Janusz Bugajski/ Rusia vë në provë vendosmërinë e SHBA-së

543
Sigal

Në një sërë incidentesh të fundit, qeveria e presidentit Vladimir Putin ka vënë në provë vendosmërinë e administratës Obama. Skandalet e spiunazhit dhe mosmarrëveshjet mbi Sirinë tregojnë si Rusia manipulon pavendosmërinë e SHBA-së për të rritur ndikimin e vet ndërkombëtar.

Shërbimi i sigurimit rus kohët e fundit bëri publik arrestimin dhe dëbimin e një diplomati amerikan, duke deklaruar se ai ishte një spiun qe tentoi të rekrutonte një oficer të shërbimit të fshehtë rus. Ambasadori amerikan u thirr në ministrinë e jashtme ruse në një përpjekje për të poshtëruar Uashingtonin. Disa ditë më vonë, në një shkelje të rëndë të protokollit ndërkombëtar, Moska botoi emrin e një tjetër diplomati për të cilin thotë se është shefi i CIA-s në Moskë. Skandalet e spiunazhit janë pjesë e një fushate antiamerikane të marrëdhënieve me publikun që kanë si qëllim të mobilizojnë opinionin publik nën drejtimin e Putinit dhe ta përshkruajnë opozitën pro demokracisë në Rusi si agjentë amerikanë.

Edhe kriza në Siri ka treguar ambiciet e Rusisë. Pasi ranë dakord për një konferencë ndërkombëtare mbi Sirinë për t’i dhënë fund luftës civile, Moska i shiti raketa të avancuara anti-anije regjimit të Bashar al-Asadit. Armët ruse do e vështirësojnë gjendjen nëse Uashingtoni vendos të imponojë një zonë ku ndalohet fluturimi, të tentojnë misione shpëtimi apo t’i furnizojë rebelët sirianë nga deti. Rusia është e vendosur ta mbajë Asadin në pushtet, si aleatin kryesor në rajon dhe të ketë kontrollin e bazës detare në portin e Tartusit.

Pavarësisht këtyre masave, si edhe masave të përshkallëzuara ndaj disidencës në Rusi, kritikat nga ana e Shtëpisë së Bardhë kanë qenë të kufizuara. Ky fakt i jep zemër Kremlinit të jetë më imponues, ndërsa beson se SHBA-ja do e shmangë ballafaqimin me çdo kusht. Kompromiset e buta dhe të njëanshme për t’i bërë qejfin Moskës shihen si dobësi nga Kremlini. Moska përdor forcën dhe vendosmërinë edhe atëherë kur bie ndesh me politikat e SHBA-së.

Në atë që duket si një tjetër poshtërim i qëllimshëm, sekretari Kerri u la në pritje tre orë para takimit të tij të fundit me Putinin në Moskë. Një administratë amerikane me më shumë vetëbesim do e kishte anuluar takimin dhe do e kishte kthyer Kerrin në Uashington, për të fituar avantazhin mbi Moskën. Një vendosmëri e tillë do kishin shërbyer si garanci që rrengjet e Kremlinit nuk do përsëriteshin në të ardhmen.