Janusz Bugajski:Shqiptaro –fobia e maqedonasve

628
Sigal

 Zoti Bugajski dy ditët e fundit në Shkup ka patur përplasje mes popullsisë shqiptare dhe policisë. Ngjarjet erdhën si pasojë e emërimit të një ish- anëtari të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare si Ministër i Mbrojtjes. Ky emërim shkaktoi demonstrata të dhunshme nga maqedonasit të premten në mbrëmje. A është kjo një shenjë që Maqedonia nuk është e përgatitur të pranojë shqiptarët si pjesë e ndërtimit të shtetit?

Është treguese e këtyre konflikteve të rrënjosura thellë mes anëtarëve të komuniteteve shqiptare dhe maqedonase. Mesa kam kuptuar, pati sulme ndaj disa shqiptarëve nga ana e disa aktivistëve maqedonas të premten në darkë. Disa i quajtën edhe huliganë. Nuk jam fort i sigurt ç‘i shtyu ta bënin diçka të tillë. Ky është reagim i anëtarëve të një partie opozitare në Maqedoni, parti opozitare shqiptare në Maqedoni, por mendoj se pas saj fshihen konflikte më të thella dhe mungesa e pranimit nga ana e disa maqedonasve të ndarjes së pushtetit me komunitetin shqiptar, përçmimi ndaj shqiptarëve që po marrin një pjesë të posteve në qeveri, si në Ministrinë e Mbrojtjes, poste të tjera në burokraci, poste të tjera në Forcat e Armatosura. Mendoj se, këto janë tensione në zhvillim e sipër, fatkeqësisht. Diçka të tillë e dëshmuam vjet, por tani po afrojnë zgjedhjet, zgjedhjet vendore në fund të muajit. Do jetë një kohë sprove për vendin.

 Disa vjet pas marrëveshjes së Ohrit akoma ajo nuk është funksionale. Kush është fajtor për këtë. A e ka luajtur komunitetin ndërkombëtar rolin e tij apo në disa raste ka toleruar Maqedoninë, qeverinë e Maqedonisë?

 Marrëveshja e Ohrit është zbatuar, për t’u treguar të drejtë me qeverinë. Shumica e saj, si përfshirja e shqiptarëve në poste të rëndësishme politike, çështja e gjuhës, çështja e forcave të policisë, përfshirja në forcat e policisë. Shumica e Marrëveshjes së Ohrit është vënë në zbatim. Mendoj se, problemi qëndron se, në Maqedoni ekzistojnë disa probleme të tjera veç kësaj. Kushtet ekonomike janë të pandryshueshme, në fakt, po përkeqësohen. Maqedonia ka mbetur në vendnumëro në lidhje me anëtarësimin në NATO apo BE për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë. Zhgënjimi te të rinjtë. Diçka të tillë e shohim te përplasjet që ndodhën vitin e shkuar dhe ato që ndodhën sivjet. Mendoj se të gjithë këta faktorë nxjerrin në pah ndasitë e thella mes dy komuniteteve, të cilat nuk mund të zgjidhen thjesht me një marrëveshje. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për dy popullsi të veçanta, dy grupe të veçanta etnike që ekzistojnë brenda një shteti. Mënyra më e mirë për t’i asimiluar do ishte procesi i anëtarësimit në BE, proces, i cili ka ngecur.

 Mund të themi se ka një albano-fobi reale në Maqedoni? A janë të lidhura këto ngjarje lidhen me interesat politike të Gruevskit?

 Po, do thoja se ekziston, si në shumë shtete, shqiptaro-fobia dhe paragjykimi ndaj shqiptarëve, po, besoj se ekziston. A është vetëm faji i qeverisë? Besoj se qeveria mund të japë një shtysë për shtimin e shqiptaro-fobisë duke ngritur çështjet nacionaliste. Me fjalë të tjera, ta përqendrojë vëmendjen në ripretendimin e të shkuarës historike për maqedonasit sllavë ose maqedonasit e hershëm, sesa të krijojë një trashëgimi të përbashkët me shqiptarët për shtetin e Maqedonisë. Sa më shumë ta përdorësh nacionalizmin e një grupi etnik, aq më tepër do e armiqësosh grupin tjetër etnik dhe ka të ngjarë që do ketë konflikte mes tyre.

 Faleminderit!

-Faleminderit juve!