Janusz Bugajski/ SFIDAT E PRESIDENTIT OBAMA

548
Sigal

Presidenti i rizgjedhur Barak Obama përballet me disa sfida të brendshme dhe ndërkombëtare. Fronti i brendshëm është më i ngutshmi, ndërsa qëndrueshmëria ekonomike e Amerikës ka nevojë për një kompromis të gjerë me republikanët në Kongres. Sfida më e prekshme e politikave emërtohet “shkëmbi fiskal”, një paketë rritjesh taksash dhe shkurtimesh të shpenzimeve qeveritare që do hyjë në fuqi në janar nëse Kongresi dhe Presidenti nuk arrijnë marrëveshjen për buxhetin. Republikanët kërkojnë që marrëveshja buxhetore të lidhet me rishikimin e përfitimeve qeveritare dhe me reformën e kodit të taksave. Demokratët duan të kufizojnë shkurtimet në ndihmat sociale shtetërore dhe të rrisin taksat për pasanikët. Pozita e tyre forcohet nga rizgjedhja e Obamës. Pavarësisht fitores së Obamës, pushteti në dy dhomat e Kongresit mbetet i ndarë mes republikanëve dhe demokratëve. Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë duhet të shqyrtojnë edhe problemet fiskale afatgjata duke kontrolluar borxhin kombëtar dhe duke menaxhuar deficitet vjetore të vendit. Ringjallja ekonomike e Amerikës është jetësore për ekonominë botërore, duke parë që Evropa ka ngecur në recesion, Japonia po përballet me “shkëmbin e vet fiskal” dhe rritja ekonomike në Kinë po bie. Në frontin ndërkombëtar, ndikimi amerikan vazhdon të jetë i cunguar për shkak të burimeve në tkurrje, trazirave globale në rritje dhe konkurrencës së madhe në rajone kyçe nga Kina, Rusia dhe forca të tjera rajonale. Irani është përparësia kryesore e Uashingtonit për sigurinë, përsa kohë vazhdon të ketë potencial bërthamor. Ende nuk është i qartë reagimi i Teheranit ndaj sanksioneve të rënda ekonomike në rritje; nëse do hyjë në bisedime për të parandaluar paqëndrueshmërinë sociale apo do ngrihet kundër rivalëve rajonalë. Edhe konflikti sirian kërcënon “derdhjen” përtej kufijve të vet dhe të krijojë trazira në Liban dhe Jordani. Në një kontekst më të gjerë, gëzimi fillestar për Pranverën Arabe si agimi i demokracisë është errësuar nga frikërat gjithnjë e në rritje se mos janë hapur portat për ekstremistët islamikë. Ka gjasa që Uashingtonit t’i duhet të menaxhojë dhe udhëheqjen e re të Kinës, që ka gjasa të ndjekë interesa më të gjera sigurie përkrah zgjerimit ekonomik. Politika e angazhimit më të ngushtë politik të SHBA-së është e nevojshme bashkë me një marrëdhënie tregtie akoma më vepruese. Edhe Evropa është një tjetër kërcënim për sigurinë ekonomike që mund ta fusë SHBA-në në një recesion më të zgjatur nëse kriza e borxheve përshkallëzohet apo nëse Eurozona fillon e përçahet. Trazirat evropiane mund të kenë ndikim negativ në aleancën transatlantike dhe në të ardhmen e NATO-s. Padyshim që Obama përballet me një agjendë tmerruese në mandatin e tij të dytë si president.