Jakup B. Gjoça: Vettingu në dorën e kryeministrit Rama do të (Keq)përdoret si Shpata e Demokleut

593
Kryeministri Edi Rama po shton dozat e propagandës dhe të akuzave politike ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe institucioneve të Drejtësisë, të cilët i akuzon se janë të korruptuar, – pa dhënë as emra konkretë dhe as raste korrupsioni konkretë. Kohë më parë Kryeministri Edi Rama e cilësoi KLD-së, si “kënetë”!

Kryeministri Rama është politikani më i “imunizuari” nga Gjyqësori
Është e paprecedent, është shkelje flagrante e Kushtetutës, është jashtë çdo standardi demokratik, që cilido kryeministër, të akuzojë në përgjithësi gjyqtarë, prokurorë dhe institucione të Pavarura të Drejtësisë! Për më tepër, Edi Rama, si politikan, por edhe si kryeministër, duhet të jetë i fundit, edhe si politikan, edhe si qytetar në Republikën e Shqipërisë, që mund të ketë të drejtën ligjore, të drejtën morale, të drejtën politike, që të akuzojë me frazeologji politike, pa fakte dhe emra konkretë, publikisht gjyqtarë, prokurorë dhe institucionet e Gjyqësorit dhe të Drejtësisë! Edi Rama, është qeveritari më jetëgjatë, që qeveris në Shqipëri, më shumë se çdo tjetër politikan postkomunist! Edi Rama ka qeverisur Tiranën 11 vjet si kryebashkiak, ka qënë ministër në qeverinë “Nano”, dhe ka 4 vjet si kryeministër! Haptas dhe publikisht, Edi Rama është akuzuar për korrupsion, që kur ishte kryebashkiak i Tiranës, pavarësisht se ky Gjyqësor që është në Shqipëri, as e hetoi dhe as e gjykoi asnjëherë! Nëse pyeten biznesmenët në Tiranë, akuzat e biznesit ndaj kryebashkiakut Edi Rama të çojnë te tarifat e 20 %, që mbi paguanin për çdo shërbim bashkiak dhe leje ndërtimi në Tiranë! Qeveria e kryeministrit Edi Rama është akuzuar publikisht dhe nga të gjithë faktorët politikë shqiptarë dhe ndërkombëtarë për korrupsion, sa ambasadori i SHBA në Tiranë Donald Lu denoncoi publikisht në nëntor 2015, se ministrat e korruptuar pengojnë Reformën në Drejtësi, por deri tani kryeministri Rama nuk ka shkarkuar asnjë ministër të korruptuar, ndoshta sepse kryeministri Edi Rama është, ose Peng i ministrave të korruptuar, ose është koka e korrupsionit në Qeveri! Kryeministri Rama, është i vetmi kryeministër në Shqipëri, që nga 1912-ta, që me një vit qeverisje të tij, arriti të ndërtojë në Surrel vilë 10 milionë euro, por që asnjëherë Gjyqësori shqiptar nuk mori mundimin që ta hetonte dhe ta gjykonte kryeministrin Edi Rama për korrupsion, pasi ku i gjeti 10 milionë euro që ndërtoi vilën e tij private, ndërkohë, që deklaron vetëm 3.000 euro depozitë bankare dhe është paguar me rrogë modeste, si edhe për pastrim parash, ndoshta të fituara nga abuzimi i detyrës shtetërore. OSBE-ja në Tiranë, në raportin paszgjedhor të 21 qershorit 2015 që iu dërgua OSBE-së në Bruksel, shkroi se pasuria personale e kryeministrit Edi Rama është mbi 200 milionë euro! Gjyqësori në Shqipëri, jo vetëm që nuk mori mundimin që të hetojë këtë akuzë të OSBE-së, por, përkundrazi, deputetët socialistë publikisht e kërcënuan misionin e OSBE-së në Shqipëri me zbimin nga Shqipëria, me pretekstin politik se i ka mbaruar misioni i OSBE-së në Shqipëri!

Kriminalizimi i Parlamentit dhe i Pushtetit Vendor është produkt politik I Edi Ramës
Edi Rama, si kryetari i PS-së që nga 2005-sa, është faktori kryesor politik i kriminalizimit të Parlamentit dhe i Pushtetit Vendor. Edi Rama, si kryetar i PS-së, futi në parlament me Listat e Kandidatëve për deputet të PS-së, persona me rekorde kriminale. Qëllimisht dhe me bindje, sepse Edi Rama, si kryetari i PS-së, u mbështet në fitoren elektorale të PS-së në 2013-n, pikërisht në financimin dhe bashkëpunimin e personave me rekorde kriminale. Parlamenti aktual, u detyrua që të bëjë Katharsin nga deputetët me rekorde kriminale, votoi Ligjin e Dekriminalizimit. Armando Prenga është deputeti socialist, që u detyrua pardje të japë dorëheqjen, pikërisht nga Ligji i Dekriminalizimit. Edi Rama, si kryetar i PS-së akoma nuk ka bërë jo vetëm autokritikë morale, si përgjegjësi politik i kriminalizimit të Parlamentit, por duhej që të dorëhiqej edhe si kryeministër, pasi maxhoranca e tij mbështetet, pikërisht në deputetë me rekorde kriminale! Edi Rama, gjithashtu, me bindje dhe qëllimisht bëri kryebashkiakë në 2015-s, sërish persona me rekorde kriminale, saqë KQZ-ja, mbështetur në Ligjin e Dekriminalizimit, u detyrua t’u heqë mandatin kryebashkiakëve socialistë! Edi Rama, si kryetar i PS-së, duke bërë deputetë dhe kryebashkiakë persona me rekorde kriminale, u mbështet në fitoren elektorale, duke u financuar dhe duke bashkëpunuar me Botën e Krimit!

Kryeministri Rama është politikani që duhet të flasë i fundit kundër Drejtësisë
Po, të gjithë e dimë, të gjithë e kemi vuajtur duke e provuar që drejtësia gjyqësore, në çdo vendim gjyqësor, në Shqipëri shitet dhe blihet! Po, të gjithë e dimë se ka gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar! Por, që kemi gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, në gjithë piramidën e Gjyqësorit, të Drejtësisë, kjo ndodh, sepse të tillë e duan Gjyqësorin dhe Drejtësinë vetë qeveritarët! Gjyqtari dhe prokurori i korruptuar, duke e shitur drejtësinë gjyqësore, së pari i shërben interesave personale të (çdo) kryeministrit, ministrit, deputetit! Edi Rama, si kryeministër nuk akuzoi prokurorinë, që zvarrit hetimin për 1.2 miliardë lekët e deputetit socialist Alfred Peza! Edi Rama si kryeministër nuk akuzoi gjyqtarin përse vendosi që deputeti socialist të lirohet nga burgu, edhe pse akuzohet se qëlloi me armë qytetarin! Edi Rama nuk akuzon prokurorinë përse nuk padit penalisht kryebashkiakun socialist që ka fshehur rekordet e tij kriminale, në bazë të Ligjit të Dekriminalizimit! Edi Rama nuk akuzon prokurorinë, përse nuk heton paditë që bën KLSH-ja për shpërdorimin e 2 miliardë lekëve nga qeveria dhe të miliardave lekëve nga kryebashkiakët socialistë! Edi Rama nuk akuzon prokurorinë, përse nuk hetoi ministrat e korruptuar, të cilët i denoncoi ambasadori i SHBA në Tiranë! Edi Rama nuk akuzon Prokurorinë, përse nuk hetoi shitblerjen e votave në zgjedhjet vendore në 2015-n, kur OSBE-ja deklaroi dhe raportoi se fushata elektorale u financua me paratë e krimit dhe vota u ble! Edi Rama nuk akuzon as gjyqësorin dhe as prokurorinë, që ende nuk kanë hetuar fhe gjykuar kokat e mbjelljes dhe të trafikimit të Kanabis në Shqipëri, por mburret me deklaratat e shtypit të Policisë, me propagandimin e shkuljes dhe disa rrënjëve Canabis? Edi Rama si kryeministër përse nuk padit shërbimet informative dhe policore të shtetit shqiptar, që nuk mundin të zbulojnë hangarët e përpunimit të tonelatave Kanabis në Shqipëri? Edi Rama, si kryeministër përse nuk padit Doganat shqiptare, të cilat lejojnë “eksportin” e tonelatave Kanabis nga Shqipëria drejt Evropës, por tallet me shqiptarët, kur avionët e trafikimit të Kanabis i cilëson”mushkonja”?

Vettingu përdoret nga kryeministri Rama për të marrë peng Vendimmarrjen e Gjyqësorin
Shqiptarët e kanë bindjen se kryeministri Edi Rama nuk e kërkon Vettingun për të bërë Katharsin e Gjyqësorit nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar! Kurrsesi, kjo! Qëllimi politik i kryeministrit Rama, nëpërmjet reformës në Drejtësi dhe Vettingut, është të bëjë spastrimin e atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilëve ai, si kryeministër nuk u imponon vullnetin e tij në vendimmarrjen gjyqësore! Nuk mund të ketë Vetting në Gjyqësor pa u kryer më parë Vettingu i qeveritarëve dhe i deputetëve! Kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë të drejtë morale, ligjore politike, të flasë për asnjë gjyqtar dhe prokuror të korruptuar, pa u shpjeguar më parë shqiptarëve, se ku i gjeti milionat euro që ndërtoi vilën e tij personale në Surrel! Nëse kryeministri Rama, Vettingun nuk e fillon nga vetvetja, atëherë çdo qëndrim i tij për Vettingun është hipokrizi, çdo akuzë e tij për gjyqtarët e prokurorët e korruptuar është propagandë! Kur BE i kushtëzoi Shqipërisë kryerjen e reformave kundër krimit dhe korrupsionit, fokusi, objektivi politik është qeveria e Kryeministrit Rama, sepse qeveria korrupton dhe bashkëpunon me krimin, ngaqë kriminalizoi edhe Parlamentin. Ndaj kryeministri Rama tani e përdor Vettingun, jo si reformë, por si shpata e Demokleut, për t’u prerë kokën të gjithë atyre prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilëve nuk u imponon politikën e tij në vendimmarrjen gjyqësore, por edhe ndaj kundërshtarëve të vet politikë. 
Sigal