Janusz Bugajski / Kapitja nga paketa e shpëtimit të Bashkimit Europian

514
Sigal

Shumë pak vëmendje u është kushtuar vendeve që janë pranuar në bashkimin monetar të BE-së dhe u gjendën në situatën e shpëtimit të anëtarëve më të pasur. Kapitja nga masat shtrënguese përflitet shumë në Evropën jugore, por edhe kapitja nga masat e shpëtimit në Evropën Qendrore minon projektin e BE-së.

Tre shtete të Evropës Qendrore janë bashkuar me eurozonën-Estonia, Sllovakia dhe Sllovenia-dhe shumë prej qytetarëve të tyre po pendohen për këtë vendim. Shtetet që i kanë ndjekur me përpikëri rregullat e deficitit të BE-së po kundërshtojnë paketat e shpëtimit në të ardhmen për anëtarët me borxhe të shumta. Qytetarët po vënë në dyshim nëse përfitimet e integrimit në monedhën e përbashkët i tejkalojnë kostot gjithnjë e në rritje.

Paga mesatare në Estoni është 10% më e ulët se paga minimale në Greqi, ndërsa grekët mund të dalin 10 vjet më parë në pension se estonezët dhe marrin pensione katërfish më të larta. Pse duhet që taksapaguesit estonezë të paguajnë për stile më të shtrenjta jetese të grekëve, pyesin ata. E njëjta gjë ndodh edhe në Sllovaki. Qytetarët e kanë vështirë të pranojnë që pensionistët marrin vetëm 350 euro në muaj, ndërsa pensioni mesatar në Greqi është 1200 euro dhe grekët mund të dalin pesë vite më herët më pension. Dhe përsëri, shteti i parë duhet t’i ofrojë ndihmë këtë të fundit.

Aktori kryesor dhe kontribuuesi më i madh është Gjermania, ku kapitja nga masat e shpëtimit mund të ndikojë më dramatikisht te shtetet që kanë nevojë për fonde. Analistët besojnë se po të mos ishin shpenzimet e financimit të anëtarëve më të dobët të eurozonës, buxheti gjerman do kishte bilanc pozitiv. Gjermanët nuk kanë parë thuajse asnjë përmirësim të standardeve të jetesës për rreth një dekadë dhe ata vazhdojnë të paguajnë taksa të konsiderueshme për rindërtimin e ish-Gjermanisë Lindore.

Nëse Italia, Spanja dhe Franca do kërkojnë paketa shpëtimi, shteteve të reja anëtare mund t’u soset durimi. Në terma afatgjatë, ideja e borxhit të përbashkët dhe bashkimit fiskal të propozuara nga personat që mbështesin integrimin social mund të mos jetë e realizueshme politikisht. Parlamentet kombëtare vështirë se do ndajnë barrën e borxheve me vendet më pak të përgjegjshme financiarisht.

Për qeveritë e Evropës Qendrore, mesazhi nga disa kryeqytete të Evropës jugore ngjan më tepër si shantazh-paguani për borxhet tona ndryshe populistët anti-BE-së do marrin pushtetin dhe Bashkimi Evropian mund të shpërbëhet. Argumente të tilla nuk u bëjnë përshtypje qeverive në vendet post-komuniste, ku kapitja nga paketat e shpëtimit po nxit populizmin dhe nacionalizmin.