Janusz Bugajski/Çfarë mendon Uashingtoni? Beteja mbi mburojën raketore

508
Sigal

Mosmarrëveshja e vjetër mes Uashingtonit dhe Moskës mbi sistemin evropian të mburojës raketore nuk ka gjetur zgjidhje ende. Ndërsa Shtëpia e Bardhë po bën lëshime për të arritur edhe bashkëpunimin e Rusisë në një sërë çështjesh të sigurisë, Kremlini e sheh këtë tërheqje të Amerikës si dobësi që mund të shfrytëzohet në avantazh të Rusisë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Çak Hageli, ka thënë se planet për instalimin e kapësve raketorë me rreze të gjatë në Poloni gjatë dekadës së ardhshme, si mbrojtje kundrejt një kërcënimi të mundshëm iranian, janë braktisur. Në vend të kësaj, për shkak të kërcënimit në rritje nga një Kore e Veriut tepër armiqësore kundër vetë Amerikës, SHBA-ja ka në plan të vendosë kapës shtesë në Alaskë.

Planet amerikane të mburojës raketore në Evropë në fillim përfshinin një sistem katërfazor, me kapës me rreze të shkurtër dhe mesatare që do dislokoheshin në tre fazat e para dhe kapës me rreze të gjatë, në fazën e katërt që u braktis. Moska e shikon sistemin e mburojës raketore me bazë në Evropë si kërcënim për arsenalin bërthamor strategjik të Rusisë. Ata deklarojnë se në këtë mënyrë, Perëndimi do jetë i aftë të eliminojë raketat balistike ndërkontinentale ruse dhe do sfidojë sigurinë e vendit. Në realitet, çdo mbrojtje amerikane për demokracitë e reja shihet si një ndërhyrje e papranueshme në zonën e ndikimit rus. Zyrtarët rusë kërkojnë ta eliminojnë plotësisht mburojën raketore, ose si alternativë, ata duan të ndërtojnë një sistem të përbashkët me NATO-n, që do e vendoste Evropën Qendrore përsëri nën një mbrojtje të padëshiruar ruse. Objektivi kryesor i Varshavës është një prani ushtarake amerikane në territorin polak, që do ndihmojë në garantimin e sigurisë së vendit dhe do frenojë kërcënimet ruse në të ardhmen. Shumë pak besojnë në garancitë që ofron NATO-ja për sigurinë pa praninë ushtarake amerikane. Mburoja raketore është themeli i bashkëpunimit ushtarak mes Amerikës dhe Polonisë. Varshava i ka pranuar me ngazëllim kërkesat e SHBA-ve për një sistem të tillë që kur Polonia u bë anëtare e NATO-s. Zyrtarët amerikanë  e sigurojnë Varshavën se anulimi i fazës përfundimtare të mburojës raketore nuk do ulë sigurinë e vendit të tyre dhe vendimi nuk u mor për të kënaqur sadopak Rusinë. Fatkeqësisht, ndryshimet e papritura në planet e Uashingtonit kanë hedhur dyshime mbi qëllimet afatgjata amerikane. Varshava është e ndërgjegjshme që në një periudhë shkurtimesh buxhetore që vijnë e rriten në SHBA, Kongresi mund të kundërshtojë programin multimiliarda dollarësh që mbron vetëm Europën.