Janusz Bugajski/ Lufta ndërmjet superfuqive, e rishqyrtuar

518
Sigal

Lufta e Ftohtë ndërmjet SHBA dhe Rusisë nuk mund të përsëritet, por përplasja për influencë përqark globit është ripërtërirë nga administrata Putin. Ndonëse Moska nuk zotëron kapacitetet për sfiduar Uashingtonin haptazi, ajo nxit armiqësinë karshi Amerikës dhe promovon një aleancë ndërkombëtare anti-amerikane.

Formati BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut) supozohet të sfidojë mbizotërimin ekonomik të Amerikës. SCO (Organizata e Bashkëpunimit e Shangait) ka për qëllim të kundërveprojë ndaj influencave politike amerikane. Dhe CSTO (Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive) është projektuar si një homologe ushtarake e NATO-s.

Amerika Latine është një shembull i dobishëm se ku dy ish superfuqitë po përballen me një konkurrencë në rritje. Rusia ka sendërtuar aleanca me qeveritë e majta dhe ka inkurajuar anti-amerikanizmin në Venezuelë, Bolivi dhe Ekuador. Megjithatë, Kuba mbetet qendra kryesore për minimin e Uashingtonit në këtë hemisferë.

Kuba ka një vlerë të madhe simbolike. Kur Moska kërcënoi të vendoste armë bërthamore në ishull në vitin 1962, ajo gati sa nuk provokoi një luftë nukleare me SHBA-në. Rusia tërhoqi asetet e saj ushtarake dhe të inteligjencës nga Kuba në fundin e Luftës së Ftohtë, por Putini ka rindërtuar një prezencë kërcënuese në dyert e Amerikës.

Korrikun e kaluar, Moska rihapi qendrën ushtarake dhe të sinjaleve të inteligjencës Lurdes, baza më e madhe e huaj sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë, për të interceptuar komunikimet radiofonike dhe telefonike amerikane. Putini vizitoi Kubën në gusht, i fali Kubës 90% të borxheve të epokës sovjetike, dhe firmosi marrëveshje industriale, energjetike dhe tregtare me Havanën. Ai gjithashtu sigloi disa marrëveshje ushtarake për të vendosur stacione ruse të pozicionimit global në Kubë, Argjentinë dhe Brazil. Anija ruse e luftës me raketa Moskva, ka bërë një turne së fundmi në Kubë dhe në porte të tjera latino-amerikane dhe anije të tjera lufte janë ankoruar në ishull. Lëvizje të tilla dërgojnë shqetësime në Pentagon, teksa ato mund të sjellin mijëra ushtarë rusë në Kubë në rastin e mosmarrëveshjeve të përshkallëzuara me Uashingtonin.

Administrata Obama pretendon se nuk ka një konkurrencë me shumë zero me Rusinë. Por këndvështrimi i Kremlinit është rrënjësisht i ndryshëm për shkak të obsesionit për të minuar fuqinë globale të Amerikës. Lëvizjet agresive të Moskës mund të ndihmojnë që të shpjegohet se përse Obama më në fund po kërkon një përafrim me Havanën, pavarësisht kriticizmit të thellë në Amerikë.