Janusz BUGAJSKI/“Kriza në Përshkallëzim në Evropën Jugore”

520
Sigal

Ndërsa recesioni në BE nuk jep asnjë shenjë zbutjeje, politika po bëhet e paparashikueshme dhe po sjell forma të ndryshme populizmi. Bullgaria është shteti i fundit i Evropës jugore që po përçahet nga trazirat sociale dhe paqëndrueshmëria politike në mes të një presioni të rëndë ekonomik.

Kohët e fundit qeveria bullgare dha dorëheqjen si rrjedhojë e protestave masive. Rreth gjysma e popullsisë jeton në pragun e varfërisë dhe një rritje e papritur në çmimin e energjisë u dha shtysën e fundit njerëzve. Në një nivel makro, Bullgaria duket e qëndrueshme financiarisht, por në përgjithësi, standardet e jetesës dhe pagat janë të mjerueshme. Niveli zyrtar i papunësisë është 12%, por shifra e vërtetë është shumë herë më e lartë.

Për shumë bullgarë, premtimi i begatisë me anë të anëtarësimit në BE nuk është përmbushur. Votuesit janë të inatosur që qeveritë kanë dështuar të luftojnë korrupsionin zyrtar dhe krimin e organizuar. Zgjedhjet paraprake janë caktuar në maj, por opinioni publik është kundër të gjitha partive dhe populistët radikalë do shfrytëzojnë vakuumin politik.

Bullgaria u është bashkuar shteteve problematike ekonomikisht të Mesdheut si Spanjës, Italisë dhe Greqisë, ku ndërrimi i qeverisë nuk sjell dalje nga kriza ekonomike.

Në Spanjë, niveli i papunësisë është 26%, niveli më i lartë në historinë e shtetit, ku 55% e të rinjve të grupmoshës nga 16 dhe 24 vjeç janë të papunë. Akuzat e korrupsionit në nivelet e larta kanë shtuar urrejtjen e përhapur ndaj zyrtarëve.

Italia është goditur keqazi nga masat shtrënguese dhe recesioni, me pakënaqësitë sociale që janë rritur në nivele të rrezikshme. Është vend i tretë me më shumë borxhe në botë. Duke qenë se asnjëra parti nuk fitoi shumicën në zgjedhjet e fundit, mungesa e një administrate të qëndrueshme mund të çojë në paralizë dhe sprapsje në shkurtimet thelbësore të buxhetit.

Populizmi po përshkallëzohet dhe një ish-komedian mori vendin e tretë në zgjedhje me 25% të votave. Ai bëri fushatë kundër institucioneve politike, të cilat akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim masiv të fondeve publike. Ndërkohë, papunësia ka arritur një shifër rekord prej 11.2% dhe zemërimit publik në rritje po minon qëndrueshmërinë e Italisë. Greqia ndodhet në situatë akoma më të dëshpëruar, ndërsa papunësia ka arritur në 27%, me 1/3-ën e popullsisë të zhytur në varfëri. 62% e të rinjve të grupmoshës 15 deri 24, janë të papunë. Nuk ka asnjë dritë që shfaqet në fund të tunelit për këto shtete dhe duke qenë se parashikimit në tërësi për BE-në është se do mbetet në recesion, populistët militantë do gjejnë tokë pjellore në Evropën jugore.