Janusz Bugajski/Euroskepticizmi në rritje i Gjermanisë

565
Sigal

Çfare mendon Uashingtoni?

Një nga objektivat kyç në ndërtimin e institucioneve evropiane pas Luftës së Dytë Botërore ishte nënshtrimi i nacionalizmit gjerman. Por në mes të krizës financiare evropiane dhe ngadalësimit ekonomik, shoqëria gjermane po kthehet kundër projektit të BE-së.

Euroskepticizmi gjerman ka qenë i kufizuar nga tabuja disa vjeçare mbi nacionalizmin post-nazist, por opinioni i publikut po ndryshon. Një sondazh i bërë nga rrjeti televiziv ZDF tregon se 65% e gjermanëve mendojnë se euroja dëmton vendin dhe 49% e tyre mendojnë se Gjermania do ishte më mirë nëse do dilte nga BE-ja.

Ndërkohë që zgjedhjet e përgjithshme do mbahen në shtator, një në katër gjermanë është i gatshëm të votojë për një parti që do të dalë nga zona euro, ndërsa inati me kostot e euros sa vjen dhe përshkallëzohet. Një tjetër sondazh i bërë nga revista e përjavshme “Focus” tregon se 26% e qytetarëve mund të mbështesin partinë që do e nxjerrë Gjermaninë nga zona euro.

Një lëvizje e re, me emrin “Alternativa për Gjermaninë” do mbajë konventën e themelimit këtë muaj në Berlin. Sipas Alternativës “Republika Federale ndodhet në krizën më të thellë të historisë së vet. Përdorimi i euros ishte një gabim fatal që po kërcënon mirëqenien tonë”. Lëvizja propozon largimin e Gjermanisë nga euroja dhe rikthimin e markës gjermane, ose krijimin e një valute tjetër me ekonomitë evropiane të   qëndrueshme financiarisht.

Partitë kryesore gjermane ende mbështesin bindjet pro-euros, pavarësisht protestave të brendshme për ndihmat e dhënat për Evropën jugore.

Kancelarja Angela Merkel është përpjekur t’i sigurojë votuesit që e mbështesin duke këmbëngulur që vendet e zhytura në borxhe duhet të vënë në zbatim masa të forta shtrënguese dhe të paguajnë borxhet. Social Demokratët dhe Ambientalistët e kanë mbështetur qëndrimin e Merkelit në trajtimin e problemeve financiare të Evropës, por Alternativa po pret stimulin domethënës nëse shfaqet një krizë e re. Sipas Alternativës, “nëse vendet munden dhe do e shlyejnë borxhin e tyre, kjo varet nga zgjedhjet e paparashikueshme në votime të qytetarëve të tyre”. Për të kundërshtuar pakënaqësitë në rritje, Merkeli duhet të tregohet më e ashpër me Evropën jugore dhe t’i qetësojë votuesit gjermanë skeptikë para zgjedhjeve të shtatorit. Anti-gjermanizmi po rritet mes vendeve anëtarëve të paqëndrueshme financiarisht të BE-së, ndërsa ndjenjat anti-evropiane po fillojnë të ngrihen në Gjermani.