Nga Kastriot Islami

Ish-Ministër i Jashtëm

Erdogan ka lajmëruar para dy ditësh një mbledhje urgjente të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) pas hapjes së ambasadës së SHBA në Jerusalem. Mbledhja do të zhvillohet të premten, më 18 maj 2018, në Stamboll. Kanë lajmëruar pjesëmarrjen, pas një seri telefonatash nga Ministri i Jashtëm i Turqisë, Irani, Azerbajxhani, Sudani, Pakistani, Katari, Guinea, Kuvajti dhe Indonezia. Nuk dihet, nëse ka pasur një telefonatë për Edi Ramën dhe, nëse ai do të marrë pjesë, deri tani mbretëron heshtja. Turqia dhe personalisht Erdogan ka dënuar ashpërsisht qëndrimin e SHBA për hapjen e ambasadës së SHBA në Jerusalem dhe në mbledhjen e jashtëzakonshme mendohet se do të ratifikohet ky qëndrim i ashpër i Erdogan kundër SHBA e Izraelit dhe në favor të vendeve arabe/myslimane. Rama para 6 muajve u rreshtua së bashku me disa vende të tjera pas Erdogan, duke votuar në OKB kundër hapjes së ambasadës së SHBA në Jerusalem, pra kundër SHBA dhe pro Turqisë. Ky qëndrim ishte në linjë edhe qëndrimin e Merkel dhe Makron. Por Shqipëria duke marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së ambasadës në Jerusalem përmes ambasadorit të Shqipërisë në Tel Aviv, mund të thuhet se e ndryshoi qëndrimin e saj të para 6 muajve duke e mbështetur hapjen e ambasadës së SHBA në Jerusalem. Pra Edi Rama mbajti një qëndrim kundër Erdoganit dhe kundër Merkel e Makron. Por Rama ka heshtur për këtë qëndrim tëri të Shqipërisë, por SHBA dhe kundër Turqisë, Gjermanisë, Francës…. Duke qenë se Shqipëria është anëtare e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) bëhen pyetjet:

  1. A do tëmarrë pjesë Shqipëria në këtë mbledhje urgjente të thirrur nga Erdogan”? dhe
  2. A do të ruajë Shqipëria qëndrimin pro-SHBA apo do të bashkohet përsëri me qëndrimin e Erdoganit dhe OBI?

Qëndrimi i parë i Ramës në OKB: Anti-Trump dhe Pro-Erdogan

Rreth 6 muaj më parë, Edi Rama votoi në OKB kundër nismës së presidentit Trump për vendosjen e ambasadës së SHBA në Jerusalem. Ky qëndrim shkaktoi një tërmet në Shqipëri. Reaguan kundër qëndrimit të Ramës, Presidenti i Republikës, e gjithë opozita dhe segmente të rëndësishme të shoqërisë civile duke e konsideruar antiamerikan këtë qëndrim të Edi Ramës më shumë rreziqe për Shqipërinë. Dhe nuk vonoi të vinte reagimi nga administrata Trump që klasifikonte Shqipërinë në grupin e vendeve “jo mike”. Rama i frikësuar nga këto reagime, përmes një batute ia transferoi “fajin ambasadorit amerikan në Tiranë, i cili nuk ia kishte kërkuar votën Pro nismës së Presidentit Trump”. Por edhe kjo nuk mjaftoi, por gjeti një sebep për të shkuar në SHBA dhe marrë pjesë në një aktivitet të një organizmi hebre për të mbuluar diellin me shoshë. Kjo gafë e futi në një pozicion shah-mat me të gjithë aktorët ndërkombëtarë të cilit deri tani i ka mashtruar publikisht apo kokë më kokë.

Përse Rama e bëri gafën që dëmtoi shumë vendin?

Së pari, qëndrimi anti-SHBA mund të ishte një porosi për Ramën e ardhur nga mentori i tij, në vijim të betejës që zhvillohej në SHBA kundër Trump, të cilën Rama mund ta ketë zbatuar me fanatizëm si në rastin kur ofendoi kandidatin Trump si “turpi i njerëzimit” ashtu edhe më vonë kur do të rreshtohej kundër Trump.

Së dyti, Rama rezultoi i rreshtuar me Erdoganin, i cili e paraqiti mos miratimin e rezolutës amerikane në OKB për Jerusalemin si triumfin e tij dhe dështimin e Trump; nuk përjashtohet që një qëndrim i tillë Rama ta ketë formalizuar gjatë takimeve sekrete e bisedimeve konfidenciale kokë më kokë, pa prezencën e personave të tretë, duke krijuar dyshime të shumë partnerë të Shqipërisë.

Së treti Rama u përpoq së koti ta maskonte qëndrimin e tij antiamerikan si rreshtim të orientuar nga BE, duke tentuar ta shesë si rreshtim me Merkel apo Makron, por doli bllof shumë shpejt sepse disa vende të BE dhe disa të tjera kandidate të BE nga rajoni i Ballkanit nuk mbajtën qëndrim kundër nismës së Presidentit Trump, duke abstenuar të votonin ndaj nismës së Trump Sepse në realitet BE nuk kishte qëndrim të unifikuar dhe ajo që tha Rama si justifikim ishte thjesht gënjeshtër.

Pirueta e Ramës në Jerusalem: Pro-Trump dhe anti-Erdogan, anti-Merkel, anti-Makron…

Një ditë para ceremonisë së organizuar me rastin e hapjes së ambasadës së SHBA në Jerusalem, mediat izraelite dhanë lajmin se “Ambasadori i Shqipërisë në Tel Aviv, Bardhyl Canaj, është ftuar të marrë pjesë në ceremoninë e datës 14 maj në Jerusalem. Po të njëjtat media bënin me dije se “ambasadori i Shqipërisë nuk e kishte konfirmuar pjesëmarrjen ndonëse pritej të merrte pjesë.”(https://www.timesofisrael.com/ambassadors-from-all-over-the-world-to-fete-us-embassy-move/).

Ajo që përforconte të këtë lajm ishte fakti, se as Kryeministri, as Ministri i Jashtëm dhe as ambasadori shqiptar në Tel Aviv, çuditërisht nuk kishin bërë asnjë njoftim publik për pjesëmarrjen në këtë ceremoni të rëndësishme për SHBA dhe Izraelin. Së paku, duke bërë me dije se Shqipëria do të përfaqësohej në nivel ambasadori. Kjo do të ishte edhe më e nevojshme, po të kemi parasysh, se pjesëmarrja në këtë ceremoni do të konsiderohej edhe ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë apo korrigjim i gafës së Ramës në OKB ndaj zhvendosjes së ambasadës së SHBA në Jerusalem. Mesa duket kjo ka qenë edhe arsyeja “fortë” që e ka shtyrë Ramën ta maskojë/ruajë sa më të fshehtë qëndrimin ndaj kësaj ceremonie. Thënë ndryshe, Rama nuk dëshironte të binte në sy që kishte ndryshuar qëndrimin e mbajtur në OKB, për shumë arsye!

Rama në një situatë të komplikuar për shkak të skandaleve të shumta që po gërryejnë qeverinë e tij dhe të qëndrimeve të disa vendeve të rëndësishme të BE kundër hapjes së negociatave duket shumë i frikësuar dhe i tronditur. Ai duke menduar vetëm për fatin e tij post-politikë, mesa kuptohet po tenton të shmangë goditjet që po i vijnë çdo ditë nga brenda dhe jashtë, sidomos po tenton të evitojë një qëndrim të fuqishëm amerikan kundër qeverisjes së tij të korruptuar dhe të lidhur me krimin, trafikantët dhe familjet mafioze, qëndrim që do të ishte me pasoja edhe për atë vetë e të ardhmen e tij. Për më tepër që administrata e re që po ngrihet në Uashington nuk duket të jetë po aq friendly me marrëzitë e tij.

Rama në shah-mat, përballë Trump, Erdogan, Merkel dhe Makron

Sado që Rama përpiqet të shmangë reagimet e ndryshme, në një pozicion të vështirë për shkak të gafave të mëparshme, duket i kapur shah-mat. Njëlloj si në rastin e armëve kimike, se i ka gënjyer të gjithë:

Së pari, Rama ndodhet i vendosur nën presionin e mentorit të tij për të vijuar të mbajë qëndrimin kundër nismës së Trump dhe vazhduar kështu betejën kundër Presidentit të SHBA. Prandaj nuk do të dëshironte që të jepte përshtypjen se kishte ndryshuar qëndrimin ndaj Trump, duke bërë të ditur bujshëm pjesëmarrjen në ceremoninë e hapjes së ambasadës në Jerusalem.

Së dyti, Rama s’do të dëshironte të rreshtohej në këtë moment kundër Erdogan kur ai duket i pakënaqur me hezitimet e Ramës për dorëzimin e gylenistëve që ndodhen në Shqipëri.

Së treti, Rama ndërkohë që i lutet Merkel apo Makron ta mbështesin për hapjen e negociatave me BE, do t’i duhet t’iu shpjegojë atyre përse e ndryshoi qëndrimin për hapjen e ambasadës së SHBA në Jerusalem, pra, përse doli kundër tyre, tezë e cila mund të fillojë të dobësojë shumë argumentet e tij për hapjen e negociatave.

Këto tregojnë përse Rama, i kapur në një pozicion shah-mat, kërkon të dalë nga situata e vështirë duke i mashtruar njëkohësisht të gjithë partnerët. Sepse Rama e ka të pamundur t’iu shpjegojë partnerëve kryesorë qëndrimin për pjesëmarrjen në ceremoninë në Jerusalem në datën 14 maj 2018, ndërkohë që vetëm 6 muaj më parë kishte votuar kundër që kjo ambasadë të hapej në Jerusalem.

A do të “përdridhet” prapë Rama nesër, në Stamboll?

Rama i gjendur në një situatë shumë të vështirë, mesa duket ka udhëzuar që pjesëmarrja në ceremoninë në Jerusalem duhet të jetë me profil shumë të ulët, aq sa të mund të mos bjerë në sy apo të merret vesh fare, po të jetë e mundur. Dikush me të drejtë do të pyeste: “Përse do të duhej të maskohej ky ndryshim i qëndrimit?”

Arsyen e vërtetë e di vetëm Rama, por duket qartë se Rama kërkon më shumë hapësirë për t’i mashtruar të gjithë partnerët njëkohësisht dhe nga pak secilin.

Evropianëve, veçanërisht, Merkel apo Makron, ndoshta do t’iu thoshte se Shqipëria nuk mori pjesë zyrtarisht në ceremoni, por thjesht dërgoi aty ambasadorin, duke vazhduar t’i qëndronte besnik qëndrimit anti-Trump në OKB.

Erdoganin ndoshta do ta qetësonte në një takim kokë më kokë, duke iu përbetuar se gjithçka kishte ndodhur pa dijeni e tij apo, se ambasadori shqiptar kishte marrë pjesë në ceremoni me kokën e tij. Me shumë gjasa Rama do të japë udhëzime që Shqipëria të mos marrë pjesë në mbledhjen urgjente të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI).

Kurse SHBA dhe Izraelit do t’iu mburrej se Shqipëria mbetet përkrah SHBA dhe Izraelit, duke ia shitur si ndryshim të qëndrimit ndaj Jerusalemit, ndryshim i kryer me vendosmëri prej tij.

Kurse për shqiptarët nuk do ta çante shumë kokën t’i sqaronte, duke menduar se kjo nuk përbënte ndonjë temë të rëndësishme e me ndjeshmëri të lartë për ta dhe opsioni më optimal do të ishte, duke i lënë ta në terr informativ.

 

18 maj 2018