Janusz BUGAJSKI/ Çfarë mendon Uashingtoni?

543
Sigal

Ky vit do jetë tepër sfidues për rilindjen e Amerikës, për zhvillimin e Evropës dhe qëndrueshmërinë në Ballkan. Në të treja këto raste, gjendja e ekonomisë do mbetet ndryshorja kyç, ndërsa zona transatlantike do rreket të shmangë recesionin dhe dobësimin strategjik. Në Amerikë, marrëveshja në Kongres për shmangien e “humnerës fiskale” nuk u jep zgjidhje problemeve afatgjata ekonomike të SHBA-së. Kompromisi i minutës së fundit nuk përfshiu një marrëveshje madhore për reduktimin e deficitit. Një përballje e re në Kongres mbi shkurtimet e shpenzimeve pritet pas dy muajsh, ndërsa Amerika përballet me “malin fiskal” të 16.4 trilionë dollarëve borxhe. Pa një ekonomi më të fortë, pjesëmarrja e Uashingtonit në botë do bjerë. Një gjë e tillë mund të shkaktojë konflikte të reja në Lindjen e Mesme dhe kudo ndërsa regjimet ambicioze vënë në sprovë vendosmërinë e Uashingtonit. Në Evropë, kancelarja Angela Merkel paralajmëroi në mesazhin e saj të Vitit të Ri se Gjermania, motori i BE-së, do përballet me një klimë më të vështirë ekonomike. Qeveria gjermane e ka ulur parashikimin për prodhim ekonomik në më pak se 1%, ndërsa banka qendrore e vendit ka paralajmëruar se Gjermania mund t’i afrohet recesionit këtë vit. Merkeli madje, paralajmëroi se kriza e borxheve në eurozonë nuk ishte drejt fundit. Berlini do ketë detyrën e vështirë të zgjidhë çështjet e borxheve të brendshme në shtetet e Mesdheut dhe të ruajë pozitën e Gjermanisë si pagator. Një rol i tillë nuk pranohet nga një numër i madh votuesish gjermanë dhe nga deputetët konservativë.

Ndërsa BE-ja belbëzon, Banka Botërore paralajmëron se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor do tkurren në 2013-n. Pasojat e krizës së borxhit të eurozonës janë më të këqija nga sa druheshin në fillim. Në Serbi, ekonomia më e madhe e rajonit, PBB-ja do tkurret me 2% ndërsa Beogradi tenton të shkurtojë borxhet në rritje. Prodhimi në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoni nuk do ndryshojë nga niveli i tanishëm dhe vetëm Shqipëria dhe Kosova mendohet se do shënojnë rritje të kufizuar. Kriza e eurozonës ka pasur ndikim të madh në Ballkan, duke qenë partneri kryesor tregtar dhe burimi kyç i investimeve, financave dhe remitancave të punonjësve. Të gjithë vendet e Ballkanit duhet të shkurtojnë deficitin dhe të ulin borxhin publik, ndërkohë që përmirësojnë klimën e investimeve dhe reformojnë tregjet e punës dhe sektorin publik. Këto parashikime politikash përkthehen në sfida të stërmëdha në vendet që dëshmojnë pakënaqësi në rritje të publikut dhe polarizim politik. Në vendet ku integriteti i shteteve është në dyshim, si në Bosnjë dhe ka gjasa edhe në Maqedoni, rënia e mëtejshme ekonomike mund t’i shndërrojë pozitat e dyshimta në përballje të rrezikshme në 2013-n.