, shprehje kjo që e gjejmë rëndom në leksikun e përditshëm, që duket sikur përpiqet të justifikojë ngërçet tek të cilat kemi ngecur, apo për të treguar pse jo dhe konformitetin me irealen tek mendojmë se kështu mund të hingëllojmë më demokratë. Madje këtë zakon na i kane mësuar dhe të huajt. Jam surprizuar nga perceptimi i autores amerikane Susan E. Pritchett Post mbi shqiptarët, perceptim ky i shprehur në librin e saj “Gruaja në Shqipërinë Moderne”. Perceptim ky i mbrujtur gjatë qëndrimit të saj dy vjeçar në Shqipëri në vitet e para të shkëmbimit të sistemeve, por dhe i bazuar në mbi 60 intervistave me gratë shqiptare të moshave dhe backgroundeve të ndryshme. Shqiptarët, shprehet ajo, janë kritikë dhe nuk pranojnë pjesën e mirë të diçkaje nëse gjejnë që pjesa tjetër ka të meta. Kjo natyrë kritike e shqiptarëve, vazhdon ajo, rezulton të jetë një nga karakteristikat më të dukshme të tyre, që gjithnjë përfundon në një zinxhir argumentesh e kundër argumentesh pa fund. Besoj se një pohim i tillë s’ka shume vend për koment. Ndoshta të gjithë duhet të kuptojmë se ka ardhur koha për të parë drejt të ardhmes, pa qenë peng i të shkuarës dhe të ecim me hapin e shpejtë të vendeve të tjera të rajonit, që fundviti i 2015-ës, i gjeti në fillesat e negociatave për pranimin në BE.
Sigal